E marte, 10.12.2024, 06:13 AM (GMT)

Mendime

Eshref Ymeri: Tellalli i Putinit Pirro Prifti

E premte, 09.06.2023, 07:53 PM


Tellalli i Putinit Pirro Prifti

Nga Eshref Ymeri

Në konferencën e shtypit që dha më 23 dhjetor 2021, Putinit   iu  drejtua një pyetje nga një gazetare angleze e kanalit televiziv “Sky News” lidhur me Ukrainën. Putini i dha përgjigjen në vijim:

“E keni fjalën se kush e krijoi Ukrainën? Lenini e  krijoi. Vladimir Iliçi. Kur po krijonte Bashkimin Sovjetik. Sipas marrëveshjes së vitit 1922 për bashkimin e republikave dhe të vitit 1924, kur u aprovua Kushtetuta, ç’është e vërteta, pas vdekjes së tij, por po sipas parimeve të tij” (Citohet sipas: “Putini theksoi se kush e krijoi Ukrainën”. Faqja e internetit “RBK”. 23 dhjetor 2021).

Paraprakisht, më12 korrik 2021, në faqen e internetit “kremlin.ru”, Putini pati botuar artikullin me titull “Për unitetin historik të rusëve dhe të ukrainasve”.

Me artikullin e 12 korrikut dhe me konferencën e shtypit të 23 dhjetorit të vitit 2021, Putini, në radhët e opinionit publik, po shpërndante tezën mashtruese, sipas së cilës Ukrainën e paskej krijuar Lenini në vitin 1922. Fjala është për marrëveshjen e 30 dhjetorit 1922 për krijimin e Bashkimit Sovjetik. Në këtë mënyrë, Putini justifikonte politikën e vetë shoviniste në raport me Ukrainën. Ai mundohej t’i bindte lexuesit se Ukraina, si shtet, nuk paska ekzistuar kurrë! Se, gjoja, gjithë njerëzit që kanë pasë populluar atë territor, paskan qenë “rusë rrënjës”.

Në të vërtetë, organizimi shtetëror ukrainas zë fill që në kohët e Rusës Kieviane. Për dijeninë e lexuesve, fjala rusa (në ukrainisht dhe në rusisht ????) ka pasë shërbyer si emërtim historik i tokave të sllavëve lindorë dhe i shtetit që qe formuar atje në shekujt e mesjetës. Fillimisht përmendet Rusa Kieviane dhe shtatë shekuj më vonë - Rusa Moskovitiane.  Rusa Kieviane kishte si kryeqendër Kievin, i cili është themeluar në fundin e shek. V (viti 482). Juri Dollgoruki (1090-1157), që pati themeluar Moskën, ishte princ kievian. Moskën, si kryeqendër e Rusës Moskovitiane, ai e pati themeluar në mesin e shek. XII (1147). Pra, kur Moska ishte në ndërtim e sipër, Kievi i lashtë ishte tashmë një qytet i zhvilluar, me tempuj, ndërtesa banimi dhe me një rrjet të dendur tregtar. Nga pikëpamja e zhvillimit, ndryshimi i Rusës Kieviane nga Rusa Moskovitiane, siç do të theksohet më poshtë, ka qenë shumë i madh. Prandaj të deklarosh që Ukraina qenka krijesë e Leninit dhe e bolshevikëve rreth tij, është mashtrim i kulluar.

Marrëdhëniet mes Kievit dhe Moskës kanë një parahistori të gjatë, e cila është shoqëruar me mjaft ngjarje të rënda, që kanë lënë gjurmë të thella në vetëdijen kombëtare të popullit ukrainas. Ato marrëdhënie kanë kaluar nëpër një spirale tragjike.

Përplasjet politike mes këtyre dy shteteve e kanë zanafillën shumë të hershme. Heroi kombëtar i popullit ukrainas, Bogdan Hmelnjicki (1595-1657), në Kuvendin e Perejasllavit, të mbledhur më 18 janar 1654, shpalli bashkimin me Rusinë, mbi bazën e të drejtave të barabarta, në kuadrin e dy shteteve të përbashkëta. Por pas vdekjes së Hmelnjickit, shovinizmi rusomadh e zhduku dokumentin e firmosur prej tij, që vërtetonte barazinë e plotë mes të dy shteteve, me qëllim që ta shndërronte Ukrainën në koloni të vetën. Ishte pikërisht pabesia e shovinizmit rusomadh ajo që e detyroi të birin e Bogdan Hmelnjickit, Juri Hmelnjickin (1641-1685), t’i shkëpuste lidhjet me Rusinë. Më vonë Ukraina përsëri ra nën zgjedhën e carizmit rus, zgjedhë kjo që vazhdoi deri në Revolucionin e Tetorit, por që u bë edhe më e egër nën sundimin e komunistëve sovjetikë.

Rusia e pati zhdukur dokumentin që pati firmosur me Bogdan Hmelnjickin për barazinë mes dy vendeve, sepse, tradicionalisht, ajo ka qenë dhe vazhdon të mbetet kryekështjellë e krimit, e pabesisë dhe e mashtrimit.

Qëndrim të pabesë pati mbajtur Rusia Cariste ndaj Napoleon Bonapartit (1769-1821), me të cilin cari Aleksandri I (1777-1825) pati nënshkruar Paqen e Tilzitit. Në shenjë hakmarrjeje, në vitin 1812 Napoleoni filloi fushatën kundër Rusisë. Atë luftë Rusia e pati fituar, por i kushtoi 300 mijë ushtarë të vrarë (Citohet sipas: “Humbjet në njerëz të ushtrisë ruse në luftën e vitit 1812 kundër Napoleonit”. Faqja e internetit “Politforum”. 29 qershor 2018).

Qëndrim të pabesë pati mbajtur Bashkimi Sovjetik ndaj Hitlerit (1889-1963), me të cilin, më 23 gusht 1939, pati nënshkruar në Moskë Paktin Molotov-Ribentrop. Në shenjë hakmarrjeje, Hitleri, më 22 qershor 1941, filloi sulmin kundër Bashkimit Sovjetik. Atë luftë Bashkimi Sovjetik e pati fituar, por i kushtoi 6 300 000 ushtarë të rënë robër, nga të cilët 3 800 000 vetëm gjatë vitit 1941 (Citohet sipas: “Lufta e dytë botërore”. Faqja e internetit “Novaja gazeta”. 27 prill 2010), si edhe 26 600 000 të vrarë ushtarakë dhe civilë (Citohet sipas: “Lufta e dytë botërore”. Faqja e internetit “DW”. 31 gusht 2019).

Prandaj kishte shumë të drejtë Bismarku (1815-1898) kur thoshte:

“Një marrëveshje e nënshkruar me Rusinë nuk vlen as sa letra në të cilën është shkruar”.

Në konferencën shtypit që u përmend më lart (23 dhjetor 2021), gazetarja angleze e televizionit “Sky News”, Diana Magi, i qe drejtuar Putinit me pyetjen:

“A ka ndër mend Federata Ruse të sulmojë Ukrainën?”.

Ja cila ishte përgjigjja e Putinit:

“Moska nuk kërcënon askënd“ (Faqja e internetit “Sputnjik”. 23 dhjetor 2021).

Kjo përgjigje më kujtoi shkrimtarin e njohur rus Ivan Turgenjev (1818-1883), i cili ka thënë:

“Njeriu rus është gënjeshtari më i madh dhe më i paturpshëm në mbarë botën” (Citohet sipas: “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe për rusët”. Faqja e internetit “Adskije novosti”. 19 shkurt 2015).

Putini mashtronte pa pikë turpi, ndërkohë që plani për të sulmuar Ukrainën pas një muaji, tashmë ishte përgatitur me kohë.

Për çudi, një intelektual shqiptar, Pirro Prifti, del e bëhet tellall i kryekriminelit Putin, duke mbështetur mashtrimet e këtij të fundit dhe të krejt lukunisë së propagandistëve gënjeshtarë të gërmadhinës rusomadhe, sipas të cilëve Ukrainën e paska shpikur Lenini më 30 dhjetor 1922.

Në faqen e internetit të gazetës“Sot” të datës 25 maj 2023, lexova replikën e Pirro Priftit me Shaban Muratin. Replika titullohej “Holodomori si Genocid dhe Pasaktësitë e  z. Shaban Murati”. Në faqen e internetit të gazetës “Dita” të datës 24 maj 2023, ishte botuar artikulli i Shaban Muratit, me titull Kuvendi të njohë holodomorin si gjenocid rus ndaj popullit ukrainas”. Në atë artikull bëhej fjalë për epideminë e vdekjes që diktatura staliniste pati përhapur në Ukrainë në vitet 1932-1933 nëpërmjet armës së urisë. Shaban Murati, ndër të tjera, thekson me shumë të drejtë:

“Holodomori ishte një politikë dhe strategji paranaziste e Moskës për të nënshtruar Ukrainën dhe popullin e saj dhe për të eliminuar çdo përpjekje për identitet kombëtar dhe pavarësi”.

Së pari, fjala holodomor duhet shkruar gollodomor (kompozitë e ukrainishtes dhe e rusishtes, e përbërë nga dy fjalë - gollod (uri) dhe mor (vdekje në masë), që do të thotë vdekje nga uria, kurse fjala holodomor, e cila duhet shkruar hollodomor, do të thotë vdekje nga të ftohtit, çka është krejtësisht tjetër gjë.

Së dyti, në replikën me Shaban Muratin, Pirro Prifti, në rolin e tellallit të Putinit, i përcillte opinionit publik mbroçkullën e këtij të fundit, duke shtuar kot edhe gjëra nga vetja:

“Dihet gjithashtu se Republika sovjetike Socialiste e  Ukrainës e asaj kohe, ishte një krijesë e bolshevikëve me qëllim që të krijonin një shtet buffer përballë një lufte të ardhshme me Gjermaninë Naziste”.

Pra, Pirro Prifti, si servil mjaft i zellshëm i Ramës, mikut të Vuçiçit, e pasuron edhe më shumë zejen e servilizmit, deri në Rusi, duke dalë në mbrojtje të sulmit të ushtrisë fashiste ruse kundër Ukrainës, sepse, sipas gjykimit të tij, solidar me Putinin, Ukraina s’paska ekzistuar kurrë si shtet më vete, por paska qenë një sajesë e Leninit e vitit 1922. Në këtë mes, sipas Pirro Priftit, Ukraina na qenka thjesht një pjellë e bolshevikëve, jo një shtet me histori të lashtë kombëtare. Kur dikush vihet në shërbim të të huajve, dhe aq më tepër në shërbim të një shteti fashist, si Rusia, që ka në krye një kriminel me damkë, si Putini, të cilin Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka deklaruar person që duhet arrestuar për krime kundër njerëzimit, kjo do të thotë se ai ka kryer një akt tradhtie kundër vendit të vet.

Me një deklaratë të tillë në mbështetje të Putinit, Pirro Prifti rreshtohet në anën e shovinizmit rusomadh, armikut të betuar jo vetëm të kombit ukrainas, por edhe të kombit shqiptar.

Duke sulmuar padrejtësisht Shaban Muratin, diplomatin, analistin dhe publicistin me vetëdije të lartë kombëtare, tellalli putinist Pirro Prifti shpreh revoltën e vet që Shabani “merret vetëm me Rusinë, për të treguar se sa proamerikan është”. Pra, ata që simpatizojnë Amerikën, Pirro Prifti i matka me kutin e vetes, si simpatizant i Rusisë fashiste.

Kësisoj, Pirro Priftit i sëmbon në zemër kur dikush demaskon shtetin fashist rus, si kryevatra e krimit kundër Ukrainës. Prandaj, një artikulli, të botuar në gazetën “Bota Sot” të datës 21 dhjetor 2017, ky tellall i Putinit i kishte vënë titullin : “Në Shqipëri nuk ka lob rus, por ka simpati për Rusinë”.

Sigurisht, në Shqipëri ka simpati për Rusinë. Se në Shqipëri, në kohën e sundimit të kryekriminelit Enver Hoxha, u vendos diktatura më e egër komuniste, duke ndjekur pikërisht modelin e diktaturës staliniste në Bashkimin Sovjetik. Dhe domosdo, ajo diktaturë do ta ndotte shumë rëndë psikologjinë e pjesës së konsiderueshme të popullit tonë me ideologjinë komuniste, gjurmët e së cilës duken qartë edhe në ditët tona nëpër takimet e kryeneokomunistit Rama me delepopullin socialist. Pirro Prifti ështi i rreshtuar në radhët e këtij delepopulli socialist, prandaj edhe ushqen simpati për Rusinë. Madje duhet theksuar se midis shqiptarëve, ka edhe simpatizantë të Rusisë nga radhët e ish-ushtarakëve. Në një letërkmbim që kam pasur vitin e kaluar me një ish-ushtarakë të lartë, duke pasur parasysh që është specialist shumë i mirë i artit ushtarak, e pata pyetur se si e parashikonte fundin e agresionit të Rusisë fashiste kundër Ukrainës. Më befasoi përgjigjja e tij: “Rusia, - më shkruante, - do të dalë edhe më e fortë nga kjo luftë”.

Në replikën me Shaban Muratin, Pirro Prifti deklaron se nuk mund të bëhet fajtor populli rus për vdekjet nga uria në Ukrainë, por regjimi stalinist, sepse Stalini nuk ishte rus!!!

Domethënë, sipas Pirro Priftit, krimet e rënda kundër Ukrainës qenkan kryer për faj të Stalinit, i cili nuk ishte rus, se sikur në krye të Bashkimit Sovjetik, sipas tij, të kishte qenë një rus, krime të tillë nuk do të qenë kryer kurrë!!! Vajmedet për gjykimin e këtij intelektuali! Po sot, kur në krye të ngrehinës kriminale rusomadhe është një rus, kryekrimineli Putin, si qenka e mundur që ushtria fashiste ruse të kryejë krime kaq barbare kundër popullit ukrainas?

Ai populli rus, për të cilin tellali i Putinit Pirro Prifti ushqen aq shumë simpati, sipas sondazheve që janë bërë, në shumicën dërrmuese, e ka përkrahur dhe vazhdon ta përkrahë fuqimisht sulmin e ushtrisë fashiste ruse të 24 shkurtit 2022 kundër Ukrainës. Në njërin prej sondazheve të kryera, jepet kjo e dhënë faktike:

“Tre të katërtat e të intervistuarve (75%) kanë deklaruar se përkrahin veprimet e trupave ruse në Ukrainë” (Citohet sipas: “Përkrahja e operacionit special”. Faqja e internetit“RTVI”. 30 qershor 2022).

Por në një tjetër sondazh, të kryer dy muaj më vonë, jepet një e dhënë sa skandaloze, aq edhe demaskuese për popullin rus:

“Sipas rezultateve të një sondazhi, një përkrahje shumë më e madhe për veprimet e ushtrisë së Federatës Ruse vihet re në radhët e shtresës së më të moshuarve të popullsisë - 85%” (Citohet sipas: “Gjashtë muaj më vonë, 76% e rusëve janë në mbështetje të luftës në Ukrainë - sondazhi”. Faqja e internetit “Pravda.ru”. 02 shtator 2022).

Pirro Priftit, si një të dashuruari pas Rusisë dhe rusëve, nuk i bëka përshtypje absolutisht gjenocidi i egër që ushtria  kriminale ruse ka kryer dhe vazhdon të kryejë në Ukrainë kundër popullsisë civile, nuk e shqetësuakan vrasjet e njerëzve, si në Buça, dhe groposjet në varre masive. Kur po transmetoheshin në youtube ato skena llahtarisëse të krimeve të ushtrisë fashiste ruse, më erdhën ndër mend vlerësimet që kanë bërë për rusët katër personalitete: një gjerman, një çeçen dhe dy rusë, të cilët po i rendis në vijim.

?dam Oleari (Adam Olearius - 1603-1671), udhëtar, gjeograf, orientalist, historian, matematikan dhe fizikan gjerman, në kujtimet e veta për rusët, shkruan:

“Kur i këqyr rusët në aspektin e tipareve të tyre shpirtërore, e temperamentit dhe mënyrës së jetesës, ata, pa dyshim, nuk mund të mos i përfshish në sërën e barbarëve” (Citohet sipas: “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe për rusët”. Faqja e internetit “Adskije novosti”. 19 shkurt 2015).

Xhokar Dudajev (1944-1996), presidenti i parë i Republikës së Çeçenisë në vitet 1991-1996, i vrarë nga trupat fashiste ruse, ka shprehur këndvështrimin e vet mjaft objektiv për popullin rus.

“I vetmi, ndoshta, popull mbi Tokë, i cili nuk beson në  asgjë, që është pa botë shpirtërore, pa moral dhe që ka mbetur prapa nivelit të zhvillimit të njerëzimit, një popull i pashpresë për një kohë të gjatë, është populli rus. Nuk ka kurrfarë besimi, asnjë besimi nuk i nënshtrohet, nuk është i prirur për kurrfarë bote shpirtërore, nuk njeh kurrfarë normash sjelljeje, kurrfarë morali. Dhe kjo, për fatkeqësinë e madhe po të vetë popullit rus, vihet re në një masë të konsiderueshme. Për këtë që po ndodh, Çeçenia shërben vetëm si pretekst. Por në thelb, ky është tipari themelor i karakterit të popullit rus, i një populli të sëmurë nga rusizmi, i një populli që udhëhiqet nga  ideologjia e urrejtjes. Por për një gjë të tillë ai duhet ta pësojë. Popullin rus e presin prova shumë të rënda dhe parashikimet janë ogurzeza. Mungojnë idetë, idetë e komunizmit, e socializmit, e krijimit të mundësive të ndryshme, rezultuan si flluska sapuni. Dhe kjo për arsye se gjithçka qe krijuar mbi bazën e rusizmit. Por përderisa mungojnë idetë, atëherë nuk mund të ketë një shtet juridik rus. Mungon legjitimiteti i vetë shtetit, nuk ekziston kurrfarë dege e pushtetit. Atëherë, kur mungojnë idetë, kur mungon legjitimiteti i shtetit dhe i degëve të pushtetit të tij, do të thotë se nuk ka vend për politikën, as për atë të brendshmen, as për atë të jashtmen. Në këto kushte, kur mungon komponenti i tretë, nuk ka vend as për ideologjinë. Për pasojë, mungojnë motivet, mungon stimuli. Këtu merr fund perspektiva. Kjo është njëra rrugë. Rruga tjetër e zhvillimit, e qytetërimit të njerëzimit, është bota shpirtërore. Rusi nuk është besimtar as i Krishtit, as i Muhametit, as i Budës, ai nuk beson në asgjë. Por që i tërë populli të bëhet me botë shpirtërore, për këtë duhet punuar derisa të kalojnë, minimumi, tre breza. Por edhe kjo rrugë është e mbyllur. Tani po përpiqen politika, ideologët, për të zgjedhur një rrugë të tretë - ky është sllavianizimi, bashkimi mbi bazë sllaviane. Por edhe nga kjo përpjekje, gjithashtu, nuk do të rezultojë asgjë, sepse komponenti kryesor përbërës i sllavianizimit - ukrainasit - nuk do të pajtohen kurrë me rusifikimin dhe me rusizmin… Popujt e ish-Bashkimit Sovjetik, të Rusisë së sotme ose të ndonjë aleance të ardhshme me Rusinë, janë të sëmurë nga rusizmi. Madje duhet theksuar se kjo është një sëmundje kronike shumë e rëndë dhe shumë e rrezikshme. Rusizmi është më i tmerrshëm se fashizmi, se nazizmi, se të gjitha ideologjitë e urrejtjes së njeriut për njeriun (Citohet sipas:”Youtube. Taras Kokovski. 15 prill 2022).

Pjetri i Parë (1672-1725), perandori i parë i Rusisë, ja si i është shprehur për rusët:

“Me popujt e tjerë evropianë mund ta arrish qëllimin me mënyra dashamirëse për njeriun, kurse me rusët ndryshon puna... Unë kam të bëj jo me njerëz, por me kafshë, të cilët dëshiroj t’i shndërroj në njerëz” (Citohet sipas: “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe për rusët”. Faqja e internetit “Adskije novosti”. 19 shkurt 2015).

Aleksandër Litvinjenko (1961-2006), ish-kolonel i sigurimit rus, i specializuar për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kritikoi haptas politikën e autoriteteve ruse dhe personalisht Putinin, të cilin e pati akuzuar për shumë krime dhe për luftën agresive kundër Çeçenisë. Pas kërcënimeve që ju bënë nga autoritetet shtetërore, u detyrua të arratisej familjarisht në Britaninë e Madhe, ku iu dha strehim politik. Por agjentët e Putinit edhe këtu e ndoqën pas, derisa më 23 nëntor 2006 e helmuan me polonium 210, një lëndë radioaktive kjo jashtëzakonisht e rrallë dhe e vështirë për t’u zbuluar. Vlerësimet e tij për popullin rus, si mbështetës i fuqishëm i kryekriminelit Putin në organizimin e luftërave agresive kundër etnive joruse, janë me të vërtetë befasuese. Ai shkruan:

“Si mysafir te miqtë e mi çeçenë, ndoqa një film dokumentar dhe pashë se si makina ushtarake ruse i fshinte nga faqja e dheut qytete dhe fshatra, duke vrarë me egërsi dhe pa mëshirë gra, pleq dhe fëmijë. Për një orë e gjysmë isha dëshmitar i krimeve të përbindshme dhe i vuajtjeve të pabesueshme të atyre që patën fatin të lindin dhe të jetojnë në këtë botë si njerëz të lirë dhe krenarë. U duhet dhënë haku prodhuesve të filmit, në të cilin nuk ka vend kurrfarë propagande, ka vetëm të vërteta. Të vërteta dhe asgjë tjetër, veç të vërtetave. Dhe kur herën tjetër, nga ekrani i televizorit po më shikonte një plak i thinjur që kishte mbetur pa strehë mbi kokë, ose një vogëlush rreth pesë vjeç, me pamjen e një të rrituri, më erdhi tmerrësisht turp që jam rus. Madje, duke e ndier veten si të ndotur me pisllëk kokë e këmbë, doja që, me një leckë larëse, t’ia rrjepja lëkurën vetes, së bashku me përkatësinë kombëtare, si pjesë e popullit “të madh dhe të fuqishëm” rus. Duke ndjekur pamje të tmerrshme nga ajo luftë dhe vuajtjet e njerëzve të pambrojtur, shikoja se si burrat çeçenë shtrëngonin grushtet në heshtje, gratë çeçene qanin pa zë, kurse unë doja vetëm një gjë - një dush të nxehtë dhe të rrjepja, të rrjepja dhe vetëm të rrjepja gjithçka që e thërrasim me fjalën “rus” dhe që nga qenia ime të mos vijë më kurrë era e ndotur rusizëm. Vladimir Bukovski (1942-2019 - jurist, shkrimtar, publicist dhe aktivist shoqëror, njëri nga themeluesit dhe pjesëmarrës aktiv të lëvizjes disidente në Bashkimin Sovjetik, i larguar për në Angli në vitin 1976 - E.Y.), në gjykimin e vet për Rusinë dhe rusët, pati deklaruar: “Putini!? Nuk është rus. Vrasës dhe fundërrina të tilla nuk kanë kombësi. Rusë janë të tillë, si puna ime, Saharovi dhe Sollzhenjicini”. Nuk ka dyshim se Vladimir Bukovski edhe këtë herë ka të drejtë, se njerëz të tillë, si Putini, vërtet nuk kanë kombësi. Po atëherë si t’ia bëjmë hallit me 145 milionë të tjerë, pa pëlqimin e heshtur të të cilëve nuk do të kishte mbi tokë putinë dhe shëmtira e maskarenj si puna e tij? Dhe cilës kombësi i përkasin këto miliona krijesash të heshtura dhe të nënshtruara, të cilat, ende për forcë zakoni, e quajnë veten rusë? Atëherë cila është lumturia? Lumturi i thonë atëherë kur nuk e fsheh kombësinë tënde! Lumturi i thonë atëherë kur nuk të vjen turp për Atdheun tend! Lumturi i thonë atëherë kur nuk të pështyjnë nga pas vetëm e vetëm se ti je rus!” (Citohet sipas: Aleksandër Litvinjenko. “Çfarë është lumturia?”. Faqja e internetit “apocalypse-2012.com”. 08 shkurt 2008).

Më lanë vragë të pashlyer fjalët e sipërcituara të Aleksandër Litvinjenkos: “... si t’ia bëjmë hallit me 145 milionë të tjerë, pa pëlqimin e heshtur të të cilëve nuk do të kishte mbi tokë putinë dhe shëmtira e maskarenj si puna e tij”.

Kjo që po ndodh me shumicën dërrmuese të popullit të Shqipërisë Londineze, që i lejon vetes të ketë në krye Ramën, një  njeri me çekuilibrim të theksuar mendor, një njeri me komplekse të tmerrshme inferioriteti, një njeri që demonstroi faqe botës një sjellje prej rrugaçi me gjestin e turpshëm që kreu në Moldavi, duke iu turrur kryeministres italiane Giorgia Meloni, të cilën e puthi si i ndërkryer, dëshmon pa mëdyshjen më të vogël  se ajo shumicë dërrmuese është kopje e popullit rus, i cili çizmen e neocarit të Kremlinit e ka shumë qejf në qafën e vet, ndaj dhe nuk i bëjnë kurrfarë përshtypjesh mijëra e mijëra arkivolet me kufomat e ushtarakëve fashistë, të cilët, varganë-varganë, u përcillen nga Ukraina familjeve të tyre. Prandaj edhe Pirro Prifti, i ushqyer me psikologjinë e skllavit para agait të pushtetit, Ramës, ushqen simpati për popullin rus, për Rusinë, dhe, tërthorazi, urren Ukrainën, duke zbuluar ndjenja shoviniste ndaj saj.

[Nuk mund të pritet qëndrim tjetër nga Pirro Prifti, i cili, nën shembullin e propagandistëve servilë të Putinit, si Vladimir Sollovjovi, Olga Skabejeva, Dmitri Kiselovi etj. në televizionin shtetëror “Rusia 1”, agait të vet, Ramës, pak më shumë se një vit pas ardhjes në pushtet, i pati kushtuar një artikull të posaçëm, në të cilin, që në titull, ndihej afshi i nxehtë i servilizmit të tij të papërmbajtur: “Edi Rama: Një hero i kohës sonë” (Faqja e internetit “Radio Kosova e Lirë”. 14 nëntor 2014). Faktet, deri tani, e kanë vërtetuar pa mëdyshjen më të vogël nëse Rama ka rezultuar “hero i kohës sonë”, apo turpi dhe faqja e zezë e kombit tonë, me shpopullimin katastrofik që i ka shkaktuar Shqipërisë që prej shtatorit të vitit 2013].

Me këtë rast, dëshiroj të citoj fjalët e shkrimtarit rus Aleksej Tolstoj (1882-1945), i cili nxjerr në pah atë ndryshimin mjaft thelbësor që theksova më lart të Rusës Kieviane nga Rusa Moskovitiane. Ai shkruan:

“Ekzistojnë dy Rusa. E para është Rusa Kieviane, e cila i ka rrënjët e veta në kulturën botërore ose, së paku, në kulturën evropiane. Idetë e mirësisë, e nderit, e lirisë, e drejtësisë, kjo Rusë i kuptonte ashtu siç i kuptonte gjithë bota perëndimore. Por ekziston edhe një Rusë tjetër - Rusa Moskovitiane. Kjo është Rusa Tajgore, mongole, e egër, shtazërore. Kjo Rusë, tiraninë gjakatare dhe mizorinë kafshërore, i ka kthyer në ideal të vetin kombëtar. Kjo Rusë Moskovitiane ka qenë që së lashti, është dhe do të jetë mohimi më i plotë i gjithçkaje evropiane dhe një armike e tërbuar e Evropës” (Citohet sipas: “Citate dhe aforizma për Rusinë dhe për rusët”. Faqja e internetit “Adskije novosti”. 19 shkurt 2015).

Ja, pra, një shkrimtar i njohur rus, Aleksej Tolstoj, ka nxjerrë në pah më së miri dallimin e theksuar të Rusës Kieviane nga Rusa Moskovitiane, çka do të thotë se Rusa Kieviane ka pasë qenë Evropë që në mesjetë, kurse Rusa Moskovitiane në mesjetë ka qenë produkt i psikologjisë aziatomongole të Çingis Khanit dhe e tillë ka mbetur deri tani, në shek. XXI, çka dëshmohet më së miri nga krimet shtazërore që ushtria fashiste e Putinit ka kryer dhe po kryen në Ukrainë dhe nga përkrahja e shumicës dërrmuese të popullit shovinist dhe kurrizshtruar rus.

Vetvetiu vjen përfundimi se urrejtja e bandës fashiste të Putinit kundër Ukrainës, zbulon urrejtjen e kësaj bande kundër Evropës. Kjo për arsye se ajo tmerrohet nga tre “infeksione” ndikuese:

Së pari, Ukraina, si vend fqinj me Rusinë, me organizimin e vetë shtetëror, ndikon për rrëzimin e pushtetit neocarist në Kremlin. Ja një fakt tepër domethënës:

Që prej vitit 1991, kur u shkëput nga Bashkimi Sovjetik, Ukraina, deri tani, ka votuar për gjashtë presidentët në vijim:

Leonid Kravçuk  (1991-1994), Leonid Kuçma (1994-2005), Viktor Jushenko (2005-2010), Viktor Janukoviç (2010-2014), Pjetër Poroshenko (2014-2019), Vladimir Zelenski (2019 dhe në vazhdim).

Po Rusia? Në vitin 1991 qe zgjedhur president Boris Jelcini, i cili, më 31 dhjetor 1999, u largua vetë nga pushteti. Ai pati ftuar Putinin në kabinet dhe postin e presidentit ia kaloi atij, deri në zgjedhjet presidenciale të 26 majit të vitit 2000. Që prej këtij viti dhe deri tani, domethënë 23 vjet, Putini vazhdon të jetë në krye të Rusisë. Pra, Rusia, në aspektin e organizimit shtetëror, ka krijuar një traditë neocariste: ai që vjen në krye të vendit, pushtetin e ka të përjetshëm, çka është karakteristike për mbretëritë dhe për diktaturat komuniste dhe neokomuniste, si në Shqipëri, ku Rama mbushi 25 vjet në pushtet dhe 18 vjet në krye të partisë së bujkrobërve socialistë.

Së dyti, Ukraina vërtet ka qenë koloni e Rusisë, por populli ukrainas, në formimin e vet psikologjik, asnjëherë nuk e ka pasë ndier veten skllav të pushtetit, në dallim të theksuar nga populli rus, i cili carin, ashtu si edhe sekretarin e përgjithshëm të partisë dhe presidentin, i ka vlerësuar dhe i vlerëson si zëdhënës të Hyjnisë në Tokë. Kësisoj, kreu i shtetit në Rusi, popullin e trajton  si pronën e vet. Por edhe populli rus e pranon  me shumë kënaqësi një realitet të tillë dhe para kreut të shtetit vetëm di të shtrojë kurrizin. Por fqinjësia me Ukrainën, për bandën e Putinit, përbën një rrezik të përhershëm, sepse ndikon për humbjen e “pronësisë” mbi popullin rus. Përmbysja në Ukrainë më 22 shkurt të vitit 2014 e presidentit Janukoviç, agjentit të Moskës, pas revoltave të përgjithshme mbarëpopullore, i pati futur dridhmat Putinit dhe bandës së tij në Kremlin.

Së treti, në Ukrainë, pas vitit 1991, u vendos një rend demokratik, çka ndikoi së tepërmi në zhvillimin e vendit dhe në rritjen e standardit të jetesës, i cili ngjallte zilinë e fqinjëve rusë, të cilët, në heshtje, mund të shtronin  pyetjen se pse fqinjët e tyre të jetojnë më mirë. Kjo përbënte një tjetër shqetësim të madh për Putinin, sepse populli mund të “infektohej” nga Ukraina, mund të ngrihej në revolta dhe ai të pësonte fatin e Janukoviçit. Por në artikullin e 12 korrikut, të përmendur më lart, Putini mashtronte fare paturpësisht, duke deklaruar: “Ukraina tani është vendi më i varfër i Evropës”. Madje theksonte se të ardhurat për frymë të popullsisë qenkan më të ulëta se në Shqipëri dhe në Kosovë. Pra, në mashtrimet e veta për Ukrainën, e gjeti rastin të shprehet edhe kundër Shqipërisë dhe Kosovës. Por si shpjegohet që ata ushtarët fashistë rusë, të cilët, kur futen nëpër apartamentet e pallateve në Ukrainë, të braktisura nga banorët pas goditjeve me raketa, lënë mendjen me pajisjet që gjejnë atje dhe u telefonojnë familjeve në Rusi? Prej andej u vijnë porosi të ngarkojnë gjithçka në makina, që nga enëlarëset, frigoriferët, rrobalarëset, sobat, stolitë e ndryshme, veshmbathjet, deri edhe të brendshmet e grave, dhe t’ua dërgojnë menjëherë.

Pikërisht me këtë Rusinë shoviniste të Putinit dhe me popullin shovinist rus, i cili, në shumicën dërrmuese, tërhiqet zvarrë para tij, ka rënë në merak Pirro Prifti. Çuditërisht, atij nuk i bëjnë përshtypje absolutisht qëndrimet tradicionalisht armiqësore të përfaqësuesve dhe të krerëve të politikës ruse kundër shqiptarëve, duke filluar  nga përfaqësuesi i saj Hitrovo në Kongresin e Berlinit, ministri i jashtëm carist Sergej Sazonov, cari Nikollaj II, Josif Stalini, Nikita Hrushovi, Sergej Lavrovi, Evgjeni Primakovi dhe deri te Putini. Nuk i bën përshtypje fakti që, në vitin 1999, kur aviacioni i NATO-s po bombardonte Serbinë, në ministrinë ruse të mbrojtjes qenë regjistruar 70 mijë vullnetarë, për të shkuar si mercenarë në radhët e ushtrisë fashiste serbe për të vrarë shqiptarë. Nuk mund t’i bëjë përshtypje, sepse, në formimin e tij, gravitacioni i simpatisë për trekëndëshin Moskë-Beograd-Athinë është shumë më i fuqishëm sesa për të vërtetën.

Kaliforni, 08 qershor 2023



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora