Mendime
Frank Shkreli: Gjekë Gjonaj - Ana e Malit Sipas një Trieshani
E marte, 06.06.2023, 08:00 PM
ANA E MALIT SIPAS NJË TRIESHANI – AUTOR GJEKË GJONAJ
Nga
Frank Shkreli
Ku
bie Ana e Malit? Ana e Malit është një krahinë gjeografike dhe etnografike e
ndarë, për fat të keq, ashtu si shumë territore të tjera shqiptare në dy pjesë,
mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ana e
Malit në Shqipëri i përket Bashkisë Shkodër, ndërsa Ana e Malit në Mal të Zi i
përket Komunës së Ulqinit. Kjo ndarje fatzezë e trevave shqiptare u imponua nga
Fuqitë e mëdha të asaj kohe, në vitin 1913.
Popullsia e kësaj krahine përbëhet pothuaj me 100% shqiptarë. Shumica e
banorëve i përkasin fesë myslimane, me një përqindje të vogël katolike. Shqiptarët e dy anëve të krahinës së Anës
Malit pësuan një goditje të rëndë në marrëdhëniet ndër familjare e shoqërore,
pore dhe ekonomike, kur në vitin 1948 u mbyll kufiri midis Shqipërisë komuniste
dhe ish-Jugosllavisë, gjithashtu komuniste, si pasojë e prishjes së dy miqëve
të vjetër Enver Hoxhës dhe Titos – megjithse Tito me agjentët e tij ishte
instrumental në themelimin e Partisë Komuniste shqiptare të Enver Hoxhës.
Sidoqoftë, më në fund, ra Muri i Berlinit, u shemb komunizmi zyrtar
ndërkombëtar sllavo-aziatik në Evropë dhe familjet shqiptare të Anës Malit
rivendosën, më në fund, lidhjet familjare e shoqërore midis tyre nga të dy anët
e kufirit. Është kjo Ana e Malit që sot,
fatkqesisht, dita ditës po zbrazet nga popullsia shqiptare shekullore e atyre
trojeve, për arsye ekonomike, por pa përjashtuar gjithashtu as arsyet politike,
duke emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet evropiano-perëndimore. Është, pikërisht, kjo krahinë, “Ana e Malit
Sipas një Trieshani” – një kronikë historike e jetës së përditshme të asaj
treve -- për të cilën shkruan në librin e 10-të të tij, autori i palodhëshëm
nga Trieshi, Gjekë Gjonaj.
Unë
e lexova me shumë interesim dhe dashuri këtë libër pasi (unë kam lindur e
rritur në Amull, në ato troje ku edhe kam mbaruar shkollën fillore Bedri
Elezaga për të cilën shkruan autori duke e cilësuar atë si “Tempull të diturisë
që ruajti gjuhën shqipe, kulturën dhe graditën tonë të lavdishme), më solli
shumë kujtime dhe emocione ndërsa lexoja për jetën, traditën dhe për
personalitetet, disa prej të cilëve i kam njohur, megjithse ka kaluar më shumë
se një gjysëm shekulli që jetoj në Amerikë.
Është e pamundur të përshkruaj përmallimin, ndjenjat dhe kujtesat nga
fëmijëria duke lexuar këtë libër.
Ngjarjet, personalitetet, gëzimet dhe hidhërimet, si dhe rrethanat që
shoqëronin ato, më shumë se një gjysëm shekulli më parë, bëhen reale.
“Gjithçka
shkrova në këtë libër, në të cilin solla një pjesë të identitetit nacional të
popullatës vendore të Anës së Malit -- me qëllim që t‘i përcjell ato në trevat
mbarëshqiptare -- janë fjalë zemre të motivuara nga vullneti i mirë. Nuk mund
të ishte ndryshe kur bashkëbiseduesit/et e mi/a, përveçse më hapën dyert e
shtëpive, më shtruan sofrën bujare dhe më hapën zemrat dhe shpirtin e tyre të
pastër”, shprehet autori për librin e tij.
Sipas
vet autorit, kjo vepër publicistike mbi trevën e Anës Malit, “nuk është një
monografi as dokument faktik, por vetëm pjesë e një letërnjoftimi të vogël, me
fjalë shumë, të kësaj treve. Ajo është
një mozaik prozaik me copëza veçantie nga jeta e zakonshme e pabujë e
anamalasve, realiteti i tyre jetësor, një pjesë e së shkuarës dhe të sotmes së
tyre në këtë lokalitet, ashtu siç i njoha unë. Në këtë mozaik kryesisht
pasqyrohen lashtësia, tradita, trashëgimia e pasur kulturore materiale dhe ajo
shpirtërore (jomateriale) e kësaj treve, që janë pjesë e vlerave të
trashëgimisë kombëtare”, shkruan autori Gjonaj.
Përveç
të dhënave të vyera që ofron libri mbi trashëgiminë historike dhe kulturore të
Anës Malit, në brendësinë e kësaj vepre, autori jep edhe informacione
biografike për një numër personalitetesh të dalluara të kësaj treve –
personalitete të dalluara në fusha dhe veprimtari të ndryshme të jetës, si
klerikë, personalitete të njohura të arsimit e kulturës dhe në përgjithësi
figura të shquara të asaj anë, me kontribute të pamohueshme, jo vetëm, për krahinën e Anës së Malit, por edhe më
gjërë.
“Autori
si një gazetar me përvojë, duke u bazuar edhe në literaturën e shkruar për Anën
e Malit, ka arritur të trajtojë mjaft mirë në disa dimensione këtë trevë. Autori me hollësi dhe me një gjuhë të qartë e
të kuptueshme për lexuesin, ka trajtuar natyrën, trashëgiminë kulturore e
materiale, zhvillimet sociale e demografike, arsimin, folklorin, personalitete
dhe jetën e përditshme të banorëve të Anës së Malit”, vlerëson librin, Dr.
Nexhat Avdiu, njëri prej recensuesve të veprës së Gjekë Gjonajt. Ndërsa
recensuesja tjetër e librit Dr. Sabina Osmanoviq shprehet se, “Gjeka i ka
ndenjur besnik stilit të profesionit të gazetarisë dhe si i tillë është i
kapshëm për çdo lexues. Libri në fjalë është i larmishëm në përmbajtje, herë
ngjanë
me udhëpershkrim, herë si një rrëfim historik. Teksa lexoni librin, në çdo
fjali mund të ndjeni tonin dashamirës për njerëzit e kësaj zonë dhe një lloj
afrimiteti krejtësisht të natyrshëm. Të gjithë bashkëbiseduesit e tij, Gjeka i
vlerëson si bashkautorë nga që pa rrëfimet e tyre unike nuk do të ishte e
mundur të shkruhej ky libër”, ka thenë në recensionin e saj, Dr. Sabina
Osmanoviq.
Nga
promovimi i librit Librit, “Ana e Malit sipas një trieshiani” i autorit Gjekë
Gjonaj ditën e shtunë (27 maj 2023) në Muzeun Etnografik në Draginë, në kuadër
të manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”, i cili është organizuar nga Shoqata
“Ora”. Në fjalën përshëndetëse,
kryetarja e kësaj shoqate, Arjeta Kurti, ka falënderuar autorin për kontributin
e tij për Anën e Malit, për vlerat dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të
kësaj treve. Ajo ka thekësuar se, “Ky libër do të jetë një vlerë e shtuar e
Anës së Malit, i cili do të shërbejë si udhërrëfyes për projekte të tjera
lidhur me Anën e Malit”, ka shtuar ndër të tjera Arjeta Kurti, me rastin e
promovimit të këtij libri dy javë më parë.
Ashtu
siç sugjeron edhe autori Gjekë Gjonaj, ky libër është një vepër-dokumentar i
shkruar, për t’ua lenë jo vetëm brezit të ri sot dhe brezave të ardhshëm të
asaj krahine – ndoshta shpesh të harruar -- por dhe brezave të ardhëshëm të
mbarë Kombit shqiptar – të cilët ndoshta dine pak ose aspak mbi këtë krahinë
shqiptare iliro-arbërore -- ashtuqë të mësojnë dhe të mos harrojnë përpjekjet,
ndër shekuj, për mbijetesë dhe sakrificat e popullatës së kësaj krahine të
lashtë shqiptare për ruajtjen e dinjitetit dhe identitetit kombëtar, gjuhës dhe
kulturës shqiptare, gjatë historisë.
Ky
është një shërbim i madh që Gjekë Gjonaj i bën historiografisë së Anës Malit
por edhe asj shqiptare në përgjithësi, duke e pasuruar literaturën shqiptare me
një vepër të tillë. Shihet qartë se në librin e tij, “Ana e Malit Sipas një
Trieshani”, autori Gjekë Gjonaj shpreh dashurinë e tij të thellë për Anën e
Malit dhe për popullatën e asaj krahine historike, por të vuajtur. Libri
lexohet me andje dhe është shkruar me një gjuhë të kuptueshme dhe të qartë për
lexuesin kudo – që ndoshta nuk ka shumë njohuri për këtë trevë, të quajtur Ana
e Malit.
Harta
e Anës Malit nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar!