Mendime
Albert Zholi: Flet Dr. Enriko Ceko: Kurrë nuk kam parë ndonjë deputet a ministër që të bëjë blerje në supermarket
E premte, 09.06.2023, 07:43 PM
Flet Dr. Enriko Ceko: Unë në jetën time në këto 30 vitet e fundit kurrë nuk kam parë ndonjë deputet a ministër që të bëjë blerje në supermarket
-Miratimi i vendimit për rritjen e pagave të ministrave dhe
deputetëve është një vendim që merret në kushtet e pamundësisë për të mbajtur
të shtërnguara radhët rreth partisë
- Duke rritur pagat, u
thuhet bashkëpunëtorëve në krim se tani nuk ka më me lugë në brez dhe “kap ç’të
kapësh”
- Drejtuesit e shtetit dhe
të pushtetit në Shqipëri as që e kanë idenë nga ana praktike se si jeton populli.
-Ata e dinë se nëse pagat
janë të ulëta të tërë luftojnë për një punë në shtet dhe me këtë kartë ata
fitojnë votat dhe kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri për këto 30 vitet.
- Ndikimi në buxhetin e
shtetit nga ky vendim është në tërësi rreth 350 milionë euro në vitin 2023 dhe
për vitet 2024 dhe 2025 do jetë përkatësisht rreth 400 dhe 450 milionë euro.
-Fakti se pjesa më e madhe
e punonjësve të administratës publike i bën pushimet jashtë shtetit, tregon
shumë.
-Bëhet fjalë për miliona
euro, që ata shpenzojnë çdo vit për luks të shfrenuar.
-Të gjithë e dinë për
shembull se punonjës të lartë të administratës publike në sistemin ekzekutiv,
gjyqësor, parlamentar, prokurorial, mediatik publik, dhe në dikastere të
rëndësishme, shpenzojnë çdo mëngjes dhjetra euro vetëm për të bërë flokët e për
të rruar faqet e kokën.
- Nuk mund të ketë lumturi
kur shqiptarët hedhin plehrat nga ballkoni dhe nuk mund të ketë investime kur
shqiptarët ikin nga sytë këmbët. Në Perëndim është sektori privat që vendos
nivelin e pagave në treg dhe është sektori public, që ndjek trendin, ndërsa në
Shqipëri ndodh e kundërta.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Fill pas
zgjedhjeve vendore Komisioni i ekonomisë me vendimin e miratuar vendosi që paga
e një ministri do të jetë rreth 345 mijë lekë të reja bruto, ndërsa e një
deputeti 330 mijë lekë të reja bruto. Pra një rritje 100%. Këto rritje a do ta
ulin korrupsionin? Po fati i pensionistëve kur do mirret në konsideratë? A
ndikon në rënien e ekonomisë kjo rritje artificiale e rrogave të pushtetarëve?
Pse pikërisht pas zgjedhjeve vendore dhe jo më pas ose më para? Janë shumë
pikpyetje në këtë mes që do marrin përgjigje nga Dr. Enriko Ceko…
-Fill pas
zgjedhjeve vendore Komisioni i ekonomisë me vendimin e miratuar vendosi që paga
e një ministri do të jetë rreth 345 mijë lekë të reja bruto, ndërsa e një
deputeti 330 mijë lekë të reja bruto. Pra një rritje 100%. Pse pikërisht pas
zgjedhjeve vendore?
Miratimi i
vendimit për rritjen e pagave të ministrave dhe deputetëve përkatësisht në
345.000 330.000 lekë, që përbën një rritje pothuajse 100% të pagës, është një
vendim që merret në kushtet e pamundësisë për të mbajtur të shtërnguara radhët
rreth partisë.
Deputetët
dhe ministrat dhe e tërë shpurra elektorale e sekretarëve të përgjithshëm në
dikastere dhe drejtorëve të përgjithshëm në dikastere dhe në ente të pavarura
publike, tashmë në kuadër të forcimit të luftës kundër korrupsionit duket se
nuk kanë më dëshirë që të punojnë më në shtet dhe duan të largohen nga detyra,
pasi “nuk ka më qofte ke daja”. Duket se Evropa e ka shtërnguar edhe më shumë
lakun e luftës kundër korrupsionit edhe pse partia në pushtet po bën disa “koka
turku”, si për të treguar se po lufton korrupsionin. Kjo është e pamjaftueshme
përballë krimit të organizuar ekonomik që gëlon në administratën publike. Pra,
duke rritur pagat, u thuhet bashkëpunëtorëve në krim se tani nuk ka më me lugë
në brez dhe “kap ç’të kapësh”, kështu që meqë na duheni për vota po u shtojmë
“pak” rrogën. Pra, në fund të vitit, bëhet fjalë për jo më rreth 15.000 Euro,
por për më shumë se rreth 30.000 Euro për kokë deputeti a ministri.
-
Aktualisht kur rroga e një punëtori është 30 mijë lekë, rrogat e deputetëve
kalojnë 10 herë më shumë. Ç’farë tregon ky disnivel i theksuar pagash?
Kjo tregon
se drejtuesit e shtetit dhe të pushtetit në Shqipëri as që e kanë idenë nga ana
praktike se si jeton populli. Ata e dinë se nëse pagat janë të ulëta të tërë
luftojnë për një punë në shtet dhe me këtë kartë ata fitojnë votat dhe kjo
është ajo që ka ndodhur në Shqipëri për këto 30 vitet e fundit, por vetëm kaq
dinë ata. Në fakt ata as që e kanë idenë se çfarë mund të blihet me 30.000
lekë. Ata nuk mund ta dinë këtë, sepse jetojnë në një luks të shfrenuar dhe nuk
është se kanë bërë ndonjëherë në jetën e tyre pazar në supermarket. Unë pyetjes
tuaj do i përgjigjem me një pyetje:- Cili nga ne ka parë ndonjëherë ndonjë
deputet a ministër në supermarket për të bërë pazar? Askush! Unë personalisht
kurrë në jetën time këto 30 vitet e fundit nuk kam parë asnjë deputet a
ministër që të paguajë ujin dhe dritat vetë. Unë në jetën time në këto 30 vitet
e fundit kurrë nuk kam parë ndonjë deputet a ministër që të bëjë blerje në
supermarket. Por sa herë që për arsye të rasteve familjare (që janë pak herë në
vit), shkoj në ndonjë restorant, e gjej plot me deputetë e ministra e punonjës
të niveleve të larta të administratës publike. Fakti se pjesa më e madhe e
punonjësve të administratës publike i bën pushimet jashtë shtetit, tregon
shumë. Bëhet fjalë për miliona euro, që ata shpenzojnë çdo vit për luks të
shfrenuar. Të gjithë e dinë për shembull se punonjës të lartë të administratës
publike në sistemin ekzekutiv, gjyqësor, parlamentar, prokurorial, mediatic
publik, dhe në dikastere të rëndësishme, shpenzojnë çdo mëngjes dhjetra euro
vetëm për të bërë flokët e për të rruar faqet e kokën. Ku gjenden tërë këto
para, ndërsa paga minimale është dhjetë herë më e vogël se paga e deputetit dhe
e ministrit? Praktika e të paktën 30 viteve të fundit në Perëndim është
ngushtimi i diferencës së pagave të larta me ato të ulëta. Rast klasik ishte
kriza e viteve 2008 – 2012, ku edhe sektori privat në Perëndim mori masa të
menjëhershme që të ngushtonte diferencën e pagave midis niveleve të larta
manaxheriale me pagat e niveleve më të ulëta manaxheriale.
Në vazhdimësi,
ka një prirje mbarëevropiane për rritjen e pagave të ulëta dhe sidomos të
pagave në sisemtin arsimor, shëndetësor, rendit publik etj., me syim
përmirësimin e cilësisë së jetës të punonjësve të sektorit publik në këto
fusha, pasi sektori privat në këto vende ka ecur më shpejt dhe me më shumë
efektivitet në këtë drejtim. Është fakt se në Perëndim është sektori privat që
vendos nivelin e pagave në treg dhe është sektori public, që ndjek trendin,
ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta. Këtu për çdo gjë duhet të hedhë shashkën
kryeministri dhe nëse shashka bën zhurmë të tërë tremben. Nëse shashka nuk bën
zhurmë, tymi shkon si më parë.
-Sa do
ndikojë në buxhetin e shtetit kjo rritje pagash? A e thellon varfërinë dhe si?
- Po në Ballkan apo në BE sa është disniveli pagave kur ne jemi vendi i fundit
në Europë për Lumturinë?
Ndikimi në
buxhetin e shtetit nga ky vendim është në tërësi rreth 350 milionë euro në
vitin 2023 dhe për vitet 2024 dhe 2025 do jetë përkatësisht rreth 400 dhe 450
milionë euro. Këtu përfshihen të tëra synimet për shtimin e pagës në sektorin
publik, ku pjesën e luanit e marrin nivelet e larta administrative dhe
manaxheriale të dikastereve kryesore. Kjo është një shumë e madhe dhe një barrë
shumë e madhe për sektorin privat, që paguan taksa, nga të cilat dalin paratë
për pagat dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të sektorit
publik si dhe shpenzimet e tjera administrative të tyre. Mos harrojmë se në një
ent publik përpara dy a tre vitesh, drejtuesi kishte firmosur me dhjetra mijëra
euro për pagesën e bërjes së flokëve dhe makiazhit të femrave që punonin në atë
ent publik. Kjo është e tepërt, për të mos e klasifikuar si abuzive me paratë e
taksapaguesve. Raste të tilla ka me shumicë. Shqipëria është e fundit për
indeksin e lumturisë në Evropë, por është gjithashtu e fundit edhe për indeksin
e inovacionit, indeksin e krijueshmërisë, indeksin e standardeve të cilësisë,
indeksin e sofistikimit të tregut, indeksin e sofistikimit të biznesit,
indeksin e zhvillimit të qëndrueshëm, etj. Nuk është e rastit pra që jemi të
fundit për lumturinë. Gjerat ecin paralelisht. Nuk mund të ketë lumturi kur
shqiptarët hedhin plehrat nga ballkoni dhe nuk mund të ketë investime kur
shqiptarët ikin nga sytë këmbët dhe nuk mund të ketë zhvillim të turizmit kur
ne importojmë ende shumicën e ushqimeve dhe produkteve të tjera bazë për një
jetesë cilësore.
- A nuk do
ishte më e pranueshme dhe më sociale që kjo shumë e madhe parash të shkonte në
ndihmë të familjeve në nevojë me ndihmë ekonomike?
Problematika
e Shqipërisë në lidhje me familjet në nevojë ekonomike, individët dhe familjet
me kushte të vështira jetese, individët dhe familjet që kërkojnë mbështetje
sociale, individët dhe familjet që kërkojnë mbështetje për shkak të papunësisë,
etj, të kësaj natyre, është një problematikë sa e trashëguar nga regjimi i
mëparshën, aq edhe e krijuar në këto 30 vite. Kjo problematikë u shtua me
ardhjen në pushtet të përpara rreth 10 viteve të këtij grupi njerëzish që si
karkalecat që bien në grurë, kanë rënë me kokë e duar e këmbë në paratë publike
dhe po bëjnë kërdinë. Përpara dhjetë vitesh, në kuadër të luftës kundër
korrupsionit, skema e pagesave për ndihma papunësie dhe mbështetje sociale e
shëndetësore u pastrua me mijëra individë dhe shpata e Demokleut ra mbi dru të
thatë e dru të njomë, aq sa kjo fshesë, që ngjan me fshesën që fqinjët u bëjnë
emigrantëve shqiptarë, e detyroi Bankën Botërore të ndërhynte dhe të frenonte
revanshin ndaj këtyre shtresave. Banka Botërore e parandjeu se kjo do ndikonte
në shtimin e ritmit të emigracionit, në një kohë që Evropa, ashtu si edhe sot,
ka vështirësi të mëdha në absorbimin e hyrjeve të qytetarëve të ndryshëm pa
aftësi, njohuri dhe kompetenca në territorin e saj. Si rezultat, tashmë jemi në
një gjendje ku edhe pse shtesa natyrore e popullsisë është në rënie, përsëri
ritmi i shpenzimeve për shtresat në nevojë është shumë lart të qenit në nivelet
evropiane, që edhe këta qytetarë, të ndiejnë se mund të jetojnë, qoftë edhe në
kushte minimale jetese, pasi në fakt ata jetojnë në mizerje.
- Pse nuk
ka asnjë reagim as nga opozita për këtë rrije çmendurake të pagave të
baballarëve të kombit? Opozita bërtet për vjedhje votash, por për rritjen e
pagave të deputetëve të tyre hesht. Pse?
Unë mendoj
se në Shqipëri që nga viti 1946 nuk ka patur ndonjë opozitë të vërtetë. Pas
luftës së dytë botërore, që për Shqipërinë ishte në fakt një luftë e brendëshme
civile, që ka kushtuar me mijëra jetë njerëzish dhe humbje pasurie dhe të
drejtash qytetare, civile, pasurore dhe morale, vetëm për rreth dy vite (1944 –
1046) ka patur përpjekje për organizimin e opozitës, qoftë kjo edhe
parlamentare. Me eliminimin e grupit të deputetëve, që nga ajo kohë dhe në
vazhdim, edhe në ditët tona, partitë politike janë të tëra rudimente të Partisë
Socialistë të Shqipërisë, e cila e ka zanafillën nga Partia Komuniste, kështu
që mendoj se nuk ka asnjë mundësi që në Shqipëri të bëhet fjalë për ndonjë
opozitë reale dhe funksionale.
- Po nga
Shoqëria civile pse ka heshtje, kush i pengon?
E
ashtuquajtura shoqëri civile në Shqipëri është ndarë në tre pjesë: shoqëria
civile, shoqëria kopile dhe shoqëria debile. Kuptohet se shoqëria e vërtetë
civile është në minorancë, paratë e projekteve dhe mbështetjen qeveritare e
merr shoqëria kopile dhe duartrokitjet për qeverinë, në raste tubimesh e
zgjedhjet për pushtetin qendror dhe vendor, i bën shoqëria debile. Fakti se më
shumë se 65% e të rinjve janë alfabetë funksionalë, që dinë të lexojnë dhe dinë
shkronjat e alfabetit, por nuk dinë të logjikojnë dhe të interpretojnë faktet
dhe ngjarjet e dukuritë, flet shumë për gjendjen e Shqipërisë në tërësi dhe i
jep një përgjigje të qartë pyetjes tuaj me këtë rast në veçanti.
- Sërish
PS thellon fitoren në zgjedhjet vendore. Kjo fitore që blindon pushtetin
qendror dhe vendor të PS a do ndikojë në ekonominë e vendit?
Po.
Vërtetë. E ashtuquajtura Parti Socialiste fiton përsëri zgjedhjet e pushtetit
vendor dhe blindon edhe mundësinë për të fituar zgjedhjet për pushtetin qendror
në vitin 2025. Kjo për faktin e sipërpërmendur se në vend nuk ka opozitë të
vërtetë. Duket se të dy palët kanë bërë një marrëveshje qëkështu të ndodhë. E
ashtuquajtura Parti Demokratike, tashmë e shkërrmoqur në tre a më shumë
grupime, të cilave u kanë mbajnë pishtarin deri tani me dhjetra partiçka të vogla
për ndonjë kockë, duket se është inekzistente. Tashmë nuk ka opozitë as edhe
për sy e faqe. Perëndimi e dinte këtë prej kohësh por tashmë u bë e dukshme
edhe për shqiptarët. Padyshim që ndikimi i politikës në ekonominë e një vendi
është diçka e njohur, por në rastin konkret, duket se efektet e papritura për
qytetarët do jenë edhe më të mëdha.
Është e
ditur tashmë se me përfundimin e zgjedhjeve, Rama ka sjellë gjithmonë të
papritura për qytetarët dhe ekonominë shqiptare. Unë e kam theksuar edhe më
parë. Me Ramën mund të përballesh vetëm me inteligjiencë dhe jo me fjalë boshe,
pasi ai është mjeshtër i futjes në kurth me anë të fjalës. Duhet të lexojmë me
shumë kujdes midis rreshtave kur ai shkruan. Duhet të dëgjojmë me shumë kujdes
midis fjalëve kur ai artikulon. Duhet të shikojmë me shumë kujdes midis
imazheve kur ai përdor penelin. Aksionet e vërtetë na politikë dhe në ekonomi
mund të gjenden vetëm midis detajeve, pasi aty ato fshihen me kujdes nga
hartuesit e tyre. Vetëm me inteligjiencë mund të përballemi me revanshin e
pakrahasueshëm që ka ndërmarrë, ndërmerr dhe do ndërmarrë Rama. Ekonomia
shqiptare kërkon një reformism të thellë dhe këtë nuk mund t’a japë kjo klasë
politike e cila është e kapur nga krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant,
pavarësisht nga dëshira e ndonjërit apo e disave që janë pjesë e kësaj klase
politike. Unë nuk paragjykoj, Rama ndoshta ka vënë mend nga gafat e së
kaluarës, dhe ndoshta kërkon që të bëjë ndonjë ndryshim apo lëvizje pozitivce
në vijën politike që ndikon në vijën ekonomike, por tashmë pavarësisht nga
dëshirat, ai është i pafuqishëm për këtë. Ata që e rrethojnë janë më të këqinj
se hijenat. Luani kur është i ngopur nuk të ngacmon. Hijenat, sado që të kenë
ngrënë, përsëri kërkojnë që copëtojnë, pasi nuk kanë logjikë.
-Pritet
sezoni turistik, që mund të sjellë të ardhura në buxhetin e shtetit, por nuk
shihet asnjë masë paraprake sidomos në përgatitjen e infrastrukturës dhe të
personelit të specializuar në shërbim. Mos vallë edhe ky sezon do ketë të
njëjtat probleme si vitin e kaluar?
Manaxhimi
në hoteleri – turizëm është art më vehte, si në sektorin publik ashtu dhe në
atë privat. Unë kam patur rastin që të jem pjesë e disa projekteve të
rëndësishme të financuara nga ana e Bashkimit Evropian për mbështetje dhe zhvillimin
e sektorit të hoteleri – turizmit në vendet e Ballkanit, përfshirë edhe
Shqipërinë. Me kënaqësi vërej se ka investime nga sektori privat në vend. Melia
international është padyshim një histori suksesi. Dëshëroj shumë që kjo histori
të përsëritet me të tjera ngjarje të tilla. Por kjo nuk mjafton. Hoteleri –
Turizmi është sektori që ka mbajtur Greqinë për më shumë se 35 – 40 vitet e
fundit si shtet dhe si komb. Greqia nuk ka burime natyrore. Ajo nuk ka asnjë
pasuri nëntokësore, me përjashtim të disa qymyrgureve të tipit linjit në afërsi
të Janinës. E vetmja mundësi për Greqinë në kohët moderne ka qenë bujqësia,
agrobiznesi dhe turizmi. Ne në komunitetin e ekonomistëve dhe të specialistëve
të zhvillimit e etiketojmë ekonominë e Greqisë si “ekonomia e lëngjeve të
frutave”, pasi është pikërisht ky model ekonomik që e ka mbajtur vendin deri
tani në nivelet e një vendi anëtar të Bashkimit Evropian. Po kështu ky sektor
ka ndikuar pozitivisht në ekonominë e Malit të Zi, Turqisë, Kroacisë, që janë
vende që i kemi pranë, pa u futur më thellë në mundësitë e zhvillimit ekonomik
me anë të mbështetjes së sektorit të hoteleri turizmit në vende të tilla si
Singapori, Malajzia, Tailanda, Emiratet e Bashkuara Arabe, disa vende afrikane,
disa vende të paqësorit, etj. Modeli ekziston. Nuk ka nevojë për shpikje.
Mjafton që të lejohet të funksionojë ekonomia e tregut. Nëse ka dëshirë të mirë
për këtë nga ana e vendim marrjes, atëhere asgjë nuk mund ta ndalë këtë sektor
në Shqipëri, që të bëhet dhe të qëndrojë fuqimisht konkurrues në një treg
agresiv ndërkombëtar.
Ajo që më
shqetëson është fakti se shumica e shqiptarëve nuk e njohin vendin. Shumë pak
mundësi kanë fëmijët dhe të rinjtë që në mënyrë të organizuar dhe individuale
të lëvizin lirshëm në të tërë territorin e vendit dhe kjo nga mungesa e
njohurive, informacionit, mundësive, ekonomike, nivelit të lartë të riskut në
vend, vendosja pa logjikë e çmimeve nga ana e operatorëve privatë në këtë
sektor dhe nga pamundësia e kontrollit nga ana e institucioneve publike në këtë
sektor, shoqëruar edhe me mungesën e standardeve të hoteleri – turizmit dhe të
cilësisë, sigurisë dhe garancisë ushqimore, kryesisht në konsumin e produkteve
të bar-restorantit në periudhën e verës, kryesisht nga operatorët e vegjël, që
me këtë mungesë të cilësisë, sigurisë dhe garancisë ushqimore, i prishin
imazhin edhe atyre që janë operatorë seriozë. Në tilla situatë populli thotë:
“Më mirë të dalë syri se sa të dalë nami”. Ky është një rast klasik që ndikon
në këtë sektor për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Në lidhje
me infrastrukturën dihen vështirësitë dhe pamundësitë për investime të mëdha në
shumë pjesë te territorit të vendit dhe në shumë drejtime. Fakti se një pjesë e
mirë e territorit të vendit tashmë është mbuluar me internet, është një gjë shumë
e mirë, fakti se janë bërë investime në akse rrugore kryesore është mjaft
premtues, por fakti se në mes të sezonit të verës djegia e mbetjeve urbane,
rurale, industriale e mjeksore, shkakton problematikë në mes të zonave
turistike dhe në mes të qyteteve kryesore të vendit është sikur bëhet me
dashje. Aksidentet edhe me plagosjen dhe me humbjen e jetës së qytetarëve
vendas dhe të huaj në sezonin e verës dhe jo vetëm janë kthyer në diçka e
zakonshme, që ndikon në mjedisin ndërkombëtar të fushës së turizmit dhe
hotelerisë. Mungesa e informacionit për veprimtaritë e shumta kulturore,
artistike, sportive, etj, që zhvillohen në territorin e Shqipërisë jo vetëm në
periudhën e sezonit turistik të verës, por edhe përgjatë tërë vitit, bëjnë që
kryesisht të huajt ta shikojnë Shqipërinë ende si një mundësi vetëm për turizëm
të diellit dhe ujit. Të paktë janë ata të huaj që e njohin Shqipërinë me të
tëra të mirat dhe pozitivitetet që ajo dhe shqiptarët ofrojnë, dhe për këtë ka
shumë punë për të bërë kryesisht nga sektori publik.
Sa për
personelin, duhen problematikat. Ka mangësi në numër dhe cilësi. Personelit
tonë të sektorit të menaxhimit të hoteleri – turizmit në përgjithësi i mungojnë
aftësitë komunikuese, i mungojnë njohuritë për menaxhimin e detajeve dhe i mungojnë
kompetencat e planifikimit, organizimit, drejtimit dhe kontrollit, që janë
funksionet kryesore menaxheriale që bëjnë të mundur suksesin dhe arritjen dhe
mirëmbajtjen e avantazheve ekonomike, konkurruese dhe krahasuese në këtë
sektor.
-Bujqësia
shqiptare po tkurret. Prodhimet nga Greqia e Maqedonia dominojnë në treg. Cila
është arsyeja? Çdo gjë do ta importojmë?
Vërtet.
Tashmë, krahasuar me vite më parë kemi vetëm gjysmën e flotës së mekanikës
bujqësore. Kemi 50% më pak traktorë, autokombajna, makina mbjellëse, korrëse,
mjete transporti për bujqësinë, freza, disqe, etj. Kemi pothuajse 50% më pak
bagëti se sa 100 vite më parë, në vitin 1923, kur popullsia ishte vetëm 1
milionë banorë në fermat e vogla shqiptare përdoret pothuajse 30% e plehrave
kimike dhe e kimikateve të tjera, që i duhen fermës dhe kjo jo se fermeri
shqiptar synon bujqësinë organike, por sepse fermeri shqiptar nuk ka mundësi
financiare. Çmimi i punimit të tokës për plugim, frezim, diskim e mbjellje të
mekanizuar është trefishuar krahasuar me vitin 2013. Çmimi i farnave dhe
fidanëve cilësorë është rritur më shumë se dy herë krahasuar me viti 2013.
Mungon konsulenca, që duhet të ofrohet si nga sektori publik, ashtu dhe nga ai
privat. Në vend ka vetëm pesë qendra të teknologjisë, që nuk kanë asnjë shans
që të ofrojnë aftësi, njohuri dhe kompetenca për të rejat e shkencës dhe
teknologjisë në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë. Nga ana tjetër, sektori
privat i konsulencës në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, peshkimit,
pylltarisë, kullotave, është i rudimentuar, pasi jo vetëm që fermerët nuk kanë
mundësi pagese për këto subjekte, por edhe risku që të ketë konflikte midis
tyre dhe fermerëve në rast të dështimit të prodhimit, është i lartë dhe kjo
vjen nga ana e injorancës së fermerëve për të bashkëpunuar me këto subjekte.
Kësaj i shtohet dhe mungesa e sektorit të grumbullimit të produkteve bujqësore
dhe blegtorale dhe mungesa e sektorit të përpunimit të këtyre produkteve si dhe
nga ana tjetër në fshat tashmë kanë mbetur fëmijët dhe pleqtë, ndërsa të
rriturit në moshë pune, që kanë edhe aftësi fizike, edhe aftësi mendore, tashmë
punojnë fushat e grekut dhe italianit dhe mbledhin agrumet, rrushtë e mollët e
fermerëve në vendet fqinje. Në këto vende ata paguhen më shumë se këtu,
por shumë më pak se sa do fitonin nëse do punonin fermën e tokën e tyre. Nga
kjo pagesë e ulët përfitojnë fermerët e vendeve fqinje, që produktet të cilat
realizohen nga ana e punëtorëve shqiptarë në vendet fqinje, me kosto më të ulët
se sa në fermat tona për shkak të pagës së ulët me të cilën paguhen punëtorët
shqiptare dhe për shkak të sistemit të taksave që është më i përshtatshëm atje,
për shkak të subvencioneve që qeveria në këto vende bën për sektorin në fjalë
dhe për shkak të madhësisë së fermës, që është më e madhe se ferma shqiptare,
arrijnë që të eksportojnë në Shqipëri, dhe ne nuk na mbetet vetëm që kur të
dalim në treg për të blerë harxhet e shtëpisë, të konsumojmë mollë greke,
domate maqedonase, qumësht serb, portokalle algjeriane, ulinj palestinezë,
grurë rus, qingja brazilianë, etj.
Për këto
dhe të tjera arsye, duket se produktet bujqësore dhe blegtorale do importohen,
kryesisht nga fqinjët dhe nga vende të tjera, që kanë avantazhe ekonomike,
krahasuar me fermerët tanë. Një qasje moderne dhe që përfshin rregullimin e
tregut të tokës mund të sillte një ndryshim në lidhje me zhvillimin e
qëndrueshëm të bujqësisë dhe jetës rurale në Shqipëri dhe këtë mund dhe duhet
ta bëjmë sa më shpejt, nëse duam që Shqipëria të jetë më e mirë, më e bukur, më
e fortë, më e përshtatshme për të jetuar, më e qendrueshme dhe më konkurruese.