Mendime
Enver Bytyçi: Bota serbe kundër Kosovës, Edi Rama me Serbinë!
E premte, 09.06.2023, 07:55 PM
Bota serbe kundër Kosovës, Edi Rama me Serbinë!
Nga
Enver Bytyçi
Republika
Srpska e Bosnjë-Hercegovinës ka miratuar një rezolutë me të cilën u kërkon
vendeve anëtare të OKB-së të tërheqin njohjen e Republikës së Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, organizoi për ditë me radhë një dhunë
të orkestruar kundër sovranitetit të Kosovës në veri të vendit. Dhunë, përdorim
i armëve të zjarrit, kërcënime, shantazhe, gjithçka pamë gjatë atyre ditëve.
Ndërkaq
kryeministri i Shqipërisë e sheh si kërcënim kryeministrin e Kosovës dhe
institucionet e saj. Shkoi në Bratislavë gjatë atyre ditëve dhe takoi
Aleksandër Vuçiç, por nuk e takoi, as për t’ia mbyllur sytë nga pas, Albin
Kurtin. Mesa duket kur i mbyllte sytë Albinit ishte në tentativë që ta
korruptojë për llogari të Serbisë atë! Shkoi në Moldavi dhe u bashkëshoqërua me
Aleksandër Vuçiç gjatë gjithë kohës, por “nuk gjeti mundësinë” të bënte një
foto me Vjosa Osmanin.
Simbolika
ishte dhe mbetet e qartë: - Jam me Serbinë kundër Kosovës. Dje Milorad Dodik shpalli
kërkesën e tij ndaj botës së qytetaruar që të zhbëhet njohja e Kosovës. Po dje
Edi Rama paraqiti një projekt të panjohur për publikun për Asosacionin serb në
Kosovë. Dy gëzime në një ditë për Serbinë, e cila rri në heshtje dhe numëron
sukseset e saj që ia jep lideri i serbëve të Bosnjës dhe lideri i ekzekutivit
të Shqipërisë. Simbolika vazhdon më tej: - Jam kundër lidershipit të Kosovës.
Pra, kryeministri i Shqipërisë së shqiptarëve është kundër presidentes dhe
kryeministrit të Kosovës së shqiptarëve dhe bashkëpunon me presidentin e
Serbisë së serbëve, armikut të shpallur të Kosovës.
Ndërkohë,
krahas planit Rama të asosacionit, po dje zoti Bislimi i qeverisë së Kosovës
publikoi një projekt të Akademisë së Shkencave të Serbisë për Asosacionin serb
në Kosovë. Në fakt ai ishte projekt i “Botës serbe”, në modelin e projektit të
Putinit për “Botës ruse”! Por ne nuk e dimë përmbajtjen e projektit të Ramës,
sa i ngjan ai projektit të Akademisë serbe. A i ngjan? Nëse kemi parasysh
faktin që përmenda më lart, se Rama bashkëpunon me Serbinë kundër Kosovës, në
besimin tim, projekti i tij është prodhim serb. Dhe si i tillë është i
ngjajshëm ose i përafërt me projektin e Akademisë së Shkencave të Serbisë. Kur
ta njohim, do ta shohim! Por iluzioni i disave se Rama po e bën këtë për të
mirën e Kosovës, është futur me djallëzi te në shqiptarët!
Mendoj
se Projekti Rama i Asosacionit serb në Kosovë është shkruar në një pjesë të tij
me frymën pro-Kosovës, ndërkohë që kjo frymë në disa pjesë të tij shërben për
të kamufluar djallin serb Brenda atij projekti! Eshtë e vetmja punë që di ta
bëjë shumë mirë kryeministri i Shqipërisë!