Speciale
Dorian Koçi: Bota kulturore arbëreshe në gazetën “Shqiptari i Italisë” (1848)
E diele, 04.06.2023, 07:58 PM
Bota kulturore arbëreshe në gazetën “Shqiptari i Italisë” (1848)
Nga
Dr. Dorian Koçi
Në
shekullin XIX, emërtimin etnik mesjetar për shqiptarët – arbër -kujtesa
kolektive e ruante si një kujtim të largët. Më së shumti, ky emërtim përdorej
dhe lëvrohej në qarqet e elitës së shkolluar shqiptare, kryesisht në ato që
përdornin latinishten dhe kishin njohuri për epopenë arbre të Skënderbeut në
shekullin XV, falë leximit të veprave të Barletit apo dhe disa emërtimeve dhe
toponimeve që kishin mbetur. Kështu, një trevë fushore e pjesës perëndimore të
Shqipërisë së Mesme – që nga Kurbini e gjer poshtë në pllajat e Durrësit e të
Tiranës – pra fusha midis lumenjve Mat dhe Erzen, quhet edhe sot Arbën.
Ndërkaq, “mal e arbën” përdoret atje për “male e fusha”. Një katund në perëndim
të Liqenit të Shkodrës mban emrin Arbnesh. Ndërkaq, Arbënesh quhet edhe ishulli
gjuhësor shqiptar që gjendet afër qytetit të Zarës në Dalmaci, themeluar në
gjysmën e parë të shekullit XVIII prej të shpërngulurve nga anët e katundit në
fjalë. Arbanë është dhe emri i një katundi afër Tiranës. Më anë tjetër, në
pjesën jugore të vendit, Arbër e Arbërí quhen krahina të ndryshme të trevës
malore të Labërisë – midis qyteteve të Vlorës, Gjirokastrës e Delvinës – dhe po
ashtu, “arbëreshë” e “arbërorë”quhen banorët e tyre. Në vise të tjera të
Shqipërisë, po ky emër, por me trajta të ndryshme (arbën, arbër, arbëresh,
arbëresh, arbnuer, arbëror), përdoret në popull me një kuptim etnik, për të
shënuar shqiptarin, në dallim nga arumuni ose nga ndonjë anëtar i ndonjë
popullsie tjetër ballkanike.
Sikundër
shihet, emri i lashtë, në rrjedhë të kohës, erdhi dhe u mbulua nga emri i ri
“shqiptar”, “Shqipëri” dhe ka mbijetuar gjer sot nëpër krahina të ndryshme të
vendit.
Shkaqet
për kujtimin e zbehtë të emërtimit etnik shumë të rëndësishëm në Mesjetë për
gjithë Gadishullin Ballkanik nuk janë plotësisht të njohura. Gjithsesi, mund të
supozojmë se, pas shkatërrimit të Arbërisë mesjetare dhe pushtimit të saj nga
otomanët, gradualisht humbi dhe koncepti i një Arbërie të krishterë, të
organizuar me institucione dhe entitet shtetformues që bazohej në qytetërimin
europian të kohës dhe, përkundrejt gjithë këtij ndryshimi thelbësor, nisi të
merrte jetë një simbiozë tjetër kulturore që përfshinte tashmë edhe elemente të
rëndësishme të qytetërimit osman. Por nëse në vetë territoret arbre ky toponim
sa vinte dhe zbehej për vetidentifikimin e popullsisë përkundrejt Arbërisë
mesjetare, në Italinë e Jugut, por edhe në Greqinë kontinentale dhe ishuj, si
pasojë e emigrimit të hershëm të popullsisë arbre, ky emërtim dhe kjo kulturë
gjallonte fort, pavarësisht trysnive të forta kulturore të helenizmit dhe
kulturës italiane të iluminizmit dhe romantizmit.
Mjeku
Tasos Nerucos, njëri nga veprimtarët e hershëm arvanitas shqipfolës që
rindërtoi saktësisht në të folurën arbëreshe athiniote dy poezitë popullore të
mbledhura nga Bajroni dhe Hobhousi,sipas një kërkese të albanologut Meyer, i
shkruante këtij të fundit më 1888 se arbëreshët e Greqisë nuk i njihnin fjalët
“shqip”, “shqiptar” e “Shqipëri;veten ata e quajnë “arbër”, dhe “arbërorë”,
kurse atdheun e të parëve të tyre “Arbëri” dhe “Arbëni”. E njëjta gjë mund të
pohohet dhe për arbëreshët e Italisë, të cilët,po ashtu, kishin emigruar që
herët në Italinë e Jugut. Emigrantët arbëreshë që u ngulën në Itali në mesjetë, gjatë dhe pas vdekjes së Skënderbeut,
vazhduan dhe vazhdojnë të identifikohen qartas mes njëri-tjetrit me emrin
“arbëresh”. Me po këtë emërtim unik, “arbëresh”, u thirrën jo vetëm shqiptarët
që emigruan nga territoret e Arbërisë dheu vendosën në brigjet italike, por
edhe refugjatët shqiptarë që banonin prej dekadash emigrimi në territoret
kontinentale dhe ishullore greke. Midis popullsive arbre që vinin nga Arbëria
mesjetare dhe nga Greqia kontinentale apo ishujt nuk ekzistonin dallime të
mëdha esenciale, ngaqë të dyja i përkisnin të njëjtit grup etnik. Ajo që binte
në sy më së shumti ishte se mes tyre gjendeshin larmishmëri kulturore mbi çka
ata përfaqësonin.
Shekulli
XVIII dhe fillimi i shekullit XIX ishin shekujt ku Europa, nën ndikimin e
iluminizmit dhe romantizmit, filloi procesin e rivlerësimit të së kaluarës
antike dhe mesjetare të kontinentit, si dhe epoka kur do të fillonte të ngjizej
ideja për të krijuar shtetet kombëtare. Italia dhe shtetet italiane me
kryeqendra të ndryshme,por të ndikuara pothuajse njëlloj nga iluminizmi dhe
romantizmi, nuk do të mbeteshin jashtë këtyre proceseve kulturore dhe politike.
Kësisoj është e rëndësishme të bëjmë një vlerësim të disa zhvillimeve të
përgjithshme, ku përfshihet jo vetëm Ballkani, por edhe pjesa tjetër e Europës,
të cilat do të ushtronin një ndikim të rëndësishëm mbi veprimtaritë
revolucionare: së pari, formulimi dhe pranimi në shkallë të gjerë i ideologjive
liberale dhe kombëtare; së dyti, kushtet ekonomike në ndryshim dhe; së treti,
shkallëzimi i ndërhyrjes së fuqive europiane dhe zanafilla e çështjes lindore.
Intelektualët dhe udhëheqësit kombëtarë ballkanikë dhe të Europës Lindore të
shekullit XIX do të ndikoheshin nga dy doktrina politike me prejardhje
europiano perëndimore: liberalizmi, që buronte nga idetë e iluminizmit në
shekullin XVIII, si dhe nacionalizmi. Këtë kontribut kulturor dhe intelektual
për formimin e idesë së shtetit italian dhe vetëdijes kombëtare mes popullsive
e përforcuan disa përvoja historike, ku mes tyre shquante përpjekja për të
ndalur procesin e asimilimit të popullsisë arbre në Itali, bashkë me pasojat që
mund të sillte. Siç është interpretuar nga breza të mëvonshëm udhëheqësish
kombëtarë intelektualë, këto përpjekje zgjuan tek arbëreshët vetë imazhin e një
kombi të vogël, por kokëfortë, për të mos u asimiluar dhe për të sendërtuar një
integritet moral dhe predikues të lirisë individuale dhe politike, i cili
dikur, në Motin e Madh, kishte arritur të shkruante një histori të madhe, siç
ishte ajo e ndalimit të pushtimit osman në Europë. Por, në të njëjtën kohë, së
bashku me këtë imazh për vetveten kishte marrë udhë edhe farkëtimi i imazhit
mesianik për t’u përfshirë në krijimin e shtetit kombëtar shqiptar, sigurisht
nën ndikimin kulturortë teorisë së nacionalizmit.
Këto
nisma ishin të drejtuara kryesisht nga përcaktimi i alfabetit dhe i rregullave gramatikore
të gjuhës shqipe, si dhe në mbledhjen e rapsodive, këngëve popullore dhe
studimeve mbi folklorin. Por nuk mungonte edhe ideja e pavarësimit të
Shqipërisë. Pararendës të lëvizjes që po ndiqnin pavarësinë e Shqipërisë ishin
studiuesit e njohur shqiptaro-italianë, si Jeronim de Rada, veprimtar sidomos
që prej vitit 1848, me gazetën e tij “Shqiptari i Italisë” e më pas me botimin
periodik Flamuri Arbrit, 1848-1887. Krahas tij, kishte edhe një brez të tërë
arbëreshësh të angazhuar nëçështjen shqiptare, si Vinçens Dorsa, Dhimitër
Kamarda dhe Zef Skiroi. Nacionalizmi politik i shqiptarëve u zgjua pikërisht në
këto momente kur elitat kombëtariste jashtë vendit projektuan ringjalljen
kulturore e politike të Shqipërisë dhe elita brenda vendit vërejti se Perandorisë
Osmane mund t’i shkëputeshin territore dhe se fati i tyre politik shumë shpejt
mund të përcaktohej nga kryeqendrat e tjera të pushtetit në Europë.
Rilindja
Kombëtare Shqiptare synonte: në fushën politike – të çlironte atdheun nga
robëria e huaj shekullore dhe të formonte shtetin kombëtar shqiptar, të shtrirë
në mbarë trojet shqiptare; në fushën shoqërore – të çlironte vendin nga
marrëdhëniet e vjetruara feudale dhe ta shkëpuste nga prapambetja politike,
ekonomike dhe shoqërore, duke vendosur rendin demokratik përparimtar, nën
shembullin e vendeve të qytetëruara të kohës; në fushën kulturore – të çlironte
masat nga prapambetja mendore dhe të shpejtonte zhvillimin e tyre arsimor,
kulturor dhe shkencor me bazë gjuhën shqipe. Si e tillë ajo do të ishte një
lëvizje revolucionare kombëtare me karakter çlirimtar, demokratik dhe
iluminist. Elita intelektuale kombëtare shqiptare, nën shembullin e vendeve të
tjera ballkanike që gjurmonin në të shkuarën e tyre për të gjetur epoka të
lavdishme, rizbuluan figurën e Skënderbeut, prijësit të tyre mesjetar që kishte
zhvilluar një nga epopetë më të ndritura në përballjen kundër pushtimit otoman
në Gadishullin Ballkanik. Gjuha dhe
figura e Skënderbeut u kthyen në dy pikëtakime të botëve shqiptare në të dyja
anët e Adriatikut.
Gazetaria
e re shqiptare, që lindi sëbashku me përpjekjet për lëvrimin e gjuhës shqipe,
luajti rol tëçmuar duke ndihmuar konkretisht në këto aspekte çështjen
kombëtare. Në njëfarë mënyre ajo u bë bartëse e mesazheve përbashkuese duke
forcuar idenë sesi krijimi i publikut tëmasave lexuese të një gjuhe, një
rezultat i shtypit dhe kapitalizmit,zëvendësoi përfshirjen aksiomatike të
gjuhëve të shkruara në mendjet e njerëzve dhe shkatërroi solidaritetin e
krishterimit, Umanë islamike dhe gjithë solidaritetet e tjera. Nga ana
kronologjike, sipas të dhënave që kemi deri sot, njihet si organ i parë i
shtypit shqiptar gazeta L’Albanese d’Italia (Shqiptari i Italisë). Kjo gazetë
doli në Napoli, më 22 shkurt 1848.Ajo dilte në një format të vogël, me katër faqe.
Kryeredaktori isaj ishte Jeronim De Rada, publicist dhe aktivist kulturor i
shquar i kohës. Shtypi arbëresh lindi si nevojë e domosdoshmëripër vetë
ekzistencën kombëtare dhe shoqërore të dhjetëra mijëra pasardhësve të breznive
që emigruan nga viset e ndryshme shqiptaree që u vendosën në trevat italiane në
dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XV, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut.
Gazetaria arbëreshe shfaqet si nismëe dy apo tre personaliteteve, të cilët, për
motive atdhetare, kulturore e shoqërore, botonin një gazetë apo reviste
(Jeronim De Rada, Zef Skiroi, Françesko Stesi Petka, Antonio Argondiza etj.).
De
Rada nisi të merrej me gazetariqë në moshë të re,që në 2 vitet e para të
krijimtarisë së tij letrare. Prirjet e tij u panë kur Instituti Kozentin, duke
e vlerësuar nga ana letrare,e emëroi në sesionin 11 prillit të vitit 1839 si
anëtar korrespondent. Në rrethet letrare dhe intelektuale të atjeshme De Rada
nisi të bënte emër. Pas pak vjetësh, më 1 korrik 1842, ai u bë anëtar
korrespondent i Akademisë Valentini. Jeronim De Rada kishte filluar të
bashkëpunonte me organete shtypit në Napolit, siç na tregojnë këto burime, aty
nga vitit 1836, por më 1840 ai u mor drejtpërdrejtme përgatitjen e lëndës si
redaktor i së përkohshmes Viaggiatore(Udhëtari), që drejtohejnga shoku itij i
afërt, DomenikoMauro. “Së bashkume këtë”, shkruan De Radanë librin
Autobiologji, “botonte edhe Vincenc Padula nga Akri. Që të tre ishin të rinj
dhe jeta jonëi jepte revistësvulën e saj”.“Kjo gjë solli shumë dobi”, thekson
më poshtë De Rada në këto kujtime. “Ajo u përhap në tërë krahinën e Kozencës
dhe lexohejnë shumë lokal edhe institucione të Napolit.”
Ajo
që ia rriti vlerën De Radës, nga pikëpamja e rrugës që ndoqi si publicist,ishte
gazeta L’Albanese d’Italia apo Shqiptari i Italisë. Ai nisi ta botonte këtë
gazetë në pragun e ngjarjeve të mëdha politike të vitit 1848, që ishte viti i
revolucioneve që shpërthyen në shtetet e mëdha të Europës kundër qeverive dhe
regjimeve autokratike, si revolucioni në Francë, mëpas në Itali, Austri, Hungari
etj. Këto ngjarje dhe shumë të tjera që lidheshin me konceptin e lirisë
politike dhe fillesave të shtetit kombëtar do të pasqyroheshin në shtypin e
kohës. Në Autobiologjinë e tij De Rada kujton: “…kisha pak të holla, por
sidoqoftë atë ditë bëra kontratën me shtypshkronjën “Trani” dhe kështu doli me
një letër të varfër e me një karakter të vjetër Shqiptari i Italisë. Në Napoli
ajo pati pak lexues, por në krahinën e Kozencës u abonuan 150 veta.” Gazeta
botohej dy herë në javë, çdo të mërkurë e të shtunë,me një format të vogële me
katër faqe. Numri i parë i saj u shtypme një tirazh të kufizuar,në rreth 500
kopje(afro 300 kopjesh përndaheshin në Napoli dhe 200 kopje dërgoheshin në
Kozencë). Por, pas pak koheajo e rriti tirazhin dhe fitoi popullaritet në masën
më të gjerë të lexuesve arbëreshë. Shumica e artikujve u nënshkruan nga De
Rada, i cili ishte edhe drejtori i saj, por në gazetë dhanë ndihmesën e tyre
edhe figura të tjera të njohura intelektuale të kolonisë arbëreshe, si
Francesco Antonio Santori, Vinçenzo Gallo-Arcuri, Giuseppe Petrassi, Cesare
Marini, Nicola Castagna, si dhe bashkëpunëtorët Vincenzo dhe Achille Dorsa,
Françesco Candreva e Tommaso Lopez.
Ndikimi
i gazetës Shqiptari i Italisë filloi të ndihej në qarqet intelektuale
arbëreshe. Më 7 maj 1848, Anxhelo Ferrialo i shkruante De Radës që “ti dërgonte
1,9,10 dhe 21, të cilat përmbajnë artikuj që më pëlqejnë”. Ndërsa Gaetan
Kantivani nga S.Markoi shkruan më 3 mars 1848:“Kam marrë dy numrat e parë të
gazetës Shqiptari i Italisë dhe pothuajse shpeshherë i kam lexuar dhe rilexuar
duke qarë…Nuk ka shqiptar që të mos ushqejë ndjenja të tilla për një ndërmarrje
që nderon gjuhën e Epirit”.Një intelektual tjetër arbëresh, Luigi Valentini, i
shkruan De Radës për t’u pajtuar në gazetë për gjithë vitin. Ai njeh në të
njëjtën kohë edhe kontributin e paçmuar të gazetës, kur shkruan: “…ju do të
mbani në lidhje në këtë rast arbëreshët e Italisë me ata të Shqipërisë”.
Përpara
se të fillonte botimin e gazetës Shqiptari i Italisë, De Rada e kishte krijuar
ndërkohë fizionominë e poetit të botës arbëreshe. Ai ishte një figurë qendrore
e letërsisë dhe kulturës arbëreshe të shekullit XIX që, ndryshe nga
paraardhësit e vet, jo vetëm pati meritën që hapi siparin e romantizmit në
letërsinë shqipe me veprën e tij Këngët e Milosaos(1836), por për herë të parë
e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës.
Këtë integrim ai e arriti falë angazhimit të tij të pandërprerë në qarqet
kulturore italiane,por edhe falë krijimtarisë së tij të pasur letrare. Një ndër
veprat e tij më të rëndësishme është Këngët e Milosaos (1836,1847, 1873).Poema
nuk është cilësuar thjesht si një poeme lirike, por përmes saj bëhet thirrje
për bashkim e qëndresë, duke na dhënë një pasqyrim poetik të mbështetur në
kujtesën kolektive të betejave që ishin zhvilluar nga arbrit kundër osmanëve.
Poema ka rëndësi të madhe historike sepse me të fillon letërsia artistike,
laike, demokratike dhe kombëtare shqiptare. Ajo çfarë e përshkon veprën është
karakteri patriotik. Pak më vonë gjejmë Këngët e Serafina Topisë
(1839,1843,1898), një pjesë të së cilës e botoi edhe në gazetën Shqiptarii
Italisë. “Kjo vepër u vlerësua për mbajtjen gjallë të traditës arbëreshe në dhé
tëhuaj. Deri më sot njihen katër variante të kësaj vepre. Botimin e parë të një
pjese të saj e gjejmë më 8 tetor 1836 në të përkohshmen Omnibus”. Në gazetë
është botuar Kënga XV në të dyja variantet, italisht dhe arbërisht,çka përbën
jo vetëm një dokument të rëndësishëm gjuhësor, por është dhe një dëshmi sesi
vetëdija kombëtare ndër arbëreshët gjeti vend në shtypin e shkruar. Heroina
kryesore e veprës, Serafina Topia, përkundet mes ndjenjës dhe sakrifikimit për
familjen e atdheun, një temë tipike e romantizmit arbëresh, që ndikoi e
rrezatoi më vonë dhe në letërsinë shqipe. Po ashtu, Serafina Topia mishëron
idealin e gruas shqiptare dhe njëkohësisht idealin e njeriut të zhvilluar në
mënyrë të gjithanshme. Edhe pse një personazh i krijuar nga De Rada, ajo është
gdhendur sipas tipareve kulturore e fizike të bashkësisë arbëreshe, duke u
shndërruar kështu në një simbol të grave të kësaj bashkësie.
Vargu
i De Radës mbështetet në poezinë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë
dhe atyre më të hershme në Greqi. Mungesa e rimës në to është treguesi kryesor
i hershmërisë dhe origjinës së njëmendtë popullore të tyre. “Pa rimë, pa
strofa”, thotë De Gracia në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore
tradicionale italo-shqiptare, “siç është zakon edhe në ditët e sotme edhe ndër
shqiptarët më të thjeshtë, por përherë me vargje tetërrokësh të lirë, të
përzierë me ndonjë shtatërrokësh dhe gjashtërrokësh;që të gjithë të marrë
sëbashku krijojnë një harmoni të këndshme, por monotone”.
Në
faqet e gazetës Shqiptari i Italisë janë botuar mjaft shkrime e madje pjesë nga
poema të ndryshme, si Vallja e Haresë së madhe e Antonio Santorit.Në këtë poemë
trajtohet mënyra e sjelljes në çdo festim publik, ku të gjithë në qytet,
tëmbështetur nga të afërmit e gjakut dhe të veshur në mënyrën e tyre
tradicionale, zbresin në rrugë duke marrë dorën e njëri-tjetrit dhe
interpretojnë një këngë të shoqëruar nën masat e disiplinuara të hapave, duke u
sinkronizuar në një mënyrë të unifikuar me njëri-tjetrin. Gazeta ishte një tribunë e arbëreshëve, ku
përmes shkrimeve të larmishme publicistike paraqiteshin edhe çështjet
kombëtare. Në artikujt e saj gjetën vend disa nga idetë që ushqyen më vonë
veprën e De Radës, por edhe mendimin filozofik, estetik dhe letrar shqiptar.
Kështu, për shembull, zanafilla e idesë së lidhjes së korit antik të tragjedisë
dhe komedisë greke me ritet popullore shqiptare gjendet ne artikullin “La Ridda
della grande festa”, fq. 9, shkruar nga Antonio Santori, kur përshkruhet kori,
i cili, sipas tij,ishte themeli i tragjedisë së Tespit, por që vjen duke u
zgjatur deri te ritet shqiptare.
Pasqyrimi
i riteve arbëreshe zuri një vend të rëndësishëm në gazetë, sepse, sipas
romantikëve, studimi i folklorit do të bënte të mundur krijimin e modeleve të
vektorëve historikë të së shkuarës, por që mund të përsëriteshin në të
tanishmen. Intelektuali arbëresh Akile Dorsa përshkruan ritin e festimeve të
përvitshme arbëreshe që mbanin gjallë figurën e Skënderbeut dhe Krujën,
kryeqytetin e tij. “I dashur mik, këtë vit tri ditët tona të Pashkëve i festuam
me një entuziazëm të pazakontë. Ju që jeni shqiptar, nuk keni nevojë të
pikturoni entuziazmin dhe jetën e jashtëzakonshme të këtij populli heroik, si
një komb që ju e njihni mjaft nga ritet dhe zakonet e lashta që ende lulëzojnë.
Shfaqja filloi si zakonisht pas drekës, kur të rinjtë, të lumturuar nga
engjëlli i Pashkëve dhe vera, erdhën nga shtëpitë e tyre dhe u mblodhën në
shoqëri; ata udhëtuan nëpër vend duke kënduar bëmat e luftëtarit dhe heroit nga
Kruja. Veshja e tyre orientale, shpatat pa këllëf, flamujt që valëviteshin,
këngët për Skënderbeun që përsëriteshinnë dy kore, i bëri ata të njohin një
komunitet të vërtetë, siç janë tashmë, të të parëve tanë, prej të cilëve të
tria grupet festuese i mbajnë mend të tjerët me simbolin lart për të hapur
rrugën në mes të turmës së spektatorëve, të cilët u mblodhën nga vendet fqinje
në turma. Përgjatë rrugëve ju mund të shihni radhë të grave të veshura
përfestën, të cilat përshkuan njëra-tjetrën me një harmoni të paefektshme të
këngëve kombëtare, që nga pikat e ndryshme të këtij fshati sinkronizoheshin në
një thellësi të vetme po aq hyjnore sa ndjenja e lirë që i diktoi ata. Me skena
kaq të bukura, të tjerët bien ndesh me shëmtinë dhe format e tyre monstruoze.”
Përpos
pasqyrimit të folklorit, letërsisë dhe gjuhës arbëreshe, De Rada do të
trajtonte edhe temat e politikës së ditës, të cilat shqetësonin elitën
arbëreshe e që kishin të bënin me fatin politik të Italisë. Në numrin 27 të
datës 3 korrik 1848, në gazetë zë vend letra e De Radës drejtuar kavalier
Saverio Pratit, komandantit të forcave vullnetare në frontin e Venecias kundër
forcave pushtuese austriake, në të cilën i jep zemër për qëndresë e guxim në
luftë. Në letër, veç të tjerave, shpalosen idetë që do të mbizotëronin më vonë
në ligjërimin kulturor e politik të De Radës gjatë angazhimit të tij për
çështjen kombëtare shqiptare. “Por çfarë mendimi tjetër mund të zinte vend më
tepër në zemrën time”, shkruan De Rada, “sesa ideja që jam shqiptar, se e kam
dashur më tepër se çdo gjë mëmëdheun, se e kam për zemër dhe të shenjtë, para
së gjithash gjuhën që është shprehje e shpirtit tim dhe pa shikuar madhërinë e
pashoqe të saj, edhe para se ta gjeja të ngulitur në shpirtin e saj kuptimin e
botës së vjetër fetare.” Në materialet dokumentare të fondit përkatës në
Arkivin Qendror të Shtetit ruhet me kujdes si një ekzemplar i rrallë edhe numri
27 i gazetës Shqiptari të Italisë(datë 3 qershor 1848). Edhe në këtë numër ka
shkrime me interes,siç është peticioni drejtuar Dhomës së Deputetëve në Napoli
nga studiuesi arbëresh Jeno de Koronej, nënshkruar në emër të arbëreshëve të
Kalabrisë, të cilët kërkonin të jetonin të lirëe të pavarur nga kisha e Romës
që përpiqej t’i shkrinte në ritin e saj latin për asimilimin kombëtar të tyre.
Në këtë dokument ata vënë në dukje karakterin burrëror dhe patriotik.
“Kujtonin”, thonë ata, “se arbëreshët e parë erdhën këtu të kalitur në ndeshje
të armatosura me forcat osmane. Ata erdhën të mjeruar, portë fortë në betejat
kundër osmanëve dhe bënë që zëri tyretë dëgjohej në Italie sidomos në
mbretërinë e Napolit, ku është ndier më afër nevoja e kësaj mbretërie për
ndihmën e heronjve të vendit tonë.” Në këtë mënyrë gazeta Shqiptari i Italisë
ishte kthyer në një tribunë të mendimit të lirë të botës arbërore në Itali, ku
spikatnin botimi i folklorit, i krijimtarisë origjinale, si dhe përkujdesja për
ruajtjen e ritit bizantin. Gazeta Shqiptari i Italisë duket se fitoi një
popullaritet të madh mes bashkësisë arbëreshe dhe qarqeve intelektuale italiane
që po përgatitnin Risorgimento-n, sepse në numrat e fundit arriti të botohej
deri në 3200 kopje. “Kur morri vesh Francesco Krispi”, shkruan De Rada në
veprën e vet Autobiologji, “më dërgoi me këmbim Apostolat-in dhe unë i dërgova
të gjithë numrat që kishin dalë në atë kohë.”
Sinergjia
kulturore që krijoi gazeta Shqiptari i Italisë u kthye në një humus kulturor që
ndikoi në periudhat e mëvonshme të konsolidimit të identitetit kulturor të
bashkësisë arbëreshe në Itali dhe në projektimin e idesë së themelimit të
shtetit kombëtar shqiptar. Bota kulturore arbëreshe, nën rrjedhat e iluminizmit
dhe romantizmit evropian, rindërtoi identitetin e hershëm kulturor të sjellë
nga atdheu i mëparshëm për të bërë kapërcimin e madh drejt ideve të
nacionalizmit dhe formimit të kombeve, çka përfshiu gjithë kombet dhe
bashkësitë e tyre në diasporë të Europës Juglindore. Publicistika, mjeti më
efikas i nacionalizmit në mesin e shekullit XIX, mbarti idetë kombëtare duke
krijuar shtratin e duhur për triumfin e ideve liberale dhe krijimin e shteteve
kombëtare, ku pa dyshim gazeta Shqiptari i Italisë është një nga themelet
kryesore të këtij rizgjimi kombëtar dhe kulturor.