E shtune, 20.04.2024, 09:50 AM (GMT+1)

Speciale

Syrja Etemi: Gjurmëve të një beteje epike në Pollog

E hene, 12.12.2022, 08:53 PM


GJURMËVE TË NJË BETEJE EPIKE NË POLLOG

(Me rastin e  107  vjetorit të betejës së Sllatinës)

Shkruan Syrja ETEMI

Meqë edhe më pak se nja dy muaj u bënë 107 vjet nga një betejë sa epike e heroike, aq edhe e përgjakshme - që u fokusua mu në fshatin  Sllatinë, i dhash për detyrë vetes që të shkruaj disa fjalë për këtë ngjarje e cila akoma po kundërmon me aromën e trishtë të saj, e cila nuk i lë indolent e të painteresuar edhe brezat e kohës së sotme:

S’do mend që, me tërheqjen e të sëmurit të Bosforit  nga Pollogu e Sllatina, së pari këto troje shqiptare u nënshtruan nga Serbi “i parë” (1912-1915), mandej Bullgari i Parë (1915-1918) e, pas kësaj - për të pasuar Mbretëria SKS. Këtyre pushtimeve të të huajve, shqiptarët vendas nuk i kanë bërë “amin”, por gjithnjë u kanë rezistuar me beteja, luftëra e kryengritje të njëpasnjëshme.

Një ngjarje tepër e bujshme dhe e rëndësishme për historinë e shqiptarëve të Pollogut (dhe që e kanë shënuar historianët dhe dokumentet e kohës), është edhe beteja e Sllatinës, zhvilluar më 18 tetor 1915, ndërmjet forcave ushtarako-policore serbe dhe kryengritësve shqiptarë - në bashkëpunim me "aleatët" bullgarë. Për këtë epope të lavdishme, përveç banorëve të këtij fshati (që flasin përmes gojëdhënave të shumta), shkruajnë edhe dokumentet e ndryshme, qoftë të huaja, qoftë shqiptare, e, sidomos vlen të përmendet libri i Dr. prof. Vebi Xhemailit me titull: "Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar (1912-1918), i cili, në fq. 256, shkruan:

"...Në rrugën e vjetër: Tetovë-Kaçanik, afër fshatit Vratnicë depërtuan me të shpejtë forcat bullgare (për të sulmuar forcat okupatore serbe , S.E.). Atyre iu bashkuan edhe kryengritësit shqiptarë duke marrë fshatin Dobrosht më 29 tetor (sipas kalendarit të vjetër ortodoks), ndërsa Tearcën më 30 tetor, dhe duke vazhduar depërtimin drejt Tetovës. Në fshatin Sllatinë vepronte një çetë tjetër shqiptarësh me një efektivë prej 150 vetësh" (të udhëhequr nga sllatinasi, Mulla Beqiri - S.E.).

Autori në fjalë vazhdon shkrimin kësisoj:

"Forcat serbe mbronin rrugën kryesore për në Tetovë – mbi fshatin Leshkë. Shqiptarët sulmuan të parët dhe arritën fitore të mëdha, duke vrarë që në fillim dy oficerë serbë: "narednikun" e çetës së III, Zhivota Marinkoviq dhe komandantin e tij, kapitenin e klasit të dytë, Rista Nikoliq." Kështu vazhdon autori i librit, "kjo vrasje ndikoi shumë negativisht në moralin e ushtarëve serbë,të cilët,duke parë para syve të tyre vrasjen e eprorëve, filluan të dezertonin nga fronti i luftës, për të pasuar zbrapsja e tyre në tërë frontin sa që edhe topat i lanë pa mbrojtje. Për të ndryshuar këtë situatë, komanda serbe mori masa duke u premtuar se së shpejti do ta arrinin përforcime të reja. Në ato çaste kritike për ushtrinë serbe arriti aradha e xhandarmërisë së Tetovës, me në krye Haqim Vuliqin, i cili me pushkë në dorë i detyroi ushtarët serbë që të ktheheshin në pozicionet e veta."

Në vazhdim, autori shkruan: "Fitoren në betejën e Sllatinës, kryengritësit shqiptarë nuk ditën ta shfrytëzojnë si duhet, sepse ata nuk ishin të sigurtë për këtë fitore. Ata nuk kaluan në kundërsulm, dhe nuk vazhduan sulmin përpara, por nga pozicionet e veta ku ishin (në vendin e quajtur Kasapnicë dhe Te Lugji - S.E.) ata shtuan vetëm intensitetin e zjarrit. Atëherë komanda serbe përdori artilerinë duke ndalur përparimin e kryengritësve shqiptarë. Në orët e pasditës, ushtrisë serbe i erdhën përforcime të reja nga Tetova. Komanda serbe urdhëroi që me tre çetat e para të sulmonte krahun e djathtë të frontit nga manastiri i Leshkës, kurse çeta e pestë mbeti rezervë që të kujdesej për armatimin e rëndë (topat). Me këto përforcime të reja, forcat kryengritëse filluan të tërhiqen. Në këtë pozitë të vështirë për kryengritësit shqiptarë dhe forcat bullgare të cilët lëshuan pozicionet, duket qartë se fitoren që e kishin në duart e veta, ata e shndërruan në disfatë. Beteja përfundoi pasdite, ndërsa forcat shqiptaro-bullgare,të shtrënguara në vijën Leshkë-Shemshovë, u tërhoqën nga fshati Sllatinë.

Sipas të dhënave që jep komandanti i "Aradhës së Tetovës", Nikolla Jorgovanoviç, shkruan:  “Shqiptarët u tërhoqën nga fushëbeteja në formë të çrregullt. Pjesa më e madhe e forcave "të bashkuara shqiptaro-bullgare" vazhduan rrugën në drejtim të fshatit Dobrosht; ndërsa një pjesë tjetër nga fshati Jançisht nga lugina e Vardarit. Në këtë betejë morën pjesë edhe disa njësi të ushtrisë bullgare të Regjimentit XI që ishin në përbërje të Divizionit III Ballkanik, dhe të cilët kishin pushtuar Shkupin, Kaçanikun, Elez-Hanin. Kështu, duke shfrytëzuar rrugën e vjetër: Kaçanik - Tetovë,ata u bashkuan me kryengritësit shqiptar, për të pushtuar Tetovën. Gjatë rrugës për në Tetovë, ushtrinë bullgare e udhëhiqte kapiteni Nizov.Ushtria në krye me komandantin në fjalë, shqiptarëve u shpërndau armë, për qëllime të veta politike e ushtarake".

Disfata në betejën e Sllatinës me rrethinë, ndaloi sulmin e shqiptarëve dhe bullgarëve për të marrë Tetovën. Kjo ishte një betejë shumë e përgjakshme, ku pati shumë të vrarë e të plagosur nga të dyja palët. Në këtë betejë u vranë dy oficerë dhe katërmbëdhjetë ushtarë serbë, dhe gjashtë të tjerë u zhdukën, ndërsa u plagosën 53 veta.

Historiani shqiptar, Dr. Vebi Xhemaili shkruan për betejën e Sllatinës

Gazeta “Fakti”, tetor 2005

Po ashtu, edhe kryengritësit shqiptarë dhe ushtria bullgare patën të vrarë dhe të plagosur . Me këtë rast, mjaft e pësoi popullata civile vendase, ku iu ekspozua një dhune makabre dhe terrori të paparë. Masakrat e ushtrisë dhe policisë serbe, të ushtruara ndaj kësaj popullsie, rishtazi i tregon edhe vetë gjenerali Jorgovanoviç, ku thotë: "Duke iu falënderuar komandantit të policisë në Tetovë e Gostivar, ushtarët e mi u furnizuan me ushqim e veshmbathje, duke plaçkitur nëpër qytete dhe katunde fshatarët e varfër, dhe duke  i dhënë ushtrisë bukë, veshmbathje, çorapë prej leshi, ushqim për kuajt etj." Në këto plaçkitje të popullsisë shqiptare,morën pjesë edhe gratë serbe.Një ndër to ishte edhe gruaja e "naçallnikut" të Tetovës.

Këto ishin të dhëna mjaft relevante të autorit të librit: "Shqiptarët e Pollogut (1912-1918)..." e që e kanë dokumentuar, ndriçuar dhe glorifikuar këtë ngjarje të rëndësishme historike për popullsinë shqiptare.

Meqë fshatrat e kësaj ane, e, sidomos Sllatina që e "përceptoi" këtë ngjarje me sakrifica mbinjerëzore,  gjithësesi se, këtu, ende ruhen reminishenca të freskëta  për betejën në fjalë. Këto do të na shërbejnë si shënime plotësuese, dhe mjaft do të ndihmojnë në njohjen më të gjithanshme të rrjedhës dhe zhvillimit të ngjarjeve të lartëpërmendura,e në veçanti - të betejës së Sllatinës, të cilën popullata vendore e ndihmoi me të gjitha potencialet e veta që dispononte, qoftë të aspektit material, qoftë në formën e mbështetjes ushtarako-strategjike, të përligjura me primesa inkurajuese morale-materiale e njerëzore.

Kur potencojmë mbështetjen imanente të banorëve vendas dhënë kryengritjes, nuk mund të mos piketojmë gatishmërinë vetëmohuese - në ushqime dhe në armatim, (pasi sllatinasit dispononin numër të konsiderueshëm armatimi, të trashëguar brez pas brezi që nga koha e Turqisë), madje ndihmesën direkte me efektiv ushtarak ku morrën pjesë aktive te 50 burra vetëm nga ky fshat të udhëhequr nga Mulla Beqiri, ky i frymëzuar me ide atdhetare nga kushëriri i tij, Osman ef.Abdullahi. Për kontributin e udhëheqësit të kryengritësve shqiptar në Betejën e Sllatinës, këngëtari popullor do të krijojë edhe këngë të shumta.

Në vazhdim do të shtrojmë para jush disa të dhëna gojore që janë thadruar në kujtesën e brezave  e që kanë të bëjnë me betejën në fjalë (intervista të zhvilluara në v. 1990):

"Kur hikën Turkija, kuët v'end e zaptuan sërbi. Ka kën fukarallejk’ i madh; gazep’ i madh; buëne hesap: shëm njerëz kan "shku" veç sibiep zullumit t'shkieve... Kur hi sërbi n'Sllatejn-nejsën lufta. Ipet habieri me e l'shau viendin...", i tregon nëna e saj, Merdime Fazliut (lindur më 1919), për të vazhduar: "Ne u buëm hazër me raçe, pak mell, tre cuapa dhien - n'kier me çie, ene dulëm t’shkuëjm n'Svillare. Kuëlëllarët e kishin t'vram Isaufin pi shkieve t'Leshkës (Bashkë me Avdi Ibishin dhe Taipin e Minçes – S.E.)- e shtëjn n’shushlak,se s’kan pas rusat ene ta shtëjn n’traull. Kshau xhi, xhenazen e lën ashtau, ene ikin... Kejt u ngrëjtëm: gra e caull t'vuëjxhël, dunji bur pak ma i shtëjshëm, ene shkum,disa n'Radush e disa n'Sfillare", rrëfen Merdimja 71 vjeçare, ashtu si i ka treguar nëna e saj, për të vazhduar: "shkijet kur hin n'kataund xhi ka pat për t'mar, kajn mar, kan gjieg shpeja, bile ene pes bura t'kataundit i gjegën t'xhall. Kur u thkejm mas nji vakti (10 ditë pi Svillare), nuk xhetëm kurxhë t'xhall; buëne hesap, kuët Isaufin e kuëlëllarve e kishin xhet atua t'vietët t'captaum, ene kejt mishin ia kishin rjep macët", përfundon rrëfimin plaka e rënduar nga vitet e, që ruan të kthjellta fjalët e hekave të nënës edhe mbarë familjes së saj.

Një rrëfimtar tjetër sllatinas 66 vjeçar (Iljaz Iljazi), i cili potencon nënën e vet, do të deklarojë:

"Nëna jeme (kur isha i ri) ma ka kallzau ene kuët xhë: Udhës t'u ik për n'Svillare, nji grue e kujshiis  (Midic'e Ibishit) me caull t'vuëgël, kur mrëjn ka lidinët e Urashës Puështme, ngat du miexheve, hunxhet t'prëje nji trua. Kur ngrehet t'shkuëje, e "haruan" gjalin e vuëgël-liriek (Xhabirin e Midiis). Mas nji kuhe, kuët e xhën tiezj'e viete (e ndejn tu piskllau te miexhja). Kur shkuan atej, kur shief, nji caull, lirekin e muatrës viete, e mier n'krah, e hipin n'kier - nen te thkian n'kataund e miren viesht për liriekin se si ka nduadh puna". “Nji grues qietër pi shkundët, vazhdon rrëfimtari në fjalë, kur mrejn te rieka  (Vardari -S.E.), ujti va mier nji caull, ene s'ën e shputuëjn - mejtët n'uj."

Për masakrat në fshatin Sllatinë, Elmaz Misimi, një veprimtar mendjekthjellët, do të tregojë kështu:

"Kataundin tuan shkiet e kan pas "n'sej" pi "n'punën" e manasterit t'Lieshkës. Kshau xhi kur vein sërbët n'kataund, i zën disa bura ma me emën, i lidhin duar për duare për mullarin e kashtës- te shpeja e Cejmës ene i gjiegën t’ xhall: Ademin e Beqirit, Nesejmin e Fetishit (Cejmën), Hamitin e Idrizit, Esatin e Sallahin ene Misimin e Nuçës (Zejnullahit). Xhenazen e Cejmës e xhëjn për kutëjën e duhënit, a Misimin - për saumllët e xhëmadënit, Hamitin - për çelcin e mullejnit..., kurse Mulla Beqirin e zën, ene e gjegën ashtau lidhët te shkall't e shpejës vetë”, pas një rezistence të armatosur me ushtarët serb, të rrethuar nga njëfarë Samoili nga Leshka. Është interesant se qeni i tij ka ndjejtë te kryet e kufomës së djegur deri sa kanë ardhë anëtarët e familjes nga Kondova – refugjatë (S.E.).

Në vazhdën e këtyre skenave makabre është edhe vrasja e Qazim Sahitit (nga Akulet). Vrasjen e bëjnë shkiet e Tearcës, po në këtë fshat fqinj, ky duke u kujdesur për karvanin e bashkëfshatarëve të vet (grave, pleqve e fëmijëve- me kere e me kie), duke lëshuar fshatin për t'u strehuar në fshatrat e rrethit të Shkupit: (Sfillare, Radush, Rashçe, Vorcë e Kondovë). Dhe, kështu të plagosur për vdekje, e shtin në një shtëpi, kurse motra e tij, vishet me tirqi e lurkë, bëhet si "burrë" dhe i prin karvanit deri në Kondovë ku qëndrojnë 10 ditë. Qazimi të nesërmen vdes (1 nëntor 1915) dhe e varrosin tearcalit  natën në varrezat myslimane të këtij fshati.

Nga e gjithë kjo histori sa e dhimbshme aq edhe krenare, lindi edhe kënga që vë në pah qëndrimin heroik të shqiptarëve autokton në trojet e veta, e sidomos atyre të Sllatinës, të udhëhequr nga atdhetari, Molla Beqir Hasani.

Lindi në Sllatinë në vitin 1875,në një familje,fisi i të cilit ka dhënë shërbyes fetar të devotshëm e atdhetarë të spikatur.Vetëm nga fisi Akul,të cilit i përkiste vet Mulla Beqiri,shquhen këta emra: Bajram Baba (i pari i fisit – që i përkiste rendit bektashian),mandej Ismail Efendiu, Avdiraim Efendiu, Mulla Osmani, më vonë Mulla Hajdari, Mulla Haziri, Mulla Sheipi etj.

Shkollimin e parë e mori te hoxha  i fshatit në Sllatinë. Më vonë vazhdon   shko-llën turke “Ruzhdie”që i përgjigjet  shkollës së sotme 8- vjeçare që për kohën ishte  shkollë  e tipit më të përparuar. Shkollën në fjalë, zakonisht e ndiqnin  fëmijët e familjeve nga  qytetet. Pas mbarimit të shkollës, merr titullin Mulla dhe punon si shërbyes fetar. Martohet dhe bën pesë fëmijë 3 vajza dhe dy djem: Fauzi Beqir Hasani (1900-1911) dhe Sadik Beqir Hasani (1903-1981).Në kohën sa shërbente si Mulla në Xhaminë e fshatit,ai zgjëronte rrethin e bashkëpunimit me njerëz të shquar të Pollogut e më gjërë,sidomos me Mehmet Pashë Derallën.

Emri i tij do të dëgjohet edhe më larg në kohën e përgatitjeve dhe organizi-meve të atdhetarëve shqiptarë për një kryengritje gjithëpopullore kundër zaptue-sve të tokave tona,përkatësisht kundër Serbisë.Ai nuk qëndronte indolent kur ishte në pyetje rrezikimi i vatanit.Kështu,rreth vetes mblodhi te 50 burra të pushkës e të guximit,dhe në bashkëpunim me forcat bullgare (që edhe këta luftonin serbin,d.m.th.,të njëjtin armik),me 31 tetor të vitit 1915

sulmoi forcat serbe të stacionuara në Manastirin e Leshkës,që kishin planifikuar asgjësimin e Sllatinës (e cila konsiderohej si çerdhe e kryengritësve rebel të Pollogut Lindor).Për këtë rrjedhë të punëve dhe epilogun e betejës,përveç që shkruajnë analet e kohës, këndohet edhe kënga vijuese:

NE T'NA NEHET ZËNI

Krali sërbit ka dhën urdhën:

"Kejt nër çizme di mbaj shiptar't

Kush m'del para e ma zie udhën

Këm m'e gjieg e këm me var".

N' Grik t'Vardarit – Jorgoviçi*

I zu lloguëret me zapti

Si hajvën buën krejeviçi

Kësulbardh't duan t'i përpi.

N'fush  t' Pollogit  hi qafiri

Veç për dëm e për zarar,

N'prejt i diel Molla  Beqiri**

Viet i pesdheti shiptar.

N'Lugj  Te Rjeka pushkën krejsi

Me xhandërët sërbiën

S'ka nahia, nuk ka fejsi

Për vatën ma azgën.

"N'këm, o bura, u lumt pushka!

Ne t'na nehet zëni mer,

Ikën sërbi me kal’  e mushka

I la xhenazet n"Manaster.

* Nikolla Jorgovanoviç, (kolonel) – komandant i forcave armike serbe

** Beqir Asani (Molla Beqiri) – udhëheqës  i luftëtarëve vullnetarë shqiptarë  në bashkëpunim me forcat bullgare

Në përmbyllje

Edhe pse fillimi i betejës qe në favor të shqiptarëve, epilogu qe tragjik: Mulla Beqiri u  tradhtua, u kap nga një “puk” satrapësh serb (të ndihmuar edhe nga sllavë të Leshkës – në shenjë hakmarrjeje nga afera e “manastirit”-1905), të cilin e dogjën të gjallë afër shtëpisë ku kishte lindur. Por Ai mbeti i padjegur në historinë dhe kujtesën e fshatit, si feniks i padjegur nga rrufetë, si Ante i lidhur me tokën e katragjyshërve të Sllatinës.

Foto e vitit 1917

Gjenerali, Nikolla Zhekov gjatë pushtimit bullgar në fshatin fqinj të Sllatinës – Leshkë - dy vite pas betejës së Sllatinës

... Dhe, rrëfimet s’kanë të sosur. Dëshmitë, dokumentet, faktet, ku të fjetura, ku të zgjuara, akoma po frymojnë në mesin tonë. Ato duhet të mblidhen, sistemohen, të shënohen e, të përkujtohen. Institucionet e vendit, por jovetëm, të këndellen! Historianët kanë shumë punë për të bërë. Të mësojmë prej saj. Brezave të rinj të shkollave fillore e të mesme, t’u mësojmë historinë lokale e mandej atë europiane e botërore. Ju mësues të historisë, mjaft fjetët! Ja kudo nën këmbët tua mund të gjeni copëza historie e lavdie të të parëve tanë. Mos të lejojmë që të tjerët të “flirtojnë” me “mësuesen e jetës”.  Prandaj nuk thuan kotë: “Historia është thesar i bëmave tona. Dëshmitare e së kaluarës, mësuese e së tashmes dhe paralajmërim i së ardhmes. Nëse nuk dimë se kush dhe ku kemi qenë, s’dimë as se kah dhe ku  të vemi e, aq më pak- se, n’ç’drejtim t’i orientojmë fëmijët tanë, nxënësit që duhet t’i mësojmë dhe brezat që po vijnë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora