| E hene, 12.12.2022, 08:53 PM |
GJURMËVE TË NJË BETEJE EPIKE NË POLLOG
(Me
rastin e 107 vjetorit të betejës së Sllatinës)
Shkruan
Syrja ETEMI
Meqë
edhe më pak se nja dy muaj u bënë 107 vjet nga një betejë sa epike e heroike,
aq edhe e përgjakshme - që u fokusua mu në fshatin Sllatinë, i dhash për detyrë vetes që të
shkruaj disa fjalë për këtë ngjarje e cila akoma po kundërmon me aromën e
trishtë të saj, e cila nuk i lë indolent e të painteresuar edhe brezat e kohës
së sotme:
S’do
mend që, me tërheqjen e të sëmurit të Bosforit
nga Pollogu e Sllatina, së pari këto troje shqiptare u nënshtruan nga
Serbi “i parë” (1912-1915), mandej Bullgari i Parë (1915-1918) e, pas kësaj -
për të pasuar Mbretëria SKS. Këtyre pushtimeve të të huajve, shqiptarët vendas
nuk i kanë bërë “amin”, por gjithnjë u kanë rezistuar me beteja, luftëra e
kryengritje të njëpasnjëshme.
Një
ngjarje tepër e bujshme dhe e rëndësishme për historinë e shqiptarëve të
Pollogut (dhe që e kanë shënuar historianët dhe dokumentet e kohës), është edhe
beteja e Sllatinës, zhvilluar më 18 tetor 1915, ndërmjet forcave
ushtarako-policore serbe dhe kryengritësve shqiptarë - në bashkëpunim me
"aleatët" bullgarë. Për këtë epope të lavdishme, përveç banorëve të
këtij fshati (që flasin përmes gojëdhënave të shumta), shkruajnë edhe
dokumentet e ndryshme, qoftë të huaja, qoftë shqiptare, e, sidomos vlen të
përmendet libri i Dr. prof. Vebi Xhemailit me titull: "Shqiptarët e
Pollogut në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar (1912-1918), i cili, në fq.
256, shkruan:
"...Në rrugën e vjetër: Tetovë-Kaçanik, afër fshatit
Vratnicë depërtuan me të shpejtë forcat bullgare (për të sulmuar forcat
okupatore serbe , S.E.). Atyre iu bashkuan edhe kryengritësit shqiptarë duke
marrë fshatin Dobrosht më 29 tetor (sipas kalendarit të vjetër ortodoks),
ndërsa Tearcën më 30 tetor, dhe duke vazhduar depërtimin drejt Tetovës. Në
fshatin Sllatinë vepronte një çetë tjetër shqiptarësh me një efektivë prej 150
vetësh" (të udhëhequr nga sllatinasi, Mulla Beqiri - S.E.).
Autori
në fjalë vazhdon shkrimin kësisoj:
"Forcat serbe mbronin rrugën kryesore për në Tetovë
– mbi fshatin Leshkë. Shqiptarët sulmuan të parët dhe arritën fitore të mëdha,
duke vrarë që në fillim dy oficerë serbë: "narednikun" e çetës së
III, Zhivota Marinkoviq dhe komandantin e tij, kapitenin e klasit të dytë,
Rista Nikoliq." Kështu vazhdon autori i librit, "kjo vrasje ndikoi
shumë negativisht në moralin e ushtarëve serbë,të cilët,duke parë para syve të
tyre vrasjen e eprorëve, filluan të dezertonin nga fronti i luftës, për të
pasuar zbrapsja e tyre në tërë frontin sa që edhe topat i lanë pa mbrojtje. Për
të ndryshuar këtë situatë, komanda serbe mori masa duke u premtuar se së
shpejti do ta arrinin përforcime të reja. Në ato çaste kritike për ushtrinë
serbe arriti aradha e xhandarmërisë së Tetovës, me në krye Haqim Vuliqin, i
cili me pushkë në dorë i detyroi ushtarët serbë që të ktheheshin në pozicionet
e veta."
Në vazhdim, autori
shkruan: "Fitoren në betejën e Sllatinës, kryengritësit shqiptarë nuk
ditën ta shfrytëzojnë si duhet, sepse ata nuk ishin të sigurtë për këtë fitore.
Ata nuk kaluan në kundërsulm, dhe nuk vazhduan sulmin përpara, por nga
pozicionet e veta ku ishin (në vendin e quajtur Kasapnicë dhe Te Lugji - S.E.)
ata shtuan vetëm intensitetin e zjarrit. Atëherë komanda serbe përdori
artilerinë duke ndalur përparimin e kryengritësve shqiptarë. Në orët e
pasditës, ushtrisë serbe i erdhën përforcime të reja nga Tetova. Komanda serbe
urdhëroi që me tre çetat e para të sulmonte krahun e djathtë të frontit nga
manastiri i Leshkës, kurse çeta e pestë mbeti rezervë që të kujdesej për
armatimin e rëndë (topat). Me këto përforcime të reja, forcat kryengritëse
filluan të tërhiqen. Në këtë pozitë të vështirë për kryengritësit shqiptarë dhe
forcat bullgare të cilët lëshuan pozicionet, duket qartë se fitoren që e kishin
në duart e veta, ata e shndërruan në disfatë. Beteja përfundoi pasdite, ndërsa
forcat shqiptaro-bullgare,të shtrënguara në vijën Leshkë-Shemshovë, u tërhoqën
nga fshati Sllatinë.
Sipas
të dhënave që jep komandanti i "Aradhës së Tetovës", Nikolla
Jorgovanoviç, shkruan: “Shqiptarët u
tërhoqën nga fushëbeteja në formë të çrregullt. Pjesa më e madhe e forcave
"të bashkuara shqiptaro-bullgare" vazhduan rrugën në drejtim të
fshatit Dobrosht; ndërsa një pjesë tjetër nga fshati Jançisht nga lugina e
Vardarit. Në këtë betejë morën pjesë edhe disa njësi të ushtrisë bullgare të
Regjimentit XI që ishin në përbërje të Divizionit III Ballkanik, dhe të cilët
kishin pushtuar Shkupin, Kaçanikun, Elez-Hanin. Kështu, duke shfrytëzuar rrugën
e vjetër: Kaçanik - Tetovë,ata u bashkuan me kryengritësit shqiptar, për të
pushtuar Tetovën. Gjatë rrugës për në Tetovë, ushtrinë bullgare e udhëhiqte
kapiteni Nizov.Ushtria në krye me komandantin në fjalë, shqiptarëve u shpërndau
armë, për qëllime të veta politike e ushtarake".
Disfata
në betejën e Sllatinës me rrethinë, ndaloi sulmin e shqiptarëve dhe bullgarëve
për të marrë Tetovën. Kjo ishte një betejë shumë e përgjakshme, ku pati shumë
të vrarë e të plagosur nga të dyja palët. Në këtë betejë u vranë dy oficerë dhe
katërmbëdhjetë ushtarë serbë, dhe gjashtë të tjerë u zhdukën, ndërsa u plagosën
53 veta.
Historiani
shqiptar, Dr. Vebi Xhemaili shkruan për betejën e Sllatinës
Gazeta
“Fakti”, tetor 2005
Po
ashtu, edhe kryengritësit shqiptarë dhe ushtria bullgare patën të vrarë dhe të
plagosur . Me këtë rast, mjaft e pësoi popullata civile vendase, ku iu ekspozua
një dhune makabre dhe terrori të paparë. Masakrat e ushtrisë dhe policisë
serbe, të ushtruara ndaj kësaj popullsie, rishtazi i tregon edhe vetë gjenerali
Jorgovanoviç, ku thotë: "Duke iu falënderuar komandantit të policisë në
Tetovë e Gostivar, ushtarët e mi u furnizuan me ushqim e veshmbathje, duke
plaçkitur nëpër qytete dhe katunde fshatarët e varfër, dhe duke i dhënë ushtrisë bukë, veshmbathje, çorapë
prej leshi, ushqim për kuajt etj." Në këto plaçkitje të popullsisë
shqiptare,morën pjesë edhe gratë serbe.Një ndër to ishte edhe gruaja e
"naçallnikut" të Tetovës.
Këto
ishin të dhëna mjaft relevante të autorit të librit: "Shqiptarët e
Pollogut (1912-1918)..." e që e kanë dokumentuar, ndriçuar dhe glorifikuar
këtë ngjarje të rëndësishme historike për popullsinë shqiptare.
Meqë
fshatrat e kësaj ane, e, sidomos Sllatina që e "përceptoi" këtë
ngjarje me sakrifica mbinjerëzore,
gjithësesi se, këtu, ende ruhen reminishenca të freskëta për betejën në fjalë. Këto do të na shërbejnë
si shënime plotësuese, dhe mjaft do të ndihmojnë në njohjen më të gjithanshme
të rrjedhës dhe zhvillimit të ngjarjeve të lartëpërmendura,e në veçanti - të
betejës së Sllatinës, të cilën popullata vendore e ndihmoi me të gjitha
potencialet e veta që dispononte, qoftë të aspektit material, qoftë në formën e
mbështetjes ushtarako-strategjike, të përligjura me primesa inkurajuese
morale-materiale e njerëzore.
Kur
potencojmë mbështetjen imanente të banorëve vendas dhënë kryengritjes, nuk mund
të mos piketojmë gatishmërinë vetëmohuese - në ushqime dhe në armatim, (pasi
sllatinasit dispononin numër të konsiderueshëm armatimi, të trashëguar brez pas
brezi që nga koha e Turqisë), madje ndihmesën direkte me efektiv ushtarak ku
morrën pjesë aktive te 50 burra vetëm nga ky fshat të udhëhequr nga Mulla
Beqiri, ky i frymëzuar me ide atdhetare nga kushëriri i tij, Osman
ef.Abdullahi. Për kontributin e udhëheqësit të kryengritësve shqiptar në
Betejën e Sllatinës, këngëtari popullor do të krijojë edhe këngë të shumta.
Në
vazhdim do të shtrojmë para jush disa të dhëna gojore që janë thadruar në
kujtesën e brezave e që kanë të bëjnë me
betejën në fjalë (intervista të zhvilluara në v. 1990):
"Kur hikën Turkija, kuët v'end e zaptuan sërbi. Ka
kën fukarallejk’ i madh; gazep’ i madh; buëne hesap: shëm njerëz kan
"shku" veç sibiep zullumit t'shkieve... Kur hi sërbi
n'Sllatejn-nejsën lufta. Ipet habieri me e l'shau viendin...", i tregon nëna e saj, Merdime Fazliut (lindur më
1919), për të vazhduar: "Ne u buëm hazër me raçe, pak mell, tre cuapa
dhien - n'kier me çie, ene dulëm t’shkuëjm n'Svillare. Kuëlëllarët e kishin
t'vram Isaufin pi shkieve t'Leshkës (Bashkë me Avdi Ibishin dhe Taipin e Minçes
– S.E.)- e shtëjn n’shushlak,se s’kan pas rusat ene ta shtëjn n’traull. Kshau
xhi, xhenazen e lën ashtau, ene ikin... Kejt u ngrëjtëm: gra e caull
t'vuëjxhël, dunji bur pak ma i shtëjshëm, ene shkum,disa n'Radush e disa
n'Sfillare", rrëfen Merdimja 71 vjeçare, ashtu si i ka treguar nëna e saj,
për të vazhduar: "shkijet kur hin n'kataund xhi ka pat për t'mar, kajn
mar, kan gjieg shpeja, bile ene pes bura t'kataundit i gjegën t'xhall. Kur u
thkejm mas nji vakti (10 ditë pi Svillare), nuk xhetëm kurxhë t'xhall; buëne
hesap, kuët Isaufin e kuëlëllarve e kishin xhet atua t'vietët t'captaum, ene
kejt mishin ia kishin rjep macët", përfundon rrëfimin plaka e rënduar nga
vitet e, që ruan të kthjellta fjalët e hekave të nënës edhe mbarë familjes së
saj.
Një
rrëfimtar tjetër sllatinas 66 vjeçar (Iljaz Iljazi), i cili potencon nënën e
vet, do të deklarojë:
"Nëna jeme (kur isha i ri) ma ka kallzau ene kuët
xhë: Udhës t'u ik për n'Svillare, nji grue e kujshiis (Midic'e Ibishit) me caull t'vuëgël, kur
mrëjn ka lidinët e Urashës Puështme, ngat du miexheve, hunxhet t'prëje nji
trua. Kur ngrehet t'shkuëje, e "haruan" gjalin e vuëgël-liriek
(Xhabirin e Midiis). Mas nji kuhe, kuët e xhën tiezj'e viete (e ndejn tu
piskllau te miexhja). Kur shkuan atej, kur shief, nji caull, lirekin e muatrës
viete, e mier n'krah, e hipin n'kier - nen te thkian n'kataund e miren viesht
për liriekin se si ka nduadh puna". “Nji grues qietër pi
shkundët, vazhdon rrëfimtari në fjalë, kur mrejn te rieka (Vardari -S.E.), ujti va mier nji caull, ene
s'ën e shputuëjn - mejtët n'uj."
Për
masakrat në fshatin Sllatinë, Elmaz Misimi, një veprimtar mendjekthjellët, do
të tregojë kështu:
"Kataundin tuan shkiet e kan pas "n'sej"
pi "n'punën" e manasterit t'Lieshkës. Kshau xhi kur vein sërbët
n'kataund, i zën disa bura ma me emën, i lidhin duar për duare për mullarin e
kashtës- te shpeja e Cejmës ene i gjiegën t’ xhall: Ademin e Beqirit, Nesejmin
e Fetishit (Cejmën), Hamitin e Idrizit, Esatin e Sallahin ene Misimin e Nuçës
(Zejnullahit). Xhenazen e Cejmës e xhëjn për kutëjën e duhënit, a Misimin - për
saumllët e xhëmadënit, Hamitin - për çelcin e mullejnit..., kurse Mulla Beqirin
e zën, ene e gjegën ashtau lidhët te shkall't e shpejës vetë”, pas një rezistence të
armatosur me ushtarët serb, të rrethuar nga njëfarë Samoili nga Leshka. Është
interesant se qeni i tij ka ndjejtë te kryet e kufomës së djegur deri sa kanë
ardhë anëtarët e familjes nga Kondova – refugjatë (S.E.).
Në
vazhdën e këtyre skenave makabre është edhe vrasja e Qazim Sahitit (nga
Akulet). Vrasjen e bëjnë shkiet e Tearcës, po në këtë fshat fqinj, ky duke u
kujdesur për karvanin e bashkëfshatarëve të vet (grave, pleqve e fëmijëve- me
kere e me kie), duke lëshuar fshatin për t'u strehuar në fshatrat e rrethit të
Shkupit: (Sfillare, Radush, Rashçe, Vorcë e Kondovë). Dhe, kështu të plagosur
për vdekje, e shtin në një shtëpi, kurse motra e tij, vishet me tirqi e lurkë,
bëhet si "burrë" dhe i prin karvanit deri në Kondovë ku qëndrojnë 10
ditë. Qazimi të nesërmen vdes (1 nëntor 1915) dhe e varrosin tearcalit natën në varrezat myslimane të këtij fshati.
Nga e
gjithë kjo histori sa e dhimbshme aq edhe krenare, lindi edhe kënga që vë në
pah qëndrimin heroik të shqiptarëve autokton në trojet e veta, e sidomos atyre
të Sllatinës, të udhëhequr nga atdhetari, Molla Beqir Hasani.
Lindi
në Sllatinë në vitin 1875,në një familje,fisi i të cilit ka dhënë shërbyes
fetar të devotshëm e atdhetarë të spikatur.Vetëm nga fisi Akul,të cilit i
përkiste vet Mulla Beqiri,shquhen këta emra: Bajram Baba (i pari i fisit – që i
përkiste rendit bektashian),mandej Ismail Efendiu, Avdiraim Efendiu, Mulla
Osmani, më vonë Mulla Hajdari, Mulla Haziri, Mulla Sheipi etj.
Shkollimin
e parë e mori te hoxha i fshatit në
Sllatinë. Më vonë vazhdon shko-llën
turke “Ruzhdie”që i përgjigjet shkollës
së sotme 8- vjeçare që për kohën ishte
shkollë e tipit më të përparuar.
Shkollën në fjalë, zakonisht e ndiqnin
fëmijët e familjeve nga qytetet.
Pas mbarimit të shkollës, merr titullin Mulla dhe punon si shërbyes fetar.
Martohet dhe bën pesë fëmijë 3 vajza dhe dy djem: Fauzi Beqir Hasani
(1900-1911) dhe Sadik Beqir Hasani (1903-1981).Në kohën sa shërbente si Mulla
në Xhaminë e fshatit,ai zgjëronte rrethin e bashkëpunimit me njerëz të shquar
të Pollogut e më gjërë,sidomos me Mehmet Pashë Derallën.
Emri i
tij do të dëgjohet edhe më larg në kohën e përgatitjeve dhe organizi-meve të
atdhetarëve shqiptarë për një kryengritje gjithëpopullore kundër zaptue-sve të
tokave tona,përkatësisht kundër Serbisë.Ai nuk qëndronte indolent kur ishte në
pyetje rrezikimi i vatanit.Kështu,rreth vetes mblodhi te 50 burra të pushkës e
të guximit,dhe në bashkëpunim me forcat bullgare (që edhe këta luftonin
serbin,d.m.th.,të njëjtin armik),me 31 tetor të vitit 1915
sulmoi
forcat serbe të stacionuara në Manastirin e Leshkës,që kishin planifikuar
asgjësimin e Sllatinës (e cila konsiderohej si çerdhe e kryengritësve rebel të
Pollogut Lindor).Për këtë rrjedhë të punëve dhe epilogun e betejës,përveç që
shkruajnë analet e kohës, këndohet edhe kënga vijuese:
NE T'NA NEHET ZËNI
Krali
sërbit ka dhën urdhën:
"Kejt
nër çizme di mbaj shiptar't
Kush
m'del para e ma zie udhën
Këm
m'e gjieg e këm me var".
N'
Grik t'Vardarit – Jorgoviçi*
I zu
lloguëret me zapti
Si
hajvën buën krejeviçi
Kësulbardh't
duan t'i përpi.
N'fush t' Pollogit
hi qafiri
Veç
për dëm e për zarar,
N'prejt
i diel Molla Beqiri**
Viet i
pesdheti shiptar.
N'Lugj Te Rjeka pushkën krejsi
Me
xhandërët sërbiën
S'ka
nahia, nuk ka fejsi
Për
vatën ma azgën.
"N'këm,
o bura, u lumt pushka!
Ne
t'na nehet zëni mer,
Ikën
sërbi me kal’ e mushka
I la
xhenazet n"Manaster.
* Nikolla
Jorgovanoviç, (kolonel) – komandant i forcave armike serbe
**
Beqir Asani (Molla Beqiri) – udhëheqës i
luftëtarëve vullnetarë shqiptarë në
bashkëpunim me forcat bullgare
Në përmbyllje
Edhe
pse fillimi i betejës qe në favor të shqiptarëve, epilogu qe tragjik: Mulla
Beqiri u tradhtua, u kap nga një “puk”
satrapësh serb (të ndihmuar edhe nga sllavë të Leshkës – në shenjë hakmarrjeje
nga afera e “manastirit”-1905), të cilin e dogjën të gjallë afër shtëpisë ku
kishte lindur. Por Ai mbeti i padjegur në historinë dhe kujtesën e fshatit, si
feniks i padjegur nga rrufetë, si Ante i lidhur me tokën e katragjyshërve të
Sllatinës.
Foto e vitit 1917
Gjenerali, Nikolla Zhekov gjatë
pushtimit bullgar në fshatin fqinj të Sllatinës – Leshkë - dy vite pas betejës
së Sllatinës
...
Dhe, rrëfimet s’kanë të sosur. Dëshmitë, dokumentet, faktet, ku të fjetura, ku
të zgjuara, akoma po frymojnë në mesin tonë. Ato duhet të mblidhen, sistemohen,
të shënohen e, të përkujtohen. Institucionet e vendit, por jovetëm, të
këndellen! Historianët kanë shumë punë për të bërë. Të mësojmë prej saj.
Brezave të rinj të shkollave fillore e të mesme, t’u mësojmë historinë lokale e
mandej atë europiane e botërore. Ju mësues të historisë, mjaft fjetët! Ja kudo
nën këmbët tua mund të gjeni copëza historie e lavdie të të parëve tanë. Mos të
lejojmë që të tjerët të “flirtojnë” me “mësuesen e jetës”. Prandaj nuk thuan kotë: “Historia është
thesar i bëmave tona. Dëshmitare e së kaluarës, mësuese e së tashmes dhe
paralajmërim i së ardhmes. Nëse nuk dimë se kush dhe ku kemi qenë, s’dimë as se
kah dhe ku të vemi e, aq më pak- se,
n’ç’drejtim t’i orientojmë fëmijët tanë, nxënësit që duhet t’i mësojmë dhe
brezat që po vijnë.