Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Dy shënime
E enjte, 24.11.2022, 07:59 PM
DY SHËNIME
Nga
Blerim Latifi
I PARI
Duke
i futur në kontrollin e tij të plotë serbët e Kosovës, Beogradi ka siguruar një
nivel të lartë dhe tejet efektiv të ndërhyrjes në punët e brendshme të Kosovës.
Në
termat e politikës ndërkombëtare kjo quhet “ndërhyrje e paligjshme e një shteti
në punët e brendshme të një shteti tjetër”.
Kjo
në rastin tonë bëhet edhe më shqetësuese për faktin se shtetet të cilat e kanë
mbështetur dhe njohur pavarësinë e Kosovës, nuk po e shikojnë se diçka të
papranueshme këtë ndërhyrje të vazhdueshme të Serbisë në rendin e brendshëm
kushtetues të Kosovës. Askush prej tyre nuk po i thotë Serbisë se duhet t’i
japë fund kësaj ndërhyrjeje, e cila, në fund të fundit, e ka veç një qëllim: me
komprometu pavarësinë e Kosovës.
Si
mund të kuptohet kjo?
Me
gjasë ka një konsensus ende të pashpallur të shteteve perëndimore që veriut të
Kosovës t’i jepet një status i veçantë politik brenda shtetit të Kosovës.
Po
e quajnë “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, por të gjithë e kanë të
qartë se prapa këtij termi në dukje të parrezikshëm, fshihet diçka më shumë,
një lloj autonomie serbe në veriun e Kosovës.
Ngërçi
shumëvjeçar në marrëdhëniet e Kosovës me Perëndimin e ka shkakun pikërisht në
mospajtimin rreth kësaj çështjeje. Askush në Prishtinë nuk ka guximin që të
vendosë vulën e shtetit të Kosovës mbi një dokument që përmban autonominë për
serbët e Kosovës. Secili ka frikën se me këtë do të përfundojë në klubin e
tradhtarëve të historisë kombëtare. Shkaku i kësaj frike kanë rënë tri qeveri.
Mund të bjerë edhe e katërta, edhe e pesta.
I DYTI
Kur
jemi të marrëveshja e mbrëmshme, kush çka fitoi prej saj?
Perëndimi
e arriti qëllimin e tij për të shmangur rrezikun e shpërthimit të vatre të re
konflikti të armatosur në Evropë, në kohën e tronditjes së madhe nga lufta në
Ukrainë.
Serbët
arritën ta ruajnë status quonë e deritanishme të qarkullimit me targat e kohës
së Millosheviqit.
Ne
fituam një premtim të kotë se nuk do të lëshohen më targa të tilla nga Serbia.
Dhe kur kemi të bëjmë me premtimet e Serbisë, dihet se cili do të jetë fati i
tyre.
Përfundimisht
kjo marrëveshje është dështim i qeverisë së Kosovës.
Dhe
krejt çfarë njeriu mund të përfitojë nga një dështim, është të marrë leksionet
e duhura për të mos e përsëritur atë në të ardhmen.
Është
dëshirë e të gjithëve neve që t’i japim fund poshtërimit të shtetit të Kosovës
në veri dhe kjo nga shumë kush quhet “rikthim i dinjitetit”.
Por
çka është dinjiteti i një shteti?
Është
ushtria e fortë dhe ekonomia e zhvilluar. Ushtria e fortë për të garantuar
rendin kushtetues në çdo pjesë të territorit dhe ekonomia e zhvilluar që
mundëson mirëqenie të qëndrueshme për popullin. Aktualisht ne nuk e kemi
asnjërën prej tyre, prandaj është e udhës që të jemi të kursyer në përdorimin e
fjalëve të mëdha, sepse nuk i ndihmojmë
praktikisht përmirësimit të gjendjes.
Leksionin
tjetër të rëndësishëm duhet të marrë vetë kryeministri Kurti, e ky është
leksioni se politika nuk është marshim triumfal i vullnetit personal, por një
negociim tepër i bezdisshëm, kokëçarës, i interesave dhe forcave që janë në
lojën e saj.
Për
të dalë mirë në këtë lojë, duhen nerva të forta, durim tepër i madh, ekipe me
njerëz të ditur dhe mbyllje e veshëve ndaj zhurmës që bëjnë militantët partiakë
në pazarin e thashethemnajës të rrjeteve sociale. Sepse, siç na mëson Hegeli,
të jesh i pandikuar nga thashethemnaja e opinionit publik është kushti i parë
formal për të arritur ndonjë gjë të rëndësishme.