E marte, 10.12.2024, 11:13 AM (GMT)

Përjetësi » Lushaj

Zeqir Lushaj: Me këtë njeri edhe mund të isha vrarë!

E diele, 20.11.2022, 08:00 PM


ME KËTË NJERI EDHE MUND TË ISHA VRARË!

- Rrëfim: Unë, para 40 vjetësh… dhe sot -

Nga Zeqir Lushaj

Këtë farë burri, trupmadh, të rëndë, me mustaqe, me një shikim tejet të dyshimtë e shpesh si provokues, që unë e kam përditë në krah dhe punoj me të tash sa vjet, e quajnë Xhoi. Është serb, bash nga Beogradi. Mua më quajnë Zeqir dhe jam  shqiptar. Për një serb dhe për një shqiptar, të paktën, tash e sa shekuj, është gjëja më “normale” që ata të ishin vrarë me njëri-tjetrin. Siç janë vrarë me mijëra e me mijëra. Këtë fat mund ta kishim patur edhe unë e kolegu im, Xhoi.

Bile, mundësia që ne, edhe mund të ishim vrarë, shtohet edhe nga fakti se, unë jam Tropojan. Pra, jam nga një rreth kufitar me ish kufirin (kufirin e dhunshëm) shtetëror të Serbisë, ku furtunat historike të luftërave të paprera, djegëjeve e plaçkitjeve, kanë qenë aq të shpeshta. Lista e bashkëvendasve të mij,të vrarë në këto luftëra është shumë e gjatë. E, sigurisht edhe lista e bashkëvendasve të Xhoit.

Mbas këtyre dy mundësi të para, si shqiptar dhe si tropojan, është edhe mundësia e tretë, që Mua dhe Xhoit, mund të na u kishte harruar tashmë varri. (Nuk i dihet, mund të ishim bërë edhe Heronjë! Por, shyqyr që nuk e provuam). Ama, edhe për herë të tretë, mund të ishim vrarë. Kjo është ç’ka është. E treta, e vërteta. Po, si,- do thoni ju?

Me këtë njeri, edhe mund të isha vrarë! Mund të ishim vrarë, por, as në Serbi e as në Shqipëri. Mund të ishim vrarë diku tjetër, larg, shumë larg! Mund të ishim vrarë në Vjetnam! Po, po, në Vjetnam. N’ Vjetnam, para 40 vjetësh, pikërisht në vitin1966!

Po si dreqin, në Vjetnam,- mund të pyes tani, lexuesi që po i ndjek ndoshta me vëmendje këto rrjeshta? Në Vjetnam, se Vjetnami atëherë ishte “mollë sherri”, sidomos në mes dy kampeve kryesore politike. Dihet lufta e gjatë e amerikanëve në atë vend “të mallkuar”, që ju kushtoi më shumë se asnjë luftë tjetër e derisotme në histori. Rreth 60 mijë djemë nanash amerikane u kthyen nga andej të vdekur, në arkivole! Me mijëra të tjerë mbetën të sakatuar, të gjymtuar, të traumatizuar… Një nga ata është kolegu im, Xhoi!

Ky, kolegu im, që po flas sot për Të, pra Xhoi, at’herë djalë i ri, ka qenë luftëtar amerikan në Vjetnam. Pati fatin të shpëtojë gjallë nga tmerrret e luftës, por i traumatizuar rëndë, trauma që, pasojat e tyre i vuan në mënyrë të parikthyeshme edhe sot. Për këtë fatkeqësi, si qindra e mijëra të tjerë, edhe Xhoi meriton keqardhje, por kur sheh shifrën e të vrarëve, thua: “Shyqyr që është gjallë”!

I joshur, si shumë e shumë të rinjë nga premtimet se: “mbas luftës do të gëzosh këtë e atë…”,  pa kurrëfar ndjenje patriotizmi në shpirtin e tij, përveç interesave përfituese afatgjata, edhe Xhoi ishte shprehur: “Aj sue…”(Unë betohem!), edhe e kishte marrë atë rrugë të luftës, në emrin e shtetit më të fuqishëm të botës… Dhe, Xhoi i varfër, e mbajti fjalën, e realizoi betimin, la aty shëndetin e tij, dhe tash sa dekada është një gjysëmnjeri, si të thuash, një gjysëmxhoi .. Me pak fjalë, kjo është rruga e kolegut tim Xhoi, diziluzioni i fatit të Tij, deri sot që punojmë bashkë, përditë, në një supermarket të kompanisë së njohur, 150 vjeçare,  A&P të NJ.

Mirë puna e Xhoit u mor vesh, po Ti (pra, Unë) autori i këtij shkrimi, ç’lidhje kishe me Vjetnamin, me luftën atje para 40 vjetësh, -normalisht mund të më pyes tani lexuesi?

Aaa, kjo është më e bukura! Dhe do t’ua tregoj me pikë e me presje, se tashmë kjo nuk përbën ndonjë sekret. Kjo që do të ju dëftoj, edhe at’herë jo se përbënte “sekret”,  por sidoqoftë nuk pati marrë shumë “erë”! E, në fund të fundit, edhe sikur  sekret të ishte, ne sot jemi në demokraci dhe s’ka pse të frigemi. Aq më shumë, që kjo punë ka plot 40 vjet. Gati e gjithë bota, mbas 40 vjetësh i hapë edhe arkivat e sigurimit, e jo një gjë shumë të thjeshtë, si kjo që do rrëfej Unë këtu më poshtë.

Viti 1966. Kam qenë 17 veçar, maturant në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shenjaze Juka”, në Shkodër. Atë kohë, rezistenca heroike e popullit vjetnamez kundër imperializmit amerikan, ishte në qendër të punës propagandistike të bisedave, informacioneve politike javore, të medias, e kudo. Shqipëria jonë e dashur at’herë ishte përkrah popullit vëlla vjetnamez dhe luftonte me të gjitha bateritë e saj (gojore) imperializmin amerikan, si agresor, pushtues, si xhandar ndërkombëtar. Kuptohet se, në një vend të vogël, të mbyllur, siç ishte Shqipëria në kohën e monizmit, edhe propaganda zinte më lehtë vend tek njerëzit, e sidomos tek të rinjtë.

Aq thellë ishim indoktrinue ne, sa një ditë, një grup shokë e shoqe të klasës së 4-t,”A”, në biseda me njëri-tjetrin, të gjithë në idenë se për popullin vjetnamez duhet të jemi gati të luftojmë e të vdesim, ashtu si për

popullin shqiptar, arritëm në një mendim të përbashkët:

-----More, atë dalim vullnetarë, të shkojmë e të luftojmë në Vjetnam?!

E pleqnuem mes njëri-tjetrit dhe ramë dakort, të marrim një iniciativë të tillë, qoftë edhe me njëfarë rreziku mbi vete. Këtu nuk ishte fjala për rrezikun nëse shkojmë në luftë apo jo, por për një rrezik tjetër! Ndonëse të rinj, e kuptonim se kjo punë ndoshta edhe nuk do të interpretohet mirë. Në debate me njëri-tjetrin arrinim deri aty sa, të thoshim: “More,  a mos po bëjmë ndonjë gabim politik? A ka rrezik të na merret për të keq kjo punë”? I dham fund, për të marrë një nisëm të tillë, një iniciativë revolucionare, siç quhej at’herë. Dhe vendosëm njëzëri që, për të mos rrezikuar me të tjerët, “me të vegjlit”,  për të mirë apo për të keq, t’i drejtohem të Madhit fare, pra nr.1, Enver Hoxhës.

Kemi qenë 5 maturantë, të një paraleli (“A”), dhe që tregimi të bëhet plotësisht bindës për ju  lexues, më poshtë po jap emrat si dhe adresat, nga vini at’herë:

1) Frrok Vukaj, nga Lekbibajt e Tropojës,

2) Gjergj Kola (Ndou) nga Mërturi i Gurit, Pukë,

3) Dritë Kola, nga Burreli,

4) Drita Nikolla  (Niçka), e ardhur në shkollë nga Burreli, por në fakt ishte nga Korça,dhe

5) Unë, vet autori i këtyre radhëve, nga Tropoja.

Në konspiracion të plotë e formuluam letrën, ku shprehnim dëshirën tonë për të shkuar e luftuar përkrah popullit vëlla vjetnamez, dhe e nisëm në postë rekomande, për Serketarin e Parë të KQ të PPSh, shokun Enver Hoxha, Tiranë.

…Ditët kalonim dhe për  ne emocionet veç rriteshin. A thua ia dhanë letrën shokut Enver? Si do ta pres Ai këtë punë?... Po, larg qoftë, sikur kjo gjë të na merret për keq? E të tjera, e të tjera pikëpyetje e shqetësime kalonin në mendjet tona rinore. Nga një herë, na dukej vetja si heronj, e nga një herë, me njëfarë antkhi, si njerëz të dyshimtë, si aventurierë, si të lojtur nga mendët e kokës…! Por, ishim të përgatitur për çdo përgjigje dhe të lidhur besa-besë, për koshjencë të plotë për gjithçka që edhe mund të ndodhte! Në fund të fundit, qëllimin e kishim të mirë. Dhe pikë!

…Një ditë prej ditësh, dikush nga drejtoria hyri në klasën e 4-t “A”. Me një copë letër në dorë, lexoi pesë emrat e lartpërmendur.

Dilni jashtë! Kemi një punë, -tha ai, dhe pak si jo natyrshëm (apo na u duk neve ashtu!), menjëherë u rrotullua e mori rrugën për në korridor.

Shokët e tjerë të klasës, shikuan si me habi. Por, asnjëri nga ata nuk mund të kuptonte se ç’është kjo punë, dhe ç’po ndodhë! Ne, të pestët, bënim të paditurin, ama të gjithë e dinim se ku është fjala. E dinim se ku është fjala, por jo se çfarë fjale do të jetë ajo?

Në oborr, dikush guxoi të pyes: - “Ku po na çoni, profesor?...!”

Ecni,- ju këkojnë në Komitetin e Partisë së Rrrethit, ishte disi e prerë përgjgigja!

Mbas dhjetë minuta rrugë, ishim të ulur në stola përballë komietit (në lulishten e komitetit, siç i shoshin at’herë), përballë Turizmit që është sot. Nuk pritëm shumë dhe një njeri i brendshëm i komitetit doli, na u afrua dhe  tha: - Hajedni ju pedagogjikasit! Unisëm mbrapa Tij, dhe u ngjitëm në katin e dytë të godinës. U futëm në një zyrë të madhe, të mirë, ku një burrë, nga tavolina kryesore e zyrës, u ngrit në këmbë, na dha dorën me buzëqeshje dhe na tha që të uleshim.

Unë jam Xhemal Dini,- tha Ai. Jam sekretar i Komitetit të Partisë së Rrethit… Ju, para disa ditësh i keni çue një letër shokut Enver Hoxha, ku shprehni dëshirën… etj,etj (Fjalët tona…).

- Partia dhe shoku Enver, ju falëderojnë për këtë iniciativë, por, përgjigja zyrtare është kjo: - Tani për tani, Shqipëria nuk e konsideron të udhës dërgimin e trupave në Vjetnam. Nëse një ditë kjo gjë do të gjykohet e arsyesh e, ju do të jeni vullnetarët e parë për të shkuar e për të luftuar përkrah popullit vëlla vjetnamez!

U çliruam ngadalë nga barra e rëndë e emocionit. Dolëm, të pestët së bashku, dhe disi, si të mpirë, ecnim drejt shkollës! Nuk u bëmë heronj, por, me sa duket, as nuk rrëshqitëm në ndonjë gabim politik. Pra, në avaenturën tonë, nuk fituam, por ama as nuk dështuam…

Gjithë sa ju thash, besnikërisht siç ka ndodhur në atë pranverë të vitit ’66, mbeti mes nesh, në një heshtje varri. Aq heshtje, sa rrezik që ndonjëri prej nesh, sot, në 40 vjetorin e kësaj heshtje, edhe mund ta ketë harruar fare këtë “herozëm djaloshar”! E, ndoshta edhe tek unë, pluhuri i kohës së gjatë dhe intensiteti i jetës në vazhdim, do ta kish mbuluar fare këtë “incident heroik”, por ja si erdhi puna: - Një nga ata njerëz pushtues amerikanë, kundër të cilëve do të luftonim at’herë, më del çdo ditë përballë. Dhe, si për dreq, edhe bosi im, manaxheri shembullor, John Anderson, kur e sheh Xhoin, më ngacmon mua, me shaka:

-Shife, shife Xhoin! Kujton akoma se është në Vjetnam…! Flet vetmeveti…!

Këtë që po ju tregoj sot, nuk ja kam thënë asnjëherë, asnjeriu, pra as shefit tim (E di se Ai do të më ngacmonte me shaka përditë: - Heeej, Zigi, …vullnetar i luftës në Vjetnam…!).

Pa dashur aspak ta politizoj rrëfimin tim, në një farë mënyre, unë, edhe sot, nuk e quaj të gabuar nismën tonë të vitit 1966. E shikoni si erdhi puna? Tani, djemtë shqiptarë janë përkrah forcave të tjera të shumë shteteve, në disa vatra lufte nëpër botë. Po në Luftën e Spanjës, si shkuan bijtë e shqipes?... Pamvarësisht veshjeve e interpretimeve politike, për çka shqiptarët duket se jemi më të  prirur se shumëkush tjetër, veprimi jonë, në themel, edhe at’herë ishte po ai, në esencë i njëjti: solidariteti, internacionalizmi, antiterrorizmi…, thuaja emrin si të duash.

…Kështu vjen jeta. Koha bën të sajën. At’herë kam qenë djalë i ri, maturant. E kujtoj me nostalgji atë kohë rinore, kur shkonim me rrjesht nga konvikti “Safet Spahiu” deri te Pedagogjikja, duke kënduar këngë si:

Pedagogjikas emrin e kemi,

Mësuesit e ardhshëm të brezit t’ri,

Në front t’kulturës ushtarë ne jemi,

Për dritën tande o Nanë Shqipëri.

Si dhe këngën:

“Vjetnam, Vjetnam,

Lirinë e ke në zemër vullkan…”

At’herë, pra, çunak, siç thonë, pa vënë brisk në faqe. Sot jam krejt i zbardhur; 40 vjet nuk janë pak, por edhe ndryshimet nuk janë të pakta. Me  Atë që, at’herë ndoshta do të luftoja, ja, sot, jam krahpërkrah, në të njëjtin shtet, në të njëjtën ndërmarrje, në të njëjtën punë! Mba 40 vjetësh, në fakt, edhe Xho, për të cilin po tregoj, por edhhe vet Unë, jemi të dizilozionuar. Ndryshe i kemi menduar gjërat, e ndryshe erdhën për të dy palët.

Xhoi, me brezin e tij humbën jo veç shumë jetë, por edhe shumë andrrallla për të nesërmën. Dhe, nuk kanë qenë pak, por “Një Shqipëri” e asaj kohe. Mes viteve 1964 – 1973, rreth 2 milion e gjysëm ushtarë amerikanë luftuan në Vjetnam. Edhe ata që paten fatin të kthehen gjallë pranë familjeve të tyre, në një përqindje shumë të lartë nuk arritën që t‘i përshtaten jetës në shoqëri, për arsye të asaj që përkufizohet zyrtarisht si “Çrregullim i stresit post-traumatik”, ose që njihet e shkoqur thjeshtë si “sindroma e Vjetnamit”! Ajo që shkaktoi këtë shok posttraumatik, ishte parasëgjithash mosmirënjohja që tegoi opinioni publik amerikan ndaj sakrificave të tyre. Kjo iu bashkangjit fuqishëm çregullimeve e traumave të shkaktuara drejtpësëdrejti nga lufta… (Përpara kësaj gjendje, këto vitet e fundit, autoritetet federale kanë shtuar shumë numrin e strukturave të rehabilitimit).

Sot, simbas shtypit, departamenti i veteranëve ka në dispozicion rreth 15 mijë shtretër për të pastrehët ish-luftëtarë  dhe shpenzon çdo vit 265 milion dollarë për mbajtjen e këtyre strukturave,  përveç 1,5 miliard dollarëve për asistencë mjekësore gratis, që u ofrohet atyre, pra, luftëtarëve veteranë!...

Pa hyrë në të thella të kësaj analize, që këtu nuk është as vendi, as nuk më përket ta bëj unë, gjendjen e shkurtpërmendur më lart, mua ma ilustron përditë kolegu im, Xhoi, i cili është jo vetëm "frymëzuesi” që të shkruaj rreth kësaj teme, por edhe personazhi kyesor i këtij shkrimi. Pra, 40 vjet pas atij “frymëzimvullnetari”, e ka radhën “frymëzimshkrimtari”!

Xhoi, me brezin e tij, rininë amerikane të atyre viteve, patën humbjet dhe zhgënjimet e tyre të  thella, shpesh deri katastrofale, të pariparueshme. Ndërsa Unë, në anën tjetër të botës, me brezin tim, disi të izoluar,  më shumë humbëm ëndrrën në idealin e pastër, të pastër deri në abstraksion, në çudi! Në esencë, jemi të njejtë, të diziluzionuar, pra “breza të humbur”!

Veçse, Unë e brezi im, vërtetë jemi të humbur në shumë gjëra, por ndoshta jemi më pak të shokuar e të traumatizuar! Gjithsesi, në shikimin e përgjithshëm, ballor, të fatit njerëzor,deri ndërkontinental, në këtë këndvështrim,  për mua shumë gjëra, të vëna jashtë politikës, në “kandarin farmaceutik” më çojnë në një përfundim se:

E gjithë bota është – NJËSOJ!

Tek shkruaj këtë rrëfim, në formë kujtimesh,Unë para 40 vjetësh… dhe sot, them: “Ç’dreqin mu kujtua kjo punë që zë fill këtu e katër dekada më parë”?!

Edhe një gjë tjetër, është disi interesant, disi e veçantë. Me shumë lloje ngarkesash është edhe vet kjo shifër, pra numri 40! Se si më duket kjo, 40-ta! Kaq shumë gjëra lidhen me këtë numër, gati-gati si një numër magjik! Ja, për shembull:

Kur njeriu vdes, thonë se, mbas 40 ditësh, trupi bashkohet me tokën. Ndaj, dhe përkujtohet e nderohet e 40-ta.

Thonë edhe për Ujin e ndotur se, kur i kalon 40 gurë, është bërë i pastër, i pijshëm!

Në Amerikë, kur t’i plotësosh 40 kareditë (pikë) pune, ke siguruar të drejtën e pensionit…

Në Itali, 40-ten e kanë si kufi moshe. Italianët thonë, si me humor: 40 e… - Tëërrt!

… Një burrë i mençëm më ka thanë kohë më parënjë fjalë të urtë, që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë: - Një rrenë (gënjeshtër) që duartrokitet 40 herë, është bërë e vërtetë!...

…etj,etj….40-ta si këto.

Sot, kjo 40-ta ime, lidhet me kolegun tim, me Xhoin, me të cilin pra, at’herë, para 40 vjetësh, edhe mund të isha vrarë!

Le t’u shtohet edhe kjo, 40-ave të tjera. Ndosha…, edhe kjo flet për diçka!

-USA, pranverë e vitit 2006-

_____

Nga libri  i Zeqir Lushajt: DYQANI I MENDJES, shkrime publicistike.

Ekskluzivisht për ZSh, përgatiti Adil FETAHU



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora