E marte, 08.10.2024, 06:12 AM (GMT+1)

Përjetësi » Lushaj

Aleks Kapllaj: Zeqir Lushaj, ti jeton në kujtimet tona dhe në veprën tane

E shtune, 12.11.2022, 09:00 PM


Zeqir Lushaj, ti jeton në kujtimet tona dhe në veprën tane

Nga Aleks Kapllaj

Shëngjini, këtë verë, edhe pse kishte ma shumë ndërtesa, ma shumë turista, ma shumë drita që e ndriçonin qytetin bregdetar të veriut, që kërkon të mbulojë zbehjen trishtuese të largimit të bijve të saj ma të mirë, ishte ma i varfër se vitet e tjera pa ty miku i jonë Zeqir Lushaj.

Pothuajse çdo ditë të pushimeve tona, kena kalua nga shpija e juaj me vëllain tem Arben Kapllaj dhe zonjën e tij dr. Domenika dhe bashkëshorten teme Jurida dhe familjet tona, për t'iu "përshëndetur" ty dhe zonjën tane Sabrije Lushaj, ashtu si bashim përherë kur ju ishit ala në "paradhomën" e përjetësisë.

Për veprën tane dhe virtytet dhe fisnikërinë tane kena shkrujt, kanë shkrujt e do të shkrujm në të ardhmen vazhdimisht. Por unë sot do të shkruaj ma shumë për njohjen dhe miqësinë tonë dhe aftësinë tane njerzore dhe intelektuale me ba gjithkan për vete. Edhe pse personalisht jena njohur vitet e fundit kur na prezantuan dr. Domenika dhe vëllai i jem Arbeni, unë kisha kohë që ju kisha lexuar në revistën "Zemra Shqiptare".

Që në fillim të aktivitetit të saj, më tërhoqi vëmendjen kjo revistë që kishte një identitet të fortë kombëtar dhe që i shërbente ruajtjes dhe forcimit të saj me të vetmin qëllim afrimin e të gjithë atyre që i shërbenin kombit tonë. Ikonat e identitetit kombëtar ishin në okelion e revistës.

Shkrimet, artikujt, opinionet dhe analizat në "Zemra Shqiptare", janë ma cilësoret e shtypit shqiptar që qarkullojnë në internet, nga personalitete të gjitha trevave shqiptare dhe të diasporës, që i dedikojnë jetën prosperitetit kulturor dhe identitar në kontekstin e vlerave perëndimore euroatlantike të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në shërbim të zhvillimit të tij. Disa prej autorëve të "Zemra Shqiptare" i kam njohur edhe nga afër, disa i njoh si autorë që i vlerësoj shumë dhe që pavarësia dhe liria e tyre intelektuale për t'i shërbyer çështjes shqiptare pa kompromise ideologjike, shpjegon faktin se jo të gjithë e kanë fatin të kenë hapësirën që meritojnë në mediat televizive shqiptare, kudo ku jetojnë shqiptarët në trojet e tyne.

Pra te revista "Zemra Shqiptare", ku ju ishit redaktor i përgjithshëm, bashkëpunon elita e intelektualve shqiptar të lirë, që kanë interes vetëm të mirën e shqiptarëve kudo ku ato jetojnë. Miqësia me ty dhe shumë personalitete të tjerë që shkruajnë në "Zemra Shqiptare", fillon që kur e kam lexuar për herë të parë revistën tuaj, që në vitet e para të aktivitetit të saj, kur rastësisht ishin përzgjedhur edhe disa shkrime të mia të viteve më parë. Sepse miqësia bazohet në përkatësinë e vlerave, bindjeve dhe idealeve të përbashkëta. Pra ne ishim njohur shumë kohë më parë, përpara se të takoheshim fizikisht në vendin që kishit zgjedhur për të jetuar vitet e fundit të jetës. E ti ishe ashtu siç të kisha "lexuar" me të gjitha cilësitë dhe vlerat njerëzore, intelektuale, kulturore, tradizionale dhe atdhedashëse që ishin ADN-ja e jote dhe e familjes dhe vendlindjes tane, që rujte në zemër edhe kur jetoje mijëra kilometra larg duke përforcuar bindjen tane patriotike të pastër se si vendi i jonë Shqipëria nuk ka dhe se: "Bota asht e madhe, por vendi i ynë vlen sa tanë bota bashkë"!

Prandaj miku i jonë Zeqir Lushaj, ti i përket perjetsisë sepse vepra e jote na përket të gjithëve dhe jeton në kujtimet tona që na le trashëgim duke mbushur boshllëkun e mungesës tane fizike. Sepse ti mik na mungon shumë...... U mungon djalit, motrës, vëllezërve, nipave e mesave, miqve e kolegëve të vjetër e të ri, u mungon vendlindjes, Tropojës, Shkodrës e Tiranës, New York e Shëngjinit, u mungon kolegëve e bashkpunëtorëve të shtypit shqiptar të gjitha kohërave, u mungon lexuesve dhe bashkëpuntorëve të Zemra Shqiptare, u mungon kulturës, traditës dhe zakoneve shqiptare, u mungon të gjithë atyre që patën fatin të njohin nga afër, sepse jeta e jote ishte e plotë në vlerat universale të saj në vetëdijen e përkatësisë reciproke në simbiozën natyrale ekzistenciale.

Sepse miku i jonë Zeqir Lushaj, ti na mungon fizikisht për të jetuar në veprën, kujtimet dhe në vlerat parimore, që na ke lanë trashëgim si pasuria më e madhe e miqësisë tonë dhe të jetës tane ku "rrah" prap zemra jote.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora