Përjetësi » Lushaj
Zeqir Lushaj: Unë e besoj heroizmin, po ti… lum zotnia?
E enjte, 27.10.2022, 08:00 PM
UNË E BESOJ HEROIZMIN, PO TI…, LUM ZOTNIA?
(Nga
libri i Zeqir Lushajt: ZBEHJE E HEROIZMIT)
A ekziston heroizmi? Në fund
të fundit, a ka ekzistuar ndonjëherë?
Për mua, po!
Për Ty (kur them Ty, kam
parasysh gjithëkushin): po-jo, jo-po…, nuk e di.
Madje, nganjëherë as nuk dua
me e dijtë.
Çka po më duhet mue se, si
mendon Ti, ose përndryshe, Ai tjetri?
Tek e mbramja:
hiçkurrgja!...Jemi në ekstazën e njeriut të lirë dhe të mendimit të lirë.
Oooh,sa mirë!
Unë thm se heroizmi na ka
frymëzuar, na ka nxitur për vepra të mëdha në dobi të Atdheut e të Kombit, në
të gjitha kohët.
Ti kie mendim tjetër: -
Heroizmi na ka thyer qafën. Na ka vra e pre. Na ka sakatuar nëpër kohëra, na ka
rritur mendjen e hedh në luftëra, duke e mbushë token me varre.
Këtu unë ndahna pak dhe
pohoj: -Po, s’ka heroizëm pa varre. Të paktën në shekujt që lam pas. Tani,
ndoshta. Po them se u demokratizuam. Ishalla kurrë më mos u dëgjoftë emri
luftë, as fjala vrasje! Po ec e besoje se? Ka statistika që, më shumë po vriten
sot, se në kohë luftërash të mëdha! Në fund të fundit, jam gati të bëj një
kompromis propagandistik. Nëse harrohen fjalët: luftë, vrasje, varfëri, shfrytëzim, prostitucion, korrupsion…, le të
harrohet edhe fjala heroizëm.
More, ç’janë këta heronjtë,
xhanëm?
U rritëm dhe edukuam me
bëmat dhe me emrin e kryetrimit Skënderbe.Tek Ai, thamë se s’mundet të na
cenojë kush… U shemb dynjaja. Edhe Ai, Zoti
Ynë, paska qenë një hiç. Një hakmarrës oridener, një kalorës pa vlerë, i
cili më shumë i ka shkaktuar dëme e fatkeqësi popullit të Tij.
O tokë, hapu! O dhe,
përpina!...
Unë them (kam thënë dhe do
të vazhdoj të them) se, Ismail Qemali e Isa Boletini janë heronjë, si ata e
s’ka tjetër. Na sollën flamurin e lirisë e të pavarësisë. Ti, prap ma prish
gjakun: Ismail Qemali një agjent i Perandorisë Osmane, e Isa Boletini një
agjent serb! Unë, kapi kokën me grushta dhe, marr frymë thell: - O Zot!
Unë them se është hero Selam
Labi. -Po pse, thua Ti kundërshtari, ose më mirë po i themi, siç e përdornin
shpesh në monizëm, oponencë? Çfarë bëri Ai? Hodhi gunën përmbi tela dhe u
vërvit matanë…! E pastaj? Në luftë me gunë?!... Po ku ke parë Ti, të shkohet në
luftë me gunë, more i shastisur(?!), më thua Ti, tërë indiferencë e
nënvleftësim.
Unë them se është hero Mic
Sokoli. Është hedhur mbi grykën e topit.
-Ju nuk jeni në vete, më
thua Ti.-Po ku kapet topi për gryke or, të kam rixha. Po ç’janë këto
budallallëqe more vëllai im i tromaksur?
Dhe unë, mblidhem në
vetvete: -More, dale njëherë. Ky që thotë kështu, nuk është krejt i lojtur nga
mendët e kokës… Dhe, e vë në diskutim
heroizmin, në qendrimin tim, në shkrimin tim, në ndërgjegjen time: - More,
vërtetë, ka apo s’ka heroizëm? Mos e kemi trillue a shpikë?
Për mua është hero edhe Aziz
Vorfi, Fuat Çela, Islam Vatoci, Dhimitër Delijorgji, etj. etj…. Ti, shtrembron
buzët, shenjë fyerje ndaj meje (e sidomos ndaj atyre) dhe vazhdon: - Aaa,
hahaha! Gallatë e madhe. Edhe këta heronjë?
Unë, prap shkruaj libër duke
i rënë fyellit (ndosha, për Ty), në të njëjtën vrimë. Qëndrimet tona janë edhe vlerësim, edhe (zh)vlerësim i
heroizmit, i të djeshmës. Ec e gjeje vëlla.
Mendimet i kemi të dryshme,
por them se qëllimin (shalla) ta kemi krejt të përbashkët.
E di se, nuk jam burrë më i
mire Unë, unë që i dua e respektoj heronjtë, se Ti, ti që nuk i vlerson ata.
Dhe prap Unë, lëshoj rrugë, lëshoj pe, pra jam luajal, oportun, tolerant.
Dëgjo Ti, ti miku im. Të kam
shok, mik, vëlla, ama të lutëm mos ndërhy në shpirtin tim, në bindjet e mia,
qoftë edhe të gabuara. Se, ndryshe, dashtë e pa dashtë, ke cënuar aty ku nuk
duhet, në fakt, në fakt ke cënuar lirine time të mendimit. E, po u cënua liria,
pastaj kot flasim për të tjerat, për të tjerat e ashtuquajtura: - Të drejta
të Njeriut.
Në fund të fundit, ja, Unë e
bëra kompromisin, të dhash Ty vend. I futa një (zh) në kllapa para fjalës për
të cilën Unë luftoj, pra para fjalës – Vlerësim! Dakort?
Nderë më të madhe nuk mund
të të bëj. Shkrimet nuk i ndryshoj dot, tani mbas dekada vjetësh. Se, do të
dali dikushi e do të thërrasë: - Hej, Ti!... Me nder me thënë, mos ha m...! Të
kemi besur një herë, e tash, tash që po e dredh nuk do të besojmë ma…(edhe kjo
mund të ndodhë, Ti e din se ne shqipot e kemi pak gojën e shpërlarë, ose “të
keqe”).
Mbi tëgjitha, Unë vet jam
bindur më shumë në ato që kam shkruar e që kam botuar. Dhe, me knaqësi, marr
guximin t’i jap në dorë, të shtypura, si këtu e deri 30-35 vjet më parë. Jo veç
portrete heronjësh, por edhe reportazhe e skica, ku kemi patur edhe pak “dorë
më të lirë”, për “të kruar dhëmbët”, për
të bërë edhe pak letërsi. Këtu e shoh me vend të citoj Kadarenë: “Nuk ka shkrimtar
që shkruan ndryshe sot, dhe të nesërmen, si me magji e ndryshon
(“Shekulli”, 29.09.2010).
Unë jam i vendosur, i bindur
në atë idenë time (jo politike), për heroizmin dhe heroiken, pa synuar në asnjë
çast që të jem avokat i heronjve, e Ti, vazhdo me atë tendën. Futi një (zh) të
vogël përpara heroizmit…, (edhe_pse, mbas zh-së, gjuha shqpe nuk ka ndonjë
shkronjë tjetër… Pra, besoj, s’ke çka me shtue as me thenë! (zh)-ja jote = sa
krejt libri im! Apo jo?
Unë jam betuar, me gojë e me
shkrim, me dorë në zemër, para Flamurit Amerikan, në ditën e dy-shtetësisë
sime, se do t’i respektoj të drejtat e njeriut, lirinë e mendimit e të
shprehjes, lirinë e fjalës! Dhe jam plotësisht koshient. Dhe të mos harrojmë,
se jemi 100 vjet shtet Shqiptar. Kemi a nuk kemi haronj?
Lexuesi (i lirë) ta
vlerësojë,n’daç ta (zh)vlerësojë heroizmin. Dakort! Atij t’ia lëmë në dorë.
Unë edhe Ti, t’i lëmë
llafet…, ose, më fal për shprehjen – “lloqet”, siç thonë për Kavajën.
Unë e besoj heroizmin!- Po
Ti… lum zotnia?
Veç mbaj mend: edhe vrasësi
edhe viktima, nuk mund të jenë njëkohësisht heronj. E, aq më pak, në të njëjtin
piedestal. Përndryshe, e ka marrë dreqi këtë punë. – Mo-zo-ma-keq!
Ama, deshëm nuk deshëm, vet
debatet “rroma-për-toma”, janë një zbehje e heroizmit.
Hajt pra, këto ishin sa për
hyrje, dhe kalo në faqen jetër. Të paktën, vlera e ditarit të këtyre shkrimeve,
them se do të ketë peshën e vet (ndoshta një ditë, dikur e një Dikush, do të
ribotojë pjesë nga ky libër,me okelion: - “Si shkruanin të parët tanë”! – Amen!
(Përgatiti enkas për ZSh, Adil Fetahu)