Përjetësi » Lushaj
Aleks Kapllaj: Zeqir Lushaj, është Institucioni i miqësisë tonë!
E diele, 28.11.2021, 10:00 PM
ZEQIR LUSHAJ, është Institucioni i miqësisë tonë!
Nga
Aleks Martin Kapllaj
Me
cilësitë e një fisnikërie të rrallë, si një "fosil" i kohëve të
principatave shqiptare, i ardhur deri në kohët tona moderne, miku i ynë
Profesor Zeqir Lushaj, u nda papritur nga ne, pak ditë përpara, duke na lënë
një boshllëk plot me dhimbje dhe trishtim të pamasë ndër ne që patëm fatin ta
kishim, mik, dashamir apo të afërm familjar.
Zeqir
Lushaj, ishte nga ata personalitete që të gjithë jetën ia dedikoi shërbimit për
vëndin e tij, paqes shoqërore dhe prosperitetit të demokracisë dhe zhvillimit
të kombit, në të gjitha trevat, kudo që ishte e në të gjitha kohërat, duke
ruajtur dinjitetin dhe pastërtinë e tij intelektuale dhe vlerat e familjes dhe
vendlindjes së tij. E gjitha kjo është përshkruar në të gjithë librat me poezi,
reportazhe, shkrime gazetareske, folkloristike ku traditat dhe zakonet e doket,
kostumet e shqiptarëve janë vlerë dhe duhet të ruhen si pasuri identitare që na
japin krenarinë e Kombit, ndër ma antikët në gadishullin ballkanik.
Komunikimet
me mikun tim Zeqir Lushaj, ishin të shpeshta dhe kishin një vlerë të veçantë
për kënaqësinë e bashkëbisedimit me publiçistin, shkrimtarin, poetin,
folkloristin dhe filozofin që i dhuroi vendit tonë një krijimtari të pasur, si
trashëgimi per brezat që do vijnë.
Zeqir
Lushaj, ishte kronist i vendeve, kohërave, ngjarjeve, zakoneve, personazheve
dhe të zhvillimeve politike e shoqërore në gjysmë shekullin e fundit, me një
korrektësi profesionale të rrallë që e ruajti të pastër në të gjitha kohërat.
Por
ajo që e bani unik mikun tonë Zeqir Lushaj ishte institucionalizimi i miqësisë
si një vlerë e përbashkët në një shoqëri që e sheh të ardhmen në zhvillimin e
çdo individi dhe këmbimi me të tjerët është një pasuri reciproke. Zeqir Lushaj
ishte istitucion i miqësisë, bujarisë dhe mikpritjes dhe kush ishte mik i tij
ishte edhe mik i miqve të tij, sepse e dinte që vlerat që i bashkonte ata ishin
virtytet e shqiptarit që e don dhe e respekton tjetrin edhe në idetë dhe në
bindjet e tij të ndryshme, me të vetminë kusht që busulla e orjentimit të
secilit të jetë e mira e shqiptarit dhe e kombit tonë në të gjitha trevat ku
jetojnë ata, karakteristika ma thelbësore e bashkimit dhe identitetit të atyre
që e duan vendin si gjanë ma të shtrenjtë.
Me
veprën e tij, Profesor Zeqir Lushaj përjetsoi me mijëra personazhe identifikues
të karakterit shqiptar, bashkudhëtar të jetës së tij, bashkvendas dhe
bashkkombas që jetojnë në trojet shqiptare dhe në mbarë botën: Evropë, SHBA,
Australi dhe kudo ku ata jetojnë, me bindjen dhe krenarinë se ata ishin pjesë e
jetës së tij e që kishin pasuruar atë me vlerat që mbart secili me profilin e
tij.
Zeqir
Lushaj u përjetsua në të gjitha veprat e tij, si në ato që e panë dritën e
botimit dhe ata që do ta shohin në të ardhmen.
Veprat
e tij të botuara me rastin e 60 vjetorit: HIJA E VENDILINDJES, LISI I SHKRUAR,
FJALA MBI TEL....., DYQANI I MENDJES, VDEKJA E VARREVE, PENGJET, si dhe botimet
e kohëve të fundit si: PIEDESTALI, RROKADA...., SPORTIT I MBETA BORXH, DUHAMA E
VALBONËS, ZBEHJA E HEROIZMIT, SI N'KURBET, BRE VËLLA, janë pasuria dhe
trashëgimia që na la miku i ynë Zeqir Lushaj, ne dhe brezave që do të vijnë,
duke fituar përjetësinë e tij si një personalitet i përmasave dhe vlerave
mbarëkombëtare që do të kujtohet tanë jetën tonë si ndër më të mirët shqiptarë
që kemi pasur dhe që kishim fatin ta njihnim.
Pushofsh
në Paqe miku i jonë i shtrenjtë e u kujtosh brez mas brezit ndër miq, familjarë
e dashamirë të afërm e të largët, që patën fatin me të pasë në mesin e tyre, ty
dhe bashkoshorten tane të nderume, Sabrije Lushaj.
Zeqir
Lushaj, është institucioni i miqësisë tonë dhe i tillë do të ngelet me veprën që
na ka lanë trashëgim, duke u ngritur në piedestalin e kujtesës të gjithë
shqiptarëve me të cilët e ndau jetën e tij tokësore.