Editorial » Latifi
Blerim Latifi: 110 vjet më parë, Prishtina do të përjetonte një nga ditët më tragjike në historinë e saj
E hene, 24.10.2022, 07:59 PM
Blerim Latifi:
23
tetori i vitit 2022 është një ditë e bukur në Prishtinë, falë rrezeve të
diellit, të cilat në këtë kohë vjeshte të krijojnë ndjesinë se janë dhuratë e
natyrës para prishjes së motit. Në një datë të tillë, fiks 110 vjet më parë,
Prishtina do të përjetonte një nga ditët më tragjike në historinë e saj. Vetëm
një javë pasi kishte nisur marshimin e saj, armata e tretë serbe hyri në
Prishtinë në mëngjesin e 23 tetorit 1912. 800 luftëtarët e Isa Boletinit nuk ia
kishin dalë dot të ndalin katastrofën, ndërsa trupat osmane kishin ikur në
drejtim të Shkupit. Trupat serbe nuk humbën kohë dhe nisën plojën e përgjakshme
rrugëve dhe lagjeve të Prishtinës. Mijëra njerëz u vranë. Kush mundi të
arratisej u bashkua me grupet e armatosura të Idriz Seferit, që kishin vendosur
të mbronin Ferizajn. Beteja nisi e ashpër, por fati i saj u vendos shpejt nga
artileria serbe. Të gjithë filluan të iknin në drejtim të Shkupit, ku besonin
se ushtria osmane do të ndalte marshimin serb. Në Kumanovë u kuptua se kjo
ishte vetëm një shpresë e kotë. Vetëm pas pak ditësh Prizreni ra pa luftë në
duart e serbëve, ndërsa Pejën e pushtuan malazezët. Për të shmangur masakrën,
Sadik Rama ndërmjetësoi midis krenëve të Drenicës dhe konsullit serb në
Prishtinë që ushtria serbe të merrte pa rezistencë kontrollin mbi Drenicën dhe
rajonin e Klinës. Vetëm një njeri nuk pranoi të bëhej pjesë e kësaj
marrëveshje. Ai ishte Ahmet Delia. Pushkët e fundit të rezistencës ndaj
pushtimit serb u shkrepën në Gjakovë nga njësitë e armatosura të Bajram Currit
e Riza Beg Kryeziut. Ky i fundit, para se të braktiste Gjakovën, i vuri zjarrin
kullës së tij që ajo të mos mund të shfrytëzohej nga ushtarët serbë. Kështu
Kosovën e mbuloi terri i gjatë i robnisë serbe. Do duhej të kalonte i gjithë
shekulli i XX, që ky terr të hiqej përfundimisht. Vuajtjet dhe kostot e
mbijetesës sonë nën sundimin serb janë të pallogaritshme. Pasojat e tyre ende
sot vazhdojnë të ndikojnë jetën tonë, ndërsa në Serbi ende vazhdojnë të
ëndërrojnë për një marshim të ri në Kosovë.
_________
Nëse
doni të mësoni se si duhet kujtuar dhe respektuar e kaluara ; nëse doni të
mësoni se si ndërtohet shteti modern; nëse doni të mësoni se si zhvillohet
ekonomia, arsimi e shëndetësia. Shkurt e shqip: nëse doni të mësoni si të
bëheni një komb i suksesshëm, shkoni në
Izrael dhe mësojeni shembullin e tij.
_________
Kultura
e vendeve të Amerikës Latine nuk na ka dhënë ndonjë teori të rëndësishme
filozofike ose politike mbi diktaturat, por na ka dhënë disa vepra letrare,
përmes të cilave mund ta kuptojmë të gjithë botën e errët e mizore të
diktaturave, mbase edhe më mirë se duke lexuar teorizimet rreth tyre. Njëra
prej këtyre veprave është edhe “Vjeshta e Patriarkut” e Gabriel Garcia
Marquez-it. Në këtë roman i madhi Gabo ia del që përmes instrumenteve të
fiksonit letrar të depërtojë deri në thellësitë e fundme të monstruozitetit të
pushtetit diktatorial. E quajtur “poema mbi vetminë e pushtetit”, “Vjeshta e
Patriarkut” na dëshmon se çfarë mund të bëj letërsia e madhe për të vërtetën
dhe lirinë, mbi mohimin e të cilave ngrihen dhe jetojnë diktaturat.
_________
E
lexova në media se si minjtë e kanë "pushtuar" një lagje të
Prishtinës. Tash, siç duket, nuk do t'i kemi problem vetëm lukunitë e qenve,
por edhe ato të minjëve. Të dy këto dukuri i gjejmë në kronikat e qyteteve mesjetare.
Ato sigurisht që lidhen me shkallën e madhe të ndotjes urbane. As drejtuesit
dhe as qytetarët e këtij qyteti nuk po ia dalin dot t'i japin zgjidhje
problemit të bërllogut. Të parët për shkak të paaftësisë së tyre qeverisëse. Të
dytët për shkak të deficitit të madh në kulturën e ambientit të pastër.
Me
1908, rrafsh 114 vjet më parë, kur mikja e madhe e shqiptarëve, Edith Durham,
po hynte në Prishtinë, gjërat e para që i ranë në sy i shënoi më pas në librin
e saj: Prishtina ishte një qytet shumë i ndotur, gjysmë i rrënuar dhe rrugëve
të zinte frymën era e keqe.
Sikur
të mundeshim të flisnim sot me të, Durham do të kuptonte se gjendja e
Prishtinës, sa i përket ambientit, nuk ka ndryshuar shumë nga koha e udhëtimit
të saj.