E premte, 11.10.2024, 12:02 AM (GMT+1)

Mendime

Fadil Sahiti: Kadare, Dua Lipa dhe 'zdrali' i intelektualizmit shqiptar

E merkure, 19.10.2022, 07:43 PM


KADARE, DUA LIPA DHE ‘ZDRALI’ I INTELEKTUALIZMIT SHQIPTAR

Nga Fadil Sahiti

Kam vënë re se në vigjilje të dhënies së çmimit Nobel, fushata kundër Kadaresë rishfaqet më fuqishëm dhe bëhet më e paskrupullt. Në këtë diskurs antikadarean, më të zëshmit janë ata që përfaqësojnë llumin, zdralin, vulgun e intelektualizmit shqiptar. Dhe ky grup njerëzish nuk është i vogël, madje besoj se përfaqësojnë intelektualin tipik shqiptar. Dhe intelektuali tipik shqiptar është intelektuali mediokër, smirëzi, i paemancipuar, provincial, keqbërës, mashtrues, që shet nderin dhe dijen e tij për një cigare duhani. Ky është intelektuali tipik shqiptar, vizioni i të cilit nuk shkon përtej mëhallës së tij.

Pardje (17 tetor) kam përcjellur një fjalim të këngëtares shqiptare Dua Lipa, mbajtur para publikut londinez me rastin e shpërndarjes së çmimit më të madh letrar britanik, The Booker Prize 2022. Personalisht nuk jam adhurues i muzikës së Duas. Jo pse muzika e saj është e pavlerë, por kjo është çështje shije; ndoshta është problem brezash. Megjithatë, fjalimi i saj ishte mbresëlënës, për t'u admiruar. Dua e tha pa mëdyshje se është shqiptare dhe ndihet krenare për këtë. Ajo e elaboroi më tej mendimin e saj. Ndonëse jo drejtpërdrejt, ajo theksoi se ndihet krenare që është bashkëkombëse me Ismail Kadarenë, romanet e të cilit (sidomos Kështjella) kanë frymëzuar njerëzit në mbarë botën, veçanërisht shqiptarët, të luftojnë për lirinë e tyre.

Sigurisht, është absurde të besohet se ky fjalim nuk është miratuar paraprakisht nga organizatori. Kjo tregon respektin e madh që lexuesi në Britani ka për veprën e shkrimtarit tonë. Është vlera artistike e veprës që Kadaresë iu dha ky çmim prestigjioz. Kadare, vepra e tij admirohet nga bota, por jo nga vetë shqiptarët. Në ato pak rrethe akademike që kam kontaktuar gjatë kohës kur jetoja dhe punoja në Londër, kam kuptuar se i vetmi intelektual shqiptar që njeh bota akademike është Ismail Kadare.

Është e turpshme sa pak bëjmë ne si komb, si komunitet intelektualësh dhe akademikësh për të promovuar veprën e Kadaresë. Është e turpshme sa pak bëjmë për ta mbrojtur këtë ikonë të letërsisë sonë nga sulmet e lloj-lloj zdralani. Popuj të tjerë kanë ngritur në institucione figura të ngjashme si Kadare. Raste të tilla ka kudo në botë. Në Angli ka institute, katedra, organizata të ndryshme, qëllimi i të cilave është promovimi i personaliteteve intelektuale, si Instituti Shakespeare në Birmingham, apo Instituti Goethe në Gjermani. Raste të ngjashme ka kudo në botën e qytetëruar.

Është mirë që promovimin e personaliteteve tona kombëtare dhe veprave të tyre e bëjnë personalitete si Dua Lipa, por ka ardhur koha që kjo të bëhet institucionalisht. Sa më shpejt, aq më pak 'zdralana' do të kemi në tregun tonë intelektual.

https://www.facebook.com/profile.php?id=828092747



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora