Mendime
Sadik Bejko: Me ujkun në minierë
E diele, 16.10.2022, 07:36 PM
ME UJKUN NË MINIERË
Nga
Sadik Bejko
Punoja nëntokë. Prej vitesh. Shokë, miq a të njohur më pyesnin: si nuk po
bie në depresion, si po e përballon këtë (ferr), minierën e qymyrgurit ku
njerëzit shpesh punonin këmbaduarsh si
majmunët. Majmunët (ku t'i gjeje?) në bar e në pemë, atje në vrima, nëntokë, të
bllokoheshin mushkëritë, të qorroheshin sytë nga pluhuri i qymyrit. Monoksidi i
karbonit helm i helmeve. Gazi metan po të plaste, nuk të gjenden as këpucët pas
shpërthimit.
Edhe
sot në minierat e qymyrgurit ka shpërthime. Çdo ditë aty luhet kokë a pil me
jetën.
Dikur
më pyesnin , edhe sot më pyesin.
Një
mik shkrimtar këto një ditë më tha: u skllavërove në minierë, si mbete prapë
njeri?
Pyetja
është vështirë. Dhe përgjigjia po ashtu.
Para
minierës isha poet, djalë që ndiqja modën e kryeqytetit, pak baseta, flokët të
gjatë, pantallonat e gjera..muzikë, vajza të bukura, poezi, libra, ëndërra për
më shumë poezi... Bota e viteve '70 e përtej Adriatikut...kish hedhur një
vështrim diskret edhe në jetën e Tiranës...
Si
u shndërrova në ujk miniere, me kominoshe e çizme minatori llap-shtrap nëpër
llurbën e zezë të galerive? Ujk që ulërija në luftën për jetë a vdekje në
thellësi nëntoke krejt të panjohura më parë.
Vërtet,
e kisha gjetur brenda vetes një ujk
...dhe krejt ekzistencën time më tej po ia besoja atij.
Me
ndërrimin e veshjes përsipër, edhe përbrenda unë shndërrohesha në ujk. Me këtë ujk luftoja për jetën time.
Me
këtë ujk shpirtërisht unë nuk e pranoja skllavin a majmunin këmbadoraz nëpër
qymyr dhe terr. Kisha zgjedhur ujkun që
ta zotëroja, ta kontrolloja skllavin, majmunin... ku më kishin katandisur.
Nga
shteti të dënojnë: shko në minierë. Një fjalë goje. Dhe e pranon pa t'u dridhur
qerpiku.
Nga
lindi gatishmëria për t'iu nënshtruar minierës pa një përtypje, pa pyetje a
pikëpyetje ?...
Vajtje
me kokëposhtë drejt e në thellësi? Si?
Thjesht,
e mora në sy dhe u futa. Po si? Pa përvojë, pa qasje në dyert e mundimit fizik,
të territ nëntokësor...kush të përgatiti?
Përgatitje?
Asgjë e përpunuar në mendje. Mundet një kthim, një të kërkuar intuitiv në në
pavetëdije. Si gjetjet në urgjencë... Je
lakuriq dhe.. hedh një xhaketë të vjetër të prindërve mbi supe. Një gunë të vjetër gjyshi e kruspullos supesh.
Ç' të bësh... qenke flakur me kokën e me
bythën jashtë në stuhi...në rrebesh..
Një
xhaketë e vjetër... Cila?
15
vjeç nga aksioni (bënim punë fizike mbas mbarimit të vitit shkollor) në Cerrik
kthehem te nëna në shtëpi. Nëna ishte 31 vjeçe. Atëherë më dukej shumë më e
madhe. Por, për mua, nënë e bukur, e
ëmbël sa nuk ka...
Në
Cerrik kishim punuar në fusha. Mblidhnim kallinj. Vapa e Cerrikut - më e larta e Shqipërisë.
Flinim në tokë, ca stalla lopësh që i kishin desinfektuar me gëlqere. Era bajgë
gjithandej. Shoqet tona të klasës, ëmbëlsia më e madhe e jetës, ishin po në
stalla pak më tej. Shiheshim tre herë në ditë në ngrënie. Dhe në fushat me
kallinj ku të piqte dielli. Dhe... fshehur kur masturbonim.
Një
marrëzi,..dikush shpiku atë që duhet ta rruanim kokën, që leshërat të na
bëheshin kaçurrela. ... qethje zero, shkumë sapuni, rruartje e kokës me brisk. Tullë.
Edhe
kjo duhej.
Në
ditët më pas, kokat tona pa kapele nën vapën
40 gradë...u rropëm...lëkura e kokës luspa - luspa na ra në tokë. U
sëmurëm.
Të
ka ikur surrati, më tha gjyshja.. kur u ktheva në shtëpi.
Nëna
më ktheu në vete...një gotë qumësht..brenda vezën e rrahur në mëngjes. Pak gjalpë shtëpie. Ëmbëlsirë.
Ditë
më pas, nëna më tregoi supet. Ngjyrë manushaqe. Nëna mbartëte kosha të rëndë mbushur
me fletë të njoma duhani që vetë i vilte. Dhe i mbartëte. I shkonte në varg...
Duart veshur me dyll duhani. Helme . Me ato duar hante drekë. Pa një gotë
qumësht. Njolla manushaqe në supe gruaje, në supe nëne. Harrohen?
Nuk
doja më përkëdhelje. Supet ... helmet. Jeta e çdo dite. Ajo i pranonte.
Dola
të punoj me nënën. Kooperativë. Të ishim bashkë. Në pak muaj.
Vite
më pas .
I
binte të fikët. Nëna palosej pa fuqi në
tokë. Babai besonte te një doktor.
...
Dr. Dishnica i dënuari nga partia në Berat.
Gruaja,
doktor... ku të mbytem po më la gruaja. Më bëj derman.. shpëtoma.
Doktori
e njihte... i njihte fshatarët, shqiptarët. I thotë t'i bëjë një analizë gjaku
dhe bashkë me gruan.. i priste në shtëpi . Doktori bënte përjashtime.
Sheh
analizën,viziton gruan ... dhe:
Faik,
ke pula në shtëpi?
Kam.
Theri
të gjitha.
Këto
kohë .. nuk gjen mish, pulat i ruaj kur papritur vjen mik në shtëpi. Doktor, miku nuk të pyet..
Faik,
thotë Dishnica, e do gruan? Theri pulat. Gruaja vuan nga të paushqyerit. Nuk
merr ushqim sa duhet.
Faiku:
Ajo na ka në dorë të gjithëve. Nuk hyj në punën e saj. Gatuan, ndan për ne,
familjen ushqimin . Hamë ç'na jep ajo.
Doktori:
e ka lënë veten pa ngrënë, të hash ti dhe fëmijët.
Mos,
ç më the..
Shkoi
në thikë pulat. Lëngun ta hajë gruaja. Dhe pak mish. Ç' të mbetet, ju të
tjerët.
Nën
thikë pulat. Hemoglobina në gjak e gruas u përmirësua. E mori veten.
1974.
Jam në minierë.
Më
mirë se kjo më lart, cila shkollë duhet të më jepte leksionin që, kur duhet,
njeriu e mohon veten. Pa zhurmë, pa fjalë. Rrugë e ndjekur nga gjaku... nga
vazhda jonë.
Madje
unë e zgjodha minierën me ndihmën e një miku... se mund të përfundoja më keq.
Sa
për atë pyetjen pse nuk bija në depresion? Këtë e kuptoj kështu. Më çuan në
minierë. Kush? Të mitë apo të
tjerët? Nuk isha komunist. As prindërit. Nuk isha në klanin e atyre që
merrnin vendime. Unë punova me ta për të përmirësuar nivelin e poezive
(teksteve) për këngë. Isha një burokrat, një specialist. Nuk isha në rrethin e
atyre që thoshin Partia ime, Enveri im. Asnjëherë. Gjithmonë me gojë kam thënë
që jam. Se doja të haja bukë. Se e doja
mësuesinë si profesion, se e doja poezinë si vokacion. Dhe pa thënë jam me
Partinë, këto i humbje.
Tani
që i humba. Po. Pranoj. Fatalitet. Por nuk ma bëri rrethi im, partia ime,
shteti im. Unë paskësha qenë një kopil.
Më kishin mbajtur sa iu desha, dhe ...më flakën. Në asnjë dashuri nuk isha i
tradhtuar, nga asnjë rreth a bashkësi i tradhtuar... që të bija në depresion.
Po
isha një i përjashtuar. Nga profesioni
im, një i ndaluar (10 vjet pa të drejtë botimi) nga vokacionin im si poet. Dhe
kjo më digjte prush. I përjashtuar e i ndaluar arbitrarisht. Nga asnjë ligj. Pa
asnjë të drejtë të apeloj.
Tani
isha nën tmerr. Sado mirë kisha punuar,
ma kishin shtypur kokën. Sado mirë të punoja dhe në minierë, të njëjtën gjë
mund të pësoja.
Duhet t'i besoja ujkut tim që të më mbante gjallë,
që të rezistoja sa më gjatë me shpresën se diçka mund të ndryshojë në fatin
tim. Shpresë e varur në erë.. siç është gjithmonë ekzistenca e atij që i ka
mbetur vetëm, vetëm... të shpresojë.