Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Zallahi kundër shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare
E premte, 07.10.2022, 08:00 PM
Ndue Ukaj:
Tash
e sa vjet e përcjell me një lloj brenge shpirtërore zallahinë që bëhet kundër
shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadaresë, sidomos gjatë periudhës kur
Akademia Suedeze jep Çmimin Nobel për Letërsi.
Me
Çmimin Nobel apo jo - vepra e Kadaresë shndrit dhe rri dinjitetshëm në
piedestalin e vlerave letrare më të fisme botërore. Aty ku s’depërtohet përmes
standardeve të klaneve që zhvillohen kafeneve ku turfullohet e llafoset kundër
gjithsecilit, por në saje talentit të jashtëzakonshëm letrar, të cilin Kadareja
e zotëron dhe me të ka shkruar vepra mahnitëse.
Çmimi
Nobel për Letërsi, Kadarenë s'e bën shkrimtar më të madh e as ma të vogël, siç
s'i ka bërë shumë të tjerë që e kanë marrë ose s'e kanë marrë.
Ai
qëmoti është shkrimtar i madh dhe i njohur përbotshëm. Dhe këtë vend meritor ia
ka dhënë vepra e tij magjike letrare që josh lexues të pafund anë e kënd botës.
Kadarnë
dhe veprën e tij e mbajnë lartë një
perandori e madhe lexuesish anë e kënd botës që e duan dhe e vlerësojnë.
Kjo
fushatë e përdalë dhe qyqare ndër ne më shumë e shëmton shëndetin e shoqërisë
sonë se sa shkrimtarin. Ajo është e dëmshme për tashmen dhe të ardhmen.
Për
Ismail Kadarenë dhe veprën e tij kanë shkruar shkrimtarë dhe mendje brilante
botërore, për të është thënë se është "titan i letërsisë, si është luani i
letërsisë shqipe me një reputacion ndërkombëtar, se është zëri i Shqipërisë
moderne dhe këngëtari i identitetit të lashtë, se Kadare ka mundur të shkruaj një art kaq të rafinuar
dhe kaq të lirë shpirtërisht në regjimin famëkeq, shtypës dhe ksenofob të
Hoxhës, se ai ka shpëtuar identitetin shqiptar në kohën kur Hoxha donte ta
shkatërrojë, se ai ka luftue me mjetin ma finsik që mund të përdorin nji njeri,
artin, kundër izolimit shpirtnor që zemërngushtësia e nji klike të çmendun i
kishte imponue shqiptarëve", por në këtë zallahi dhe fushatë të përdalë që
bëhet kundër tij, dua të sjell në vëmendje mendimet e dy figurave të mëdha të
kulturës shqiptare, të Zef Pllumi e Ibrahim Rugova.
Ibrahim
Rugova në tekstin “Një mbrëmje me Kadarenë” shkroi: “Kadare përgjigjet për
çështje më të rëndësishme e të ndërlikuara, pa komplekse inferioriteti dhe pa
imponim autoriteti. Sepse ai sot është një nga autoritetet më të mëdha të
letërsisë sonë edhe në raportet ndërkombëtare...Prandaj mund të thuhet se
Kadare është shkrimtar, apo thënë më mirë, intelektual me kulturë të gjerë e me
vrojtim të thellë. Është në rrjedhën e kohës, i çliruar nga kompleksi i
metropoleve, sepse ekziston nëpër metropole.”
Kurse
Zef Pllumi, duke vlerësuar veprën e tij ndër të terja shkroi: “Historia jonë
është një histori llogoret e sot me i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës,
identitetit dhe integrimit evropian të shqiptarëve, është Ismail Kadareja e unë
gjendem krah për krah tij në ato llogore.” E, në një rast tjetër, Pllumi i
pyetur - cili është libri i fundit që iu ka pëlqyer, përgjigjet:
"Çështje
të marrëzisë".
Nëse
Zef Pllumi s'ka hedhë gurë mbi Kadarenë, por e ka admiruar, s'di kush është ai
që mund të thirret në të shkuarën për të hedhë gurë mbi Kadarenë.