Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Kosova politike pa vizion politik
E marte, 02.08.2022, 07:54 PM
Ndue Ukaj:
Vendi
ynë i vogël, me probleme të shumta e të trashëguara historike, në vitet e 90-ta
kishte një lider të madh, Ibrahim Rugovën - dhe ai e bëri Kosovën të madhe - në
fushën e politikës dhe të kulturës. Sepse, ai ishte i mençur, i vërtetë dhe
kurrë s'krijonte armiq. Ai udhëhiqej nga ideale të mëdha dhe s’merrej me
cikërrima, s’urrente askë, por e donte vendin e vet, njerëzit e tij. Me vizion
të palëkundur, me besim e dije, airriti ta vendosi Kosovën në hartën botërore,
duke përfituar simpatinë e krejt botës demokratike.
Kurse
sot, liderët e vegjël, e kanë përmbysë këtë sukses dhe Kosova mjerisht ka humbë
pozicionin e fortë që kishte dikur: s’mirëkuptohet për shumë tema, sidomos për
ato që lidhen me raportet problematike dhe të hapura me Serbinë.
Sepse,
vërtet s'ekziston asnjë arsye që Institucionet e Kosovës të mos besojnë tek
aleatët perëndimorë.
Sepse,
që tri dekada, së bashku me ta, kemi fituar secilën betejë me Serbinë dhe ky
fakt duhet të formësojë politikën tonë shtetërore, si kulturë dhe filozofi
politike.
E,
të mohosh këtë fakt, domethënë të jesh inferior dhe i frustruar - më e keqja -
domethënë të përbuzësh vuajtjet e mëdha që kemi kaluar, kauzën dhe sakrificën
ndër vite, luftën e viktimat, dhe po ashtu, përkrahjen e jashtëzakonshme që
perëndimi i ka dhënë vendit tonë ndër vite.
Kosova
politike sot sillet e trullosur, e frustruar dhe pa vizion politik dhe kjo
gjendje po i habit aleatët tanë, të cilët s' po e mirëkuptojnë mllefin dhe jo
racionalitetin politik të Institucioneve të Kosovës, mllef ky që po përkthehet
me veprime krejtësisht jo racionale politike.
Sa
herë ka kriza politike, duhet t'i kthehemi historisë, e cila gjithmonë mëson,
dhe prej saj mësojmë se dialogu është thelbi i demokracisë, sepse siç thotë
nobelisti Octavio Paz, "demokracia është dialog dhe dialogu hap portat e
paqes."
Kosova
i ka hapë këto porta me besim, vizion e miq. Sot, ajo ka nevojë si për oksigjen
për këto vlera, sepse s’janë dosido vlera, pa të cilat edhe mund të jetohet.
Nëse
e bjerrim rrugën që ka trasuar Rugova, jam fort i bindur s'do të fitojmë asgjë,
humbjet ndërkaq mund t'i kemi fatale.