Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Kryeministri i Kosovës ka zgjedhë arrogancën dhe egërsinë
E merkure, 21.09.2022, 06:55 PM
Ndue Ukaj:
Kryeministri
i Kosovës e ka zgjedhë arrogancën dhe egërsinë si formë e përmbajtje për t’i
sfiduar të tjerët që s'mendojnë si ai. Kështu ka bërë kur ishte në opozitë,
kështu bën tani që është në krye të qeverisë. Në politikë, këto tipare janë të
njohura - por janë tipare të këqija dhe tipike për udhëheqës jo perëndimorë -
që kërkojnë nënshtrim – dhe mundësisht një ditë të gjithë të zgjohen duke ecë
në një drejtim.
Kryeministri
me sjelljet e tij po përbuz parimet themelore të demokracisë perëndimore -
kulturën e dialogut. Sepse, demokracia është dialog dhe vetëm dialogu hap
portat për progres - kanë thënë të diturit. Kryeministri ynë s’bën dialog.
Përkundrazi, bën monolog. Ndonjëherë me vete e ndonjëherë me tufat e tifozëve
që përndizën sa herë dëgjojnë broçkullat e tij.
Pra,
ai, në vend të dialogut, qartësisht dhe vetëdijshëm ka zgjedhë arrogancën dhe
kryeneçësinë. Dhe për mendimin tim, kjo papërgjegjësi e tij në raport me
detyrat që ka, është shumë më e zezë se
çdo formë tjetër e abuzimit me pushtetin.
Sepse,
me këto sjellje, po i kontribuon fort dëshpërimit të madh të rinjve me Kosovën
dhe elitën e saj politike.
Sepse,
ai është duke i thyer moralisht mijëra nxënës që përnatë si të shtangur presin
një lajm të mirë: të kthehen në bankat e shkollës.
Sepse,
me këtë qasje ai po i orienton njerëzit e vendit të tij kah migrimi dhe jo
vërtet është tragjike.
E
në gjithë këtë rrëmujë, ai mbjell edhe frikë. Sepse, më lehtë i duket të flet
për luftë e probleme gjeopolitike ndërkombëtare se sa për arsimin në vendin e
tij.
Dhe
vërtet kjo është njollë fort e zezë në historinë e re të Kosovës, një njollë të
cilën s’ka gomë që do të mund ta fshijë.
Kryeministri
duket qartë që ka humbë kontaktin me realitetin dhe dëliri i pushteti e ka
dehë. Dhe dehja nga pushteti është më keqe se dehja nga véna. S’të lëshon
lehtë.
Prandaj,
ai s’tregon mirëkuptim për qindra e mijëra nxënës të ngujuar në shtëpi;
s’tregon mirëkuptim për mijëra mësues që përballen me vështirësi të jetës për
shkak të krizës së thellë ekonomike në vend, por i përbuz dhe i fyen, sepse, do
t' i nënshtrojë; s’tregon mirëkuptim për të kaluarën e vendit tonë, por
gjithnjë synon t’ia nisë nga e para dhe sa herë gjen mundësi, i eksituar
politikisht përditëson marrina për republikë të tretë, ndërkohë që përeditë e shohim
se kapacitetet e tij për të rritë cilësitë politike janë të shkreta dhe
mundësitë e tij për të lënë gjurmë në republikën që po e qeveris janë minmale.