Kulturë
Dorian Koçi: Lëvizshmëria e Kulturës dhe përkthimi i Longfellow-it në shqip
E premte, 07.10.2022, 06:33 PM
Lëvizshmëria e Kulturës dhe përkthimi i Longfellow-it në shqip
Nga
Dorian Koçi
Nuk
ka dyshim se vepra e Dora D'Istries është një dokument i mirë për t'iu referuar
dhe sigurisht përmes saj mund të nxirren dhe përfundime për identitetin e
demonstruar kombëtar dhe kulturor, por një pjesë shumë e rëndësishme besoj
është dhe letërkëmbimi i saj privat me patriotë dhe figura të shquara të
shqiptarizmit si Dhimitër Kamarda, Jeronim De Rada, Zef Jubani, Thimi Mitko
etj.që ruhet në Arkivin e Qendror dhe nga ku mund të hidhet shumë më tepër
dritë. Në mars të vitit 1865, kur gjendej në Livorno, Elena Gjika u njoh me
Dhimitër Kamardën, folkloristin dhe gjuhëtarin arbëresh nga Hora e Siçilisë.
Nga Livorno Elena Gjika ka shkëmbyer letra të shumta me Thimi Mitkon, Zef
Jubanin, Dhimitër Kamardën, Jeronim de Radën etj.
Në
këto letra për herë të parë në mendimin shqiptar hidhet dritë mbi origjinën
etnike të Princërve Gjika, si dhe përfshirja e tyre në krenarinë kombëtare që
duhet të kenë shqiptarët duke përfshirë edhe figura të tjera të shquara si
Mehmet Ali Pasha i Egjiptit dhe vezirët Qyprillinj. Kjo simbiozë identitare
fetare e këtyre personazheve në letrat e Dora D’istries drejtuar Jeronim De
Radës, shkrihet në një simbiozë identitare kombëtare shqiptare dhe si e tillë ,
Dora D’istria është pararendëse e një
mendimi që u maturua gradualisht në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe që u bë
një realitet i prekshëm përmes një shekulli pavarësi.
Librat
e saj, letërkëmbimet apo dhe rekomandimet
letrare siç ishte ai drejtuar poetit amerikan Longfellow për të
shkruajtur një poemë për Skënderbeun krijuan habitatin e vërtetë paneuropian ku
u frymëzua dhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare. Longfellow e botoi poemën në
revistën "Antlatik" në maj 1873 dhe u desh viti 1916 që Fan Noli ta
përkthente dhe botonte në një botim të veçantë nga Vatra. Prej atëherë ajo ushqeu
disa breza shqiptarësh dhe u kthye në një gur themelor të identitetit të
shqiptarëve.