Speciale
Jusuf Buxhovi: Njohja Ndërkombëtare e Shqipërisë dhe lindja e Çështjes së Kosovës
E premte, 29.07.2022, 07:59 PM
109 vjetori i Konferencës së Londrës
NJOHJA NDËRKOMBËTARE E
SHQIPËRISË DHE LINDJA E ÇËSHTJES SË KOSOVËS
Nga
Jusuf Buxhovi
Konferenca
e Ambasadorëve në Londër, u hap më 17 dhjetor të vitit 1912, pak ditë pasi që
në Vlorë të jetë shpallur pavarësia e Shqipërisë. Aty duhej të vendosej për
fatin e saj, pa marrë parasysh se vendi qe pushtuar nga të gjitha anët: në Veri
nga ushtritë malaziase, në Verilindje nga ato serbe dhe në Jug nga Grekët.
Përjashtim këtu bënin dy qytete shqiptare: Shkodra në Veri dhe Janina në Jug ku
forcat osmane dhe ato shqiptare të rrethuara bënin rezistencë.
Konferenca
e Ambasadorëve në Londër, ndonëse pa ndonjë përgatitje paraprake dhe ujdi që
është e natyrshme në raste të tilla, filloi me dy qëndrime të ndërtuara që më
parë, që mund të thuhet se ishin të imponuara nga diplomacia austro-hungareze
dhe politika e saj, të cilat po ashtu ishin në përputhje me interesat e Lidhjes
Trepalëshe. Dhe ato ishin:
a)
rreth njohjes së ekzistencës së Shqipërisë, pa marrë parasysh statusi që duhej
t’i caktohej, dhe
b)
me pajtimin që vendet ballkanike fituese të luftës me Perandorinë Osmane, duhej
të shpërbleheshin me territore, por jo në përmasa me kërkesat e tyre të plota,
meqë kjo ngatërronte dhe madje rrënonte interesat e fuqive të mëdha europiane,
ato të Lidhjes Trepalëshe, sidomos të Vjenës dhe Romës, të cilat nuk ishin të
interesuara që ngopja e shteteve sllave të Ballkanit të shkonte në dëm të
interesave të tyre, meqë ashtu forcohej edhe ndikimi rus në këtë pjesë të
rëndësishme. Po ashtu, bërjen e Shqipërisë shtet e shihnin në (mos) përmbushjen
e apetiteve të ndërsjella për shtrirje sa më të thellë në Ballkan, të cilat
Shqipëria i pengonte.
Kundër
forcimit të ndikimit rus në Ballkan ishte edhe Britania e Madhe po edhe Franca,
që ndonëse luftonin çfarëdo përfitimi të Austro-Hungarisë në këto zhvillime,
nuk mund të lejonin që ajo të përfitonte nga gjendja e re. Në këtë drejtim,
Britania e Madhe, e cila mori përsipër
rolin e “shpëtimtarit të paqes” që duhej të arrihej nëpërmes balancimit
të interesave të Fuqive të Mëdha, u vu në mbrojtje të një Shqipërie, e
cila ishte e vetmja në gjendje që t’i
ndihmonte këtij qëllimi, që për politikën e Londrës kishte rëndësi të madhe.
Këtu
në të vërtetë ndodheshin edhe gjasat e mbijetesës së saj.
Për
Shqipërinë, megjithatë, kishte rëndësi njohja e ekzistencës së saj qysh në
fillim, pa marrë parasysh si do të bëhej kjo, meqë aty ndodhej edhe çelësi i
zgjidhjeve të shumë çështjeve të tjera, që lidheshin drejtpërdrejt me fillimet
e normalitetit, i cili nuk mund të rikthehej pa largimin e ushtrive të vendeve pushtuese,
të cilat mbanin peng pjesën më të madhe të vendit nën rrethanat e gjendjes
ushtarake. E rëndësishme, po ashtu ishte, që të shkëputeshin që të gjitha
lidhjet me Perandorinë Osmane, në mënyrë që hipoteka e saj të mos e ngarkonte
të gjente vendin midis shteteve europiane.
Si u pa në fillim, kjo jo vetëm që nuk
ndodhi, po nisi edhe t’ia rëndojë kapërcimin nga Lindja në Perëndim.
Rusia, madje, kishte deklaruar se “ishte edhe në interes të vendeve europiane e
edhe të vetë Shqiptarëve që të ruanin lidhjet me Perandorinë Osmane nga shkaku
i pranimit të tyre në masë të islamit, i cili kishte ndikuar dhe ndryshuar edhe
mentalitetin e tyre si popull”!
Edhe
Franca, nuk ishte gjithaq larg këtij mendimi, sado që arsyetimet e saj nuk
ishin të natyrës “së civilizimeve”, por thjeshtë praktike, meqë sipas disa
vlerësimeve që kishte nga diplomatët e saj në Stamboll “organizimi shtetëror i
Shqipërisë dhe administrata e saj gjithsesi duhej ruajtur diçka të traditës së
gjatë shtetërore osmane, meqë ata në të kishin luajtur një rol të rëndësishëm”.
Kështu,
në seancën e parë, Konferenca e Ambasadorëve, më 17 dhjetor 1912, nën kryesinë
e Sër Eduard Grej (Edward Grey), vendosi që Shqipëria të ishte autonome nën
sovranitetin ose suzerenitetin e Sulltanit dhe nën garancinë e kontrollin
ekskluziv të gjashtë fuqive të mëdha. Konferenca ngarkoi Austro-Hungarinë dhe
Italinë të studionin dhe t’u propozonin fuqive të mëdha projektin mbi
organizimin e shtetit autonom shqiptar.
Në
lidhje me kufijtë Konferenca vendosi në parim që Shqipëria autonome të
kufizohej në Veri me Malin e Zi e në Jug me Greqinë. Me këtë vendim, duke
caktuar si fqinj të veriut Malin e Zi, Fuqitë e Mëdha ia mbyllnin rrugën
Serbisë për të dalë në Adriatik me anën e aneksimit të territoreve në Veri të
Shqipërisë. Roli i Austro-Hungarisë këtu do të jetë vendimtar, meqë kështu
përjashtohej mundësia që Serbia të dilte në det, dhe kjo mund të bëhej me anën
e aneksimit të pjesës veriore, siç kishte ndodhur në të vërtetë, kur ushtritë e
saj kishin depërtuar nga Shëngjini e deri në Durrës që ushtarakisht të
paraprinin këtë pretendim. Nga ana tjetër, Serbisë iu njoh e drejta të kishte
një dalje tregtare në det nëpër një skele shqiptare të lirë dhe asnjanëse. Ajo
do të përdorej me anën e një hekurudhe ndërkombëtare, nën kontrollin europian
dhe nën mbikëqyrjen e një force të posaçme ndërkombëtare, me liri transiti për
gjithë mallrat, duke përfshirë këtu edhe municionet e luftës. Të nesërmen, më
18 dhjetor, këtij vendimi iu nënshtrua edhe qeveria serbe.
Kur
jemi te formulimi nismëtar i Konferencës së Ambasadorëve në Londër i 18
dhjetorit 1912, pra kur Shqipëria do të shpallej autonomi nën sovranitetin ose
suzerenitetin e Sulltanit, me interes për atë fazë për Shqipërinë ishte
theksimi i garancive dhe i kontrollit ekskluziv të gjashtë Fuqive të Mëdha ndaj
saj, gjë që kishte rëndësi dhe Qeverisë së Vlorës do t’i shkojë përshtati.
Sepse, Fuqitë e Mëdha i ngarkonte me përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të
mbikëqyrjes së gjendjes në gjithë vendin, të cilën qeveria e Vlorës nuk mund ta
bënte edhe po t’i jepej mandati i qeverisjes, siç do t’i ngarkojë edhe me
përgjegjësinë e largimit të ushtrive pushtuese jashtë vijave që Konferenca do
t’i caktojë si kufi të Shqipërisë pa marrë parasysh sa dhe si ata ishin të
natyrshëm.
Me
këtë, do të fillojë koha e mbajtjes së Shqipërisë nën mbikëqyrjen
ndërkombëtare, me disa faza, e cila vendin nuk do ta nxjerrë nga terapia e
krizës në të cilën do të gjendet, por njëherësh do t’ia heqë rrezikun e
zhbërjes si shtet, siç dëshironin dhe vepronin fqinjët e saj.
Edhe
duke u anashkaluar çështja e sovranitetit ose suzerenitetit të Sulltanit,
përderisa do të hiqet fare me vendimin e 29 korrikut 1913 kur Konferenca e
Londrës, më në fund, do të pranojë projektin për organizimin e shtetit
shqiptar, sipas të cilit Shqipëria shpallej principatë autonome, sovrane e
trashëgimore, me ç’rast i hiqej çdo lidhje suzereniteti me Perandorinë Osmane,
megjithatë ky vendim la jashtë shtetit shqiptar dy qendra të rëndësishme të
saj: Kosovën dhe pjesët e Maqedonisë nën Serbi dhe Janinën me rrethinë nën
Greqi. Humbja e këtyre pjesëve, nga diplomacia evropiane, veçmas ajo
austro-hungareze që mbronte interesat shqiptare, u pa e zhdëmtuar nga mbrojtja
e Shkodrës, pasi që ajo të jetë pushtuar nga Mali i Zi, të cilën ia dorëzoi
Esad Pashë Toptani, në kohën kur Konferenca e Londrës ndodhej në një fazë
delikate të caktimit të kufijve të shtetit të ri shqiptar.
Vendimet
e Konferencës së Londrës legjitimuan ndërkombëtarisht shtetin shqiptar, ndonëse
të përgjysmuar, por njëherësh promovuan edhe “Çështjen e Kosovës”, që si e
tillë do të mbetet problem i hapur ndërkombëtar për afër një shekulli.
(Shkëputur nga libri “Kosova – histori e shkurtër”,
Prishtinë, 2021)