Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Dita e Europës
E hene, 09.05.2022, 08:28 PM
Dita e Europës
Nga
Ndue Ukaj
“Gjuha
e Europës është përkthimi” – ka thënë shkrimtari Umberto Eco në vitin 1993. Në
esencë, kjo është gjuha e Europës, si shenjë kulture e qytetërimi, e të cilën,
ne të trallisurit nëpër kriza identitare, nuk po arrijmë ta mësojmë, për shkak
të batakçinjve që e duan dhe e njohin vetëm një gjuhë.
Europa,
para se gjithash është koncept kulturor ma shumë se sa gjeografik dhe politik,
prandaj ta reduktosh atë vetëm në koncepte politike siç vlerësojnë kuturu në
kontekstin tonë politik e medial, domethënë të mos e kuptosh fare.
Eco
mëtej ka thënë se këmbimet kulturore kanë kontribuar më shumë se çdo gjë në
ndërtimin e asaj çfarë sot është Europa. Në këtë kontekst, ky shkrimtar shkruan
se Europa është i vetmi kontinent që ka përmbajtje dhe kohezion, për dallim nga
kontinentet tjera, dhe ky kohezion e kjo përmbajtje ndërlidhen me identitetin e
saj kulturor.
Është
thënë shpesh se në historinë e mendimit europian karakteristikë e përhershme ka
qenë ideja e krizës dhe aftësia e kapaciteti për kritika të brendshëm, për
dialog të arsyeshëm, për hapje dhe evolucion drejt progresit dhe përsosmërisë.
Po ashtu, ndjenja e kritikës është karakteristikë e Europës, nëpërmjet së
cilës, ajo është hapur ndaj ideve dhe sfidave të reja.
Por
ne ende nuk e kemi kuptuar se pikënisja prej ku duhet të nisemi drejt afrimit
politik me Unionin Europian duhet të jetë kultura, si tërësi e përgjithshme e
organizmit të shtetit. Dialogu i brendshëm si domosdoshmëri për t' i qartësuar
mosmarrëveshjet tona dhe kuruar veset kombëtare.
Kultura
e dialogut si mendësi dhe stil jete.
Solidariteti
dhe konsensusi për atë që është e mira e përbashkët. Kujdesi për dinjitetin e
njeriut.
Të
kujtojmë se Robert Schuman, njëri nga themeluesit e BE- së, në librin "Në
emër të Europës", ndër të tjera shkruan: “Europa, para se të jetë aleancë
ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore, në kuptimin
më të lartë të kësaj fjale".
Koha
ka dëshmuar se nuk janë të mjaftueshme parullat, llomotitjet dhe retorika e
ashtuquajtura proeuropiane për t’u bërë pjesë e kësaj familje. Duhet vetëdije
dhe dashuri vepruese për Europën, duke e gjykuar dhe vlerësuar atë si atdhe të
vlerave tona të përbashkëta, dhe, natyrisht, duke i forcuar raportet e
përkatësisë së përbashkët.
Sot
në Ditën e Europës, ne nuk duhet të bëhemi të marrë dhe ta sajojmë një Europë
sipas dëshirave tona, një Europë që iu përshtatet ambicieve tona, standardeve
tona, kërkesave tona. Sepse, kjo Europë është ireale. Është groteske dhe mund
të jetë e dobishme vetëm për ëndërrimtarë të sojit të Don Kishotit dhe Sanço
Panços së tij që luftojnë me mullinjtë e erës, duke e pandehur vetën si të
thirrur për të çliruar njerëzimin nga të ligat dhe padrejtësitë.
Europa
është një fakt politik dhe kulturor, me kriza e përpljasje, por me një prirje
politike që admirohet nga krejt planeti ynë. Me një ekonomi të fuqishme, të
cilën e aspiron krejt bota.
Sepse
në thelbin e saj, siç është thënë, është një prirje shpirti, ndaj, siç
porosiste Vaclav Havel, të bëjmë atë qartësisht atdhe të vlerave tona të
përbashkëta.
Në
këtë ditë të Europës, në vend të gulçeve e gërvalljeve, më mirë të rikujtojmë
At Zef Pllumin e mençur.
"Secili
shqiptar, që më të vërtetë e don atdheun, duhet t’i bajë vedit e kombit këto
pyetje 1. “Pse kemi mbetë të izoluem prej Europës?” 2. “A jemi nda na prej
Europës apo Europa na ndau ne?” 3. “A na pranojnë ne kombet europiane në gjinin
e vet me individualitetin e mentalitetin tonë armiqësor ndaj Europës?” 4. “Ç’ka
na mungon ne që të mos jemi si europianët e tjerë? Toka –jo, dielli e deti-jo.”
5. “Si mund e duem Shqipninë kur secili shqiptar mendon se vetëm ai ka të
drejtë mbi Shqipninë dhe intrigojmë e tiranizojmë njani-tjetrin?” E “Ati ynë”,
kalitur sakrificash, sigurisht e kishte një përgjigje: “shqiptarët kanë për të
ba ma shumë për atdheun, në qoftë se kanë për t’u dashtë ma tepër ndërmjet
vedit.”
Europën
nuk duhet ta aspirojmë vetëm për viza dhe të mira ekonomike, por, për ta
humanizuar dhe përparuar shoqërinë tonë të zhytur në mjerim.