Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Një pyetje sa për kuriozitet!
E marte, 19.04.2022, 08:29 PM
NJË PYETJE SA PËR KURIOZITET!
Pse
nuk ishte e ftuar Shqipëria në takimin e udhëheqësve të shteteve anëtare të NATO-s
të Evropës Jug-lindore në Sofie të Bullgarisë me 28 Mars?
Nga
Frank Shkreli
Në fund të muajit që kaloi, me 28 Mars, Kryeministri i
Bullgarisë, Kiril Petkov organizoi në Sofie një takim të nivelit të lartë të
udhëheqsve të shteteve dhe qeverive të Evropës Jug-lindore, antare të NATO-s.
Në atë takim, sipas të dhënave në media fund muajin e
kaluar -- të ftuar nga Kryeministri bullgar për të marrë pjesë në atë mbledhje
rajonale të nivelit të lartë -- morën pjesë Kryeministri i Maqedonisë së
Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq,
Kryeministri i Bullgarisë, Kiriul Petkov dhe Kryeministri i Rumanisë, Nicolae
Ciuca. Por jo, Shqipëria, por as Serbia nuk ishin të ftuara, sipas lajmeve.
Sipas njoftimeve zyrtare bullgare, takimi kishte për qëllim diskutimin e
ndërlikimeve që lufta në Ukrainë mund të ketë për rajonin e Evropës Jug-lindore
dhe shqyrtimin e masave që mund të merren bashkarisht për të përballuar pasojat
e krizës energjetike dhe ekonomike.
“Lufta në Ukrainë ka krijuar një krizë energjetike si dhe një krizë
furnizimi ushqimesh. Por takimi është gjithashtu një mundësi që vendet e
Ballkanit Perëndimor të bashkohen për të mirën e popujve të tyre dhe të
bashkrendojnë veprimtaritë e tyre, për të përballuar pasojat e krizës”, në
Ukrainë, është shprehur Kryeministri bullgar, Petkov, në lidhje me mbledhjen e
mbajtur në Sofie në fund të marsit që kaloi.
Ndërsa,
Kryeministri i Maqedonisësë Veriut, Dimitar Kovaçevski është cituar të ketë
thenë me atë rast se, “Takimi kishte për qëllim parandalimin e çfardo pasojash
që kriza në Ukrainë mund të ketë mbi stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, në
kontekstin e pasojave të mundëshme që mund të rrjedhin nga kriza humanitare dhe
nga gjëndja e sigurisë në Ukrainë”, duke shtuar se vendet që morën pjesë në
takimin e Sofies me 28 të Marsit që kaloi, mbeten të vendosura në dënimin e
luftës në Ukrainë si një pushtim illegal i Ukrainës nga Rusia, është cituar ai
nga portali European Western Balkans.
Kur të merren
parasysh objektivat e atij takimi si dhe rrethanat nën të cilat u mbajtë – për
të marrë në shqyrtim pasojat ekonomike dhe të sigurisë që mund të ketë lufta në
Ukrainë për rajonin e Ballkanit Perëndimor -- por edhe ngërçin e procesit të
zgjërimit të Bashkimit Evropian (BE) të disa vendeve të Evropës Jug-lindore,
përfshir Shqipërinë – natyrisht lindë pyetja kurioze: Pse nuk mori pjesë
Shqipëria në takimin e Sofies të 28 marsit dhe pse nuk u ftua të merrte pjesë
me vendet e rajonit si vend anëtar i NATO-s dhe si vend i Evropës Jug-lindore, që
aspiron antarësimin e saj në BE.
Në takimin e Sofies morën pjesë
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Kryeministri i Malit
të Zi, Zdravko Krivokapiq, Kryeministri i Bullgarisë, Kiriul Petkov dhe
Kryeministri i Rumanisë, Nicolae Ciuca. (28 Mars, 2022)
A thua se mungesa
e ftesës Shqipërisë për të marrë pjesë në atë takim në Sofie, mund të ketë
lidhje me këmbënguljen kokëfortë të Shqipërisë dhe të Serbisë për të shkuar
përpara me nismën e përbashkët famëkeqe të Presidentit serb, Vuçiq dhe
Kryeministrit të Shqipërisë, Rama, të “Open Balkans”, ose të ashtuquajturit
“Ballkan i Hapur”, megjithë pushtimin barbar të
Ukrainës nga Rusia dhe gjithë pasojat gjeopolitike dhe ushtarake që mund
të ketë ky akt barbar për Evropën dhe botën?
Siç dihet, nisma “Open Ballkans” është konsideruar nga shumë eskpertë
vendas dhe ndërkombëtarë, si një mjet ose proces i shtrirjes së mëtejshme të
influencës ruse, nepërmjet vasalit të saj Beogradit zyrtar, në rajonin e
Ballkanit Perëndimor. “Nisma Ballkani i
Hapur”, është parë gjithashtu edhe si një akt kundër Republikës së Kosovës,
pavarësisë dhe integritetit territorial të saj, që ende nuk njihet nga Serbia
as nga aleatja e saj e ngushtë, Rusia. Ndërsa, Moska dhe Beogradi po bëjnë çmos
për të minuar shtetin e Kosovës në nivel rajonal, evropian dhe ndërkombëtar.
Fatbardhësisht,
nuk është sekret qëndrimi i Bashkimit Evropian e sidomos i Gjermanisë ndaj
nismës Vuçiq-Rama për Ballkanin e Hapur. Qeveria e re gjermane e bëri këtë të
qartë gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Rama në Gjermani, se Berlini
zyrtar është i përkushtuar ndaj procesit të Berlinit dhe JO ndaj “Open
Balkans”, sa i përket Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, në të vërtetë, po
qarkullojnë lajme sipas të cilave disa vende perëndimore, duke përmendur
Britaninë e Madhe si nismëtare e një fushatë -- deri tani prapa skene -- për të
hequr qafe njëherë e mirë, nismën “Open Balkans”, si një përpjekje edhe për të
minimizuar rolin e Serbisë në Balkanin Perëndimor, duke marrë parasysh qendrimin
prej vasali të Beogradit ndaj pushtimit illegal dhe barbar të Ukrainës nga
Rusia, si dhe pasojat që ajo luftë mund të ketë tashti dhe eventualisht, jo
vetëm në Evropë, por sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ka ardhur koha që
edhe Tirana zyrtare t’i hapi sytë, veshët dhe gojën dhe të shpallë nismën e
rrezikshme ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve, “Ballkani i Hapur”, si një
nismë e vdekur, që e ka vendin në koshin e plehrave të historisë. Hiqni dorë
nga “Ballkani i Hapur”! Frank Shkreli: Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe Ballkani i Hapur | Gazeta Telegraf
. S’do mendë se zvogëlimi i rolit të Serbisë në Ballkanin Perëndimor dhe
minimizimi i influencës ruse në atë rajon, nepërmjet aleatës së saj të vjetër
Serbisë (“Këlyshve të Rusisë”), është në interesin e shqiptarëve. Kështu e
shohin edhe aleatët perëndimorë të Kombit shqiptar.
Vuçiq, Zaev, Rama
– tre aleatët e nismës “Ballkani i Hapur”