Kulturë
Albert Zholi: Sulejman Pitarka nga hamall në një nga yjet e aktrimit shqiptar
E diele, 03.04.2022, 01:08 PM
Sulejman Pitarka nga hamall në një nga yjet e aktrimit shqiptar
E
filloi me filmin “Furtuna” dhe pas “Debatikut” interpretoi edhe në “Horizonte
të hapura”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Gjeneral Gramafoni”
Nga
Albert Z. ZHOLI
Pitarka mbetet aktor dhe dramaturg unik. Ndoshta ai mban një
rekord ndër aktorët shqiptarë, pasi kryerolin e tij tek drama “Pjata e drunjtë”
e luajti në moshën 82 -vjeçare, plot kompetencë, finesë, korrektësi, memorie
perfekte, sa mund të themi i “mori para” më të rinjtë. Aktori i madh i skenës dhe filmit shqiptar, Sulejman
Pitarka ka lindur më 2 shkurt të vitit 1924 në Dibër të Madhe. U detyrua të
braktisi shumë shpejt studimet, për t’i ardhur në ndihmë të atit, pasi varfëria
e skajshme e familjes nuk mund të përballohej vetëm nga ai. Prej vendlindjes,
vendoset në qytetin portual të Durrësit, ku fillimisht detyrohet të punojë si
hamall, jo vetëm në port, por edhe në kriporet e Kavajës. Shumë shpejt, Pitarka
fillon punën si ndihmës-llogaritar në një firmë të njohur italiane dhe më pas
në Bankën e Durrësit, por pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ai i
braktis financat për t’iu përkushtuar teatrit. Pas vitit 1945, Pitarka
interpretoi në teatrin amator të Durrësit role në dramat “Ishulli i paqes”,
“Invadimi”, etj. Pitarka filloi punë në majin e largët 1951, kur u emërua aktor
profesionist në Teatrin Kombëtar. Kanë mbetur të paharruara për spektatorët
kryeqytetas rolet e realizuara prej tij në skenën e këtij teatri në dramat
“Trimi i mirë me shokë shumë”, “Syleshi”, “Orët e Kremlinit”, “Familja e peshkatarit”,
“7 shalianët”, “Vajza nga fshati”, “Doktor Aleksi”, “Epoka para gjyqit”, etj.
Çuditërisht, Pitarka ka luajtur role dytësore deri në vitin 1964, ndërsa në
vitin 1956, i frymëzuar nga kujtimet e fëmijërisë dhe nga përvoja e vështirë
jetësore, shkruan një dramë të spikatur të dramaturgjisë shqiptare, “Familja e
peshkatarit”, të cilën e pason me vepra të tjera. Kësaj periudhe i përkasin
disa nga rolet e tij më të paharrueshme në teatër, si në pjesët “Halili dhe
Hajria”, “Borgjezi fisnik”, “Epoka para gjyqit”, “Vajza me flokë të thinjura”,
“Prefekti”, “Karavidhet”, “Arturo Ui”, “Një nuse për Stasin”, etj. Pas suksesit
në filmin “Debatik”, Sulejman Pitarka, do të siguronte një karrierë të pasur
edhe në kinematografi. Në fakt, ai e filloi me filmin “Furtuna” dhe pas
“Debatikut” interpretoi edhe në “Horizonte të hapura”, “Gjenerali i ushtrisë së
vdekur”, “Gjeneral Gramafoni”, “Pas gjurmëve”, etj. Roli i tij më i spikatur
është ai i Zheleznovit, komandantit rus, në filmin “Ballë për Ballë”. Ky film
ka marrë pjesë në Festivalin e Filmit në vitin 1981 dhe është shpallur fitues i
këtij edicioni. Të tjerë filma ku ai ka interpretuar janë: “Tinguj lufte”
(1976), “Guna përmbi tela” (1977), “Rrethimi i vogël” (1986), “Vdekja e burrit”
në vitin 1989, etj. Sulejman Pitarka është një ndër aktorët më të suksesshëm të
teatrit dhe kinematografisë, protagonist i mbi 70 roleve në teatër dhe rreth 20
roleve në kinematografi, kujtohet nga publiku për secilin nga këto role, të
vlerësuara nga kritikët si mjaft realiste. Të paharrueshme do të ngelen rolet e
tij në dramat “Arturo Ui”, ”Besa e madhe”, ”Doktor Aleksi”, në rolin e Heroit
të Popullit, Sulejman Vokshi, në dramën “Epoka para gjyqit” të Ekrem Kryeziut,
“Familja e peshkatarit” të shkruar po nga Ai vetë, në rolin e Pejxhit në dramën
“Gratë gazmore të Uinsdorit” të Shekspirit, në rolin e Gildesernit në dramën
“Hamleti” të Shekspirit, në rolin e Turhanit në dramën “Kështu të dua”, “Trimi
i mirë me shoke shume”, në rolin e Faikut tek drama “Karavidhet”, “Një nuse për
Stasin”, në rolin e Hysen Agës në komedinë “Prefekti” të Besim Lëvonjës, në
rolin e Bakos në komedinë “Zonja nga Qyteti” të Ruzhdi Pulahës, duke përfunduar
me rolin e tij të fundit në dramën “Pjata prej druri” e Edmond Morris e vënë në
skenë nga regjisori Gëzim Kame në vitin 2004 në rolin e plakut të braktisur.
Rol për të cilin në Festivalin “Apollon 2005” do të shpallet “Aktori më i Mirë”
i festivalit, titull, i cili do t’i jepet edhe në Festivalin e Teatrove në
Dibër të Madhe në vitin 2006.
Roli i parë dhe rruga plot suksese
Në kinematografi roli i parë i tij do të jetë ai i Eshrefit në
filmin “Furtuna”. Interpretimi i tij do të linte në kujtesën e publikut edhe
shumë role të tjera si roli i shokut Sokrat në filmin”Horizonte të Hapura”,
roli i zotit Galip tek “Tinguj lufte”, roli i Gjeneralit tek “Gunat përmbi
tela”, roli i xha Avdiut tek “Gjeneral gramafoni”, roli i Zheleznovit
komandantit të bazës në filmin “Ballë për ballë”, roli i Ali Beut në filmin
televiziv “Agimet e Stinës së Madhe” e shumë të tjerë. Roli i tij i fundit në
kinematografi do të jetë ai i Selmanit në filmin “Larg barbarëve/Loin des
barbares” në vitin 2004 për të cilin pati shumë vlerësime pozitive si nga
kritika kombëtare ashtu edhe nga ajo internacionale. Pitarka do të shkruante
edhe disa drama ku përveç të mirënjohurës “Familja e peshkatarit” mbi të cilën
regjisori Hysen Hakani bazoi filmin “Oshëtimë në bregdet” me skenar të po vetë
Sulejmanit, mund të përmendim komedinë “Burri me përparëse” dhe dramat “Trimi i
mirë me shokë shumë” në vitin 1957, “Heronjtë e Linasit” në vitin 1967, “Kulla
e Linasit”. Shumë studentë të tij, sot aktorë të njohur, thonë se pasaporta e
krenarisë së tyre është kur shprehen se kemi qenë studentë të Prof. Sulejman
Pitarkës, aktori i madh, i cili pas njëzetë vjetësh shkëputjeje, në vitin 2005
u ngjit me shumë sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me interpretimin e
shkëlqyer në dramën “Pjata e drunjtë”.
Pitarka dhe kritika
Të gjitha rolet e tij janë vlerësuar nga kritika shqiptare si
portrete origjinale, që aktori i krijoi me zërin dramatik, herë-herë imponues
në skenë. Këto karakteristika i dhanë një sinqeritet gati të rrallë skenik
Sulejman Pitarkës, aq sa rreth 20 vjet më parë, një nga admiruesit e tij i
shkruante një letër shumë domethënëse, ku në pak rreshta përmblidhte çdo
vlerësim: “Ju më pëlqeni”, i shkruante ai Pitarkës. “Më pëlqeni, sepse më duket
se më gënjeni me lezet”. Për nder të tij “Çmimi i Madh” i Festivalit të
Teatrove në Dibër të Madhe duke filluar që nga viti 2007 do të ri-titullohej
“Çmimi i Madh Sulejman Pitarka”.
Vlerësimet
Për meritat e tij artistike Sulejman Pitarka është vlerësuar me
titujt e lartë “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh “. Sulejman Pitarka, ka
fituar disa çmime në teatër dhe kinematografi, mes tyre çmimin për “Karrierën”
si edhe Medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Ndahet nga jeta dhe nga familja e tij e dashur në Tiranë më 24
mars të vitit 2007.
Ceremonia e përcjelljes së kësaj figure të madhe të artit
shqiptar është përshkruar nga disa opinionistë si jo në nivelin e duhur. Një
sorollatje pa përkushtim ishte ajo e kolegëve të tij, që ishin më shumë
studentë të tij, gjatë ceremonisë së varrimit. Kështu të vijnë ndër mend fjalët
e një filozofi, i cili thotë se, “vlerat e një kombi nuk varen nga madhështia e
personaliteteve të tij, por nga vlerësimi që populli u bën këtyre
personaliteteve”.
Flasin për
Sulejman Pitarkën artistët Luftar Paja, Ahmet Pasha, Alfred Bualoti
Ahmet Pasha “Artist i Merituar”: Shkëlqente në dramë, po
aq shkëlqente dhe në komedi.
Sulejman
Pitarka është një njeri i veçantë. Ai ka vlera të veçanta, si aktor, si
krijues dhe si njeri. Unë në fakt me Sulën jam njohur qysh ditën e parë që kam
ardhur në Teatrin Kombëtar qysh në një Janar të vitit 1971, dhe e kam gjetur
kur përgatitej për rolin e aktorit tek drama Arturo Ui. Pra ai luante këtë rol
të aktorit. Unë e kisha parë në disa role më parë sidomos tek një komedi e
Qamil Buxhelit, ku ai kishte rolin kryesor. Ai bënte dallim nga aktorët e tjerë.
Në atë kohë kishte shumë aktorë të mëdhenj dhe ai binte në sy për
origjinalitetin e tij, për veçantinë e tij, individualitetin e tij. Kur u
ballafaqova me të, kur unë kam lozur në dramën Arturo Ui, si roli im i parë,
kam ngelur i befasuar, nga mënyra se si punonte, nga mënyra se si zgjidhte
personazhin, nga mënyra se si, punonte plastikisht. Në të gjitha skenat ai
ishte i befasueshëm, sa unë e shikoja me zili. Më pas kam lozur disa role me
të duke filluar nga “Doktori pacient”, deri tek roli i fundit te “Pjata e
drunjtë”. Unë kam luajtur shumë role me të, kam punuar shumë vite me ‘të, dhe
mund të them se sa herë kam punuar me ‘të jam ndjerë rehat, jam ndjerë i qetë,
pasi ai të nxiste të luaje mirë. Duke pasur atë si partner, ai më vëzhgonte dhe
si shok dhe si nxënës dhe nuk hezitonte të të bënte korrigjime shumë miqësore,
pasi vetë ishte shumë i aftë. Për mua ai mbetet një nga aktorët më të mëdhenj
të teatrit shqiptar, duke pasur parasysh aktorët në gjithë hapësirat
mbarëshqiptare, për vetë filozofinë e lojës së tij. Shkëlqente në dramë, po aq
shkëlqente dhe në komedi. Luante të gjitha rolet e personazheve. Ai ishte real.
Ne kemi pasur shumë aktorë, por që kishin një shkëlqim ose në dramë, ose në
komedi. Sulejman Pitarka shkëlqente në të dyja këto gjini. Ishte i veçantë.
Ishte një aktor që personazhin e tij e mbështeste bukur, pasi i luante me
vërtetësi. Mënyra e vërtetësisë që ai luante dukej se kalonte në natyralizëm.
Ai kishte natyrshmëri aktoreske se sa natyralizëm. Kishte një botë të
madhe emocionale dhe një logjikë të hekurt. Ishte mjeshtër i dialekteve. Luante
me përpikmëri si labin, malësorin, çamin, myzeqarin, dibranin, shkodranin
Ishte njeri me shumë kulturë dhe lexonte shumë në gjuhë të huaja. Ai do
të mbetet fuqishëm në historinë e teatrit shqiptar.
Luftar Paja “Artist i Popullit”: Nga Sulejman Pitarka kam
mësuar vlerësimin, e personazhit.
Unë
Sulejman Pitarkën e kam njohur shumë herët qysh në vitin 1963, në kohën kur kam
bërë “Studion” njëvjeçare pranë Teatrit Popullor (parapërgatitjen). Në atë kohë
“Studio”-n e kryenin të gjithë aktorët e trupave amatore, ose ata që
parapërgatiteshin për Akademinë e Arteve. Në atë kohë kur unë po bëja
“Studio”kur pashë nga afër ata korifenj të pazëvendësueshëm të TP
si: Mihal Popi, Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Kadri Rroshi, Prokop
Mima. Pra ishte koha, kur ata ishin në kulmin e tyre dhe të rrije pranë tyre
ishte nder. Rasti e pruri që unë të luaja me Sulën në vitin 1973 në filmin
“Streha e re”, i cili ishte filmi i parë për mua dhe të qenit pranë Sulës,
duke parë interpretimin e tij, ishte një shkollë e madhe për mua. Ishte ai
Sula, me një forcë të madhe interpretimi, me cilësi më tepër se aktorët e
tjerë, pasi ishte një aktor i shkëlqyer i komedisë, por po kaq dhe në dramë.
Por dua të them se, Sula ishte dhe një krijues shumë i mirë, ku mund të
përmendim “Familja e Peshkatarit”. Nga Sulejman Pitarka kam mësuar
vlerësimin, e personazhit. Ai të mësonte se si t’i jepje atë vërtetësi, atë
nur, që duhej se si ta gjeje. Për mua ai mbetet një aktor shumë konkret, shumë
spontan, që dilte nga çdo situatë. Unë kam luajtur dhe me Sandër Prosin
dhe me Kadri Roshin dhe me Ndrek Lucën, Violeta Mnaushin, por Sula ishte pak
ndryshe, pasi luante në të dy gjinitë me po atë forcë. Unë kam luajtur me Sulën
edhe tek filmi, “Gjeneral Gramafoni”, “Guna përmbi tela” dhe në fundin e jetës
së Sulës, e kam pasur partner direkt tek “Pjata prej druri” me regji të Gëzim
Kames. Unë isha Samiu, shoku, miku i tij që donin ta çonin në azil, ku në çdo
çast isha nën peshën e madhe të Sulës. Në këtë pjesë përforcova më shumë pjesën
e lojës tërë seriozitet të Sulës. Ai në këtë pjesë dominoi, aktroi, luajti në
mënyrë perfekte. Ai punoi shumë me këtë rol që në tavolinë dhe në teatër
ai vinte i përgatitur. Veçoj atë, që në moshën 82 vjeç ai na sfidoi të
gjithëve, na udhëhoqi të gjithëve, na orientoi të gjithëve. Pra në moshën më të
madhe ai ishte më korrekti, me momerie më të freskët, që na vuri përpara neve,
aktorëve më të rinj.
Alfred Bualoti-regjisor, aktor: Ai ishte një njeri i
saktë, korrekt dhe i kënduar.
Me
Sulejman Pitarkën kam shumë kujtime, shumë takime… E kam njohur këtë aktor të
veçantë në vitin 1969, kur kam ardhur për herë të parë në Teatrin Kombëtar në
studio. Isha në studio të TK ende nuk isha aktor profesionist. Pra deri atëherë
kisha parë vetëm oborrin e TK-së, i cili llamburiste, me pastërti, rregull,
disiplinë. Në skenë nuk hynte kushdo. Parketi shkëlqente, rregull në dhomat e
veshjes, skena ishte e shenjtë. Unë si anëtar i studios së teatrit kisha të
drejtë të hyja në skenë pasi luaja role figuranti. Pra për herë të parë u futa
në skenë kur, Pitarka luante rolin e një ushtaraku në dramën e Bashkim
Kozelit, “Sinjali i Kuq”. Ai zbriste shkallët e dhomës së veshjes për të
hyrë në skenë. Unë u ndodha në fund të shkallëve. Nga hapat e tij ngrita kokën
lart. E pashë dhe shtanga. Një palë rroba xixë, shik, që i shkonin shumë. Dukej
si një oficer madhor me të gjithë madhështinë që të jep uniforma. Dua të
theksoj se, ato personalitete të teatrit të atëhershëm vinin në teatër deri 2
orë përpara shfaqjes. Visheshin, bënin grimin, bënin tualet, pastaj
ambientoheshin me skenën. Madje, shkonin dhe në aneks dhe pinin cigare për të
parë nga larg sallën. Ishin: Prokop Mima, Pirro Mani, Pjetër Gjoka, etj…
Pra ky ka qenë takimi im i parë me Sulejman Pitarkën, ballë për ballë. Më pas
unë shkova në Akademinë e Arteve dhe u ktheva pas disa vitesh. Kur u ktheva si
aktor Sulejman Pitarka do vinte në skenë si regjisor një dramë të Ziso Cikulit
“Tymra që pastrohen”. Në praktikën e saj kohe, autori do të lexonte pjesën e
tij përpara aktorëve me qëllim që të ngacmonte tek trupa idenë e tij. Sulejmani
si një gur i rëndë, bllok i rëndë, e dëgjoi me vëmendje, pasi gjatë leximit
autori dhe lotoi. Kjo ishte shfaqja e parë që ka vënë në skenë Pitarka si
regjisor, por me sa di dhe e fundit. Ndërsa si autor ai ka realizuar “Familja e
Peshkatarit”. Ai ishte një njeri i saktë, korrekt dhe i kënduar. Lexonte
shumë dhe në atë dramë unë pashë dhe njoha nga afër njohuritë e tij, mënyrën e
komunikimit të tij, mënyrën e bashkëpunimit. Unë luaja rolin e një inxhinieri
të ri dhe mënyra se si punoi ai me mua, se si më orientonte, se si duronte në
zbërthimin e karakterit të rolit tim, më kanë lënë gjurmë të mëdha. Pra, në
këtë rol, pashë një punë të parë, pasi na frymëzonte, na nxiste, na kërkonte
s’na linte në heshtje. Ky rol shërbeu shumë në jetën time artistike. Pra më
hapi shumë shtigje. Më pas unë kam luajtur me ‘të një komedi, të Pëllumb Kullës
“Kështu të dua” në vitin 1981. Në skenë e vuri regjisori Esat Okrova. Në rolet
kryesore ishin Sulejman Pitarka, Agim Qirjaqi, ku dhe unë kisha një nga rolet
kryesore. Në disa skena unë isha koleg me ‘të dhe aty pashë një aktor të madh,
përballë tij më dukej vetja i vogël. Qëndrimi i tij, plastika e tij, vlerat e
komunikimit të tij, mënyra e të shprehurit të dialogut nëpërmjet futjes në
problemin, hallin e personazhit, ngarkesës së personazhit, ishin cilësi që
rrallë aktorë i kanë. Përballë tij kishte aktorë që nuk flisnin dot, apo
ngatërronin tekstin, pasi ai ishte vigan në skenë, të përpinte. Në të gjitha
rolet ai vinte duke e rritur nivelin artistik. Edhe kur kishte role të dyta,
role të karakterit, ai sërishmi i nxirrte të plota me atë përgjegjësi, me atë
nivel sa rolet kryesore. Kur shkonim për të dhënë shfaqje në fshatra, ai
ambientohej me fshatarët, bënte shaka, humor. Një detaj tjetër është se Sula
krijonte vetë barsoleta shumë të bukura. Por nuk harroj rolin e tij të fundit
tek “Pjata e drunjtë” me regji të Gëzim Kames. Më befasoi. I qartë, plot
energji, plastikë, i saktë. Askush nuk e besonte se do të arrinte atë nivel.
Ishte plot 82 vjeç. Vetëm një aktore bullgare më ka bërë përshtypje që ka
luajtur rol në këtë moshë. Kishte ardhur në Festivalin e Teatri në Butrint.
Ndaj mund të them se Sulejam Pitarka mbetet aktor i rrallë, njeri i mirë, gur i
rëndë, që peshën e tij si zor ta zëvendësojnë sot.
Filmografia
Dramat e Komeditë
Loin
des barbares – (1994)
Vdekja
e burrit – (1991) …Diplomati
Historiani
dhe kameleonët – (1989)…Zenel Beu
Rrethimi
i vogël – (1986) ………..Llambi Guri
Nata
e parë e lirisë – (1984)
Nxënësit
e klasës sime – (1984)……Çelo Kasapi
Në
prag të lirisë – (1981)
Shtëpia
jonë e përbashkët – (1981)
Agimet
e stinës së madhe – (1981)…..Ali Beu
Goditja
(1980)
Ballë
për ballë – (1979)…….Zheleznovi, Komandanti Rus i Bazës
Gjeneral
gramafoni – (1978)…Xha Avdiu
Pas
gjurmëve – (1978)…Xha Lipja
Gunat
mbi tela – (1977)…Gjenerali
Tinguj
lufte – (1976)…Galip Shkëmbi
Horizonte
të hapura – (1968)…Sokrati
Debatik
– (1961)…Mësuesi
Teatër
Familja
e peshkatarit
Shtatë
shaljanët
Vajza
nga fshati
Trimi
i mirë me shokë shumë
Doktor
Aleksi
Besa
e madhe
Epoka
para gjyqit
Prefekti
Toka
jonë (teatër)
Televizori
Otello
Gratë
gazmore të Uinsdorit
Valon
Drogirashi
Borgjezit
fisnik
Arturo
Ui
Pjata
e drunjtë