Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Pohime të Kadrije Kadaresë
E premte, 11.02.2022, 10:02 PM
Pohime të Kadrije Kadaresë
Nga
Kastriot Dervishi
Kadrije Kadare
(13.1.1937-10.2.2022)
Nga
dje Kakuja nuk jeton më. Antikomunistja, pedagogia, redaktorja dhe njohësja e
mirë e gjuhës shqipe, la mbresa të mira te të gjithë ne që e kemi njohur me
karakterin e saj të veçantë dhe të papërsëritshëm. Kaloi një jetë të trazuar që
shpesh e deklaronte se nuk ia uronte askujt.
Fotografia
që po ju përcjell e bërë prej meje, e datës 8.5.2018, i takon ditëve të fundit
kur ajo ishte në gjendje të punonte.
__________
Kadrije
Kadare ka qenë disa herë objekt i Sigurimit të Shtetit pasi zhvillonte në
mënyrë të vazhdueshme agjitacion kundër regjimit dhe udhëheqësve të tij. Ajo
ishte redaktore në Degën e Botimeve në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz,
kur është marrë në përpunim aktiv 2A më 30.11.1976, fillimisht si “si agjente e
mundshme” në shërbim të zbulimeve të huaja e më pas më 4.2.1977 iu ndryshua
tendenca në agjitacion e propagandë. U këshillua më 3.8.1978. Megjithatë, edhe
pas këshillimit, vazhdonte të bënte agjitacion e propagandë sepse “flet shumë
ashpër kundër udhëheqësve të partisë e të shtetit”.
Disa
pohime të Kadrije Kadaresë të raportuar nga disa bashkëpunëtorë të Sigurimit:
“Sistemi
socialist dhe komunizmi është një doktrinë që mbështetet në baza jo reale, përderisa
njeriu që fëmijë, kur mban diçka në dorë dhe e shtrëngon fort e nuk lë t’ia
marrësh, si mund të besosh se kur të bëhet i madh nuk do të rritet në
përpjesëtime akoma më të mëdha interesi i tij personal. Është absurde të besosh
se mund të ekzistojnë një shoqëri e tillë kur vetë njeriu është me të meta. Si
mund të besosh atëherë se u dashka vënë interesi i përgjithshëm mbi atë
personal”.
“Stalini
ka bërë krime të rënda, në fillim vrau shokët e tij dhe më pas, kohë pas kohe
eliminoi të tjerë me radhë. Stalinit i kish hyrë frika në palcë dhe 15 vjetët e
fundit jetoi në një dhomë pa dritare”.
“Një
sistem i tillë nuk mund të ndërtohet në asnjë kohë dhe në asnjë vend se s’ka
asgjë njerëzore. Sot ka diferenca në mënyrën e të jetuarit, ato nuk eliminohen
por sa vijnë e thellohen. Ç’janë këto gjepura që trumbetojnë se gjoja u vënka
interesi i përgjithshëm mbi atë personal. Këtë nuk e ha as bufi”.
“Unë
tani jam në moshë të madhe, jam plakur dhe po të pi, kushedi se çfarë do të më
nxjerrë goja nga ato që të më fusin brenda”.
“Pardje
jemi shqyer gazit. Ishim në kinostudio për të parë filmin (“Nusja dhe
shtetrrethimi”-shënim). Tema e filmit ishte e rrahur dhe stërrrahur, se si
heroina rrethohet nga gjermanët, se si çan rrethimin, etj, që është bërë bozë.
Boll me këto temat e luftës nacionalçlirimtare, i pamë dhe i stërpamë. Kaq e
pati dhe ajo. A ka ndonjë gjë të re? Unë jam kureshtare të di se çfarë do të
ndodhë te ne pas vdekjes së udhëheqësve, pasi të moshuar e të sëmurë janë. A do
ta mbajnë vallë linjën e tillë apo do të devijojnë?! Dhe po ta kesh vënë re, me
vdekjen e njerëzve të mëdhenj ndryshojnë situatat: vdiq Stalini, ndryshoi vija,
vdiq Mao Ce Duni, ndryshoi situata. Populli popull është. Ku merr vesh ai se
ç’bëhet. Udhëheqësit i dinë gjërat. Të lidhemi me këtë apo të prishemi me atë.
Unë mendoj se shtetet e mëdha nuk mund të rrinë pa na u afruar se kanë interes
pozitën tonë strategjike. Do të na afrohet ndonjë, do të na bëjë lajka dhe ne
do të afrohemi. Pastaj do të prishemi me ta. Nuk e di, nuk e di, por se si do
të bëhet pas vdekjes së udhëheqësve tanë, nuk e imagjinoj dot. Po lëre pastaj
për komunizmin që nuk e besoj fare, më duket se është vetëm një frazë e
thjeshtë”.