Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Doku i ushtarit
E marte, 08.02.2022, 06:54 PM
Doku i ushtarit
Nga
Kastriot Dervishi
Në
mbledhjen e fundit të E. Hoxhës në Byronë Politike, të datës 12.2.1985, janë
ngritur probleme të shumta për çështjen e industrisë së lehtë. Anëtarë të
Byrosë dhe të ftuar, flasin me kompetencë për çështjet të rrushit, rakisë,
kavanozave, leshit, etj. Midis të tjerash, merret vesh se edhe ushtarët ishin
të zhveshur dhe se doku leninist i deformonte uniformën, e cila shëmtuar dhe pa
shije ishte edhe ashtu. Pjesë nga biseda:
Shoku
Prokop Murra (ministër i Mbrojtjes Popullore): Edhe doku shoqja Vito, hyn
menjëherë në ujë, ushtarëve u ngushtohen rrobat, nuk i mbërthejnë dot dhe
dashur pa dashur. Shkelin disiplinën në paraqitjen e uniformës ushtarake.
Shoku
Ramiz Alia: Nga pikëpamja e projektit, shoqja Vito, a mund të shpejtohet
filatura e stofrave të leshta dhe ai i bëjmë dot ballë ne nga ana e ndërtimit?
Se po e ndërtuam më shpejt, ma merr mendja që qeveria do të gjejë fondet, duke
lënë një gjë tjetër mangut dhe t’i sjellë makineritë.
Shoqja
Vito Kapo (ministre e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, e ftuar): Filatura e
pambukut dhe ajo e leshit, janë dy objektet më të mëdha që kanë fondet më të
shumta.
Shoku
Enver Hoxha: Po atëherë ç’do bëjmë me ushtrinë? Që të reduktojmë këtë fabrikë,
duhet të reduktojmë edhe kërkesat e ushtrisë për veshmbathje.
Shoqja
Vito Kapo: Ne duhet ta ndërtojmë atë, se ndryshe do të pranojmë që t’i sjellim
nga jashtë tekstilet për rrobat e ushtrisë.
Shoku
Hekuran Isai (ministër i Punëve të Brendshme): Edhe neve, shoqja Vito, 15 mijë
kostume verore për ushtarët e kufirit nuk na i keni dhënë. Po vjen prilli dhe
s’kemi çfarë t’u japim ushtarëve. Batanijet po ashtu. Mushamave po u hyn uji
nga të gjitha anët. Këpucët grisen shpejt. Pra, ky është një problem shumë
serioz që duhet ta shikojmë, se nuk mund ta lëmë kufitarin tonë të vishet më
keq se ushtari jugosllav.