Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Përvjetori i një ekzekutimi
E hene, 31.01.2022, 08:06 PM
Përvjetori i një ekzekutimi
Nga Kastriot
Dervishi
Ahmet Manxhar Hoxha (12.2.1940-31.1.1979), nga
Kolonja e Gjirokastrës u dënua tre herë nga regjimi komunist, në vitet 1958,
1963 dhe 1978, përkatësisht me 20, 25 vjet dhe me vdekje. Herën e parë u
arrestua në shtëpi i akuzua për tentativë arratisjeje në grup. Herën e dytë u
arratis nga Reparti nr.309 Rubik së bashku me Demir Shkozën (u dënua me vdekje
dhe u pushkatua) dhe Kujtim Aliajn. Herën e tretë u arratis më 10.10.1978 nga
Reparti nr.303 Spaç së bashku me Sali Çakon.
Ahmeti vuajti gjithsej 20 vjet, 7 muaj, 15 ditë
burgim. U arrestua më 16.6.1958 kur ishte 18 vjeç dhe u ekzekutua kur ishte 39
vjeç. Siç shkruante edhe vetë, nga koha e gjatë e burgimit “vuante nga njëmijë
sëmundje”. Sot, në përvjetorin e ekzekutimit të tij, rikujtoj fjalët para
pushkatimit:
“Zoti prokuror! Unë dua t’ju them se ju si shtet
nuk jeni në rregull. Mblidheni mendjen. Shqipëria është e ndarë në dy pjesë.
Pjesa më e madhe ndodhet jashtë Shqipërisë nën Jugosllavi, kurse ju këtu po
vrisni njëri-tjetrin. Unë e kam urryer këtë regjim që në fillim se është një
regjim që ka ardhur në fuqi me gjak dhe prandaj nuk e dua. Kam qenë armik i
këtij pushteti dhe i kësaj partie dhe jam armik i kësaj partie se ka ardhur në
fuqi me gjak dhe me gjak e ka mbajtur, por edhe me gjak do mbarojë”.
Në foto galeria e Spaçit, prej nga u arratisën
dy të dënuarit në vitin 1978.