Vërtetësi
Kastriot Dervishi: 1924/Parlamenti shqiptar nuk mbajti zi për Leninin, deputetët u tallën me propozimin
E premte, 04.02.2022, 08:22 PM
1924/Parlamenti shqiptar nuk mbajti zi për Leninin, deputetët u tallën me propozimin
Nga
Kastriot Dervishi
Më
4 shkurti 1924 në Kuvendin Kushtetues të Shqipërisë (kati i dytë i Akademisë së
Shkencave sot), në fillim të mbledhjes deputeti Rauf Fico propozoi mbajtjen e
zisë për nder të presidentit amerikan Willson, si një detyrim moral ndaj
përkushtimit të tij ndaj çështjes shqiptare. Fill pas mbajtjes së kësaj zie,
deputeti Jashar Erebara-sekretar i Kuvendit, i shtyrë nga Avni Rustemi në
pushim të seancës, kërkoi mbajtjen e zisë edhe për Leninin meqë sipas tij ai
paska qenë për një “Shqipëri të madhe”. Kërkesa e Erebarës shkaktoi një
ilaritet në sallë për faktin se Lenini ishte bolshevik dhe se të gjithë e dinin
se ky propozim nuk ishte i tij. Në këto kushte për të mbrojtur drejtpërdrejt
këtë propozim, e mori fjalën vetë Avni Rustemi. Fjala e tij nga historiografia
komuniste është marrë sikur ai i imponoi Kuvendit Kushtetues mbajtjen e zisë
për Leninin. Ndërsa në një film artistik kushtuar Avni Rustemit jepet në krahun
tjetër të sallës Ahmet Zogu i inatosur. Në fakt kjo i bën nder Ahmet Zogut, por
e vërteta është se sipas procesverbalit, ai nuk ka qenë fare i pranishëm në
këtë seancë, por është shprehur kundër këtij propozimi jashtë Kuvendit
Kushtetues kur çdo gjë kish mbaruar. Nga sa kuptohet në fjalët e deputetëve,
zia në Kuvendin Kushtetues nuk është mbajtur për Leninin por për Vani Cico
Kosturin, familjes të të cilit i është dërguar edhe një telegram. Nga kjo del
që është vetëm falsifikim ajo që është thënë sikur në Kuvendin Kushtetues të
Shqipërisë është mbajtur zi për Leninin.
Mbledhja e 7-të e
Kuvendit Kushtetues. E hënë 4 shkurt 1924
(Deputetët që mungonin:
Ahmet Zogu, Aqif Elbasani, Fahri Rashid, Faik Konica, Ferid Vokopola, Hoxha
Kadri, Izet Didra, Jan Papadhopullo, Kostaq Kotta, Kostaq Paftali, Kristaq
Kosturi, Lon Llogori, Milto Tutulani, Nikollaq Zoi, Pandeli Evangjeli, Sami
Vrioni, Shazivar Alltuni, Terenc Toçi)
RAUF FICO: Zoti kryetar! Pa hyrë
në bisedimin e rendit të ditës, dua të bëj një propozim. Me hidhërim morëm vesh
se ish-kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës W. Wilsoni vdiq. Duke marrë
parasysh shërbimet e mëdha që i ka bërë Shqipërisë, propozoj të bëhen 5 minuta
pushim si shenjë hidhërimi edhe t`i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së
të ndjerit.
(Pranohet.
Bëhen 5 minuta pushim dhe pas 5 minutash mbledhja mblidhet prapë).
JASHAR EREBARA: Para se të hymë në
bisedim, propozoj të bëhen 5 minuta pushim edhe për Leninin, se në qoftë se
Willson-i do të flitëte për të mirën e Shqipërisë, ma tepër do të flitëte
Lenini për një Shqipëri të madhe.
(Ilaritet
në sallë)
AVNI RUSTEMI: Më vjen shumë keq zoti
kryetar që kur përmendet emri i Leninit dëgjohen qeshje nga ana e disa
përfaqësuesve të kombit. Nuk dua që Shqipëria të jetë bolshevike, sepse gjendja
dhe pozita e saj nuk e do, por për principet e larta njerëzore duhet që me një
respekt të zihet në gojë emri i tij. E dini fare mirë zotërinj, se qysh ai
mbrojti principet e larta të njerëzisë e se qe i pari që denoncoi traktatin e
fshehtë të 1915 që ishte për copëtimin e Shqipërisë. E dija se propozimi i bërë
prej zotni Erebarës nuk do të pranohej, por neve megjithatë e kemi për detyrë
të propozojmë që të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi për vdekjen e
tij.
EQREM VLORA: Për nderin e kaq mijë
shpirtrave që theri me duar të tija?…
ALI KËLCYRA: Zoti kryetar! Në këtë
rast që po nisim të bëjmë 5 minuta pushim për njerëz të huaj, më duket se do të
ishte më e drejtë të bëjmë edhe 5 minuta pushim për ata që kanë derdhur gjakun
për krijimin e Shqipërisë e që këtë tokë e kanë vaditur me gjakun e tyre. Mbasi
sot po shkojmë nga jeta në armiqësi dhe e intrigave fqinjore, propozoj të bëhen
5 minuta pushim për Vani Cico Kosturin, të cilit i kanë dekë të vrarë i biri
nga ana e grekëve dhe i nipi nga ushtria turke dhe t`i hiqet një telegram
ngushëllimi familjes së tij.
(Bëhen
5 minuta pushim dhe pas 5 minutash mbledhja mblidhet prapë).