Vërtetësi
Kastriot Dervishi: Dom Mikel Beltoja, kleriku i fundit i ekzekutuar me vdekje, me vendim gjykate
E marte, 01.02.2022, 10:05 PM
Dom Mikel Beltoja
Nga
Kastriot Dervishi
Hilë
Gjergj Gjoni, lindur në vitin 1935 në Beltojë të Shkodrës, i njohur ndryshe si
Dom Mikel Beltoja është kleriku i fundit i ekzekutuar me vdekje me vendim gjykate.
Regjimi e bëri shembull sepse ai ushtronte fenë edhe pse ajo ishte ndaluar.
Madje sendet e tij, ia ekspozoi popullit. Është fiksuar kjo foto teksa fëmijëve
dhe kooperativistëve iu tregoheshin orenditë që përdorte kleriku. U arrestua më
19.4.1973. U akuzua në bazë të neneve 64 (tradhtia ndaj atdheut) në kombinim me
nenin 10 (përgatitja dhe tentativa), nenit 73/1 (agjitacioni dhe propaganda),
nenit 239/2 (kundërshtimi përfaqësuesit të pushtetit) dhe nenit 185 (mashtrimi,
d.m.th. feja konsiderohej “mashtrim”). Gjykata e Rrethit Shkodër, me vendimin
nr.229, datë 4.9.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje, pushkatim. U la
në fuqi me vendimin nr.1775, datë 6.12.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së
Lartë. Nuk pranoi të nënshkruajë kërkesë për faljen e jetës. Presidiumi i
Kuvendit Popullor në mbledhjen e datës 30.1.1974 refuzoi t’i falë jetën. Në
mungesë të dokumenteve të tjera plotësuese, d.m.th. praktikës së ekzekutimin, e
cila nuk është gjendur, besohet se vrasja të jetë bërë më 1.2.1974. Te rasti i
Hile Gjonit, spikat qëndrimi i qartë antikomunist, i demonstruar në sallën e
gjyqit dhe botërisht. Ai ishte i akuzuar, por akuzoi publikisht klikën e Enver
Hoxhës dhe regjimin e tij antikombëtar. Në vendimin e Gjykatës së Lartë, ndër
të tjera thuhet: “Ai është shprehur haptazi kundër sistemit kooperativist, në
mbrojtje të armiqve të popullit, kriminelëve të luftës, etj., udhëheqësit e
partisë dhe të shtetit i ka quajtur servilë dhe të shitur në vendet e tjera.
Haptazi gjithashtu, ka deklaruar ndër persona të ndryshëm se në qoftë se do të
ndryshojë gjendja politike e vendit ‘nuk kam çka të bëj tjetër, vetë se këto
komunistët dhe me i pa jo të pushkatuar, por me i gri copa me brisk rroje’.
Bile edhe gjatë hetimit si dhe gjykimit të çështjes, i gjykuari ka mbajtur të
njëjtin qëndrim armiqësor, gjë që vërteton se ai është i vendosur në rrugën e
tij prej armiku të betuar të pushtetit popullor”.