Kulturë
Zekerija Ibrahimi: Libër me vlera të larta multidisiplinore
E hene, 31.01.2022, 08:33 PM
Libër me vlera të larta multidisiplinore
(Dy fjalë për librin “Variacione gjuhësore” të
Dr. Avzi Mustafës)
Autori
me mjaft hollësi i trajton edhe çështjet e faktorëve që kanë të bëjnë me
mësimin e gjuhës së mjedisit, duke i përmendur një varg faktorësh, që në
përgjithësi na japin një pasqyrë bukur të qartë për atë se zhvillimi i
sociolinguistikës te ne po merr përmasa serioze shkencore
Nga
Zekerija Ibrahimi
Profesori Avzi
Mustafa, që përmes titujve tashmë të botuar ka bërë emër në fushë të metodikës,
didaktikës dhe sociolinguistikës te ne, kësaj radhe para lexuesve shqiptarë dhe
maqedonas paraqitet me një titull të ri, i cili, po sikur titujt e mëparshëm, i
sfidon qarqet shkencore të ambientit tonë.
Ky libër në fakt
paraqet një përmbledhje të punimeve me të cilat autori ka marrë pjesë në
simpoziume shkencore ndërkombëtare, rajonale dhe nacionale, ndërsa para botimit
ai ka bërë edhe një revidim të atyre teksteve, për të na dhënë kështu një vepër
që për nga vlera nga është vlerësuar si vepër multidisiplinore, sepse prek në
disa fusha shkencore me të cilat autori është marrë edhe më parë.
Vepra që
funksionon në të dyja gjuhët, pra edhe shqip, edhe maqedonisht, ngase në të
janë dhënë të përkthyera të gjitha tekstet në të dyja gjuhët, është e ndarë
edhe në dy pjesë tematike: në pjesën e parë që autori e ka titulluar
socio-linguistikë trajtohen çështje që kanë të bëjnë me aspektet sociale të
përdorimit të gjuhës. Në to, për shembull, flet për mënyrën e komunikimit të
bashkëshortëve në familjen shqiptare, mënyrat sesi ata e emërtojnë
njëri-tjetrin në mosha të caktuara, pastaj bën fjalë për aspektet gjinore të
përdorimit të gjuhës, që të dyja lirisht mund të trajtohen edhe në studimet
bashkëkohore gjinore që tashmë kanë marrë hov në shumë shoqëri. Në këtë pjesë ai
trajton edhe tema pastër linguistike, si ato kur flet për interferencat
leksikore që krijohen në të folmen e shqiptarëve të Maqedoni si pasojë e
ndikimit të gjuhës maqedonase, ku me theks të veçantë ndalet në dubletet e
tipit helm-otrov e shembuj të tjerë që po ashtu janë mjaft të
rëndësishëm në fushën e sociolinguistikës. Në këtë kuadër autori me mjaft
hollësi i trajton edhe çështjet e faktorëve që kanë të bëjnë me mësimin e
gjuhës së mjedisit, duke i përmendur aspektet shoqërore, pastaj ndikimin e familjes,
të religjionit, të motivacionit dhe stimulimit, që në përgjithësi na japin një
pasqyrë bukur të qartë për atë se zhvillimi i sociolinguistikës te ne po merr
përmasa serioze shkencore.
Në pjesën e dytë,
që autori e emërton glotodidaktika, që nënkupton mësimin gjuhëve të dyta, në rastin tonë të gjuhës së
a.q. të mjedisit, autori me mjaft sukses u qaset yshtjeve që kanë të
bëjnë me përvetësimin e gjuhës së dytë. Këtu bën fjalë për përvetësimin e
maqedonishtes nga ata që e kanë shqipen gjuhë amtare. Aty në bazë të një
statistike të realizuar me nxënës të shkollave të mesme të Tetovës dhe
Gostivarit, arrin në përfundime mjaft interesante për nivelin e njohje së
gjuhës së dytë, si dhe për natyrat e përdorimit të kësaj gjuhe nga folësit më
të rinj. Në këtë pjesë janë botuar edhe tekst në lidhje trajtimin e gjëegjëzave
arumune shqipe, turke e maqedonase, që flasin në të mirë të lidhjes gjuhësore
ballkanike, që viteve të fundit, pas botimit të Gjuhësisë ballkanike të
Shaban Demirajt, ka dalë në shesh si një çështje mjaft m,e peshë në studimet e
lidhjeve gjuhësore ose si quhen nga linguistët në studimet e gjuhëve në
kontakt. Aty shihen qartë këmbimet ndërkulturore të mikrostrukturave gjuhësore,
siç janë gjëegjëzat, që në mënyrë të njëjtë a të ngjashme shfaqen në të gjitha
gjuhët që janë në kontakt në këto hapësira. Në këtë pjesë mund të lexohen edhe
temat në lidhje me interferencat gjuhësore midis këtyre gjuhëve, si dhe
çështjet e gjuhës akademike në raport me gjuhën e përditshme e kështu me radhë.
Marrë në përgjithësi,
libri “Variacione gjuhësore” i Pror. Dr. Avzi Mustafës paraqet një kontribut të vyeshëm në sociolinguistikë, aq
më shumë që është i pari i këtij lloji në hapësirat tona dhe i pari që i shtron
problemet në këtë rrafsh në studimit shkencor.