E marte, 15.10.2024, 10:25 AM (GMT+1)

Kulturë

Sylejman Aliu: 'Populli qen' i Rexhep Qosjes

E diele, 30.01.2022, 05:01 PM


“Populli qen” i Rexhep Qosjes

Nga Sylejman Aliu, 2002

Rexhep Qosja i rikthehet letërsisë, shkruan profi Xhevat Lloshi në shpinë të librit pamflet “I ringjalluri i penduar” të Rexhep Qosjes. Ky konstatim i këtij profi vjen si një britmë gëzimi e këtij penëshkruesi shpinëlibrash dhe, kjo britmë gëzimi shpërndahet si jeh “historik” brenda periudhës më të sëmurë, në të cilën ka mbetur “babai” i vetëquajtur i kombit – Rexhep Qosja. Si “baba i kombit”, natyrisht është i prirë, edhe të jetë i sëmurë nga virusi vdekjeprurës i vetvetes, por edhe si një “autoritet”, i cili sa herë dëshiron mund ta shkërdhejë kombin. Në librin e tij “I ringjalluri i penduar” e pati këtë qejf që edhe një herë, për të njëminjtën herë, ta shkërdhejë kombin. Kombi i tij është vetëm ai i “revolucionit të e vonuar demokratik” të cilët u ngritën dhe e shkërdhyen për vdekje Shqipërinë, të cilët u ngritën dhe e shkërdhyen për vdekje kombin, që u ngritën dhe e shkërdhyen “zonjën e rëndë, të cilën burrat e dheut e quanin nënë”. Pjesa tjetër e kombit, pjesa më e madhe e tij, nuk janë gjë tjetër pos “një fermë qensh”, që do të thotë, sipas këtij autori dhe sipas “librit” të tij pamflet neuropsikiatrik “I ringjalluri i penduar”, i cili e “riktheu në letërsi” këtë autor serial të pamfleteve, është vetëm një grumbull qensh në fermën e kryeqytetit. Ta ilustrojmë këtë sëmundje të tij me vetëm disa të thënme të vet autorit në “librin” e tij pamflet “Ringjalluri i penduar”, me të cilin ai “iu rikthye letërsisë”, e në të cilin flet për ardhjen e Skënderbeut në Kosovë. Ai thotë: “Por, ja, ishte shkruar që para se të mbërrinte në Kryeqytet, Skënderbeu të përjetonte befasinë më të befasishme në këtë udhëtim të këndshëm prej pikës kufitare deri në kryeqytet. Pikërisht atëherë kur priste që para syve të tij të shpërthente pamja e Kryeqytetit do të shohë çka nuk kishte pritur dhe çka në asnjë mënyrë nuk kishte ëndërruar se do të shihte: fermën e qenve!… Qen të të dy gjinive: të gjinisë mashkullore dhe të gjinisë femërore. Në qoftë se pamja e jashtme është e mjaftueshme për të caktuar gjininë e qenit, atëherë do të mund të thuhej  me siguri të plotë se numri i qenve meshkuj ishte shumë më i madh se numri i kudrave, i bushtrave, i kuçkave, i qeneve! Asgjë e çuditshme: gjithmonë e gjithkund mes qenve duhet të ketë edhe qene. Nuk shumëzohen as nuk frymëzohen pa to.” (faqe 60-73).

E kuptoni tash se ç’popull qen ka Kosova? E kuptoni se, sipas këtij autori, Skënderbeu erdhi në kryeqytetin e Kosovës, i cili s’qenka gjë tjetër, përveç një ferme qensh? E kuptoni se ky grumbull qensh, që qenka populli ynë, me lotin më të pandalshëm të gëzimit dhe të entuziazmit doli ta priste Skënderbeun, jo me të lehura qensh, jo me të kafshuara qensh. Edhe lotin e gëzimit, edhe pritjen e madhe të heroit, z. Qosja këtë popull e përjetoi si fermë qensh. Vrapi i popullit, vrapi i “qenve meshkuj dhe i kudrave”, për ta sjell dhe për ta pritur Skënderbeun në Prishtinë, s’e kishte lënë të shquhej vrapi, dashuria dhe heroizmi neuropsikiatrik i këtij vështruesi qensh. Qen e kudra ishin të gjithë, përveç tij. Ishin edhe zyrtarët, edhe pjesëtarët e TMK-së, edhe të ShPK-së, edhe qytetarët-popull. Të gjithë. Nuk ishte vetëm Qosja. Meqenëse Skënderbeu, megjithatë nuk deshi të ikte dhe të mos rronte asnjë çast të vetëm në këtë fermë qensh, rrjedhimisht edhe ky, pavarësisht nga “pendimi”, është bërë një qen. Është bërë qen, sepse nuk deshi të ndahej nga populli i tij. Nuk janë qen vetëm ata që ndahen nga populli, nuk janë qenë as ata që e urrejnë popullin e vet qen, siç është lartëmadhëria e tij neuropsikiatrike Rexhep Qosja. Rrjedhimisht nuk janë qen as serbët e Serbia, as grekët e Greqia, të cilët ishin frymëzuesit dhe organizuesit e “revolucionit të tij të vonuar demokratik”.

Ai thotë se “Gjithmonë e gjithkund mes qenve duhet të ketë edhe qene. Nuk shumëzohen as nuk frymëzohen pa to”. E shihni? “Babai i kombit” edhe nënat tona, që lindin fëmijë, “që shumëzojnë” kombin, i quan qene, i quan kudra, i quan kuçka, kurse pjellën e tyre të shumtë, të zorshme, e quan: numër klyshësh. Klyshë qensh, klyshë kudrash, e quan rininë e Kosovës! Vetëm nëna e tij, vetëm gruaja e tij, që ishin nëna, nuk lindën qen, nuk lindën kudra, nuk lindën klyshë. Nënat e tjera, gratë e tjera lindën qen, lindën kudra, lindën kuçka. E shihni se ç’thotë ky “baba i kombit” për nënat tona, për gratë tona të shëndosha dhe të plleshme? Thotë e tha diçka më të rëndë se krimineli Sheshel i Beogradit. Ai gratë shqiptare nuk i quajti kudra, nuk i quajti kuçka, nuk i quajti qene, por i quajti lavatriçe. Posa Beogradit do t’i bie në dorë ky libër i këtij autori patologjik, do ta përkthejë në gjuhën e tij, e cila nuk mbushet me lehje qensh, siç mbushet, sipas këtij autori, gjuha shqipe me të lehura dhe me kafshime qensh të popullit të Skënderbeut, i cili, po të mos ishte në bronz, këtë libër do ta konsideronte si një pordhë të një njeriu, i cili barkun e sëmurë e jashtëqitës e mban në kokë.

Kush mund ta shpëtojë nga kjo vetësëmundje këtë njeri? Askush. Le ta lëmë atëherë në një pavion të veçantë tërbimi, por gjithnjë duke u kujdesur që ai të mos e ketë asnjë kontakt me “fermën e qenve”, siç e quan ai popullin e vet. Popullit “qen e kudra” më shumë ia ka ënda të rrojë e të bashkërrojë me Skënderbeun. Populli “qen e kudra” është shumë i shëndoshë. Edhe më i shëndoshë do të jetë, kur ky autor patologjik do të skajohet në një skutë pavionesh të të vetësëmurëve mentalë, i cili ka vendosur ta helmojë popullin e tij “qensh e kudrash”.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora