E diele, 03.11.2024, 12:00 AM (GMT)

Kulturë

Timo Mërkuri: Poezia e Jusuf Gërvallës është si dashuria

E marte, 25.01.2022, 08:29 PM


POEZIA E JUSUF GËRVALLËS ËSHTË SI DASHURIA, NDJEHET EDHE KUR NUK KUPTOHET

Me rastin e botimit të vëllimit me poezi të zgjedhura të Jusuf Gërvallës “DHEMBJE TË NDRYDHURA”.Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2022

Nga Timo Mërkuri

I- Takimi im me poezinë e Jusuf Gërvallës ngjan me rënien e një gjethi peme mbi supe, me një ecje nëpër pyll vjeshtës së vonë. Veçse ajo ditë nuk ishte vjeshtë, por një ditë fundmaji e vitit 1982,në kafen e Hotel Turizmit në Kukës, kur bashkëbiseduesi im (poeti B.C.) para se të ngrihej nga tavolina për të ikur, nxori nga çanta një fletore të trashë me kapak kafe dhe pasi e hapi diku, grisi prej saj një fletë të shkruar dhe ma zgjati duke më thënë: lexoje kur të kesh kohë, është e Jusuf Gërvallës.

U pamë sy ndër sy dhe lehtë tunda kokën në shenjë miratimi. Pas pak, ula sytë mbi fletën e shkruar dhe nisa të lexoj. Ishte një poezi e stilit absurd, me një veshje metaforike, nëpërmjet vargjeve të së cilës bartej tek unë një ngrohtësi. Nuk e di pse copa e letrës më ngjau si një gjeth i përzhitur lisi të të ri, tëvetmuar, goditur nga rrufeja, diku te trungu, pranë tokës.

Ndoshtaky përfytyrim m’u krijua nga forma e copës së fletës, që grisja e shpejtë i kishte dhënë një formë të parregullt, por që përafronte me formën e një gjethi lisi, ndoshta nga ngjyra e saj që luhatej mes një kafe të thellë përzier me një të verdhë të lehtë, tipike e gjetheve që i prek për një pjesë sekonde vala e një zjarri të madh, apo nga ndjesia e një dridhjejeqë më shkaktoi leximi i shpejtë i poezisë. Këtë ndjesi e riprovova pas dy ditësh në Sarandë kur një tjetër poet (A.M.) më dha dy-tri poezi të tij. Për hir të së vërtetës duhet t’ju them se leximi i këtyre poezive më ngjalli një ndjenjë të trazuar, pikërisht nga forma moderne e tyre, ndaj “i arkivova” diku në kujtesë “për t’i lexuar më vonë”.

II-Në kujtesën time kjo ngjarje kishte zënë një shtresë të trashë pluhuri harrese, ndërkohë që rënia në dorë e përmbledhjesme poezi të zgjedhura “Dhimbje të ndrydhura” të Jusuf Gërvallës, këto ditë në dyzet vjetorin e vrasjes së tij më tërhoqi vëmendjen. Fakti i botimit tëlibrit si dhe fakti që këtë përmbledhje e përgatitidhe parathënien e hartoi Prof. Anton Nikë Berisha më shtyu ta lexoj me vëmendje.

Qysh në poezitë e para ndjeva përsëri atë ngrohtësi dhe dridhje të mëparshme, por këtë herë e “pashë me sy” burimin e saj. Madje qysh në vargjet e para tëpoezisë së parë “Fletë testamenti” të krijohet përshtypja se je në një hije lisi pranë një burimi dhe një dridhje si nga mornicat të përshkon trupin tek lexon vargjet:

në zgjimin tim më të heshtur të më ngurosin

në flijimin tim më të begatshëm të verës

në nisjen time në fillimin tim të ri

në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë

le të më lënë të fle qetë si pranë stufe

dimrit të madh të dashurisë sime […]

kurrë të mos më vijnë kur unë nuk i pres

ata që tërë jetën i prita, të dashurit.f. 19-20.

Poezia e Jusuf Gërvallës është si dashuria, ndjehet edhe kur nuk kuptohet. Është e vështirë të kuptosh menjëherë poezinë e tij nën atë veshje dhe kuptim metaforik, me një stil poetik absurd dhe surreal. Megjithatë e ndjen menjëherë poezinë në vargjet e tij, ashtu siç ndjen aromën e mimozave në bulevard. Ndjen këtë aromë dhe kthen kokën të shohësh lulet, ndjen poezinë në vargjet e shkruara dhe nis e “kërkon” atë mes metaforave. Jo vetëm kaq, por te poezia e Jusuf Gërvallës ngrohtësinë e vargjeve e ndjen si një ngrohtësi të brendshme të vetë poezisë, dhe jo një ngrohje e jashtme. Duhet të ndjesh dhe të kuptosh vargjet e tij poetike që të ndjeshngrohtësinë që ato përcjellin në vetëdijen tënde gjatë leximit. Duhet të ndjesh ngrohtësinë e vargjeve që të kuptosh poezinë dhe më pas të njohësh poetin sepse: “Poezitë përcaktojnë poetin, jo opinionet për të”. Të duket se nëse heq një varg nga një poezi e tij absurde dhe hyn vetë shpirtërisht në të, do ndjehesh komod mes vargjeve. Në fakt, ky ështëqëllimi i poetit, shprehur në këtë stil modern, ta bëjë lexuesin pjesë të poezisë së tij.

Jusuf Gërvalla është poeti i imazheve dhe përjetimeve, i mallit dhe dashurisë, i dhimbjes dhe i vdekjes, sa vetjake aq edhe universale. Vargu i tij është i çiltër dhe i sinqertë, buruar nga një shpirt i ndjeshëm lirik, madje edhe kur përmban një stres të grumbulluar nëpër “vjeshtëra” padrejtësish e synon të dalë, del siç del një lumë nga shtrati kur rritet niveli i ujërave, qetësisht kapërcen argjinaturat e ngritura. Në tonalitet, poezia e tij është si një ligjërim bisede me tone të ulëta, me një urtësi të shquar, të moçme, pa nivele të larta revolte a proteste, pavarësisht se në thelb ato kanë forcë revolte të mbrujtur brenda fjalëve dhe metaforave nëpër vargje, madje një revoltë me një dendësi të jashtëzakonshme. Një revoltë poeti, që gjëmon në heshtje dhe tutjekohë- jetës së tij. Natyra e qetë e poezisë së tij, në kundërshti me jetën dhe aktivitetin e tij politik të vrullshëm dhe pasionant dëshmon për një kulturë të poetit dhe vlerësim për estetikën e vargut. Poezia e Jusuf Gërvallës ka butësinë dhe melodicitetin e jetës së tij si gazetar dhekëngëtar, jetë e cila i mbante “fshehur” vrullet dhe pasionet.

III- Kur vështrohet poezia e Jusuf Gërvallëslind pyetja: pse poeti përdori vargun absurd, që dhe pa ato, ishte poezi moderne?

Duke gjykuar kohën e krijimit të poezisë të Jusuf Gërvallës (vitet 70 gjer në fund të vitit 81) dhe sidomos kushtet në të cilat e krijoi këtë poezi, kohë dhe kushte që përkojnë me periudhën e akumulimit të madh të pakënaqësisë popullore ndaj shtetit serb dhe të ravijëzimit të protestave popullore (viti ‘81), përfundojmë se poezia e absurdit u zhvillua në Kosovë në kushte specifike ekstreme social-politike, kohë që kërkonte detyrimisht që dhe poetët duhej ta thoshin fjalën e tyre të vetme, “fjalën poetike” …Mund t’i merrni fjalët e mia/e të niseni nëpër botë/Unë s’kam guxim /Kuptoj se pa dritën e tyre/ Nuk do ta di rrugën nëpër dritë” f. 60.Sigurisht që në kushtete kohës ata duhej ta“mbulonin” idenë e poezisë, por këtë mbulim e realizonin më së miri nëpërmjet metaforizimit të vargjeve. Tjetër kund ishte synimi i poetëve kosovarë në përdorimin e poezisë së absurdit. Ishte koha kur në Evropë kjo lloj poezie ishte arritja më e madhe e atëhershme poetike, ishte “çlirimi i poezisë nga vargonjtë racionalë i imagjinatës njerëzore[1]”.

E parë në këtë këndvështrim dhe Jusuf Gërvalla e poetët bashkëkohës të tij e shihnin dhe e trajtonin poezinë absurde si arritjen më të lartë të poezisë moderne, ndaj dhe lëvrimi i saj prej tyre ishte synim i ngritjes së nivelit të poezisë shqipe në Kosovë në nivelet evropiane, ishte synimi i prezantimit në Evropë të poezisë shqipe në nivele “të barabarta” me poezinë evropiane dhe për pasojë, prezantimin e kulturës së popullit shqiptar si një kulturë e natyrës dhe niveleve evropiane, në kundërshtim me propagandën serbe.

Leximi me vëmendje i poezitë absurde të Jusuf Gërvallës (por dhe të poetëve bashkëkohësve të tij), na paraqet së pari nivelin e lartë artistik të tyre, që parë në kohën kur janë shkruar, është shumë lart e larg nga poezia që lëvrohej në Shqipëri.

Së dyti stili absurd i poezive të Jusuf Gërvallës s’ka mënjanuar asnjë nga objektivat e tij poetike si: shpalosja e gjendjes shpirtërore dhe revoltës etj. sepse në poezi ato qëndrojnë si “shkëmbinjtë brenda një mali”, të paraqitura nën metafora dhe simbolika që të hutojnë me dritën e tyre befasuese… “Të ëndërrova./Shkëmbin tënd e ka futur në gji mali” f. 32,në zgjimin tim më të heshtur të më ngurosin” f. 19,ka gëlltitur llavë ky durimi im/ e di do t’ më vish kur të vijnë stinë lulesh” f. 21,..”Një si dhembje, një ankth që më kujtoi/ Hapësirë të paanë të atdheut në zinxhirë/Që shpërlahet në liqenin e lotëve”,“E prangat në këmbë, me krikllimin shekullor/E trazojnë gjithë letargjinë e liqenit” f. 22, “ka njerëz të çuditshëm sot kudo në botë/ ka varre për këta njerëz në tokën e shkelur të Kilit” f. 28.; “atje e di një diell sërish do të jetë kokë / e koka përsëri do të varet në valën e parë/ pikëllimi na paska qenë këtu i vetmi margaritar”f. 67, “Eja të mbyllemi në kupën e zezë hermetike/U lodhëm më duke u puthur me gjarprin” f. 54 etj.

Madje edhe me këtë veshje metaforike autori ka arritur të japë poezi të fuqishme si “Besa” që të rrëqeth shtatin me idenë dhe vargjet:

Duert më janë vrazhdësue tue u zvarë

N’për muret e jetës – si thnegël.

Zani m’âsht marrë – si magjupes

që darsmavet përsëriti.

Mushkënitë baltë më janë mbushë

tue notue nëpër brraka – si bretkosë –

Po, ani se, udhërrëfim t’ardhmënisë

në zemër kam ndry një fjalë të nderitf. 87

Sigurisht që kjo ishte dëshmi e talentit të poetit, e kulturës së tij dhe këmbënguljes për të krijuar poezi të rrafshit të epërm.

IV- Në parathënien e tij Prof. Anton Nikë Berisha konstaton se Jusuf Gërvalla përdor me sukses atë që e quan “pamje poetike[2]” dhe këtë ne mund ta ilustrojmë me shumë poezi të librit si: “E largëta” f. 115, “Dashuria” f. 112, “Buzëqeshja” f. 100, “Kulla” f.99, “Pamje nga jeta e fshatit”f. 88, “Paradreke kambanarësh” f. 91 etj. Ne duhet të themi se“pamja poetike” nuk është e re në poezinë shqipe, ndonëse shumë rrallë është folur për ‘të. “Pamje poetike” është përdorur me sukses në letërsinë e Rilindjes dhe sidomos nga Naim Frashëri, qoftë te poema “Bagëti e Bujqësi” në të cilën jep në pamje poetike të idealizuara për natyrën, jetën dhe shoqërinë shqiptare me synim të caktuar që të rriste dashurinë për Shqipërinë, qoftë dhe te poema “Histori e Skënderbeut” në këngë të ndryshme. Po kështu dhe te Andon Zako Çajupi e gjejmë “pamjen poetike” te “Fshati im” ku paraqet pamje poetike e jetës sociale të kohës apo te poezia “Misiri” dhe më pas “pamjen...) e gjejmë te Poradeci. Bukurinë, ngrohtësinë dhe natyrshmërinë e “pamjes poetike” të Naim Frashërit i gjejmë te Jusuf Gërvalla, por me një mbizotërim metaforash moderne.

V- Duke qenë se te krijimtaria e Jusuf Gërvallës, paraqitur te kjo përmbledhje gjejmëpoezi me shtrat te këngët popullore si “Trëndelinë erëmirë moj”, kënga”O kjo anë e lumit”, me motive myzeqare[3],vargje të veçanta apo shtresë baladashte disa poezi të tij, shohim se poeti temat dhe motivet i ka nga burimi etnik dhe tradita jonë letrare, duke dëshmuar se e ka nisur krijimtarinë e tij artistike nga arti i popullit, si gjithë poetët e mëdhenj. Sigurisht që nga një poet me një nisje të tillë, me kulturë dhe talent në rritje si kultura dhe talenti i Jusuf Gërvallës është e natyrshme që ne të kërkojmë “majën” e tij poetike, arritjen e tij më të lartë. Çuditërisht këtë “majë” poetike nuk po e shohim as te ky libër përmbledhës, ku sigurisht ka shumë poezi të realizuara mjeshtërisht, por pa u ngjitur mbi një nivel dominues ndaj të tjerave. Madje ka një dukuri specifike edhe te poezitë e tij tipike si “Shtatë net në Dubrovnik” ku shtatë poezitë mund të shihen edhe si një poezi me shtatë “strofa”, por mund të shihen edhe si shtatë poezi me një temë. Kjo ndjenjë të përftohet edhe te poezia “Ka akoma poetë” f. 27-28, “Dita” f. 29-30, “Baladë për shevarin” f. 44-49 etj.

Për të gjetur shkakun e moskonkludimit mbi një “majë” poetike të arritur nga poeti, le të shohim jetën e tij. Lind në 1 tetor 1943 dhe vritet në Shtutgart, 18 janar 1982 në moshën 38 vjeç e disa muaj. Pra jeta e tij ndërpritet pikërisht në moshën kur talenti i tij poetik ishte nënjë ngjitje, ndërkohë që poezitë e gjer atëhershme ishin krijuar në një moshë në rritje. Ishin krijime të moshës dhe talentit që“përsosej”dhe jo të moshës dhe talentit që “jepte”. Figurativisht mund të themi se Jusuf Gërvalla ishte një fidan lisi në rritje, por “rrufeja” e goditi pikërisht në moshën e fidanit kur po bëhej lis dhe jo në moshën e lisit.

Pra, atentati i 17 Janarit 1982 ndërsa ishte një atentat vrastar ndaj jetës së një njeriu, një veprimtari, një luftëtari, një idealisti ai ishte edhe një atentat ndaj një poeti dhe poezisë së tij. Në qoftë se flasim për poezinë e tij të botuar si për një poezi shqipe moderne dhe meditojmë mbi faktin se atë poezi e ka krijuar një poet që ishte në moshën e të eksperimentuarit dhe të përfeksionuarit  të krijimit poezi (cilësore të rrafshit të epërm), mendoni dhe imagjinoni se çfarë poezie, si nivel dhe sasi do kishte krijuar po t’i kishte shpëtuar atij atentati. Po të kishte ndodhur kjo mrekulli, ne sot nuk do kishim vetëm një idhull poetik, por mbi të gjitha do kishim një poet që do na përfaqësonte denjësisht në botën letrare, do na nderonte kombin dhe kulturën tonë në botë dhe do ishte një pikë referimi e letërsisë botërore.

Sarandë, më 22.01.2022



[1]Shih Anton Nikë Berisha, Parathënie, f. 13.

[2] Anton Nikë Berisha, Parathënia, f. 13.

[3] Prej nga e mori motivin fillimisht I.Kadare, tekstin e të cilit JusufGërvalla e bëri këngë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora