Kulturë
Mark Kalaj & Davita Çoku: Nikaj - Mërtur, ku çel lulja përmbi gur
E enjte, 20.01.2022, 08:19 PM
Nikaj - Mërtur, ku çel lulja përmbi gur
(Një guidë në vendin e origjinës)
Nga Mark
Kalaj & Davita Çoku
Duke u marrë me historikun e fshatit Kthellë-Epër dhe të
familjes time Kalaj. m’u zgjua kureshtja për të mësuar më shumë për rrënjët e
mia. Në vitin 2008, në librin Kthella-Epër, pata shkruar: “Gjithnjë, nëpër
hullinë e gojdhënës, rreth shekullit 16, në fshat erdhi fisi i kalajve. Ata
u pranuan në fshat si të barabartë, në kojrie, pa të drejtë për të hyrë në
tokën nën ujë dhe pa të drejtë vathi. Kalajt, me origjinë nga Malësitë
e Veriut,(Malësia e Gjakovës), ishin vendosur në fshatin Skuraj, fis
me Ukhasanët. Një komandant ushtarak turk, me 12 zaptie, ishin ngarkuar për
mbledhjen e taksave nëpër fshatra. Lakmia e tij për vajzën e madhe, i errësoi
arsyen dhe kapërceu normat njerëzore, duke i kërkuar vajzën, por jo për nuse.
Shtëpia e madhe e Kalajve, mbushur plot 9 djem të rritur, u tërbua. Si do ta kapërcenin
këtë kob, ndaj vendosën të hakmerren. Pasi mbushën me kashtë e barot katin e
parë të shtëpisë, u çojnë fjalë zaptijeve, të vijnë për darkë për t’i plotësuar
dëshirën komandantit.Fëmijët dhe gratë i larguan nga shtëpia. Përgatitja qe e
plotë dhe e studiuar mirë. Pas gostisë, ku rakia dhe vera u derdhën lumë, e
ushtarët dhe komandanti kishin arritur kulmin e kënaqësisë, në kullë shpërtheu
flaka. Kush arriti të largohet nga zjarri, gjeti vdekjen në pritat e ngritura.
Asnjë prej të trembëdhjetëve nuk shpëtoi i gjallë... Kalajt ju drejtuan
malësisë dhe zunë vend në Shullanin e Arëve Kalaj, në Kthellë-Epër. Kalajt u
shpërndanë edhe në Dibër, Mat, Shkodër Kosovë etj. Me siguri, ata, nuk e
kishin menduar se stërnipi i tyre, pas më shumë se 400 vite do të kërkonte rrënjët nga ka ardhë?!
Një detaj i ri për origjinën
Para disa viteve, kur po vazhdoja pushimet në plazhin e
Durrësit, marr një telëfonatë. Matanë telefonit dëgjova: “Jam Mark Palnikaj, -
më tha, - kam nevojë me të takua”. Profesor Marku ishte një studiues e
hulumtues dhe kishte publikuar shpesh në rrjetin social, rezultatet e zbulimeve
të tij, por personalisht nuk njiheshim. E lamë takimin tek një kafe në Unazën e
re të Durrësit. Ai erdhi me një shok, kurse unë mora me vete vetëm librin
Kthella-Epër të cilin mendova t’ia dhuroj.
-Po përgatitem për të bërë një monografi të zonës së
Nikaj –Mërturit,- më tha. – Gjatë gërmimit në arkivat e Vatikanit, vura re se
për një periudhë 200 vjeçare, Rreth viteve 1500-1700), Nikaj-Mërturi kishte vetëm 24 shtëpi. Emrat
ndryshonin ndër vite, por shtëpitë as nuk ishin shtuar as nuk ishin pakësuar.
M’u desh të ndjek familjet që rridhnin nga kjo zonë dhe gjeta ngulimet e tyre të reja, në Gjakovë, Pejë, Prizren etj. Ndër ta, ndoqa
Gjobardhin, i cili ishte ngulë në Skuraj. M’u desh të takoja një plak 90-vjeçar
nga dera e Gjobardhëve në Skuraj i cili më tha: “Ne Gjobardhët e kemi
prejardhjen nga Nikajt e Tropojës në Malësinë e Gjakovës. Jemi një fis me
Kalajt e Kthellës-Epër dhe me Ukhasanët e Milotit”.
U binda se thëniet e gjyshit tim dhe hulumtimet e
Profesor Mark Palnikaj, përkonin në një pikë. Origjina e fisit të Kalajve është
nga Nikaj –Mërturi.
Rinjohje me Frrok Vukajn
Thonë se vetëm mali me mal nuk piqen, se njerëzit takohen
një ditë. Punoja në shkollën 9- vjeçare nr.2,
në Rrëshen, nëndrejtor. Në shkollë u paraqit profesori i njohur Musa
Kraja, i cili shoqërohej nga një person tjetër, të cilin nuk e njoha, por me
shkathtësinë që e karakterizon, bëri
prezantimin dhe mori iniciativën për të folur. Dukej njeri
fisnik, që në veshje, në pamje, në elegancë, por një të folur letrar me
theks karakteristik të Tropojës. Flokët
e drejta, të dendura, por të thinjura, trupi i gjatë dhe i drejtë, e tregonin
më të ri se mosha që kishte. Kishin kaluar rreth 45 vite, nga koha kur të dy
vazhdonim shkollën e mesme pedagogjike “Sh.Juka”, jo në të njejtin vit, por
emri i tij më tregonte diçka që e vuri në lëvizje memorien time.
Jam Frrok Vuka, më
mban mend,- m’u drejtua.- Kemi qenë bashkë në pedagogjike.
Me siguri ishte interesuar që më parë, për të gjetur
ndonjë nga shokët e tij të pedagogjikes “Sh.Juka” Shkodër.
Mark Kalaj. – ju prezantova unë.
Të kujtoj shumë mirë, Mark, m’u drejtua dhe natyrisht
kërkoi edhe mbështetjen time.
Nga ajo kohë u takuam edhe herë të tjera, shkëmbyem
numrat e telefonit dhe ruajtëm lidhjen.
Shkas për një lidhje më të fortë u bë motra ime,Davita, e cila gjatë pushimeve në kavalishencën e
ushtrisë në Durrës, para dy viteve, u miqësua , si shoqe pedagogjikese të
Elbasanit me Dilën, gruan e Frrokut, një pukjane, nga mësueset e
dalluara të zonës së Nikajve, një grua që me qëndrimin, fjalën, sjelljen, të
impononte respekt.
Indicje për një guidë në
Nikaj-Mërtur.
Kisha shkëmbyer një bisedë telefonike me Frrokun. Më tha, se kishtë dalë në vendlindje me gruan,
Dilën dhe do të qëndronte deri nga vjeshta atje. Një mëngjes, kur po kthehesha nga kafja e mëngjesit, bije
zilja e telefonit dhe përsëri Frroku. Zëri i tij m’u duk më entusiazt dhe i vendosur:
“Ka folë dhe Dila me Daviten dhe të mora,
pasi kam dëshirë të vini bashkë me motrën Davite, të rrimë këndej, pasi është fresk. Kemi kushte normale për ju dhe bëjmë ndonjë vizitë
këtyre malësive. Mos e humb rastin, pasi
në shtëpi jam vetëm unë dhe gruaja, fjetjen e kemi normale, kurse për
ushqim, nuk do të shpenzojmë ndonjë gjë
të madhe, ato që kemi për vete, shtëpia e zotit dhe e mikut”.
Të them të drejtën, që kur kisha dëgjuar se prejardhja
jonë ishte nga Nikaj-Mërturi, isha bërë kurioz ta njoh këtë zonë, vendin e
origjinës time, rrënjët e mia të hershme. Kisha qenë vetëm një herë në vitin
2014, një natë në luginën e Valbonës, por atëherë sapo kishte filluar turizmi i
aventurës dhe duhej të pronotoje për fjetje disa kohë më parë, ndryshe
rrezikoje të mbeteshe jashtë. Ishte një rast që duhej shfrytëzuar, pasi nuk
përsëritesh më, aq më tepër se unë tashmë kam dhe moshë e cila nuk do të më
lejonte ta bëja këtë guidë. I përgjigja se do ta diskutoja, por nuk i premtova,
për arsyet e mija familjare. Në dilemën mes dëshirës dhe mundësisë, mora në
telefon motrën Davite, caktuam datën për nisje , ditën e premte datë 6 Gusht
2021.
Në Luginën e Valbonës
U nisëm me mikrobuz të linjes, nga Tirana për Bajram
Curr. në orën 8 të mëngjesit. Pas një
udhëtimi të këndshëm nga Gjakova, arritëm në qendër të Qytetit Bajram Curri në
orën 14.00. Na u shfaq para sysh, një
qytet i rilindur, një qendër e rikonstruktuar, me pedonale qëndisur me gurë të
bardhë të bjeshkëve, Bacë Bajrami madhështor, shtëpia e Kulturës, shkolla e
mësme, qendra e komunës, fasada të pallateve të freskuara, me trotuare të
rregulluara me shije, fytyra njerëzish të qeshur. Njerëz nëpër kafene, djem e
vajza të gjatë e të hijshëm, tek ecnin serbes. Sapo na lindi ideja për një foto
me Bacë Bajramin, shfaqet i qeshur dhe na uron mirëseardhjen Frroku.
Dreka, në një nga restorantet e qendrës, ishte e
thjeshtë, por me një dashamirësi nga personeli i shërbimit dhe ushqimi me
shije. Frroku kishte porositur Fredin, një djalë të ri të fisit të tij, që do
të na shoqëronte me benzin e tij, për në
Luginën e Valbonës. U nisëm pa humbur kohë. Rruga ishte e asfaltuar, e
mirëmbajtur dhe ndaleshim aty këtu për të bërë foto e për të shijuar bukuritë
mahnitëse të kësaj lugine, që për nga bukuria nuk gjen shoqe tjetër në glob.
Pothuaj, gjithë lugina kishte pësuar ndryshime gati të pakrahasuesme. Secili
prej banorëve të Luginës kishin rikonstruktuar shtëpitë, i kishin përgatitur
për bujtina. Pjesa e sipërme e luginës, ishte bërë një qytet i vërtetë, me
bujtina për turistët, ndërtuar me shije, kryesisht me dru dhe të pisura më së
miri. Lugina kishte gjallëri. Lëvizjet e makinave ishin të shumta dhe turistë
të huaj dhe vendës ishin plot. Malet e
thepisura dukej sikur qëndronin mbi kokë, bora ende ishte prezente, një fllad i
lehtë të përtërinte shpirtin. Trofta rritej në rezervat, resortet po merrnin
dorën e fundit, U ulëm në hijen e bredhëve dhe në flladin e tyre shijuam kafenë
e pasdites. Furgonët pritnin gati për guida më në veri, kurse njerëzit e
shërbimit kishin nxjerrë paisjet e tyre edhe në terren të hapur. Pas fotove të
aparatëve, u kthyem në zonën për ku
ishim nisur, në Nikaj –Mërtur.
Shtëpia e Frrok Kolë Vukës
Në shtëpinë e Frrokut, makina arriti rreth orës 7
të mbrëmjes. Deri ku ndahej rruga e Lekbibajve me të Mërturit rruga ishte e
asfaltuar. Përpara, na doli, duke buzëqeshur, e zonja e shtëpisë, mësuese në
pension, Dila. Na uroi
mirëseardhjen. Shtëpia e Frrokut, në hyrje të fshatit Shëngjergj ishte e
mirëmbajtur dhe plot dritë. Vitin e kaluar kishte rikonstruktuar çatinë. Na
gostitën me të gjitha të mirat e një
tryeze malësie dhe me shpirtin e pastër e me shumë ngrohtësi. Ishim të lodhur,
por bisedat na e larguan gjumin deri afër mesnatës. Fjetja ishte shumë e
rehatëshme dhe nata e freskët që të detyronte të përdorje batanien.
Mëngjesi i të nesërmes ishte i freskët. Hodhëm krahëve
edhe ndonjë bluzë për t’u mbrojtur nga ndonjë ftomë. Dila përgatiti një ushqim
karakteristik i zonës, mazë, (një
lloj qulli me miell misri dhe me gjalpë), shumë e shijshme. Nuk munguan gjalpi
, mjalti, djathi i dhisë, qumështi i lopës,
kastraveci, speci i skuqur, të gjitha të krahinës, të freskëta dhe me
shije.
Guida në krahinë
Shetitja e ditës nisi në rrugën automobilistike të
fshatit, një rrugë e pa asfaltuar, nën freskun
e pyllit të gështenjave, arrave dhe lajthive që kishin nisur të
piqeshin. Ishte rruga e zakonëshme që kishte bërë Dila çdo ditë për në shkollën
e fshatit Shëngjergj. Ndërkohë ne
bisedonim me Frrokun i cili kishte shërbyer si mësues e Drejtor i shkollës së
mesme në Lekbibaj për një kohë të gjatë. Ai e njihte mirë zonën, fliste me
nostalgji për të, pse jo dhe me mburrje. Përballë nesh, në krahun e djathtë të
lumit të Nikaj -Mërturit, vinin me radhë fshatrat e zonës së Nikajve: Lekbibaj,
Peraj, Gjonpepaj, Curraj, Curraj i Epërm dhe Qeresh.
Krahu i majtë i lumit, këtu ku ishim ne,
ishte krahina e Mërturit me fshatrat Shëngjergj, Btoshë,
Tetaj, Raja, Palc, Salcë dhe Brisë.
Rreth tyre, ngriheshin me shpate të thikëta malet rreth
2000 m të larta si: Mali i Kakisë, Rruku, Maja e Hekurave,
Maja e Korës. Curraj i epërm, rrethohet nga Maja e Boshit, Mali
i Zhabores etj. E vetmja Qafa e Kolshit e lidh këtë zonë me Luginën e
Valbonës. Me krenari Frroku, thotë se
asnjë pushtues nuk arriti të vendosë pushtetin në këtë zonë. Është një zonë
katolike, por me mbiemra të ndërthurur,
për arsye të mbijetesës në kohën e pushtimit turk. Një zonë me zgjuarsi
natyrale, me njerëz të mençur që kanë dhënë kontribut të shquar në zgjidhjen e
problemeve. Zona e Nikaj Mërturit mburret me mendimtarët popullorë: Nikë
Mengja, Deli Sokoli, Tunxh Myftari, (Bajrajtari i
Mërturit), Kukel Ndou i Currajve të Epër, etj. Shkuam në qendër ku
ishin shkolla, ambulanca dhe varret e fshatit. Vetëm banorë kishte pak.
Kjo zonë është shumë arsimdashëse me etje të madhe për
dije dhe kulturë. Këtu, në fshatin Gjonpepaj, është hapur edhe shkolla e parë
në krahinën e Gjakovës, në vitin 1917,
me mësues Atë Nikoll Kolën. Shkolla dikur kishte gjallëri. Në shkollën e
mesme të bashkuar të Lekbibajve, para viteve 90-të kishte mbi 600 nxënës. Nga
statistikat e grumbulluara del se në gjithë zonën kanë mbaruar arsimin e lartë
mbi 800 vetë. Këtu kanë lindur e rritur, njerëz të përmendur, me kontribute në
fusha të ndryshme të ekonomisë dhe shkencës si: Beqir Ndou, pjesëmarrës
në LANÇl dhe zv. Ministër i brendshëm, Filip Meshi, doktor i shkencave
veterinare, Kolë Tahiri, profesor
doktor i shkencave pedagogjike, Gjin Ndrepepaj, doktor i
shkencave mjekësore, Murat Geci, doktor i shkencave pedagogjike, Lush
Përpali, doktor i shkencave ekonomike, Ndoc Paplekaj, doktor i
shkencave albanologjike, Zef Mulaj, doktor i shkencave farmaceotike, Marash
Hajati, drejtor i RTSH, Gjin Progni, drejtor i qytetit Studenti, Ndue
Ukcama, gazetar e drejtor i departamentit “Bota shqiptare” e lista mund të
zgjatet pafund. Frroku më dhuroi librin e tij “Rrugëtim arsimdashës i
Tropojës”, një libër me vlera studimore e shkencore.
Disa probleme për turizmin
Për nga bukuritë natyrore, Zona e Nikaj-Mërturit, nuk mbetet shumë prapa luginës së Valbonës,
Shpatet e thikëta, uji i lumit, si kristali,
malet e larta, kanionet e ngushta, pyjet e dendura të gështenjave, të shpardhes dhe të bungës,
format e larmishme të relievit, bjeshka ku verojnë bagëtia, e ku çel lulja përmbi
gurë, e bëjnë këtë zonë një bukuri
mahnitëse për ta vizituar. Zona e Currajve
–Epër, e Gjonpepajve kanë një bukuri të
veçantë. Këtu ndërthuret forma natyrore e relievit me punën e palodhur të
njeriut, me ato pak copa tokash të mbjella me pemë e me bimë të shumta që ja
shtojnë bukurinë krahinës. Ndonëse rruga
përmes liqenit të Fierzës e ka gjallëruar disi lëvizjen e njerëzve, Në Luginën e Nikaj
–Mërturit, rrugët nuk mungojnë, bile
shkojnë pothuaj në çdo shtëpi, por vetëm deri në qendër të Lekbibajve rruga është e asfaltuar, pjesa tjetër nga
zona e Mërturit, rrugët janë të paasfaltuara. që mund të vizitohen vetëm me
makina të larta (fuoristrada) Shtëpitë e fshatit shumë pak, kanë nisur të
rikonstruktohen, për të pritur turistë.
Rruga e pashtruar që ka lidhur dy luginat Valbonën me Nikaj –Mërturin), e ka
gjallëruar disi lëvizjen, por vetëm një lokal tek stanet është disponibël për
turistët. Makinat private të transportit jo gjithnjë plotësojnë nevojat e
turistëve të kësaj zone, prandaj më e
mira është të lëvizësh me mjete të larta personale. Gjithë ajo pasuri natyrore
e lënë pas doe. Zona është shpopulluar.
Asnjë zile bagëtish, asnjë tufë nuk shihet kësaj zone. Njerëzit duket se
janë në dilemë, të pavendosur, nëse do të ingranohen e do t’i ruajnë trojet e
të parëve të tyre, apo do të largohen përfundimisht. Nuk është e lehtë të investosh e të
shpenzosh, kur nuk je i bindur se paratë e hedhura do të jenë efikase. Pak
parcela arësh janë mbjellë, shumë pak shtëpi duket se janë të vendosura për të
qëndruar besnike kësaj zone që ka rritur
breza të tërë. Shpresojmë se do të ndjehet dora e pushtetit vendorë dhe
qëndrorë, për t’i dhënë gjallërinë e duhur edhe kësaj zone turistike, duke u
dhënë më shumë mbështetje për
investuesit private.
I dashur Frrok Vukaj,
Të falenderoj
publikisht, për iniciativën që
more dhe për mikpritjen shumë të ngrohtë dhe miqësore. Falenderoj shumë edhe
bashkëshorten tënde, Dilën për shërbimin dhe të na fali mundin e lodhjen për të
na krijuar kushte sa më të përshtatshme.
Po e mbyllim këtë shkrim, me shpresën se në guidën tjetër, ndryshimet do
të jenë të prekshme dhe problemet që ndeshin sot njerëzit për të vizituar këto
perla të natyrës shqiptare, do të zgjidhen, me një dorë më të ngrohtë të të
gjitha instancave shtëtërore që merren me turizmin në Shqipëri. Shumë të fala
dhe përgëzimet tona.
Mark Kalaj – Davita
Çoku
Datë 10.08.2021