Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Si e njohëm Jusuf Gërvallën
E marte, 18.01.2022, 10:54 PM
SI E NJOHËM JUSUF GËRVALLËN
Nga
Timo MERKURI
Emri i Jusuf Gërvallës u bë i
njohur në Shqipëri vetëm pas vrasjes së
tij më 17 Janar 1982 në Shtutgart së bashku
me të vëllanë (Bardhoshin) dhe një veprimtar tjetër (Kadri Zekën). Lajmi
u dha zyrtarisht dhe bëri bujë të madhe në popull edhe për faktin se për vrasjen
u akuzua direkt UDB Jugosllave.
I-Pas këtij lajmi, vërshoi nëpër rrugë
jo zyrtare informacioni se: Jusuf Gërvalla ishte një i ri kosovar, aktivist politik që po
organizonte diçka të madhe për Kosovën dhe se para vrasjes kishte qenë në
Tiranë, ku ishte takuar edhe me Udhëheqësin. Madje pëshpëritej se arsyeja e vrasjes së tij “paskësh” qenë fakti
pse ishte takuar me Udhëheqësin, i cili i paskësh dhënë disa direktiva,
realizimi i të cilave do t’i sillte Kosovës lirinë. E trajtuar në këtë mënyrë
ngjarja, shihej si provë e vërtetësisë së
mësimeve dhe porosive të udhëheqjes së
vendit mbi veprimtarinë antishqiptare të shërbimeve sekrete të
shtetit fqinjë dhe ishte “këmbanë alarmi për vigjilencë revolucionare”.
Pak më vonë qarkulloi një tjetër
informacion, sipas të cilit Jusuf Gërvallahynte
e dilte shpesh në vendin tonë, ku takohej me udhëheqjen dhe merrte direktiva e literature,
informacion ky që mbështeste teorinë se Tirana e kuqe ishte qëndër e lëvizjes
botërore për liri, ndërsa Jusuf Gërvalla ishte një njeri i angazhuar
politikisht, një tip “ilegali” me kobure në brez dhe askund nuk u përmend se
“koburja” e tij ishte pena dhe kitara.
Dikur qarkulloi fjala se ai ishte edhe
gazetar i disa organeve qëndrore të lëvizjes majtiste kosovare në Prishtinë, dhe mqse u hodh në qarkullimnjë fotografi e
tij me kitarë në dorë, gazetarit ju
shtua edhe emërtimi”këngëtar”, por pa u sqaruar në se ishte këngëtar i muzikës
së lehtë apo i ndonjë gjinie tjetër. Hamendësimin e përfolur si këngëtar i
këngëve epike e prishte kitara në dorën e tij, ndaj nuk ju mëshua shumë këtij
aspekti. Veçse ndërkohë kishte rrëshqitur fjala se ky djalosh ishte dhe poet, por meqenëse poezitë e tij nuk ishin
vlerësuar (ata që i kishin parë) në përputhje me vijën e socrealizmit,
instruktorët e partisë morën direktivën që të sqaronin popullin se: ai vetëm sa
krijonte tekstet e këngëve që këndonte bashkë me shokë nëpër piknike dhe
mbrëmje vallëzimi. Sikur bëhej gjithçka që Jusuf Gërvalla të mos prezantohej në
popull si një poet, sikur egzistonte një frikë e fshehur nga poezia e tij.
Përkundër frymës zyrtare të kohës,
poetët flisnin nën zë me njeri tjetrin duke e vlerësuar Jusuf Gërvallën si një
poet të rrafshit të epërm të poezisë shqipe, me një poezi moderne, me një
ligjërim lirik në poezitë e tij me temën e mallit, të dashurisë, të dhembjes,
të vetmisë dhe se ai ishte një zë i patjetërsueshëm në poezinë shqipe.
Në ato vite isha me punë në Helshan të
Kukësit dhe në shërbimet e mia në Kukës apo në kthim nëpër Fajza, nga miqtë e
mi poetë më ranë në dorë poezitë e para
të tij. Mbaj mend që i lexova disa herë, por as unë nuk u fola shokëve që m’i
dhanë dhe as ata nuk më folën mua për vlerat e asaj poezie. Madje edhe kur
shkova me leje në Sarandë, në bisedat me krijuesit saranditë, porsa përmendej
emri i Jusuf Gërvallës si poet, bisedën e mbulonte heshtja.Ishte koha e
bashkë-bisedimit në heshtje.Një miku im (A.M.) më dha disa poezi të tjera të
Jusufit. Në heshtje m’i dha ai, në heshtje
ia ktheva pas dy ditësh, pasi i kisha lexuar e kopjuar. Do jetë e para herë në
historinë e letërsisë që një poet vjen në heshtje te poetët e tjerë dhe
lexuesit e tij, ndonëse kjo ishte një heshtje
gjëmimtare.
Të kuptohemi, heshtnim ne, heshtte gjithë
inteligjenca shqiptare dhe populli, ndonëse instruktorët e partisë flisnin
gjithmonë nëpër mbledhjet e Frontit dhe organizatave të masave, por e folura e
tyre përplasej në heshtjen masive, siç përplaset lakuriqi i natës në shkëmb kur
del gabimisht nga shpella e errët në dritën e ditës.
Pas një “heshtjeje” të thellë për
“vetëvrasjen“ e ish kryeministrit të vendit në mesin e dhjetorit të kaluar (1981), kjo heshtje intelektuale ishte si dëbora e re
që zë dëborën e një viti më parë, duke krijuar një akullsi. Ishte një ftohje e
frikëshme.
II-Unë i lexova poezitë e Jusuf Gërvallës
që më ranë në dorë në Kukës dhe në Sarandë, por nuk mund të them që u
mrekullova.Është më e saktë që t’ju them se u hutova.U hutova nga stili,
metafora dhe struktura e vargjeve të këtyre poezive, të cilat kishin një si
dritësim në brendësi të tyre, që mua më duhej të përqëndrohesha për ta “parë”.Ndoshta
vlen të kujtojmë se hyrja e poezisë së autorëve kosovarë te lexuesi shqiptar,
diku aty rreth viteve ’80, fillimisht me një antologji poetike dhe më pas me
përmbledhje të zgjedhura të një sërë poetësh të njohur ishte një dritësim
tronditës në qiellin e poezisë shqipe. Poezia që lëvrohej në atë kohë në
Shqipëri i ngjante atyre kishave të vogla pa dritare[1],në
të cilat ndezja e qirinjve pranë ikonave të turbullonte pamjen e tyre, veç
faktit që asfiksonte të pranishmnit. Në këto kisha vogëlane dëgjohej vetëm zëri
i priftit dhe i dhjakut kur këndonin liturgji apo lexonin ungjillin dhe gjithë
të tjerët bënin kryqin me një “amin” të njëzëshëm.
Ndërkohë hyrjanë vendin tone në vitet
’80 e poezisë kosovareme metaforat dhe stilin e saj, ishte si të hapeshin
dritare të mëdha dhe të zgjerohej porta te“kishat e vogëla”, duke lejuar
depërtimin e dritës dhe ajrit të
freskët, të cilat zgjeruan frymarjen dhe shikimin e poezisë shqipe. Atëherë i
pamë të qarta “ikonat” e mbuluara nga tymi dhe “rason” e lerosur të ”priftërinjve”,
atëherë nisi “herezia” e vërtetë poetike.
III-Ndërkohë që rreth emrit të Jusuf Gërvallës
fliste heshtja dhe “heshtëte”
propaganda, befas në një manifestim publik, udhëheqësi i partisë dhe i
shtetit nxori në tribunë dhe e mbajti pranë vetes një vajzë të vogël reth 10
vjeçare, e cila i dhuroi një tufë
karafilash, prurë nga Gjermania. Menjëherë u përhap lajmi se kjo vajzë[2], të cilës udhëheqësi i partisë dhe i shtetit i
përkëdhelte flokët në tribunë, ishte vajza
e Jusuf Gërvallës. Askush nuk pyeti për të rikujtuar se kush ishte ky
njeri. Emrin e tij e kishim në kujtesë si emrin e një martiri a të një shëntori,
ndonëse fizikisht të panjohur.Pas këtij informacioni zëulët populli u
elektrizua, shpërtheu në brohoritje e duartrokitje të papara ndonjëherë.Ishte
shpërthimi i parë publik për shkak të emrit dhe kujtimit të Jusuf Gërvallës.
Zakonisht nëpër manifestimet e fillim majit në bulevardin kryesor të
kryeqytetit, punëtorë e fshatarë që
parakalonin të organizuar nëpër kuadrate, kur afroheshin para tribunës së
udhëheqjes: brohorisnin për partinë dhe udhëheqësin, por dendësia e
manifestimeve kishte krijuar një rutinë tonaliteti të brohoritjeve. Duhej një
event i veçantë që të rritej edhe më ky tonalitet. Prezantimi para popullit i
vajzës së martirit kosovar Jusuf Gërvalla nga vetë udhëheqësi i partisë dhe i
shtetit, duke lënë të kuptohet se
familja e Jusuf Gërvallës kishte gjetur mbrojtje dhe përkrahje në Shqipëri dhe
se këtë mbrojtje ia kishte siguruar vetë udhëheqësi, ngjalli në popull një
ndjenjë pozitive. Kështu shpjegohet që me t’u përhapur ky lajm, duartrokitjet
dhe brohoritjet para tribunës u ngritën në një oktavë të padëgjuar ndonjëherë, kuadratet e njerëzve u prishën dhe u
dyndën para tribunës. Kuadrati tjetër që vinte më pas shtoi masën e njerëzve
dhe brohoritjet para tribunës. Ndonëse brohoritjet cilësonin partinë dhe
udhëheqësin, dëgjimi mes manifestuesve i shprehjeve me fjalë plot dhimshuri
për“jetimen” dhe “të shkretën vajzë” linin të kuptohej se ato brohoritje dhe
duartrokitje i ishin adresuar asaj fëmije, e cila sigurisht nuk kuptonte asgjë,
veçse i gëzohej masës festive të njerëzve që brohorisnin dhe duartrokisnin. Në
fakt njerëzit e ndjenë se nxjerrja e kësaj vajze të vogël në tribunën e
udhëheqësit në këtë manifestim ishte një
spektakël i organizuar me synim për rritjen e vlerës sëaksioneve të partisë dhe
udhëheqësit në “bursën politike”, por populli instiktivisht paraqiti shpirtin e
tij solidar me vajzën e vogël jetime[3] .
IV-Lajmi i botimit të librit me poezi
të zgjedhur “Dhimbje të ndrydhura“ të
krijimtarisë poetike të Jusuf Gërvallës[4] nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”,
Gjilan dhe ca më tepër që përzgjedhjen e poezive dhe parathënien e ka bërë
shkrimtari dhe njohësi i thellë i artit poetik, studiuesi Anton Nikë Berisha,
është një lajm festiv. Tek i miri zgjidhet më e mira, nga më i miri zgjedhës
dhe sigurisht po i vihet në dorë
lexuesit një vepër poetike e admirueshme.
Unë e lexova parathënien dhe
përmbledhjen dhe do ta rilexoj sigurisht disa herë, duke i ftuar miqtë e
mikrijues dhe lexues ta pasurojnë botën e tyre poetike me magjinë e vargjeve të
Jusuf Gërvallës, por ajo që dua të them specifikisht është se: këto botime cilësore kaq shumë të kërkuara dhe të
domosdoshme për t’u lexuar, sidomos nga krijuesit dhe lexuesit e apasionuar të
poezisë, nuk kanë pse të mbeten monopol i lexuesve, banorë të trevave ku
botohen. Libra të tilla cilësorë si ky, duhet të vijnë edhe tek lexuesit dhe
krijuesit në Shqipëri, ashtu si dhe librat cilësorë që botohen në Shqipëri duhet
të jenë në duart e lexuesve në Kosovë e më tejë. Është një letërsi, letërsi
shqipe dhe autorët janë poetë shqiptarë që duhen njohur gjerësisht nga masa e
lexuesve.
Jo më kot fola për misterin e krijuar për
arsye jo letrare,që rrethoi emrin e Jusuf Gërvallës në fillim të njohjes së tij
nga lexuesi në Shqipëri. Madje dhe romani i tij “Rrotull” botuar në Tiranë në 1983
nuk e shpërndau“mjegullën”për arsye se nuk ju bë propogandimi dhe shpërndarja e duhur, për arsye gjithashtu jo letrare.
Prandaj miq e vëllezër, na i dërgoni
këto libra se janë edhe për ne. Jusuf Gërvalla është edhe yni sepse siç ka thënë
vetë ai:“Poeti nuk është vetëm i një treve, ose vetëm i një populli, poeti është
i të gjithëve [...] Poetët e mëdhenj të një populli, kanë qenë dhe janë poetë
të mëdhenj për të gjithë popujt[5]”.
Sarandë, më 12.01.2022
1.Egzistojnë akoma disa kisha të tilla në Jug të vendit, të
cilat pushtuesi turk qëllimisht i lejonte të ndërtoheshin të tilla...
2. Familja e Jusuf
Gërvallës erdhi ilegalisht nga Zvicra në Greqi dhe hyri në Shqipëri nëpërmjet
Pikës Kufitare të Kakavisë në datën 30 mars 1982. Komanda e Pikës Kufitare të
Kakavisë kishte marë një ditë më parë një fonogram urgjent nga Tirana për
mbrojtje dhe ruajtje të “personaliteteve që vinin” nga snaiperat serbë..
3. Kjo vajzë e
vogël ishte Donika Gërvalla, e cila gjithashtu doli disa herë edhe në koncertet
zyrtare duke luajtur si flautiste, por identitetin dhe personalitetin e saj do
ta shfaqte të plotë në vitin 1991, kur si
studente e Akademisë së Arteve do të ishte aktive në lëvizjen
antikomuniste dhe do të merrte pjesë në grevën e urisë në pranverën e atij
vitit.
4. Veprat letrare
të shkrimtarit Jusuf Gërvalla janë: “Fluturojnë e bien” (Prishtinë, 1975),
“Kanjushë e verdhë” (Prishtinë, 1978), “Shenja të shejta” (Shkup, 1980),
“Rrotull” (Tiranë, 1983), Jusuf Gërvalla: Vepra Letrare, Prishtinë: Ora, 1992.
5. Jusuf
Gërvalla, Vepra 3. Publicistikë 1. Shtëpia botuese Faik Konica, Prishtinë 2017, f. 23.