E marte, 15.10.2024, 11:18 AM (GMT+1)

Kulturë

Armela Hysi: 'Merr një varg dhe eja!'

E shtune, 29.01.2022, 07:58 PM


Mësuesja Lefteri Metko dhe nxënësit e saj, në ceremoninë e marrjes së Kupës si shkolla me më tepër pjesëmarrje

“Merr një varg dhe eja!”

Një ftesë për të gjithë

Nga Armela Hysi

Për Brikena Qamën, një aktiviste e komunitetit shqiptar në Greqi, që në mesin e viteve nëntëdhjetë kur emigroi me familjen e saj, nxënëse e saposhkëputur nga shkolla e mesme, deri më sot, një çerek shekulli pas dhe teksa e gjithë jeta aktive kulturore e komunitetit në një mënyrë a në një tjetër ka pasur përherë e kudo edhe praninë e saj, kam folur edhe herë të tjera. Kam folur për mënyrën rezultative si organizatore, për poezinë e saj dhe secilin nga katër librat e saj me nerv, për mandatin e dytë të suksesshëm si presidente e Lobit Euro-Atlantik shqiptar, për kanalin televiziv shqiptar në YouTube, Tribuna në Greqi dhe lidhjen e veçantë e ndihmën e pamat që ky televizion jep për emigrantët shqiptarë, ku edhe Brikena ka dhënë kontributin e vet; për dhjetëra nisma, aktivitete dhe arritje, sepse kudo ka vënë dorën e saj, me dëshirën për të ndihmuar e për të çuar pak më lart, ndihmën konkrete në tërë dimensionet. Jam dëshmitare e tërë aktivitetit të vet, karakterit dinamik, përpjekjeve të pandërprera për promovimin e tërësisë së komunitetit dhe si njeri i saj përgjatë udhëtimit tonë të përbashkët do mund të shkruaja dhjetëra faqe, ndoshta dhe qindra. Por sot vendosa ta ftoj Brikenën, të na dëftojë jo vetëm për kënaqësinë informatike që merr lexuesi zakonisht duke lexuar mbi arritje të diasporës dhe figura që punojnë pareshtur për të dhe rritjen e rolit të saj për një pozitë përherë e më dinamike, por për ta bërë edhe vetë lexuesin pjesëmarrës në një nismë të rrallë që përfshin të gjithë fëmijët e diasporës. Një nismë e dyfishtë e cila u drejtohet dhe dedikohet të gjithë atyre fëmijëve në diasporë që kanë dëshirë të shkruajnë në gjuhën e bukur dhe të ëmbël shqip dhe një libër Antologjik letrar për fëmijë që do jetë kjo buqetë e mrekullueshme përftuar nga ky aktivitet. Është hera e dytë që punohet në mënyrë kaq të përqendruar, kemi përherë e më tepër zgjerim dhe bashkëpunim të përzgjedhur nga faktorë të të gjithë diasporës e në shtim të vazhdueshëm, ndaj është një krenari e veçantë të përmendim këtë objektiv.

Brikena Qama - aktiviste në Komunitetin shqiptar të Greqisë

Armela: Le të marrim fjalën nga fillimi, të lëmë vetë Brikenën të na japë detajet, të ftojë miqtë e vegjël dhe familjet e tyre në këtë festë të gjuhës shqipe dhe të nisim me pak fjalë rrëfimin se ç’është kjo nismë, historikun e saj dhe për çfarë premton? Po libri Antologjik për fëmijë që do t’u dhurohet të gjithë fëmijëve ku ata do gjejnë punimet e tyre?

Brikena: Konkursi “Merr një varg dhe eja” është një ide që lindi nga znj. Elona Gjergo, Kryetare e Shoqatës artistike-kulturore “Korça”, në Athinë, këtu e disa vite të shkuar. Me edicionin e parë në vitin 2017, ky konkurs hapi siparin e një tradite që patjetër si çdo angazhim, tej dëshirës dhe entuziazmit të lindjes së një ideje të tillë, ka pasur dhe sfida e vështirësi. Konkursi u drejtohet fëmijëve shqiptarë në diasporë, të moshave 7-15 vjeç, të krijojnë në shqip. Edhe pse i titulluar “Merr një varg dhe eja”, zhanri i krijimeve është lënë i lirë, në mënyrë që fëmijët të shprehen lirshëm aty ku ata do ta kenë më të thjeshtë.

Qëllimi i kësaj nisme ishte dhe është pikërisht nxitja e fëmijëve të shkruajnë shqip, një mision që sa shkon e merr trajtën e një orteku kudo në diasporë, duke qenë objektivi kryesor i çdo organizmi apo grupimi të krijuar tej territorit të atdheut.

Edicioni i parë i konkursit ka qenë një bashkëpunim ndërmjet Shoqatës “Korça”, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Greqi “Litter-Art” dhe Shoqatës “Nënë Tereza”, në Selanik. Personalisht kam qenë e angazhuar në këtë edicion si pjesë e jurisë vlerësuese së bashku me Elonën dhe shkrimtarin e poetin, z. Novruz Abilekaj.

Ndërkohë, edicioni i dytë erdhi pas tre vjetësh, pra në vitin 2020, me bashkëpunëtorë, veç Shoqatës ideatore “Korça” edhe Shoqatën Swiss Albania Event e Lobin Euro-Atlantik Shqiptar. Ky bashkëpunim bëri që ky konkurs të hapej edhe më gjerë në Europë dhe kësaj radhe kishim krijues të vegjël nga Greqia, Italia, Zvicra, Anglia, Norvegjia, Suedia, Mali i Zi etj. si dhe kurorëzimin e tij me përmbledhjen antologjike me të njëjtin titull, të ideuar e sponsorizuar nga Lobi Euro-Atlantik Shqiptar. Antologjia u përgatit në një botim tepër cilësor në Shtëpinë Botuese “Koliqi”, nga shkrimtarja e poetja, znj. Armela Hysi, korrektore gjuhësore, znj. Eriketa Qorlazja e grafiku nga të rinjtë Xhoi e Kreshnik Keliraki, me vizatime të Kreshnikut që kanë marrë pjesë në takim ndërkombëtar për punime të fëmijëve të moshës parashkollore dhe janë pjesë e muzeut përkatës në Ksant.

Bashkëpunëtorë në këtë edicion ishin dhe janë anëtarët e nderuar të jurisë: znj. Ardita Jatru (poete), znj. Eleana Zhako (përkthyese), znj. Ornela Musabelliu (botuese), z. Besnik Camaj (poet),  z. Ndue Lazri (gazetar, publicist), prej të cilëve u dhanë vlerësimet e vendeve të parë, të dytë e të tretë, për secilin zhanër në poezi e në prozë, të ndarë mes krijuesve të vegjël nga Italia, Zvicra dhe Greqia, ndërkohë që të gjithë fëmijëve pjesëmarrës  në konkurs iu dhurua antologjia si dhe një certifikatë nderi për pjesëmarrjejen.

Tashmë jemi në Edicionin e Tretë të konkursit “Merr një varg dhe eja” dhe besojmë se do surprizohemi kënaqshëm, si dhe në dy të parët, me angazhimin, përkushtimin e fëmijëve, mësuesve, dhe prindërve, të cilët na kanë mahnitur me gjetjet, fantazinë dhe gjuhën e shkruar aq bukur në krijimet e tyre të thjeshta. Faza përmbledhëse përfundon në ditën e fundit të muajt Shkurt prandaj ftojmë të gjithë fëmijët shqiptarë, prindërit e të afërmit apo mësuesit e shkollave plotësuese të gjuhës shqipe nga tërë bota, të dërgojnë punimet e të vegjëlve me gjithë fotot e fëmijëve, por edhe ndonjë vizatim, nëse kanë dëshirë, në adresën talentetereja3@gmail.com që me shumë dashuri do të botohen në këtë antologji. Në Ditën e Librit për Fëmijë, pra më 2 Prill do të shpallim nga juria çmimet për punimet më mbresëlënëse e me fantazi, ndërkaq Antologjia me të gjitha punimet e Fazës së Tretë dhe Certifikatën e Pjesëmarrjes do t’u dërgohet fëmijëve nga organizatorët që ta ruajnë kujtim në bibliotekat e tyre. E ku i dihet, ndoshta edhe medaljet, apo kupa.

Armela: Nuk besoj se gjendet njeri në komunitetin tonë të Athinës me aktivitet kaq të gjerë, të pandërprerë dhe me shumëllojshmëri sa ti, Brikena. Mund të thuash disa fjalë mbi këtë aktivitet dhe përgjithësisht për komunitetin shqiptar në tokën helene, një ndër komunitetet më të mëdhenj të mërgatës shqiptare në të gjithë botën?

Brikena: Pikë së pari, dua të them se ka njerëz jo vetëm me kaq aktivitet të gjerë sa unë, por dhe më tepër madje, pasi dhe unë nuk kam qenë e vetme asnjëherë, pra, gjithmonë kemi qenë një grupim në ato çka kemi ndërmarrë në vite.

E them gjithmonë se aktiviteti im ka nisur si një nevojë personale, për të mbushur vetveten.

Duke qenë se emigrova në një moshë fare të re, ishte e papranueshme për mua ta shihja veten vetëm si forcë punëtore, e cila do kujdesej veç për përmbushjen e nevojave bazike të jetesës, ndaj dhe nisa të kërkoj mënyra të ndryshme për t’u bërë pjesë e grupimeve, që në atë periudhë sapo kishin nisur të merrnin hov.

Me angazhimin dhe krijimin e një rrethi miqësor nisa të jem brenda problematikave të cilat deri në ato momente i mendoja vetëm si të miat. Greqia, një vend i papërgatitur për pritjen e një fluksi aq të madh emigrantësh, pas viteve ’90 , ishte një ambient jo dhe aq mikpritës për një kontingjent të tërë që “u zaptuan” shtëpinë. Një komunitet aq i larmishëm sa dhe vetë ne, intelektualë, që iu nënshtruan punëve të rëndomta, punëtorë, të paguar me mëditje minimale, të rinj, që harruan ëndrrat dhe nisën t’u ngjanin prindërve të tyre, fëmijë, me gjuhë amtare të çalë, të tjerë që në emër të integrimit, përshtatjes, apo ku di unë, ndërruan emra e fe. Të gjitha sa përmenda, nuk mund të mos krijojnë komplekse inferioriteti e mungesë vetëbesimi, dy fenomene që është vështirë t’i dallosh te vetja si diçka që të mban peng, si një gjymtyrë e mangët që nuk ta bën të mundur ecjen me ritmin e vrapuesve të tjerë në garë dhe, ç’është më e keqja, këto fenomene transmetohen jo qëllimshëm e jo ndërgjegjshëm në brezat e ardhshëm. Mendoj se, komuniteti shqiptar në Greqi, sidomos brezi i parë i emigrantëve, është (në përgjithësi) i dhunuar psikologjikisht, ndaj asnjëherë nuk ka mundur të ndiehet njeri i barabartë mes njerëzve, të gjejë mënyrën e zgjidhjes së problemeve, format e protestës, të kërkimit të së drejtës e si i tillë, ka jetuar e vazhdon të jetojë duke e marrë të mirëqenë faktin se kjo na ra për pjesë.

Kjo ka qenë klima në të cilën kam kaluar rininë time ndaj dhe refuzova të viktimëzohem. Aty, ku siç e thashë më parë, ka qenë nevojë e imja personale aktivizimi, u bë nevojë më e madhe. Ky komunitet meritonte shumë më shumë se sa thjesht të marrë frymë, ndaj, “o burra” të organizojmë festa, kremtime të datave historike, tubime, shoqata, organizata, t’i mbledhim artistët bashkë, të realizojmë një konkurs poetik, një festival kënge, një të fjalës artistike, ta bëjmë një panair libri, një promovim letrar, një seminar për gjuhën shqipe, një ekspozitë pikture, të tentojmë të vëmë në skenë një pjesë teatrale, të ndihmojmë dikë në nevojë, etj.,etj. pra, nevoja e përmbushjes individuale u kthye në mision për ndërgjegjësim të përgjithshëm dhe çlirim nga ngërçi i inferioritetit.

Kur e kthej kokën pas shoh se e kam mbushur shpirtin tim plot, por ekziston gjithmonë një frikë nëse kam bërë aq sa kam mundur, a kam dhënë maksimumin tim, ndaj vazhdoj. Janë mbyllur dyer e janë hapur të tjera, por asnjëherë nuk e kam gjetur veten pa e vrarë mendjen se çfarë tjetër mundem.

Armela: Ç’mund të thuash për ndihmën që do donte diaspora nga shtetet mëmë, a do mund të kemi disa ëndrra të realizuara mbi rritjen e rolit por dhe pozitës së komuniteteve, sipas mendimit tënd dhe me ç’mënyrë do mund të qe ajo?
Brikena: Do kujtoj këtu romanin e mikut tim, shkrimtarit Telemak Koça, “Në bregun përballë” dhe do paralelizoj faktin e përmendur në të, kur me vendosjen e kufijve midis Shqipërisë e Greqisë, shtëpitë e dy vëllezërve, fare pranë njëri-tjetrit, mbetën njëra brenda territorit shqiptar e tjetra në territorin grek, me atë se si e mendoj unë se jemi ne “të ikurit”, trupi në një vend të huaj e mendja në atdhe. Pikërisht pse mendja është në atdhe, mbështetja e ushqimi shpirtëror duhet të vijë prej andej. Këtu e shoh unë ndihmën që atdheu duhet të ofrojë. Diaspora e ka vërtetuar historikisht se është e zonja të mbijetojë, të përshtatet, të jetë ambasadori më i vyer i kombit, të rrisë breza krenarë për prejardhjen e vet, t’i ofrojë çfarëdolloj ndihme vendit amë dhe ajo që pret është vetëm përmbushja e detyrimit që kushtetuta  e përcakton, kujdesi i shtetit ndaj nënshtetasve të vet, kudo qofshin ata, pra ndjesia e të pasurit të prindit e të një dere të hapur për birin, në çdo moment.

Por nuk është vetëm kjo që ndoshta tingëllon si tepër romantike në veshët e lexuesve, patjetër që ka një sërë çështjesh që duhet ndihma e vendit amë. Po, vendi im duhet të kujdeset për pensionin e tim eti që punoi gjysmën e jetës së vet në atdhe e gjysmën në vend tjetër, të kujdeset për shuarjen e burokracisë në këmbimin e dokumenteve ndërshtetërore, të kujdeset për investitorët që dëshirojnë të investojnë në atdhe, të kujdeset për rolin kyç të ushtrimit të diplomacisë, të kujdeset veçanërisht për mos asimilimin e brezave, e të gjitha këto jo duke u kërkuar ndere me këmbime monstruoze, jo duke luajtur tokash me shashka nacionaliste të hedhura andej-këndej, por duke u bazuar e duke përdorur si fakt të pakundërshtueshëm atë që vetë diaspora shqiptare tashmë është, një trup e një zë i fuqishëm me rol të rëndësishëm jetën sociale të vendeve pritëse. Pra, diaspora e ka përcaktuar vetë rolin e saj që në momentin që ka në gjirin e vet, artistë, mjekë, shkencëtarë, diplomatë, juristë, deputetë, por për pozitën që ajo ka duhet ende punë pasi unë mendoj se nuk është arritur e duhura. Askujt më shumë se shqiptarëve të diasporës nuk i është dashur të përballet e të luftojë me stereotipet e krijuara në dëm të shqiptarëve, e kjo është një çështje për të cilën nuk mjafton vetëm durimi, këmbëngulja e vërtetimi i herëpashershëm i diasporës aty ku ajo vepron, por dhe politikat që ndiqen nga vendi, pushteti, politika e diplomacia e vendeve amë si një dorë ndihmëse për të dyja palët në shembjen e këtyre stereotipeve, pra mendoj se këtu nis dhe rritja e pozitës së diasporës shqiptare.

Armela: Brikena Qama jeni gjithashtu një krijuese dinamike me katër vëllime poetike në më pak se tetë vjet që botoni dhe keni rol aktiv edhe në promovimin e një sërë aktivitetesh kulturore në komunitetin e Athinës, të dhjetëra librave e autorëve shqiptarë, jo vetëm të komunitetit tonë, por kudo nga Shqipëria dhe diaspora. Mendon se duhen ndihmuar krijuesit e diasporës dhe si? Çfarë është ajo që një krijues do të donte t’i thoshte shtetit amë dhe si ndikojnë në përmirësimin e figurës së emigrantit dhe komunitetit e statusit që mbart në shtetin ku ka bujtur dhe punon e rrit familjen e vet halleshumë, kur kemi përfaqësues të Letrave e Kulturës nga ky komunitet?

Brikena: Një sërë autorësh janë prezantuar me komunitetin shqiptar në Greqi, pasi vihet re një rritje e interesimit të lexuesit për ecurinë e letërsisë shqiptare duke u nisur patjetër nga nevoja e dëshira për të lexuar shqip. Po ashtu dhe organizimi, pothuajse tradicional i Panairit të librit shqip në Athinë, të cilit disa herë i janë bashkuar edhe disa shtëpi botimi, ka qenë çdo herë edhe më i suksesshëm.

Për sa i përket krijuesve shqiptarë në diasporë, mendoj se shumica prej tyre janë të ngujuar në kullat dhe odat që vetë ata kanë krijuar me njëri-tjetrin e kështu i gëzohen “lavdisë” që këmbejnë në rrethet e tyre të ngushta. Asgjë më tepër se kaq nuk kam bërë dhe unë vetë, vetëm se jam përpjekur, gjithmonë me mbështetjen e miqve të mi, t’i japim rëndësinë e duhur duke i shtuar një notë profesionalizmi çdo promovimi të një vepre letrare të sapo lindur.

Patjetër që ka emra të cilët janë vlerësuar dhe kanë pasur mbështetjen e vendit amë, do përmend dy autorë nga Greqia, Thanas Medi e Gazmend Kapllani (i fundit i zhvendosur në Amerikë vitet e fundit), por në fakt prurjet janë të shumta dhe ndoshta do duhej gjetur një formulë me të cilën do promovoheshin disi më tepër e më mirë autorët e diasporës. Ajo që mendoj është ndoshta krijimi i një këndi të librit të diasporës dhe organizimi i një eventi të ngjashëm me “Ditët e Diasporës”, ku në fokus të jetë prezantimi i prurjeve vjetore të veprave të autorëve nga diaspora. Dihet që botimet përgjithësisht realizohen privatisht dhe rrugët e prezantimit dhe shpërndarjes kryhen po privatisht, duke ecur me thasë të mbushur me libra duke bërë pazare, apo dhe pa bërë pazare fare me libraritë e pakta, ndaj mendoj se duhet një shtysë e një stimulim më i institucionalizuar për veprat që vërtet kanë vlera.

Kohët e fundit vihet re se po bëhet një punë e bukur prej “Qendrës së Botimit për Diasporën”, e patjetër të gjithë jemi lumturuar me përkthimin e një sërë veprave të autorëve shqiptarë në disa gjuhë, aty ku dhe komuniteti shqiptar është më i shumtë. Besoj se është një nismë e vyer, e pse jo, të ecet drejt përzgjedhjes së veprave edhe të autorëve me banim jashtë trojeve si një faktor i rëndësishëm i përçimit të vlerave letrare.

Ka diçka që ndoshta edhe mund të interpretohet disi si ndasi që mendime të këtij lloji mund të krijojnë, pasi dikush do të thoshte e pse duhet bërë kjo ndarje autor vendas dhe autor i diasporës në momentin që flasim për autorë shqiptarë gjithsesi, por mendoj se arsyetimi gjendet pikërisht tek pjesa e fundit e pyetjes suaj. Një krijues që mban mbi shpatulla statusin e emigrantit, që përpiqet pos përballjes me problemet e shumta që ky status të shkakton, të mos braktisë atë që në fakt nuk shërben vetëm si përmbushje e dëshirës së vet për të krijuar, por si një shkallë e rritjes së integritetit individual, të një komuniteti të tërë e më pas të një kombi në “sytë e botës”. Ndaj mendoj se veç obligimit kundrejt një krijuesi, duhet pasur një dozë e shtuar ndjeshmërie e përkushtimi për vlerësimin e promovimin e një pune të arritur me shumë më tepër mund e sakrificë, për të mos folur pastaj për një tjetër fakt të rëndësishëm, atë që një autor i cili jeton prej vitesh në një tjetër vend, me tjetër kulturë, mentalitet, traditë, patjetër pasuron artin me ndikimet e nuancat jo të tjetërsuara, por të larmishme, si një vlerë e shtuar që do mbetet pasuri e letërsisë shqiptare në të ardhmen.

Armela: Le t’i kthehemi nismës “Merr një varg dhe eja!”. Disa fjalë të përcjelljes që shpresojmë të jetë për të gjithë lexuesit dhe fillimi i një rrëfenjëze, i disa vargjeve i një pjesëmarrjeje në një libër për fëmijë që do e ketë dhuratë për të gjithë jetën dhe, edhe pse do të ketë një juri që punon në mënyrë të pa varur, dihet, siç e kemi cilësuar me aq kënaqësi, në këtë manifestim të gjuhës shqipe nga të vegjlit tanë, të gjithë janë fitues, apo jo?

Brikena: Rrëfenja jonë ka nisur të shkruhet dhe ka marrë rrugën e po bëhet përherë e më interesante me përherë e më shumë miq e personazhe që marrin pjesë me fantazinë e tyre. Prandaj ftoj dhe të gjithë fëmijët, prindërit apo mësuesit që do lexojnë këtë intervistë të dërgojnë qoftë edhe pak rreshta, një përshkrim nga atdheu, apo kudo gjetkë, një letër për miqtë a të afërmit e tyre, disa vargje, shumë dashuri për gjuhën tonë. Të gjitha krijimet do të përfshihen në libër dhe do krijojmë kështu një Antologji të re, për fëmijë, shkruar nga vetë fëmijët. Të gjithë fëmijët do e marrin dhuratë këtë libër, kështu që kjo rrëfenjë vazhdon me të gjithë ne të cilët na thithi ideja dhe qëllimi aq sublim siç është ruajtja e gjuhës sonë të moçme, mjetit më të vyer të identifikimit. Për sa i përket jurisë, ata i marrin dorëshkrimet e fëmijëve pa të dhënat e tyre personale, pikërisht që të mos dinë asgjë deri në momentin e shpalljes së çmimeve, ndërkohë që çmimet janë një nxitje, se siç e the dhe ti, Armela Hysi, të gjithë janë fitues.

Urojmë që kjo nismë të shihet kështu si ne të gjithë e shohim, si një nismë atdhetare nga prindër e mësues dhe të vijnë rreth saj sa më tepër fëmijë, tek të cilët do të mbetet një përvojë e bukur për gjithë jetën. Do shohin krijim të tyre të faqosur në një libër e ku i dihet, ndoshta do të jetë dhe hapi i parë i dikujt për të nisur rrugën e bukur të krijimit.

Elona Gjergo dhe Brikena Qama

Dhuratat për Çmimet e Para



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora