Kulturë
Kastriot Dervishi: 28 janari 1990, demonstrata e heshtur e Tiranës
E diele, 30.01.2022, 07:26 PM
28 janari 1990, demonstrata e heshtur e Tiranës
Nga
Kastriot Dervishi
Pas
demonstratave kundër Stalinit në Shkodër, një tjetër i ngjashme, e heshtur u
zhvillua në Tiranë më 28.1.1990, ora 18.00. Nga organet e kohës, nisur nga
karakteri masiv i saj, edhe kjo u mësua rastësisht pak orë para zhvillimit të
saj. Vatrat e mundshme nga buronte “veprimtaria armiqësore” ishin kryesisht:
kombinati i autotraktorëve, spitali nr.2, universiteti dhe kinostudio. Një ditë
përpara zhvillimit të demonstratës, u ndaluan nga organet e Sigurimit 110
persona. Ndaj këtyre u zhvillua një hetuesi intensive, 6 u rekrutuan me forcë.
Të gjithë iu morën deklarata me shkrim me qëllim për të krahasuar shkrimin me
letrat e traktet që ishin gjetur ato ditë. Operacioni nuk arriti të gjente cili
ishte organizatori i demonstratës. Në procedim penal, përfunduan tre persona,
të cilët ishin arrestuar teksa më 28 janar u zhvillua në mënyrë të heshtur ky
demonstrim, i cili tregoi se edhe Shqipëria nuk mund të ishte jashtë
zhvillimeve në Lindjen komuniste.
Gjykata
e Rrethit Tiranë me vendimin nr.285, datë 21.6.1990, i deklaroi fajtorë të
pandehurit në bazë të nenit 55/1 duke i dënuar me heqje lirie si vijon:
-Vasil
Qirjako Dhimitri, me 2 vjet
-Zeqir
Isuf Gollbani, me 1 vit
-Faruk
Ymer Pica, me 9 muaj
U
la në fuqi me vendimin nr.71, datë 30.7.1990 të Kolegjit Penal të Gjykatës së
Lartë.
Për
njërin nga të dënuarit, gjykata vërente: “I pandehuri Vasil e kishte humbur me
kohë besimin në vijën politike të partisë e të shtetit, ndërsa ngjarjet e
ndodhura në Europën Lindore e nxitën atë për t’u hedhur në veprime konkrete. Në
mjedise të përshtatshme i pandehuri herë pas here edhe më përpara ka folur
kundër shtetit tonë socialist, duke thënë se nuk veproi drejt që nuk i hapi
kufijtë për të dalë jashtë kush të dojë, pasi këtu është e vështirë të jetohet,
ose shtetit duhet të lejeje fenë dhe shërbimin fetar që të falen njerëz sipas
dëshirës, etj”.
Vasili
dhe Zeqiri u liruan më 10.1.1991. Faruku u lirua më 18.10.1990.