Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: 28 janari 1990, demonstrata e heshtur e Tiranës

| E diele, 30.01.2022, 06:26 PM |


28 janari 1990, demonstrata e heshtur e Tiranës

Nga Kastriot Dervishi

Pas demonstratave kundër Stalinit në Shkodër, një tjetër i ngjashme, e heshtur u zhvillua në Tiranë më 28.1.1990, ora 18.00. Nga organet e kohës, nisur nga karakteri masiv i saj, edhe kjo u mësua rastësisht pak orë para zhvillimit të saj. Vatrat e mundshme nga buronte “veprimtaria armiqësore” ishin kryesisht: kombinati i autotraktorëve, spitali nr.2, universiteti dhe kinostudio. Një ditë përpara zhvillimit të demonstratës, u ndaluan nga organet e Sigurimit 110 persona. Ndaj këtyre u zhvillua një hetuesi intensive, 6 u rekrutuan me forcë. Të gjithë iu morën deklarata me shkrim me qëllim për të krahasuar shkrimin me letrat e traktet që ishin gjetur ato ditë. Operacioni nuk arriti të gjente cili ishte organizatori i demonstratës. Në procedim penal, përfunduan tre persona, të cilët ishin arrestuar teksa më 28 janar u zhvillua në mënyrë të heshtur ky demonstrim, i cili tregoi se edhe Shqipëria nuk mund të ishte jashtë zhvillimeve në Lindjen komuniste.

Gjykata e Rrethit Tiranë me vendimin nr.285, datë 21.6.1990, i deklaroi fajtorë të pandehurit në bazë të nenit 55/1 duke i dënuar me heqje lirie si vijon:

-Vasil Qirjako Dhimitri, me 2 vjet

-Zeqir Isuf Gollbani, me 1 vit

-Faruk Ymer Pica, me 9 muaj

U la në fuqi me vendimin nr.71, datë 30.7.1990 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Për njërin nga të dënuarit, gjykata vërente: “I pandehuri Vasil e kishte humbur me kohë besimin në vijën politike të partisë e të shtetit, ndërsa ngjarjet e ndodhura në Europën Lindore e nxitën atë për t’u hedhur në veprime konkrete. Në mjedise të përshtatshme i pandehuri herë pas here edhe më përpara ka folur kundër shtetit tonë socialist, duke thënë se nuk veproi drejt që nuk i hapi kufijtë për të dalë jashtë kush të dojë, pasi këtu është e vështirë të jetohet, ose shtetit duhet të lejeje fenë dhe shërbimin fetar që të falen njerëz sipas dëshirës, etj”.

Vasili dhe Zeqiri u liruan më 10.1.1991. Faruku u lirua më 18.10.1990.