Kulturë
Ndue Dedaj: Mirdita u ngjiz nga lajmi i mirë
E diele, 30.01.2022, 05:54 PM
MIRDITA U NGJIZ NGA LAJMI I MIRË
Eseja
hyrëse e librit "Nusja mbi kalin e vdekjes", 2021
Nga
Ndue Dedaj
Mirdita,
metaforë shqiptare sipërore e ngjatjetimit, mesditës dhe lajmërimit të së
nesërmes, trevë historike, etnokulturore në zâ, me shtrirje gjeografike nga
rranzat e “Malit të Skënderbeut”, matanë rrjedhës së Matit në jug e deri në
Drin në veri dhe nga Vau i Dejës në perëndim deri në Lurë në lindje, tokë e
bekuar e Pirustëve dhe regjion katolik që nga fillesat e Krishterimit; “së
hershmi, krahinë e quajtur “bazilikane” (mbretërore), çka dëshmohet dhe nga
emërtimi “San Alexandri in Basilicano Arbanensi diocesis” (Shuteriqi), me
Ndërfandën seli të Shtetit të Arbërit, “republikë aristokratike”, “shtet i
vogël autonom”, “principatë e Mirditorëve ose Mirditasve (siç e quante Abat
Doçi), ndonëse emër relativisht i vonë (1416), lidhje politike - ushtarake për mbrojtjen
e trojeve në shkullin XVI, “krahinë vetëqeverisëse 12 bajrakëshe” dhe rreth
administrativ sa gjysma e Mirditës krahinore, pikë së pari është njeri.
Kështu
na e sjell legjenda më e hershme e saj, një njeri që rend nga prehistoria për
të krijuar në këtë truall tempullor ditën e mirë të tij, duke vjelur frytet e
tokës dhe nëntokës.
Mund
ta nisësh esenë duke i thënë Mirdita njeriut që sapo takove, i njohur a i
panjohur qoftë, apo gjithë njerëzve njëherësh, siç ka ndodhur me të parët e tu
jetë e mot. E jo vetëm brenda trojeve shqiptare, por në mbarë rruzullin, mbasi
gjithkah dihet se është një krahinë kësaj rrokullíe që ka për emër këtë
përshëndetje universale, që nuk vdaret kurrë. Nuk janë vetëm arkivat austriake,
gjermane, italiane, t’Vatikanit, angleze, franceze, kroate, turke etj. që
ruajnë dokumente historike të Mirditës së shekujve të shkuar, po dhe aspekte
mediatike nga bashkëkohësia. Në fillim të viteve ’70, në një emision televiziv
italian, pyetjes së gazetarit të njohur Mike Bongiorno, nëse kishte në Europë
një vend që quhet “Mirdita”, konkuruesi iu përgjigj përnjëherësh: “Po, gjendet
në Shqipëri”.
Kanë
filluar sa e sa poezi e poema kështu, nga përshëndetja, ndaj ne do të donim ta
endnim ndryshe metaforën tonë. Afër Rrëshenit, një kodër me lisa thirret “...ke
bubullon toka”. Ti e dije se bubullon qielli, por ja që paska një vend, për më
tepër aty ku ti rron prej gjysmë shekulli, ku bubulloka toka!... Nga se? Nga
ndonjë lumë i nëndheshëm? Nga “bubullima” e legjendave? Nga kumtet e një
qytetërimi të hershëm të shuar? Mbase ky i fundit, pasi aty janë zbuluar nga
arkeologët artefakte, qeramika të vjetra, varre arbnore të mesjetës së hershme,
teksa jemi në të njëjtin terren ku qe zbuluar përkrenarja ilire e Perlatit,
varreza arbërore e Prosekut (Kozaç) dhe në të njëjtin areal me tumat ilire të
Fushës Papërdhok (Kalor), Gomsiqen, ku Franz Nopça pati zbuluar varre romake me
tulla, përkrenare, armë etj., Vigun e kalasë fushore të Kastrit etj.
Si një fillesë biblike
Në
Iliri, paraardhësit e Mirditëve, Pirustët, nxirrnin bakër, kishin miniera dhe
punishte të metaleve të bukura (me ngjyra) dhe me arin e argjendin e nëntokës
bënin jo vetëm përkrenare, heshta e topa për të luftuar pushtuesit, por dhe
stoli për “gratë e tyre si princesha”, trashëguar deri në kohën e sotme; ku në
shekullin XX gratë e Mirditës mbanin stoli metalike, unaza e vëthë prej
argjendi, me forma pothuaj të njëjta me ato të gjetjeve arkeologjike të
mesjetës së hershme (shekujt VIII - IX) të zonës së Komanit e të Dalmaces.1
Pirustët
zejën e tyre e shtrinë dhe në Europë, në minierat e arit të Dakisë në veri të
Danubit (Rumania e sotme). Tradita mineralnxjerrëse e përpunuese vijoi dhe në
mesjetë me minierat e Bulgrit dhe Fandit, të cilësuara si kroje argjendi. Nëpër
Rubikun e arit kalonte rruga “transballkanike” e antikitetit, që lidhte Lezhën
(Lissus) me Prizrenin dhe Nishin (Naissus), një rrugë e pakryer prej asokohe e
më sot, kur autostrada Durrës - Nish - Beograd ende nuk është përfunduar, mbasi
as në shekullin XXI nuk kanë rënë muranat e Ballkanit.
Kështu,
njeriu i legjendës, rendte mbi tokë e nëntokë, krahëhapur si shqipet e
kreshtave, duke vizatuar me bojë të bardhë, në guvat e Rubikut, piktograme me
gjuhën e pasur të simbolikave antropomorfe e floreale, të harkut e shigjetës,
bukës dhe kryqit, ashtu si arti shkëmbor prehistorik në Mirditë kishte lënë
gjurmët e tij antike dhe në rrasat e shkrueme të Xhuxhës (petroglifet),
Blinishtit, Konajve, Mërkuthit, Kthellës së Epërme etj.; krahas simbolikave të
shumta qysh pagane gdhendur në porta kullash e varre (dielli, hëna, yjet,
zogjtë, lulet, gjarpëri, kali, delja), motiveve të shpatës e shqiponjës
dykrenore po në kulla, si dhe qendisjeve të bukura dekoruese të gjoksores së
këmishës, xhupit dhe krejt veshjes së gruas mirditore.
Duhet
të jenë fatlum ata popuj që janë endur përmes legjendash, pasi kanë dëshmuar se
dinë të ëndërrojnë dhe të shohin përtej përditshmërisë.
Po
si u krijua legjenda e ditës së mirë? Kushedi pas cilës luftë a rrëmeti të
natyrës, befas, diku në Shqipninë e Naltë, tre vllazën ndahen në trojet e tyre,
por janë aq të vorfën sa nuk kanë asgjë për të ndarë, përpos një shale kali,
një shoshe mielli dhe një lutje në formë urimi për atë që mbeti pa gjë, që dita
e tij të ishte e mirë, me diell dhe me shpresën e pabjerrë. Nuk është më kali i
shtegtimeve, por vetëm një relike e tij (shala), nuk është më magjja e bukës,
por vetëm një relike e saj (shosha). Fundja ato ishin dy shenja materiale të
jetesës, kështu që dy vllazën kishin se nga ta nisnin prapë jetën, kurse i
treti ndër ta, që nuk dimë nëse ishte i madhi, i mesmi, apo i vogli, do ta
niste nga lutja “Bane o Zot për mue ditën e mirë!”(Njëlloj si të thoshte:
“Ardhtë mbretëria jote!”), frymëzuar prej mësimeve të urtisë krijuese me qenë
përherë i përvutë e i pakrení.2
Kaq
kishte qenë e gjitha, si një fillesë biblike, e shqiptuar për të dëshmuar
vllaznimin ndërkrahinor mes malësorëve të Shalës, Shoshit dhe Mirditës, me
afërsi gjeografike dhe doke të njëjta, po jo se kjo krahinë doli nga “brinja” e
tjerës. Fundja, jo vetëm ato, por dhe krahinat e tjera veriore ishin njëherë të
gjitha territore dukagjinase. Mirdita, thirrej përndryshe “Malet e Dukagjinit”
dhe emërvendet e “Lekë Dukagjinit” hasen gjithkund nëpër Mirditë, Pukë, Lumë e
deri në Dukagjin të Matit. Kanuni i Lekë Dukagjinit sipas studiuesve është
sendërtuar në trevat veriore qendrore, kryekrejet në Mirditë, ku dhe u mbledh
nga Gjeçovi, në Gomsiqe. (Ashtu siç “Kanuni i Skanderbegut” është mbrujtur në
trevën e Krujës, Kurbinit, Matit, Dibrës, Elbasanit etj.) Kjo qasje
etnokulturore ndërkrahinore legjendës së “tre vllazënve” i jep kuptimin e një
bashkësie unitare.
Nuk
është e rastit që ajo legjendë është aq e shkurtër, e papërpunuar dhe e
parapsodizuar, por konçize si një datëlindje pa datë, vit e shekull, si një
adresë eterike në kohë e hapësirë e këtyre banorëve të maleve; ashtu si e mbarë
shqiptarisë, ku ishte shqiptuar formula më befasuese mbi dhé: “Shtëpia asht e
Zotit dhe e mikut”. Ej! A ndiet ju, o gjind? E mira ditë ndodhi në mua, me mua,
për mua, ajo asht dhe dita juej. Prandej mos druani të bëzani në oborr të
kullës sime, ditën as natën, në shi a në diell, në të mirë e në të keq...
Po
si ndodhi? “Të parët që banuen tokën (që më vonë do të thirrej Mirditë) qenë
Ulájt (gjysmë zotat)”, thotë një gojëdhanë e mbledhur nga Dom Nikollë Gazulli.
Siç mund të merret me mend, ata ishin superkreshnikë dhe teksa flinin në
lendinat e blerta, flladitur prej krojesh, tërhiqnin me frymën e tyre fijet e
barit dhe lulekuqet. E mbas atyne zotër të këtij vendi qenë Fandamadhasit
(Fandamadhi shtrihej nga Oroshi deri në Kryezi), popullsi anase / vendase, e
përmendur si përpunuese metalesh. Sipas gojëdhënës, një “stërpik” i këtij
Fandamadhit ishte dhe Shtangu i Konajve të Fandit.3
Ka
shtegtuar gojëdhëna e pazakontë (prej së cilës thuhet se u krijuan si një trini
dukagjinase: Shala, Shoshi e Mirdita) si letërsi gojore - gjithnjë e më shumë
duke u gërshetuar me historiken. Edhe pse ajo kishte aq pak fjalë, sa një lajm
i mirë, në të vërtetë për nga kumti ishte romani i parë për këto malësi në zë,
që në shekullin XX do të hidhej në letër nga një gjurmues i zellshëm i
folklorit, At Donat Kurti.4 Pikërisht atëherë kjo gojëdhanë nisi të mos besohej
më, por të merrej si një “shaka” e lashtësisë së Mirditës, që kishte kaluar
nëpër (sh)kulme e dallgëzime të pamata dhe kishte pasur historinë e saj me
data, ngjarje, predikime, besëlidhje, kuvende, parí, princni dhe kësisoj nuk
mund të mbetej “peng” i një legjende parake, si në fillimet e njerëzimit.
E,
megjithatë, gojëdhëna mbi krijimin e Mirditës nuk mund të shpërfillet, pasi ajo
mbart farën e ditës së mirë, lajmit të mirë, që askund të trojet shqiptare nuk
ngjiti dhe mbijetoi më fort se këtu, duke krijuar padyshim emërvendin më të
bukur shqiptar, siç është thënë nga studiuesit. Përndryshe, shprehja “Për mua
qoftë e mirë dita” dëshmon filozofinë e ekzistencës së këtij populli vital,
vullnetin e tij të epërm për të krijuar, ndërtuar dhe për t’u lartësuar në
votrën e vet të pandërruar.
Arhondët e Mëdhenj të
Shtetit të Arbënit, në Ndërfanë
Historia
ende nuk kishte arritur ta shpërndante tisin mjegullor të legjendës. Ajo ishte
aty, në kërkim të “motit të mirë”, dhe kur në trollin e mirditëve të mëvonë u
mbartën arhondët e mëdhenj shtetarë të Arbnit, Progoni me të bijtë, Gjinin e
Dhimitrin, që ndërtuan një bazilikë në Ndërfandë në fundin e shekullit të 12-të
dhe fillimet e të 13-it. “Për të ruajtur të drejtën e vijimësisë të Principatës
së Arbnit territorialisht të pushtuar nga ekspandimi i Dukatit venedikas të
Durrësit, në kuptimin e statusit juridik, është plotësisht e mundur që
trashëgimtarët e dinastisë së Arbnit ta kënë zhvendosur qendrën e tyre duke e
ngulitur në abacinë e Shën Mërisë së Ndërfanës, e cila kishtarisht i ka pas
përkitur po dioqezës së Arbnit”, shkruan Aurel Plasari.5 Që Ndërfanda ishte një
qendër kishtare historike e dorës së parë e dëshmon dhe fakti se aty, në të 14
- in shekull, siç shkruan Shuflai, përgatiteshin priftërinj për gjithë
Shqipërinë Veriore e gjer Dalmacinë.6 Po ashtu Blinishtët mesjetarë ishin një
tjetër derë fisnike arbnore në këtë truall.
Për
të ardhur kështu te Mirdita e përtej legjendës, e njohur dhe si“Malet e
Dukagjinit”.
Arkeologjia
aq shumë e vonuar, që ka gërvishtuar aty-këtu përciptazi nëpër Mirditë, ka
barrën të zbërthejë gjuhën “e vdekur” të nëndheshme të tumave ilire të Fushës
Papërdhok (Kalor), por dhe në kala e rrënoja të hershme të fortifikuara, anë e
mbanë trevës, si në Kastër (Vig), Rubik, Blinisht, Ndërfanë, Gëziq, Kodër -
Rrëshen, Pëshqesh, Bisakë, Simon, Korthpulë, Ungrej, Qafë - Mali, Kimëz, Perlat
etj., të ngurtësuara në toponime, si: “Kalaja e Judejve”, “Kalaja e Kastrit”,
“Kodra e Kalasë”, “Kalaja e Teutës”, “Kalaja e Meshurdhit”, “Gjyteti”, “Kalaja
Qytet”, “Fusha e Gjytetës”, “Suka Qytet”, “Qyteza e Skënderbeut”, “Kalaja dhe
Gjytetja e Lekë Dukagjinit”, “Kalaja e
Lekës”, “Rrethi i Qytezës”, “Kepi e Qytezës”, “Përroi i Qytezës”, “Qafa e
Pazarit”, “Qafë Qytezë”, “Shkëmbi i Përbetimit”, “Kuvendi i Madh” (abaci antike
në Malin e Shenjtë, Orosh), “Shpella e Batos” etj., shumë prej tyre fortesa të
ndërtuara në shekullin VI nga Justiniani, që më vonë u përdorën nga Dukagjinët
etj. Pa anashkaluar Rubikun, Ndërfanën, Oroshin, apo Fushën Papërdhok, një
qytetërim të lashtë mbart dhe Domgjoni, me rrënojat e mureve të hershme, furrat
piruste të shkrirjes së bakrit, Ujësjellësin e shekullit IV të erës sonë,
monumenti më autentik i llojit në vendin tonë, absidën e kishës së Shën
Barnabës (Shmarramej), rrënojat e një fortifikate (gradishte) në kodër, që
vendasit i thonë “Qyteza” etj., dëshmi e pranisë, në atë anë të Munellës, të një
qendre të antikitetit të vonë.
Jo
të gjitha këto toponime shënojnë qytete të mirëfillta, por diku qendra të
banuara/ qyteza, diku e kanë fituar këtë emër si qendra të përpunimit të
metaleve, qendra kishtare të dëgjuara, vendpanaire etj. Arkitektura e kishës së
Shëlbuemit në Rubik, absida dhe afresket e stilit bizantin dëshmojnë
gërshetimin e qytetërimit të vjetër europian në këtë vend.
Nëse
populli ditëmiras a mirëditas shtegtonte shekujve duke lartësuar tempujt e
besimit të vet të pandërruar, emri i tij paraskënderbegian, Merditas, në krye
të herës u ngjiz aty në rrezen e Malin e Shejtit, me gjurmën e Sh’Llezhdrit e
të shumë shejtërve të tjerë, tej e këndej lumit Fand me dy degë (i madhi dhe i
vogli), apo dy lumenjve me të njëjtin emër. Habia është se mori një përhapje të
paparë një emër gjithsesi i ri i rrethinës së Oroshit dhe jo ndonjëri nga emrat
e vjetër gjeografiko-historikë të trevës. Ndërkohë muzeu oroshian, me fillesë
benediktine, kishte ruajtur “Arkën e Shejtë”, me statujën e Shën Aleksandrit brenda7,
një kryq argjendi dhuruar kishës nga Pal Dukagjini dhe të tjera relikte
arkivore me rëndësi.
Mirditasi
e ruajti besimin katolik si një thesar shpirtëror e nuk e lëshoi kurrë, siç
besimi e mbajti atë në rrënjë të qytetërimit europian, të mos vdarej tymnajave
të orientit.8 Liria ishte për mirditasin kuptimi i ekzistencës së vet
individuale, lokale e kombëtare. Ai nuk mund të rronte ndryshe, veçse i lirë,
prandaj ka një ditar të pasur të qendresës historike ndaj dyndjeve të shumta
pushtuese. Liria ishte kulmimi i tij historik. Vetëm kështu “Lidhja e Mirditës”
e vitit 1570 mund të nxirrte deri në 12 mijë luftëtarë kundër ushtrive otomane.
A mund të imagjinohet kjo përveçse me shpirtin, idealin dhe kushtrimin e
lirisë?9 Ndër lajmësit e Selisë së Shenjtë mbi qendrimin e mirditasve në liri,
pa iu nënshtrue zotnimit të turqve, me të cilët kanë qenë në luftë të
vazhdueshme, ishte dhe Marin Bici, pasi i viziton ata në malet e tyre, në vitin
1610. Ka qenë proverbale trinia e lirisë së mirditasve brenda sundimit të
prandorisë otomane: “Me mbajtë armët, mos me i prekë në gjâ e ndër doke, mos me
i ngucë në besim”.10 Ka pasur një lidhje
të pandashme të Mirditës me kishën, ku bash për këtë “nderim të lartë të
shqiptarëve ndaj insitucioneve të krishtera dhe përfaqësuesve të tyre pa marrë
parasysh konfesionin”,“Mirditët i mbajnë dhe sot kuvendet e tyre pranë
gërmadhav të Shën Palit, tek abacia e dikurshme”, si dhe një vetëdije kombëtare
të krerëve mirditas, ku më 1595 Mark Gjini flet mbi “la mia nazione
Albanese”11, i cili bashkë me të vëllain Gjon Gjini dhe të tjerë kalorës
politikë të një koalicioni perëndimor kundër sundimit otoman përpiqen për
kauzën e “Kombi im shqiptar”.
Në
gjysmën e dytë të shekullit XIX Mirdita ishte në Veri qendra e zhvillimeve
luftarake kundër sundimit të Portës së Lartë. Kronika e qendresës heroike vjen
e pasurohet me lëvizjen e vitit 1862 në Mirditë, ideuesit dhe kryesuesit e së
cilës ishin princi Bib Doda, rilindësit e shquar shkodranë Zef Jubani e Pashko
Vasa, abati i Mirditës Gaspër Krasniqi etj., një prelud i Rilindjes për
pavarësi kombëtare. “Mirdita, për numrin e bajraqeve, potencialin luftarak më
të madh dhe ndikimin që kishte midis malësive të tjera, kishte tërhequr
vëmendjen e Napoleonit III”, shkruhet në Historinë e Shqipërisë (1965). Ajo
lëvizje u përtëri dhe njëherë në vitin 1876-1877, si kryengritje, e prirë nga
Preng Bib Doda, Zef Jubani, Prend Doçi etj. Mirditasit do ta dëshmonin veten
edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Por Kongresi i Berlinit, i qershorit
1878, nuk mori parasysh protestat e shqiptarëve kundër copëtimit të trojve të
tyre etnike, u kufizua vetëm në ruajtjen e venomeve të Mirditës, për çka Franca
dhe Austro-Hungaria kërkuan sanksionimin nga Kongresi (protokolli 13) që Porta
e Lartë t’i garantonte edhe në të ardhmen “privilegjet dhe imunitetet”, liri që
“popullsia e Mirditës i gëzon ab antiquo” (që në kohët e lashta).12
Poeti
Pjetër Zarishi që ia njihte Mirditës nga afër vazhdën e qendresës historike dhe
të Rilindjes, shkruante:
“Ti
njimend ndërmjet territ dritë e vetun,
Ti
lule ndërmjet dimnit na qindrove;
Ty
t’paçim, se m’ty shpresa e jonë ka mbetun”.13
Mund
të duket disi e mitizuar autonomia e Mirditës brenda perandorisë otomane, por
nuk ka kurrëfarë miti këtu. Dy kanë qenë mënyrat për ta arritur atë, qendresa
me armë dhe diplomacia me Vatikanin, Austrinë, Francën etj., ku ana diplomatike
ende nuk është analizuar siç e meriton. Pa mbështetjen politike e kulturore të
Perëndimit nuk mund të kishte qendrueshmëri të vetëqeverisjes krahinore.
Historiani Ligor Mile shkruan: “Mirditasit nuk i njohën kajmekamët turq dhe
vazhdimisht nuk iu bindën urdhërave të tyre. Kështu, qeveritarët turq, - citon
ai “Lajmet e Sankt – Peterburgut”, nr. 80, 21 mars 1877 - “kurrë nuk shkelën në
tokën e Mirditasve dhe vazhdimisht banonin në Shkodër”.14 Edhe historiani
gjerman Peter Bartl ka vënë në dukje se “Mirdita prej kohësh kishte një
qeverisje autonome, e cila nuk u cënua dot as nga pushtuesit turq”. Falë këtij
statusi historik, vetëdijes kombëtare dhe qëndrueshmërisë luftarake, Mirdita qe
vendi ideal për krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kimzës, në prill të vitit
1911, mbas një kuvendi mbajtur për këtë qëllim në Fan, ku një rol të veçantë
pati Terenc Toçi.
...Kështu,
mot pas moti, ajo legjenda e fillesës, perla gojëdhanore e “gjenezës” së
Mirditës, do të përmbushej nga vlera historike, etnologjike, folklorike,
religjioze e dokësore të mirditasve (quajtur nga të tjerët shqiptarë të
kulluar, bij të vërtetë të shqipes), në të cilët do të shpalosej urtësia
burimore e tabanit, shprehur në ekuacione të tilla ekzistenciale të malësorit
shqiptar si: “Hall me rrue e gjygj me dek”, “Me ndejt shtrembët e me fol
drejt”, “Del i miri prej të keqit dhe i keqi prej të mirit”, “S’asht nji ditë
si çdo ditë”, “Ka del fjala, del shpirti”, “Çdo shpi mrenda kufinit të vet asht
krye e Gjomark”, “I madhi ndanë, i vogli zgjedh”, apo be kozmike si “Për qiell
e për tokë!”, që kur shqiptohej nga veriakët përshkohej nga vetetimat qielli e
toka.
12-a
si një numër biblik - 12 fiset e Izraelit - gjen shprehje dhe në sofrën
mirditase me 12 burra (11 krushq, bashkë me të zotin e shtëpisë 12), në
shëmbëllim të “Darkës së Fundit” me 12 apostuj, në unitetin e 12 dhenave
(bajrakëve), apo në Kosovë sharkia me 12 tela, e si për analogji, te të vjetrit
dëgjohej shprehja “Për dymbëdhetë dreqën” (s’ka më keq) etj. Do të thoshim me
guxim dhe pa e tepruar se shqiptarëve u mungojnë nga biblioteka e traditës aq
“libra” të pashkruar etnopsikologjikë sa fjalë të urta kanë, pasi në secilën
prej tyre lexon një përvojë jetësore të sintetizuar në pak fjalë, ashtu si në
popujt e tjerë të Europës, po ato atje janë fytyrëzuar në libra, shtatore e
arkiva.
Një
popull kuptohet nga ajo se si ndjen, përjeton dhe i shpreh ndjesitë e emocionet
e veta. “Ti nuk do ta kuptosh ligjin tonë (kanunin), nëse nuk e njeh dhe kupton
popullin tonë”, i thotë një shqiptar i vjetër studiuesit austriak të kanunit
shqiptar, Valter Peinsipp-it.15
Flamuri i Mirditës
“dielli me rreze”
Mirdita,
krahina më e madhe veriore shqiptare, jo rastësisht e mbiquajtur “i Arbërisë
fis i kryekreut” (Risto Siliqi), që për flamur të vetin kishte diellin me
rreze, ishte në lidhje gjaku, miqësi, ndërlidhni dokesore, kuvende e kushtrime
luftarake të përbshkëta me banorët rretheqark, si kurbinasit, pukjanët,
lurianët, matjanët, dibranët, lumjanët, hasjanët, krasniqasit, zadrimorët,
bregmatasit, dukagjinasit, kelmendasit, hotjanët, dardanët etj. Kuvendet
krahinore Mirdita i bënte te Lisat e Shpalit, por dhe në Orosh, Perlat,
Kashnjet etj., kuvendet ndërkrahinore në Kallmet, Fan, Kalivare etj., teksa
merrte pjesë dhe në ato ndërballkanike në Kuç (Mali i Zi) etj.
Mirditasit,
me banorët e trevave të tjera shqiptare, i lidhnin udhët e vjetra të gjata, që
zinin fill nga deti Adriatik (portet e Durrësit, Shufadasë n’Patok, Shëngjinit)
dhe rroknin Tiranën, Shkodrën, Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Elbasanin, Vlorën,
Korçën, Shkupin, Tetovën, Janinën etj., me karvanet e mallrave, bujtinat
mikpritëse, panairet artizanale (të dëshmuara që nga shekulli XVII), në ditë
kremtimesh të veçanta, në Malin e Shenjtë (Orosh), Shëngjergj, Fand, Perlat
(“Pazari i Dukagjinit”), ashtu si dhe në Kabash (Pukë), Dejë (afër Vaut të
Dejës), Derjan (Mat), Milot (Kurbin) etj., ku, siç dihet, në ngjarje të tilla
ndalohej marrja e gjakut. “Ditën e Shën Gjonit, në malin e Shën Aleksandrit
(Shën Llezhdrit) në Mirditë, ku ndodhet abacia antike, tani pothuajse e
shkatërruar, bëhet një panair i përgjithshëm, nga ku vijnë njerëz nga Kthella,
Selita, Bulgri, Fandi i Vogël dhe Fandi i Madh, Dibrri e Lezha, Lura, Zadrima,
Shkodra, Kruja, Kurbini, Mati, Çidhna dhe Dibra e Poshtme…”, thuhet në një
relacion të vitit 164316, duke shtuar se në panair, ndër të tjera paraqiteshin
armët dhe flamujt e fituar gjatë betejave me osmanët, për të cilat ka shkruar
me aq nderim Pjetër Budi.
Festat
me miq të shumtë, panairet me të ardhur nga aq larg, vajtjet e ardhjet te
njëri-tjetrit në ditë motmoti etj., dëshmojnë se nuk ishin vetëm luftërat që i
përbashkonin shqiptarët, por jeta e përditshme në paqe.
Është
e rëndësishme, parimore dhe shkencore të thuhet se Mirditasit nuk kanë ardhur
nga ndokund e as janë shpërngulur për diku tjetër masivisht, si një ngulim nga
e para, siç thuhet ndonjëherë në mënyrë gojëdhanore, qoftë dhe nga ndonjë
dijetar i gjysmës së parë të shekullit XX, sipas të cilit shpërngulja e
mirditasve nga Rraznat e Pashtrikut dhe zatetë së pari në kodër Kolike të
Oroshit ka ndodhur pas vdekjes së Gjon Kastriotit, në vitin 143217, ndërkohë që
kemi aq shumë dëshmi të banimit në këtë territor që nga koha e Neolitit,
miniera dhe qyteza ilire, “nekropolet më të rëndësishëm të kulturës së hershme
arbërore të Buklit e Prosekut (shekujt VII - IX)”, kishën e vitit 1154 në
Kalivare, katër kuvendet benediktine: Rubik (1166), Ndërfanë, Shpal dhe Orosh,
Shtetin e Arbërit etj. Ka pasur sigurisht lëvizje të brendshme të popullatës
mirditase, ku, siç shkruan Dom Prend Suli, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit
(1468), mirditas nga zona e Oroshit u vendosën në Pashtrik, për t’u mbrojtur
nga sulmet osmane, duke u rikthyer më vonë sërish në vendin e tyre. Gjithsesi,
mirditasit kanë lëvizur brenda për brenda “shtëpisë”, trojeve dhe bashtinave të
veta autoktone, këndej dhe përtej Pashtrikut, i cili nuk ka qenë një piramidë
ndarëse për ta, por një lloji “Olimpi” që e ngjisnin sa herë iu duhej të
merrnin rrugët për te njëri-tjetri. Pse ishte kështu, ata venin njëlloj për
pazar, si në Lezhë e Shkodër, si në Prizren e Gjakovë. Mirdita e disa shekujve
më parë, “si pjesë kryesore e Dukagjinit mesjetar fillonte nga Lezha e Vau i
Dejës e shkonte deri në dhé të Lumës e në malësitë e Prizrenit”,18 si dhe të
Gjakovës, Klinës e deri matanë Sharrit, ku “në Gostivar, në një fshat, rreth 60
familje me mbiemrin “Mirdita”, e mbajnë veten të ardhur dikur nga krahina e
Mirditës”.19 Ka një kryqëzim udhësh, vajtje - ardhje, të mirditasve në Kosovë,
ku shumë banorë atje të thonë se janë të ardhur nga Mirdita, kurse në Mirditë
shumë të tjerë të thonë se janë të ardhur nga viset e Lugut të Drinit etj.
Dëshmi e migrimit të brendshëm, të mirditasve drejt Kosovës, janë dhe
makrotoponimet e mbartura atje si patronime: Mirdita, Oroshi, Spaçi, Kuzhnini,
Kaçinari, Shtufi, Domgjoni, Gojani, Selita etj. Një mirditas i vjetër ka
shkruar në kujtimet e veta se duheshin katër ditë me shkue në Gjakovë në këmbë
e katër ditë me u kthye prej andej, thuajse gjithnjë me kafshë të ngarkuara me
bereqet e mallra të tjera. 20
Në
të njëjtën mënyrë, në kërkim të një jetese më të mirë, apo në rrethana
historike specifike (për t’u mbrojtur nga sulmet e pushtuesve, për të mos
ndërruar fenë, për shkak gjakmarrje etj.), mirditasit kanë zënë me banim dhe në
Jug, në viset e Himarës etj., pa folur për Bregun e Bunës, Zadrimën, Bregun e
Matës, fushat e Kurbinit etj., që i kishin më pranë. Janë lëvizje të natyrshme
në një hapësirë etnike, ashtu siç, për shkaqe të ndryshme historike e sociale,
familje të shumta kosovare janë vendosur në Durrës (Rrashbull), Lushnje (Kosova
e Vogël), Fier etj. Si për t’i vënë vulën një marrëdhënie te tillë historike
ndërshqiptare, Neritan Ceka shkruan: “Mirdita dhe, më gjerë, lugina e Matit, e
Fandit dhe e Drinit, ishin boshti i Arbërit të hershëm, për faktin se ofruan
lidhjen natyrore midis dy hapësirave të mëdha shqiptare: asaj bregdetare
adriatike – joninane dhe asaj kontinentale, kosovare-shkupjane”.21
Historia pa glorifikim
E
gjithë historia shqiptare, për mendimin tonë, i ngjet një palimpsesti. Por në
mënyrë metaforike më sipër u tha se Mirdita e gjenezës së saj ishte njeri.
Dihet se kohërat i mveshin emrat me mugëtirë, ashtu si lisat e vjetër me
lëmyshk, por nëse do të duhej një emër identifikus për këtë, le të ishte dhe ai
i priftit domenikan, matematikanit, astronomit dhe diplomatit të Skënderbeut,
Gjon Gazullit, që pati shkruar me dorën e tij në Universitetin e Padovës
(Itali) origjinën e tij prej Mirdite. Ato mote në Abacinë e Oroshit ishte abat
një tjetër mirditas i dëgjuar, gjenerali dhe diplomati i Skënderbeut, Pjetër
Perlati (Duka), që pritej në Vatikan nga Papa për të folur për punët e
Arbënisë. Të dy këta prelatë të lartë të kishës, diplomacisë dhe diturisë
kishin në “fiset” përkatëse emra të tjerë të shquar. Me këto duam të themi se
kjo trevë dhe mbarë Arbënia në shekullin XV ishte europiane dhe në hullinë e
europianizmit, ku, nëse civilizimi arbënor nuk do të ishte ndërprerë nga
sundimi otoman, historia e malësorëve shqiptarë të gjysmës së dytë të
Mijëvjeçarit të Dytë nuk do të ishte ajo e mbijetesës me “tri pllambë tokë
varun në brinjë” e “tre muej bukë ma e mira shpi”, e një varfërie të skajshme
në një peizazh të zymtë, jo rrallë përzhitur nga baruti i gjakmarrjes.
Mirdita
kishte pasur bujarinë e saj të lartë, që ia vlen të ndriçohet, sa të jetë e
mundur, përmes dokumenteve arkivore. Shuflai shkruan se “në vitin 1436, duke u
kthyer nga vendi i shenjtë, kalon nëpër Raguzë “filius ducis Prenghi”, me
ç’rast “përmendët për herë të parë titulli princ (Prenk princeps), të cilin e
mbajnë dhe sot e kësaj dite krerët e malësorëve katolikë të Mirditës, që janë
vazhdimisht nën ndikimin e fortë të abatëve benediktinë të Shën Lleshit (Santus
Alexander de Monte) në Malin e Shenjtë”.22
“Kuvendi
i Arbnit” (1703), mbajtur në Mërçi të Lezhës, në gjuhën shqipe, vepër e pashoqe
e Gjon Françesk Albanit dhe Vincens Zmajeviçit, me pjesëmarrjen edhe të
mirditorëve, ishte një kambanë e fortë kushtrimi dhe një projekt i ri kishtar
për qendresën shqiptare ndaj asimilimit kulturor dhe fetar, duke u fokusuar dhe
te shkolla e Velës e ajo e Kurbinit.23 Duhet thënë se kriza e gjatë e pushtimit
otoman dhe varfëria kishin ndikuar në deformimin sadopak të personalitetit të
malësorit. Ka autorë që kanë vënë në dukje jo vetëm meritat e banorëve, po dhe
veset e abuzimet e ndryshme te një pjesë e tyre, si hajnia, hjekësia, apo
grabitjet e bereqetit dhe bagëtive në fusha, duke pasur aty-këtu dhe të vrarë e
të lënduar, si një rast në Zadrimën e 1905-s.24
Këto
episode ngjethëse i ka ditur dhe Edith Durham, e cila, megjithatë, i ngriti në
piedestal malësorët shqiptarë dhe veçmas mirditasit, të cilët i adhuronte. Nga
lartësitë e Oroshit, në motet e para të shekullit XX, ajo mbante vesh se
ç’thoshte si profet i vendit të tij, Abat Doçi, “ndoshta më largpamësi ndër
nacionalistët shqiptarë”, për rënien së afërmi të perandorisë otomane, krijimin
e shtetit të pavarur shqiptar, njohjen europiane të tij, politikën e kujdesshme
ballkanike me fqinjët, arsimimin e njerëzve etj., pasi tashmë thoshte
ai:“shpirti i kombit shqiptar është zgjuar, si te myslimanët, si te të
krishterët”.25
Një
tjetër dijetar anglez i asaj kohe, Arthur Moor, për të cilin “Shqiptarët janë
mundësisht populli ma i vjetri i Europës”, shkruan: “Mirdita asht nji botë aq e
çuditshme n’Europë, sa meriton me u vërejtë me kujdes... Europa nuk e njef
“Zemrën e Shqipnis”, të cilën turqit kurr s’kanë mujt me e pushtue. Kjo ende
asht e padheshkrueme, e pastudiueme dhe e papërshkrueme sikurse ka qenë në
kryefillim...”26, çka solli këtu për këtë qëllim ajkën e shkencëtarëve të
kohës. Edhe At Anastazi i romanit “Lule” të Barkatës, ish-profesor i
Universitetit të Romës, nga shkrepat e Rubikut, bën thirrje që të gjithë
edukuesit e popujve (europianë): profesorët e universiteteve, mësuesit,
demagogët, lumturiprurësit, anarkistët, komunistët etj. duhet të vijnë këtu, në
Shqypni, pranë këtij populli të thjeshtë e të paprishun, që ata e quajnë
gjysmëbarbar, të kuptojnë se si në vobegësi, në thjeshtësi andjesh, në shpresë
tek i madhi Zot, e ka rrajën lumnia e çdo njeriu në veçanti dhe gëzimi e
mirërrojtja e popujve në përgjithësi, ku, sipas frat Anastazit, ata do të
gjenin shkollën e vërtetë të jetës.27
Duhet
thënë se qendresa gjithëfarëshe ndaj skamjes, pushtimeve të shumta, ashpërsisë
së terrenit etj. pati krijuar në shekujt e fundit dhe një rapsodizëm
glorifikues (ndryshe nga epika historike dhe poetika historizuese fishtiane),
që ndihet dhe sot si një folklorizëm i vonuar. S’ka kuptim që shkrimet,
kumtimet e kremtimet bashëkohore të mbeten peng i një kundrimi glorifikues të
së kaluarës së mirditasve, që në vetvete është një madhështim i rremë. Tjetër
është legjenda, miti, aureola diellore dhe tjetër Mirdita përtej legjendës dhe
legjendarizimit të historisë së saj e heronjve. Demistifikimi do të ishte
kundrimi më i përshtatshëm në kohë moderne, kur historia duhet parë në një
tjetër projektim. Mirdita, e zhvshur nga patetika për të, është ajo çka lypet
sot. Nuk ka pse t’i vëmë “stringla” që nuk i ka pasur. Mjaft të vihet në
spikamë qendresa për mbrojtjen e trojeve, ruajtjen e besimit dhe të dokeve,
mbrujtja etnologjike e përpajnuar në korpusin kulturor kombëtar etj. Mirditës i
mjafton vetja, autentikja saj, aty ku ajo ishte e përveçme dhe kurrëfarë
ekzaltimi romantizant rreth saj: “Që Mirdita u bë kaq e përmendur ndër
Shqiptarë e në botën e jashtme, kjo se mbështetej në një organizim tepër të veçantë,
që na vjen që nga Mesjeta...” 28
Qendra
historike vetëqeverisëse të Krahinës kanë qenë Shpali dhe Oroshi, ndërsa
Nënprefektura e Mirditës, nga viti 1920 ka qenë, në fillim në Vaun e Dejës,
pastaj ka lëvizuar gjithnjë e më në thellësi, në Ungrej, në Reps dhe nga viti
1933 në Shpal. Në Mirditën e shekujve XIX - XX kanë bërë emër figurat historike
Kapidanore si Lleshi i Zi, Bib Doda, Preng Bib Doda etj.; krerët e njohur të
Dheut: Preng Marka Prenga i Oroshit, Zef Ndoci i Spaçit, Ndue Përdeda i
Gojanit, Preng Tuc Doda i Fanit, Kol Toma i Velës, Bardhok Prenga i Kthellës,
Gjon Shkurt Lufi i Selitës, prijësit e çetave të Pavarësisë Zefi i Vogël i
Fanit (Kosovë), Nikollë Curri (Fushë-Arrës), kanunarët e përmendur: Çup Kol
Skana i Oroshit e Palucë Preng Gjoni i Kashnjetit, major Preng Jaku, deputeti i
parë i Mirditës së 1921-it Ambroz Marlaskaj, intelektuali Lekë Margjini,
gjeneral Gjin Marku etj.
Në
vitin 1949, me heqjen e prefekturave e nënprefekturave dhe krijimin e rretheve,
qendra administrative e Mirditës nuk do të ishte më Shpali, por Rrësheni, i
cili nga viti 1996 do të bëhej dhe qendër e dioqezës së re (në këmbë të Abacisë
së Oroshit) që përfshinte Mirditën, Matin, Klosin, Bulqizën dhe Dibrën. Në
vitin 2001 ndërtohet Katedralja e Rrëshenit. Identiteti i Mirditës në shekullin
XX kishte qenë bakri dhe industria e tij, ndërsa tash krahina është në kërkim
të një identiteti të ri, atij agro-turistik. Info-Kulla Rubik është një
lajmëtare e turizmit në kërë rajon, përfshi dhe Matin e Pukën, ku shumë nga
kullat e vjetra po shndërrohen në vila moderne, duke ruajtur autenticitetin e
arkitekturës së tyre.
Visar kuturologjik
autentik
Visari
kulturologjik i trevës së Mirditës është vështruar përmes prurjeve autentike të
bardëve epiko - lirikë anonimë, si dhe gjurmimeve etnokulturore të dokeve,
riteve, kulteve, folkut, gjuhësisë, “tjegullave” të arkeologjisë, dëshmive të
historisë etj. të një vargu dijetarësh shqiptarë dhe të huaj, vizitorë të
Selisë së Shnjtë në dioqeza, ipeshvinj e abatë, konsuj francezë në Shkodër, profesorë
të shkollës albanologjike austriake, kërkues shkencorë e udhë- e
vendepërshkrues italianë, gjermanë, kroatë, amerikanë etj., që nga Marin Bici,
Benedetto Orsini, Gjon Kolesi, Mark Skura, Shtjefën Gaspri, Nikollë Vladanji,
Uilliam Martin Lik, Fransua Pukëvil, Ami Bue, Johann Geog von Hahn, Sami
Frashëri, Zef Jubani, Pashko Vasa, Eduard Spenser, Hiacinth Hekuard, Zhan Klod
Faverial, Franc Nopça, Edit Durham, At Domeniko Pasi, Pjetër Zarishi, Prend
Doçi, Auguste Degrand, Teodor Ippen, Dom Nikollë Kaçorri, Shtjefën Gjeçovi,
Gjergj Fishta, Dom Ndoc Nikaj, Vinçens Prenushi, Ambroz Marlaskaj, Fabian
Barkata, Maksimilian Lambertz, Karl Steinmetz, Zef Valentini, Fulvio
Kordinjano, Antonio Baldaçi, Dom Dod Koleci, Dom Prend Suli (Spaçi), Dom
Nikollë Kimza, Zef Mark Harapi, Ndue Paluca, Athanas Gegaj, Kol Dema, Dom Mikel
Lezhja, Imzot Zef Gjonali, Imzot Frano Gjini, Ann Bridge, Carleton Coon, Stavri
Frashëri, Gjergj Shabani, Kol Shtjefni etj.
Nëse
ajo gojëdhëna me “tre vllazën” vijonte të shtillej në qiellin dhe tërthoret e
Mirditës si një fantazmë, arkeologjia e viteve ’60, kishte nxjerrë ndërkohë mbi
dhé disa vlera unikale, si përkrenarja e Perlatit e shekullit III para
Krishtit, monedha e Justinianit e Meshurdhit, shqiponja e Arbërit dhe
mbishkrimi epigrafik i Gëziqit, bazilika mesjetare e Shnapremtes në Ndërfandë,
gjurmët e kishës së Karmelinës dhe stolitë arbërore të Buklit, varrezën
arbërore të Kozaçës (nekropoli i Prosekut) etj. E megjithatë, me të drejtë
thuhet se arkeologjia vetëm sa e ka gërvishtur tabanin e Mirditës, ka objekte
si Fusha Papërdhok në Kalor me më shumë se dhjetë tuma ilire, pa u hapur asnjë.
Mirdita,
si asnjë krahinë tjetër e vendit, solli deri në gjysmën e dytë të shekullit XX,
Princninë e fundit shqiptare, me seli në Orosh dhe në Shkodër, si një
institucion vetëqeverisës sui generis, por dhe i diplomacisë mes Lindjes dhe
Perëndimit, si dhe Abacinë e fundit në Ballkan, që pati rëndësi të madhe
sidomos pas vitit 1888, me rimëkëmbjen që i bëri Imzot Prend Doçi, me statusin
e ri nullius, të mosvartësisë më në ipeshkvinë e Lezhës, por drejtpërdrejt në
Vatikan. Nga shkolla e Velës (1632), Noviciati i Rubikut, te Konvikti “Mirdita”
(1926) mirditasit kanë pasur rrugëtimin e vet arsimor historik.
Në
gjysmën e dytë të shekullit XX, ky korpus kulturor pasurohet me shujtën
shpirtërore të së Lumes Marie Tuci, shkollat unike të Ndrec Ndue Gjokës, operën
e parë shqiptare “Mrika” të Prenk Jakovës, poemat, dramat, novelat dhe romanet
e Kol Jakovës, Fatos Arapit, Llazar Siliqit, Loni Papës etj., rizbulimin prej
Dhimitër Shuteriqit (rreth shtatëdhjetë vite pas Teodor Ippen) të Stemës së
Arbërit, ditarin e disidencës të Musine Kokalarit, rolet teatrore e filmike të
Preng Lëkundës, Rikard Ljarjes dhe Roza Anagnostit, shkrimet historike të Injac
Zamputit, Pal Doçit, Peter Bartl (Mynih), Zef Mirditës (Prishtinë), veprën
shkencore etnologjike të Mark Tirtës, këngët e një folku të risuar dhe ato të
muzikës së lehtë të Gjok Becit, pentagramin muzikor të Ansamblit “Mirdita” të
Dorian Ninit, meloditë burimore në çifteli, fyll e bilbil të virtuozit të
shquar Ndue Shyti, urbanizimin e Rreshenit (qendrës së re të Mirditës) nga
Bujar Ferra etj.
Në
diasporë, SHBA, ndriçonte me veprën e tij misonare dhe kulturore Imzot Zef
Oroshi, përkthyes i Katër Ungjijve, e apo atje përmbushte karrierën
universitare e publicistike Zef Vorf Nekaj, me kushtime të ndjera ndaj
Mirditës.
Energjia
e pashterrshme krijuese e mirditasve ka shpërthyer në një cilësi të re në
dhjetëvjeçarët e fundit, në botën akademike, letërsi, arte, sport, gazetari,
drejtësi, politikë, ekonomi, biznes, agroturizëm etj., me spikatjen e jo pak
individëve të suksesshëm, mjafton të sjellësh në vëmendje investime si: kantina
e verës “Arbëri” (Rrëshen), “Zepa natyral” (Tiranë), bujtinat turistike të
Rubikut, Perlatit etj., autogrill-at e Rrugës së Kombit dhe të tjera
sipërmarrje tregtare dhe shërbimesh ndaj komunitetit. Nga fillimi i viteve ‘90
do të linin gjurmët e veprës së tyre humane në Mirditë dhe shoqata e
personalitete të mirënjohur të huaj, italianë, austriakë etj.
*
Një
nga njohësit me rrënjë e me degë të jetës së shqiptarëve, At Bernardin Palaj
(që ka shërbyer kryesisht në Dukagjin, por dhe në Rubik) ka shkruar “në secilin
qytet e fis shqyptar ke me gjetë zeje të veçanta, përreth të cilave siellet një
histori arti të panjohun, thjesht shqyptar”.29 Në male“njerëzit ishin në
gjendje të pashkollueme, por jo të paqytetnueme”30, do të thoshte Ernest
Koliqi, që shkroi aq fisshëm për malësorët, të cilëve iu kishte bujtur aq herë
në votër në Dukagjin etj.
Këtë
u përpoqëm të bëjmë për Mirditën në këtë libër. Mund të thuhet se lënda e
mbarështruar në të është thadruar pak nga pak prej kohësh, atëherë kur kishte
kryer libri im i parë kërkimor “Toka e Katedraleve” e tash përpiqesha të
kundroja në shpirtin artistik të mirditasve, shpaluar në këngë, valle, melodi,
rituale, gjuhë, punime artistike etj. Kësisoj, ky libër, që ka nisur të ngjizet
para njëzet e pesë vitesh, përmbyllet me dëshirën që çështjet kulturologjike të
Mirditës së vjetër të rrahura në fletët e tij e të tjera si këto, të trajtohen
gjërësisht e në mënyrë shterruese nga të tjerë lëvrues, sot e nesër.
Edhe
pse nuk ka qenë qëllim në vetvete, libri rrok më së shumti fatin e gruas
mirditase, ku eseja “Gra me kurorë mbretërore” është një himn kushtuar saj, që
dëshmon dhe statusin social që ajo kishte në jetë, pavarësisht kufizimeve
kanunore. Ajo ka ditur si të sillet në botën e urdhëruar nga burrat, ndonëse
pozita e saj shpesh ishte dramatike: si nuse në rrethana kritike, si virgjërshë
e përbetuar, si vajtimore etj. Në këtë kundrajë, i jemi qasur edhe të
pazakontës në jetën e mirditasve, për ta njohur dhe atë. Një nuse që vdes në
udhë ditën e dasmës. Një vajzë në fillimet e shekullit XX që vendos të mos
martohet, por rri “virgjëreshë” për të rritur të vëllain jetim dhe shkon e
ftuar në dasmën e ish - të fejuarit. Nënë Dava e Domgjonit që e pret një gjysmë
shekulli të shoqin e arratisur në Amerikë. Apo burri (në zâ) i vdekur prej
pushkës që vihet si i gjallë në karrige ditën e përcjelljes te të shumtit.
Në
këtë kuptim, libri na fton ta recptojmë të kaluarën, shpesh në të pazakontën e
saj.
Mirdita
është një metaforë. Borges shkruan: “Ndoshta historia e përbotshme është
historia e disa metaforave”. Pa pretendimin që me doemos me e gjetë veten në
ndonjërën nga këto “disa metafora”-t e përbotshme, pa droje mund të thuhet se
të madhe apo të vogël një histori nuk e bën hapësira gjeografike, lokale apo
kontinentale, por gjurma e përveçme që njerëzit kanë lënë në vorbullën e
pandalshme të epokave apo kohëve.
_________________
1. Hëna Shahiu, Disa
stoli metalike të ditëve tona me tipare të trashëguara nga kultura e hershme
shqiptare, në “Konferenca e Dytë e Studimeve Albanalogjike, vëll. II, Tiranë
1969, fq. 247 - 252, cituar nga Andromaqi Gjergji, në “Klasifikimi i veshjeve
popullore shqiptare”, Etnografia Shqiptare, IX, Tiranë 1978,
2. Simon Filipaj,
“BIBLA, Shkrimi Shenjt, Besëlidhja e Vjetër dhe e Re”, Tiranë 2012.
3. Dom Nikollë Gazulli,
Oroena mbi nji hartë të Shqipënisë, Hylli Dritës, nr. 7- 8, 1938.
4. At Donat Kurti,
“Zakone e doke shqiptare”, Botimet Françeskane, Shkodër 2010.
5. Aurel Plasari,
“Arbni”, Akademia e Shkencave, Tiranë 2020.
6. Milan Shuflai,
“Serbët dhe Shqiptarët”, Tiranë 1926, f. 152.
7. Injac Zamputi,
“Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore...”, Tiranë 1963, 1965.
8. Ndue Dedaj, “Toka e
katedraleve”, “Mirdita” 1999 & 2006.
9. Pal Doçi,
“Vetëqeverisja e Mirditës”, Tiranë 1996.
10. Zef Mark Harapi,
“Mirdita në histori, në gojëdhana e në zakone të veta (deri në vjetin 1929)”,
Geer, Tiranë 2013.
11. M. Shuftali, “Serbët
dhe Shqiptarët”, Tiranë 2002, fq.160.
12. Historia e
Shqipërisë, II, Universiteti Shtetëror i Tiranës, Tiranë 1965, fq. 91 dhe 137.
13. Vjerrsha të Dom
Pjetër Zarishit, “Derës t’Gjomarkut”, Hylli i Dritës, 1914, fq. 321.
14. Ligor Mile, “Kryngritjet
popullore në fillim të Rilindjes sonë”, Tiranë 1962, fq. 125.
15. Valter Peinssip,
“Populli i shqipeve të malit”, shtëpia botuese “Mirdita”, 2005.
16. Pietro Antonio di
Venetia, “Historia serafica overo Cronica della provincia di S. Antonio”, Venetia
1688. (“Mirdita, histori dhe aktualitet”.)
17. Dom Gaspër Gurakuqi,
“Përmblerdhje vrojtimesh përmbi zakonet, Shkodër 1940.
18. Mark Tirta, Mirdita
në vështrim etnologjik, në “Mirdita njohuri për vendlindjen”, Tiranë 1999.
19. Mark Tirta, po aty,
artikull i cituar.
20. Zef Pepaj, Jeta ime,
kujtime, “Geer”, Tiranë 2010, f. 25.
21. Neritan Ceka,
Mirdita, boshti i Arbërit të hershëm, në “Antologji e mendimit të sotëm për
Mirditën” (intervistë dhënë Gjon Markut), Tiranë 2009, f. 400.
22. M. Shuftali, “Serbët
dhe Shqiptarët”, Tiranë 2002, fq. 61.
23. P. Vinçens Malaj,
Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999.
24. Edith Durham,
“Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, Argeta Lmg, Tiranë 2015.
25. Karl Steinmetz, “Nga
Adriatiku në Drin të Zi” (shtypshkrim).
26. Arthur Moor, Fisi i
Mirditës”, Hylli i Dritës, 1940, fq. 367 dhe 372.
27. Fabian Barcata,
“Lule”, “Mirdita”, Tiranë, 2001.
28. Mark Tirta,
Etnokultura shqiptare, ligji dokesor, ASHSH, Tiranë 2016.
29. At Bernardin Palaj,
“Doke e kanu në Dukagjin”, Shkodër 1942.
30. Ernest Koliqi,
Vepra, numër 5, fq. 92.