Kulturë
Nehas Sopaj: Trinomi postmodern letrar shqiptar
E diele, 30.01.2022, 07:59 PM
TRINOMI POSTMODERN LETRAR SHQIPTAR
Nga
Nehas SOPAJ
Krahas
Ismail Kadaresë, gjithsesi shkrimtarit më të afirmuar bashkëkohor shqiptar, në
letërsinë e sotme shqipe janë disa shkrimtarë të rëndësishëm, të veçantë me
veprat e tyre, që do të duhej të ishin figurat qendrore për të cilët do të
flisnim përditë, t’i njihnim dhe t’i vlerësonim vazhdimisht. Por për paradoks
nuk ndodh ashtu, ata vazhdojnë të mbeten në margjina, nuk vlerësohen, nuk
botohen dhe prandaj edhe nuk arrijnë në duart e lexuesve që t’i njohë opinioni.
Së pari, duhet thënë se shkrimtarët për të cilët është fjala, në opinionin tonë
nuk janë edhe gjithaq të panjohur, sado që veprat e tyre nuk janë të vetmet për
të cilët shoqëria shqiptare nuk çan kokën për - botimin, vlerësimin dhe
popullarizimin e tyre si duhet dhe si meritojnë. Çështjen e trajtimit të keq të
një shkrimtari, të vlerësimit shkart ose të vlerësimit me kute, siç dihet, në
të kaluarën jo të afërme, krahas armiqve tanë të përbetuar, e ndihmonin edhe
ideologjitë politike, prej të cilave ideologjia komuniste e epokës që e lamë
mbrapa, sikur i vu kapakun.
Po
sot? Sot në ditët tona kur s’ka kush mund të na pengojë, margjinalizimi i
shkrimtarëve të rëndësishëm ngel përgjegjësi e atyre të cilët e kanë në duar
fatin e tyre: këto janë institucionet e kulturës, botuesit, shoqatat dhe
organet letrare, akademitë, institutet e letërisë e katedrat ku studiohet
letërsia, të cilët e kanë për obligim të bëjnë çmos që veprat e këtyre
shkrimtarëve të botohen, kritika letrare dhe studiuesit t’i interpretojnë, t’u
ofrohen lexuesve ato që t’i njohin. Nga ajo që është bërë gjer më sot,
asnjëherë nuk mund të themi se puna është kryer përfundimisht, sado të na duket
se puna me letërsinë tonë është kryer. Sepse, kur shohim të mos duken në
opinion disa emra shumë të rëndësishëm të letërsisë sonë për të cilët e dimë se
kanë peshë të veçantë për kulturën tonë, kur nuk i shohim e nuk dëgjojmë të
flitet për ta, atëherë kjo tregon se gjërat nuk janë në rregull. Kjo flet se
shumë gjëra që kanë ndryshuar, ose nuk janë ndryshuar deri në fund ose ato që
na kanë ndryshuar nuk kanë arritur të na bëjnë ta kapërcejmë veten tonë, të
transformohemi plotësisht. Prandaj, duhet t’i ritheksojmë dobësitë tona. Kur na
bie të shohim në mesin e botimeve autorë dhe vepra diletante tek na serviren
nëpër antologji dhe prezantime që duhet t’i gëlltisim si ushqim i zgjedhur
shpirtëror, atëherë kjo s’ka si të mos na dëshpërojë, prandaj pyetemi: si është
e mundur, ç’po ndodh me letërsinë tonë, a akoma duhet të na dirigjojnë?!
Nuk
ka dilemë se s’ka si mos të na brengosë të gjithëve tek i shohim të mënjanuara
vlerat e dëshmuara, dhe në vend të tyre, vetëmashtrohemi me vepra të dështuara
tek na prezantojnë! Kjo gjë duhet zgjidhur duke mos pritur as edhe një ditë të
vetme, para së gjithash, në mënyrë që të ruhet kierarkia e vlerave të
njëmendëta, sepse në këtë mënyrë mbrohet dhe ruhet tradita. Duke i prezantuar
autorët e veçantë, më të rëndësishmit, përforcohet identiteti ynë, nuk lejojmë
çaraveshjen e shpirtit tonë në emër të ndryshimeve që po ndodhin dhe nuk
lejojmë të ngjasim çfarë s’jemi para botës. Pa asnjë fjalë, shkrimtarët që kanë
dhënë dhe ofrojnë vlera të padisku¬tueshme, duhet ta kenë vendin e tyre të
merituar. Nuk guxon të lejohet kurrfarë mbrapshtie rreth këtyre çështjeve që
janë me interes nacional gjithëshqiptar. Çështja e ruajtjes së vlerave përmbi
pseudovlerat, mund t’ua ngjeth mishtë vetëm interpretëve spekulantë të cilët me
dekada na frustrojnë me manipulime. Ata, duke e ngritur infrastrukturën e
gjithçkasë të mbrapshtë, ndikojnë dhe kontribuojnë që skena jonë letrare të
mbetet e copëzuar; i dezorientojnë lexuesit në emër të vendosjes së vlerave dhe
të kierarkisë, në fakt këto dukuri i përmbulojnë me ideologema dhe
peudoshkencë, pra pa pardon i normojnë ato me dogma, skepsa dhe pseudoshkencë.
Prandaj,
në këtë udhëkryq të kohës sonë është koha që të ashtuquajturin fenomen të
distancës kohore që ka të bëjë me
shkrimtarët dhe veprat e tyre, ta orientojmë kah qëllimi fisnik që veprat të
cilat kemi dëshmi të mjaftueshme se paraqesin vlera të mirëfillta, të dimë si
t’i prezantojmë. Ta ndërtojmë idenë se si duhet ndriçuar akoma më shumë
letërsinë dhe shkrimtarët duke i afirmuar, të kudesemi t’i materializojmë dhe
t’ua sigurojmë vendin atje ku e kanë. Çështja e vendosjes së shkrimtarëve atje
ku ata realisht e kanë vendin e tyre, është çështje që mund të na duket se
është lehtë për t’u bërë, por kur fillojnë të numërohen të gjitha
konstelacionet shoqërore që presupozon, ngel çështja më delikate: dora e
ndershme për tundje para, e cila, është vështirë të gjendet. Sepse, vendosja e
një shkrimtari në vendin e vet të merituar nis të ngatërrohet saherë nisin të
përzihen kategoritë estetike me ato joestetiket, të cilat, në vend që t’i
afrojnë - i largojnë vlerat, i mënjanojnë, i lënë të presin larg tempullit të
tyre të receptimit nga opinioni.
Hiq
Ismail Kadarenë, shkrimtarin më të studjuar strukturalisht në të gjitha
aspektet, tre janë shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë të cilët, sipas meje,
urgjentisht duhet të studiohen në hollësi, do të thoja të mikrostudiohen, si
individualitete letrarësh ndër më të rëndësishmit të letërsisë sonë. Sipas
risive që sjellin veprimtaritë e tyre të gjithanshme me vlerat e vërteta të
patundshme, këta janë: Martin Camaj, Teki Dërvishi dhe Beqir Musliu. Ka edhe
shkrimtarë të tjerë të rëndësishëm të letërsisë sonë që meritojnë të studiohen
dhe të cilëve është detyrë e kritikës letrare t’u japë përgjigje edhe atyre,
por ata të cilëve, si të thuash, kahmot u ka skaduar koha, janë pikërisht këta
tre emrat të cilët i përmendëm më lart. Mendoj se kahmot pritet mendimi
relevant shkencor ndaj këtyre shkrimtarëve, veprave të tyre të shumta; lexuesit
presin të njihen e të studiohen dhe mikrostudiohen si nismëtarë të vërtetë të
risive që kanë sjellur para kohe epokën postmoderne, prej nga ka filluar të
evoluojë letërsia shqipe përpara me një varg ndryshimesh vërtetë të reja që
kanë ndodhur dhe po ndodhin sidomos tani në periudhën postkomuniste .
Martin
Camaj, Teki Dërvishi dhe Beqir Musliu që me kohë janë dalluar shumë nga të
gjithë shkrimtarët tjerë bashkëkohorë shqiptarë. Ata janë krijuesit e parë të
letërsisë së formatit postmodern që me prurjet në laboratoriumet e tyre, kanë
dëshmuar veçantinë e tyre autonome. Prandaj, duke i parë temat dhe idetë shumë
interesante, dhe sidomos duke i parë mënyrat krejt të reja të shkrimeve të
tyre, të panjohur më parë në letërsinë tonë, ata duhet të jenë më të parët
objekt shqyrtimesh, analizash dhe hulumtimesh të holla shkencore. Këta krijues
kanë pikat e tyre të përbashkëta të përgjasimit, sikundër që kanë edhe pikat e
dallimeve. Kjo mund të shihet në natyrat e tyre të mimezisit dhe të katarsisit
që i shquan si krijues, veç e veç. Ky trinom krijuesish që krijojnë poezinë,
prozën dhe dramën njëkohësisht (përjashtim bën Martin Camaj, i cili është edhe
filolog, gjuhëtar), e kanë shkallën e superlativit të risive që sjellin në të
gjitha zhanret letrare që i kultivojnë. Sado krijues llojesh dhe zhanresh të
ndryshme letrare, ajo që më së shumti u flë në shpirt atyre, është poezia,
prandaj do të theksoja se ata mbi të gjitha janë poetë dhe pastaj janë edhe prozatorë
e dramaturgë.
Këta
shkrimtarë, lexuesi shqiptar i njeh (i njeh mirë, i njeh pak ose s’i njeh fare)
si shkrimtarë të formatit postmodern. Ky fakt, bën që sot për sot presupozon
një inercion moskomunikimi ose një impakt të vogël të lexueshmërisë së tyre.
Por, siç ndodh zakonisht me shkrimtarët që lindin me talent, po para kohës së
lexueshmërisë së tyre, këta shkrimtarë sikur po përjetojnë moslexim dhe
mosreceptim mbase për shkak të shfaqjes para kohe të kodifikimit teorik të
lëvizjes letrare që paraqet ajo, në rastin konkret, të postmodernizmit, të
lindur në kontekstin kohor të soc-realizmit zyrtar. Prandaj, karakteri
postmodern i cili i tipizon stilet që aplikojnë ata në veprat e tyre, u
shkakton “huti” dhe “kokëçarje” jo vetëm lexuesve, por edhe studjuesve, sidomos
atyre me mbathje të vakët shkencore, në radhë të parë studjuesve pozitivistë që
janë me shumicë ndër ne. Edhe pse mosreceptiviteti në një shkallë më të lartë
borërore s’vihet në diksutim, them se si shkrimtarë bashkëkohorë, edhe këta
shkrimtarë modernë dhe postmodernë, ka ardhur koha kur duhet të studiohen,
madje edhe me përkushtim. Prandaj, duhet theksuar se kjo gjë ka për qëllim ta
shënojë veçantinë e këtyre shkrimtarëve, e si lexues i pasionuar i tyre, por
edhe profesional që insiston të mos lihen në harresë ata, sepse janë figura
madhore të kombit.
Këta
shkrimtarë të parë të mirëfilltë postmodernë shqiptarë, kanë sisteme poetike të
veçanta që i aplikojnë. Ato lexuesi mund t’i pikasë menjëherë, me një pamje të
parë të vëmendshme. Edhe pse kanë gjerësinë, thellësinë dhe madhështinë,
pakrahasimisht më të pamatshme, përballë, le ta zëmë, veprave letrare të disa
autorëve minorë të cilët sot i shohim si megashkrimtarë (e të cilët nuk ia
vlente as të përmenden fare), këta shkrimtarë në shtetin amë s’i boton kush. O
s’i njeh shoqëria e botuesve, o nëpunësit shoqërorë nuk janë çrrënjosur akoma
nga mentaliteti soc-realist ose krahinorë duke i ruajtur kufinjtë e ndasive
artificiale të kulturës sonë kombëtare e cila është e pa ndashme. Por, edhe
nëse e botojnë ndonjërin sosh, si psh. Martin Camajn, nuk e lexojnë; pastaj
mungojnë interpretimet dhe interpretuesit adekuatë profesionalë, të cilët dinë
t’ua ndriçojnë kuptimet veprave të tyre.
Martin
Camaj, mjeshtër i fjalës dhe i mendimit, erudit dhe enciklopedist i llojit të
vet, për nga natyra shkrues dhe kultivues i të gjitha diskurseve, prej atyreve
folklorike e deri te ato pastër postmoderne, në të gjitha llojet dhe zhanret,
paraqet shkollë më vete letrare që nga tradita di ta marrë më të mirën për të dalë
pastaj mjeshtrisht në një poetikë moderne dhe postmoderne, një futurist i
çuditshëm që në kështjellat e tij prej metaforash dhe metonimish, bredh mes
mundësisë dhe pamundësisë së fjalës, ndërmjet kozmogonisë, kozmopolitizmit dhe
ngjyrërave të saj të zjarrta, shëtit me poezinë mes artit dhe artefakteve ku
prehet pasi të jetë dehur. Shumë vjetë, shkollë për shkrimtarët e Kosovës,
Martin Camaj nga një shkrimtar i angazhuar kërcen në krijues të artit të
pastër, hermetiku i parë që evoluon drejt postmodernizmit.
Për
arsye objektive dhe subjektive, pas vdekjes Martin Camaj u botua nga botues së
ndryshëm, për çka figura e tij letrare filloi të ndriçohet dhe madhështisë e
tij të gjithanshme sikur po i hiqet velloja e mosnjohjes. Vepra e gjerë e
autorit pas botimit të dy kompleteve, botimeve të veprave të zgjedhura dhe përzgjedhjeve të ndryshme,
lexuesit ia kanë ofruar mundësinë e leximit. Gjithashtu, mund të thuhet se këtë
autor sikur e kanë lexuar dhe
interpretuar edhe lexuesit profesionistë, sado që jo në masën e duhur. Me këtë,
borxhi kombëtar ndaj këtij kolosi të letërsisë së sotme shqipe, në dukje të
parë, duket sikur po lahet. Kjo gjë, megjithatë nuk po ndodh me të dy korifejt
e tjerë, Teki Dervishin dhe Beqir Musliun, të cilët po vazhdojnë të jenë “të vegjël”
në sytë e lexuesëve për shkak të mosnjohjes së veprave të tyre: pikë së pari
për shkak të mos botimit të tyre në gjithë hapësirës shqiptare, kurse në
shtetin ëmë posaçërisht, pastaj për shkak të natyrës së shkrimit të tyre
postmodern që shpesh qëndron në diskordancë me horizontin e pritjes së
lexuesëve.
Teki
Dërvishi është demaskues, ironizues dhe alegorizues i koekzistimit të qenies
shqiptare mes pushtuesit barbar serbosllav dhe veglave më besnike të tyre,
shqiptarëve tradhëtarë. Ai në shkrimet e tij e zhvesh dhe demaskon pamjen
artificiale të ish Jugosllavisë duke e koduar atë me një satirë tepër therrëse
mu në kohën kur të tjerët i thurnin himne dhe panegjiri kreaturës së saj.
Mjeshtër shumë i hollë i ironisë, sarkazmit dhe parabolës, i simboleve, metaforës
dhe metonimive nga më të ndryshmet, që gjuhës së tij i japin forcën sintetike
si në veprat letrare, ashtu edhe në publicistikë, ai do të jetë një
individualitet i fortë e madje edhe unik i letërsisë sonë. Mes artit të
angazhuar dhe të paangazhuar, mes syrealizmit dhe artit të pastër, Teki
Dërvishi është i pari që përqafon eksperimentin dhe postmodernizmin dhe ia del
me sukses të bëjë një mori veprash me vlera të padiskutueshme artistike.
Beqir
Musliu është syrealisti i parë hermetik, një ngritës i figurave nga më të
ndryshmet prej atyre mitike dhe biblike (ngjashëm si edhe T. Dërvishi) në nivel
të komunikimit artistik, në një sistem figurash tjera, pastër të letrarizuara
dhe të mitologjizuara, që i trajton brenda një kështjelle specifike shkrimi, pastër
artistike, lëvrues i simbolit, metaforës dhe gjuhës abstrakte, pastër letrare,
aplikues i lojës me fjalë, gdhendës i fjalës dhe të mendimit. Lojtar me fjalën
artistike dhe durimin e lexuesit, B. Musliu mund të sprovohet me lloj-lloj
eksperimentesh artistike tmerrisht të skajshme, një flamurtar i formalizmit që
s’e gjen edhe një tjetër.