Shtesë » Lajme
Idriz Zeqiraj: Degët e LDK-së në Gjermani dhe Zvicër bënë vizita në atdhe
E merkure, 15.09.2021, 06:17 PM
Homazhe
në Kompleksin Memorial në Koshare
DEGËT E LDK-SË NË
GJERMANI DHE ZVICËR, BËNË VIZITA NË ATDHE
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ, zëdhënës i Degës të
LDK-së, në Gjermani
Anëtarë të kryesisë dhe aktivistë nga Degët e LDK-së në Gjermani e
Zvicër, bënë vizita në Atdhe. Të prirë, përkatësisht, nga kryetari Osman Ferizi
dhe anëtarët e kryesisë Saim Tahiraj e Ismet Çeku, ata bënë homazhe dhe vunë
buqeta lulesh ke shtatorja e komandant Sali Çekaj në Deçan, në Kompleksin
Memorial në Koshare dhe Kompleksin Memorial Dr. Ibrahim Rugova në Istog.
Grupi i mërgimtarëve përbëhej nga kuadro drejtues dhe aktivistë të
Degëve dhe të Nëndegëve të LDK-së, nga Gjermania dhe Zvicra: Tahir Buqolli,
Smajl Çekaj, Zymer Lulaj, Azem Kelmendi, Alush Zeqiraj, Lush Cana, Fazli
Kelmendi, Rashid Nikçi, Sali Blakaj, Ali Demaj, Lirim Lulaj dhe të tjerë. Pjesë
e këtyre vizitave u bë edhe zonja Hyrije Dobruna, kandidate për kryetare të
komunës së Deçanit, me një pjesë të ekipit të saj, si dhe ish-shefi i
Protokollit të Presidentit Rugova, Sali Cacaj.
Veprimtarët e LDK-së, të dy Degëve në fjalë, në lokalet e
Restorant "Kosharja", zhvilluan një bisedë dhe shkëmbyen mendime me
zonjen Dobruna, me theks të veçantë për zgjedhjet e pritshme lokale të tetorit.
Kryetari Osman Ferizi bëri një ekspoze të veprimtarive, që zhvillon Mërgata
shqiptare. Ndërsa kandidatja Dobruna foli për nismën e ndryshimit në LDK-e; për
opozitarizmin e pavarur dhe aktiv që bënë udhëheqja e re, me kryetar Lumir
Abdixhikun; për aksionin e madh agjitativ të ndërmarrë, nga drejtues dhe
veprimtarë të përkushtuar, për ringritjen e LDK-së, pas debaklit të pësuar në
zgjedhjet e shkurtit të sivjem.
Homazhe në Deçan
Kryetari i Degës të LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi, me shokë,
bëri vizitë në Kuvendin komunal të Pejës, ku u pritën nga kryetari Gazmend
Muhaxheri, njëherësh, nënkryetar i LDK-së dhe nënkryetari i kësaj komune,
Fatmir Asllani. Zoti Muhaxheri i informoi mysafirët nga Mërgata, për zhvillimin
dhe ndryshimet e bëra në komunën e Pejës; për realizimin e premtimeve të dhëna
elektoratit katër vite më parë. Përjashtim bënë projekti madhor
"Borea", i cili u sabotua nga qeveria e PAN-it, për arsye, kryekëput,
politike.
Nënkryetari i LDK-së, i informoi veprimtarët nga Mërgata për
zgjedhjet e radhës, për rrjedhat në LDK-e, për nismën dhe vazhdimin e reformave
në parti. Ai foli për përgaditjet për zgjedhjet e tetorit, me shpresën e bazuar
se LDK-ja ka marrë mesazhin e qartë të elektoratit, në zgjedhjet paraprake të
shkurit. Andaj, po punonin me bazën partiake, me premtimin se shumëçka do të
jetë ndryshe. Dhe, mbi këtë bazë, pritet ringritja e LDK-së në nivel vendi.
Kryetari Ferizi, duke e falenderuar kryetarin e komunës Muhaxheri,
për pritjen sa të përzemërt, aq edhe të sinqertë, rrëfeu për aktivitetet e
Degës së LDK-së në Gjermani, si dega më e madhe e Mërgatës. Ai ishte, si
gjithmonë, i drejtëpërdrejtë dhe shprehu opinionin e anëtarësisë së partisë në
Mërgatë, e cila e ka mirëpritur ndryshimin, aq shumë të dëshiruar. Mbizotëron
mendimi se koalicionet me PDK-në, përkatësisht, PAN-in, i kanë kushtuar shumë
LDK-së. Këtë e pranojnë, tashmë, edhe ata që i kontribuan kësaj vartësie e
lidhjeje të panatyrshme, madje, anakronike.
Thonë se çdo e keqe, ka edhe ndonjë të mirë. Dhe, e mira e
debaklit të LDK-së, në zgjedhjet e shkurtit 2021, është vetëdijësimi i
drejtuesëve të LDK-së, se nuk duhet vepruar kundër anëtarësisë, simpatizantëve,
të elektoratit të LDK-së. Sepse durimi ka një kufi. Dhe, caku i kaluar, sjell
reagimin e ligjshëm, madje, të vrazhdët, siç ndodhi me humbjen e gjysmës së
elektoratit votues, krahasuar me zgjedhjet paraprake, të cilët nuk votuan
partinë e zemrës - LDK-në, si hakmarrje ndaj krerëve-klan të LDK-së, të cilët
shpërfillën elektoratin, deri në injorim, përbuzje, anashkalim total.
Kryetari Ferizi u zotua se Dega e LDK-së në Gjermani, do të jetë
bashkëpunuese konstruktive me LDK-në qendër, për të mirën e partisë dhe të
Kosovës. Duhet pranuar se elektorati i LDK-së, në Mërgatë, është fort i
lënduar, nga provokimi i rëndë i bërë, ndër vite, me koalicione të dëmshme,
duke i mundësuar PAN-it një qeverisje sa të gjatë, aq edhe primitive, të
pamerituar, të vrazhdët dhe hajnore. Urojmë që pësimi të bëhet mësim, për
udhëheqjen e re!
Në përmbyllje të vizitave të veprimtarëve të LDK-së në Atdhe,
realizuan një takim me kandidatin simpatik, për kryetar të komunës të Istogut,
Ilir Feratin. Kryetari Osman Ferizi e përgëzoi Kryesinë e LDK-së, për pëzgjedhjen
e duhur të kandidatit Ferati. Edhe pse i ri në moshë, Iliri ka përgaditjen
solide intelektuale e profesionale. Zoti Ferizi e përgëzoi kandidatin e ri, për
guximin dhe gadishmërinë e treguar dhe kjo është premisë e suksesit. Urojmë që
pretendenti i sotëm, të jetë kryetar i komunës të Istogut nesër, si bastion i
pathyeshëm i LDK-së të Ibrahim Rugovës!
Kandidati Ilir Ferati falenderoi kryetarin e Degës të LDK-së në
Gjermani, Osman Ferizin dhe ekipin e tij, nënkryetarin e Degës, Tahir Buçolli,
kryetarin dhe sekretarin e Nëndegës të LDK-së në Rheinland Pfalz, përkatësisht,
Alush Zeqiraj e Lush Cana, anëtarin e kryesisë Sali Blakaj, pastaj Ali Demaj
nga Dega e Zvicrës, Xhevat Demaj, kryetar i Nëndegës të LDK-së në Vrellë dhe
veprimtarët tjerë.
Kandidati Ilir Ferati, njëherësh, anëtar i Kryesisë të LDK-së,
bëri një ekspoze të LDK-së, në nivel të vendit, riorganizimin për ringritjen e
saj. Pastaj foli "për unitetin që manifestohet në LDK-në komunale të
Istogut, bashkëpunimi i sinqertë me kolegët ish-pretendentë, të cilët,
papërtueshëm, me shoqërojnë në fushatën specifike, që e bëjmë në kushtet
pandemike". Ai shprehu besimin, që së bashku, do t`ia dalim me sukses.
Dhe, ne e urojmë me gjithë zemër, kandidatin Ilir Feratin, duke i
dëshiruar një fitore të suksesshme dhe fisnike!
Të gjitha aktivitetet e veprimtarëve të Degëve të LDK-së, në
Gjermani e Zvicër, i përcolli mediumi i zëshëm RTV "FONTANA",
përkatësisht, drejtori i saj Zeqir Mehmetaj.