Kulturë
Xheladin Mjeku: Diskursi i narracionit modern
E merkure, 28.07.2021, 07:54 PM
DISKURSI I NARRACIONIT MODERN
Mehmetali Rexhepi:
“KALLINJTË E ÇATISË”, roman, botoi
“Lena” – Prishtinë, 2020
Nga
Xheladin MJEKU
Qasje
Mehmetali Rexhepi
(1951), poet, prozator dhe studiues, në opusin e tij krijues ka numër të
konsiderueshëm veprash letrare dhe studime në fushën e letërsisë, që dëshmojnë
për punën kreative për shumë dekada, gjithnjë në përpjekje të prurjeve të reja
sa më cilësore. Ai, kolanës së veprave letrare ia shton edhe romanin e radhës “Kallinjtë
e çatisë“, që shquhet për trajtimin tematik, thellësinë e mendimit dhe
vlerat estetiko-letrare, duke ndërtuar kështu një prozë elitare, që lexohet e
shijohet me ëndje.
Romani “Kallinjtë
e çatisë“ është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: laryshia tematike,
trajtimi i periudhave të ndryshme kohore dhe thellësia e mendimit
filozofiko-letrar. Këta katalizatorë e bëjnë të veçantë mbarështrimin tematik
që trajtohet në gjithë veprën romanore. Gjatë leximit të kësaj proze, me
lehtësi e hetojmë kalimin nëpër ngjarje të ndryshme, që në brendinë e tyre
ngërthejnë kujtime të shumta, të cilat, ashtu të shkapërderdhura nëpër periudha
të ndryshme kohore, bëjnë të mendojmë se kemi një tufë rrëfimesh, që secila më
vete shpërfaq një ndodhi të veçantë. Të rëndësisë së veçantë janë, sidomos,
shtruarja tematike, mendimi filozofik dhe diskursi psiko-analitik i ngjarjeve,
të përshkuara me figuracione të shumta estetike dhe rrjedhshmëri gjuhësore, që
lehtësojnë absorbimin e kësaj materie tregimtare. Bashkëveprimi i këtyre
elementeve me shtrirje kohore dhe gjeografike, si dy vegëza të pashkëputura
deri në përmbyllje e ndërtojnë këtë prozë romanore. Mendimi i Jorge Luis Borges se “libri është vazhdim i kujtesës
dhe i imagjinatës”, e përkufizon këtë vlerësim që në fillim të zbërthimit
lëndor të romanit.
Poetika e rrëfimit
Katër copëzat e
kësaj vepre letrare mund të trajtohen edhe si katër grupime esesh, apo edhe si
katër novela. Në fakt këto përbëjnë katër skajet e një ngrehine të përbashkët,
që si një tërësi e ndërtojnë strumbullarin fabulativ të romanit. Ky ndërtim i
ndërsjellë trajton “ngeshëm” situata të ndryshme, duke i plotësuar këto “copëza
romani”, që bëjnë tërësinë e “Kallinjëve të çatisë”, prej nga prekim
begatinë e këtyre orvatjeve narrative në kohë dhe hapësirë. Qëndresa e
gjeneratave të shumta do të veproj parreshtur në shkëputjen e zingjirit të
prangave shekullore, që pastaj të kurorëzohet me realizimin e ëndrrave për
liri. Kjo do të evoluoj gjatë tërë rrugëtimit prozaik të romanit, për të bërë
kupolën e fruteve të një pune në përmasa kombëtare.
Në studimin e saj “Aleanca letrare më e madhe e të gjitha
kohërave; ju, autori dhe personazhi”, Lisa Zeidner, ndër të tjerat shprehet: “Zgjedhja
e këndvështrimit përfshin manipulimin e zotë dhe rregullimin e aleancave me
personazhet. Në të vërtetë, për mendimin tim, këto manipulime përbëjnë vetë
thelbin e letërsisë artistike dhe janë më qendrore dhe të qenësishme se sa
subjekti – të cilat trillimi letrar, i cili sfidon besnikërinë ndaj autorit apo
personazhet, arrin t’i bëjë plotësisht me sukses”. Ky, mbase është
përcaktor i qëndrueshëm edhe në konfigurimin e ngjarjeve dhe personazheve në
romanin e Mehmetali Rexhepit.
Romani “Kallinjtë
e çatisë” nuk i qëndron besnik ndërtimit klasik tradicional, ku
kryepersonazhi në vazhdimësi tërheq ngjarjet drejt pikëqëllimit, rreth të cilit
trajtohen ngjarjet e tjera. Shtrirja e gjërë e veprimeve krijon pasqyrën
tablore, përmes së cilës parakalojnë ngjarje e personazhe, tërësia e të cilave
ndërtojnë kupolën narrative të lëndës prozaike.
Kjo prozë e
modelimit poetik, me narrativë ndryshe nga ajo klasike, që jemi mësuar ta kemi
pothuajse çdoherë në romanin tonë, shquhet për veçantitë e saja krijuese, për
lëndën përmbajtësore, dendësitetin e shtjellimit, ruajtjen e origjinalitetit
dhe mendimit intelektual gjatë trajtimit
të universit letrar.
Narracione që ndërlidhin një epokë
Pa mos u ndalur gjatë në çdonjërën nga katër “copëzat e
romanit”, do të veçoja disa nga
karakteristikat që reflektojnë imazhe jete dhe ngjarje nga më
interesantet, si për nga trajtimi tematik, ashtu edhe për narracionin modern të
ndërtimit të kësaj proze.
1. Të vjelat e
letrës. - Në përpjekje të përballjes me situatat e krijuara që ndryshonin
nga një çast, në çastin tjetër, vazhdonte të “Mbizotëronte ende terri. Territ
i shpohej sfondi prej shigjetave të agmisë; do të grisej shpejt dhe t’i hapej
udha rinore…Kishte ecur asaj “Rruge…” Ku e shpiente autorin?...” (“Letra me
shkronja gjaku”, fq. 21). Ecja nëpër këtë terrinë, në fakt është
esenca e rrugëtimit të autorit nëpër kohë, duke shqyer edhe terrin, që ishte
vetë rreziku i pambarim në atë ecejake aq të gjatë e plot sprova. Këtu
kontrastet meditative dalin në rrafshin kohor dhe politik, meqë në vazhdimësi
frynin erëra të rrëmbyeshme, prej nga “acaret, vinin pikërisht prej fonemave
akullnajore (ulë)ruse”. Pikërisht me këto ulërima karpatiane do të
përballet edhe autori, në përpjekje të vazhdueshme në kapjen e çdo veprimi,
qoftë të rastësishëm, apo të parapërgatitur nga falangat e pushtetit ogurzi, ku
gjithçka synonte ta arrinte përmes territ, që dalngadalë kishte filluar të “grisej…
dhe t’i hapej udha rinore”. Jo vetëm në “Letra me shkronja gjaku”,
por, pothuajse në shumicën e rrëfimeve të kësaj proze romanore e përshkojnë
elemente biografike të autorit, duke qenë edhe vet pjesë e kësaj periudhe
historike.
“-Bëje diell shpirtin tënd të kesh rreze për të tjerët, edhepse mund të
shkrumbohesh…” do të shprehte
besimin e tij, autori, që në pjesën dërmuese të rrëfimeve venerojmë prezencën e
tij në vetën e parë të rrëfimtarit të ngjarjeve, sikur ndodh edhe këtu në
“Letrën e korrikut”, ku shpërfaq gjithçka gjatë kësaj kohe, meqë “I morën
shumëçka kësaj bote, por nuk i merren dot të gjitha globit, se ia djegin të
nesërmen vetvetes”. Ata, ndonëse ndryshuan gjithçka duke ngritur e rrëzuar
regjime në emër të “drejtësisë së mëshirës”, mbetën përbuzësit e
përhershëm, në kundërveprimet e kësaj kafshërie mbi njerëzimin. Këtu, ai
(kupto: autori, në cilësinë e treguesit të ngjarjve) bashkë me Vetën do të
cilësohen si “mëkatarë të pashërueshëm”. Pikërisht mbi bazamentin e këtij
“mëkatari të pashërueshëm” do të veproj gjatë gjithë kohës, duke ndërtuar
besimin se “-Betejat e padukshme dhe luftërat janë para nesh si dhe sherret”,
që do ta përcjellin deri në çlirimin shpirtëror dhe emocional, ku siç do të
shprehet: “Gjithsesi normalja njerëzore edhe mua më mërgohej në diçka, që as
shihej, as prekej, as më mbante, as më lëshonte…Mes këtyre alternativave veçse
lëngu i shpresës më pohonte në tru rrokullisjen e globit” (po aty, fq. 36).
Një ndiesi
impulsive e personifikon këtë pjesë të tregimeve-ese që për narracion kanë
kujtesën, si “Thellësi”, prej nga mëtojnë të shpalosin “Thesaret”,
me një përmbyllje joshëse, si improvizim mashtrues ndaj realiteteve fiktive, me
lojë fjalësh e tundime mendimesh, prej nga kuptojmë se pushtuesi ogurzi edhe “Botës
shtazore ia mori intelektin e ia la instinktin, botës njerëzore ia fali
mençurinë e zilinë dhe etikën për t’i fshehur instinktet”, meqë rruga e
pafund e mashtrimeve sjell edhe dyshimet e pazbërthyera, sepse “Në filozofi
mund të hysh i ri e të dalësh i plakur…”, apo e kundërta e kësaj: “mund
të hysh plak e të dalësh fëmijë!”, që kurrë nuk dihet “se ku mund të
jetë kufiri i të së vërtetës”, meqë “Hirësia e Tij e Madhërishme njërës
botë i dha ndjeshmërinë e drejtpërdrejtë, ndërsa tjetrës, po aq ndjeshmëri, në
mos më shumë, intriga e dinakëri për lumë” ((“Modeli i lëneshës”, po aty,
fq. 18).
Me të “Vjelat e
letrës” gjejmë pikënisjen e dëshmive përballë një arsenali të pafund të
veprimeve denigruese dhe tepër të dhunshme, prej nga ishte prekur çdo lëmi e
sektor i jetës nga kjo bishë e tërbuar shekullore. Këto veprime kaq të
shfrenuara dhune gjatë një periudhe të gjatë kohore, do t’i plasohen si dëshmi
e shkruar brezave, që s’paku ta kuptojnë se cilat ishin qëllimet e këtij
agresori ndaj një populli “fajtor” që këmbëngulte të jetonte në trojet e veta
stërgjyshore, qoftë edhe me çmimin e jetës.
2. Kataraktet e
shpirtit. - Rrëfimet zinxhirore që ndërtojnë epokën e ngjarjeve të ndërlidhura
me kauzën, simbolikisht do të identifikohen me “Mollën e krymtë”. Në
fak, ai krimb po udhëtonte parreshtur në mendjet e njerëzve, që tashmë kishin
nuhatur me saktësi qëllimet e sunduesit, duke i qëndruar përballë demaskimit të
këtyre veprimeve të ndërtuara me strategji të planifikuar me plotë rreziqe dhe
intriga. Këto veprime, ishin projektuar kundër të gjithëve dhe kundër askujt,
me pretendimin e ruajtjes së një
“bashkëjetese” ballkanike, që nuk ishte veçse një okupim i sforcuar në
përballje me rrethanat e krijuara, tashmë. Këtu vlen të kujtohen ndryshimet e
klasës intelektuale, që kishin prekur palcën e qeverisjes së kalbur, duke ia
lëkundur velat e drejtimit, për ta bërë të pasigurtë në lundrimin e ujërave, që
dukshëm ishin turbulluar. Dalngadalë po shembej kjo kullë që nga pirgu, për ta
humbur busollën e rrugëtimit në çdo drejtim. Një perde politike, si katarakt i
hollë, me synime të një verbimi të vazhdueshëm ishte shfaqur në skenën politike
gjithandej Gadishullit Ballkanik, meqë bishën komuniste e kishte zënë lëngata e
shpërbërjes. Në këtë kontest po veprohej edhe këtu, ku populli, ndonëse i
gjendur mes torturave dhe varfërisë së skajshme, të vetëdijshëm edhe në
rrezikun e përballjes me pasojat, gjithnjë e më bindshëm po konsolidohej në
organizime e aktivitete të ndryshme, që për qëllim kishin rrënimin sa më të
shpejtë të kësaj kulle të brishtë shtrigash. Ishte kjo periudha e viteve të
pesëdhjetëegjashta të shekullit të kaluar, kur po zhvilloheshin ngjarjet më
makabre ndaj një populli të vuajtur, ku e keqja sa vinte e i bëhej më prezente
në jetën e tyre. Kishin filluar ekspedita të mëdha ndëshkimore ndaj shumë
familjeve të njohura, të cilëve u kërkoheshin armë, me qëllimin e frikësimit të
tyre që ta braktisin atdheun, duke lënë këtu gjithçka kishin. Raprezaljet e
tilla po merrrnin përmasa të mëdha, sa që
njerëzit kishin filluar të humbasin shpresat për jetë të mëtejme në
trojet e tyre. Në këto rrethana shfaqen edhe guximtarë që do të përballeshin me
të keqen, pavarësisht se cilat do të ishin pasojat. “Motin e trembnin dhe
frikësonin vetëtimat e reve, futa të zeza dhe shkreptimat e artilerisë së
rrufeve, kur luftonin dragonjtë e paragjykuar, por ato ishin kalimtare, ngase
pasonte kthjelltësia e çiltërsia e shpirtit” Nami nuk ndihej i rrezikuar nga ndryshimet e
motit, sa nga pasojat që i kishin shkaktuar hijet e zeza të natës, të cilat i
kishin përgjuar edhe dy vëllezërit e tij “Meqë nuk dihej se kah dhe kush i
solli shqiponjat e zeza në bezen e kuqe, të valonin aty – këtu në disa zyre;
hafijet kishin kapur bredharakun e rrugicave” (“Nami”, fq. 58). Në këto
dyshimeve se cili mund të jetë Nami, që qëndronte në heshtje kur flitej
shumëçka rreth “fatkeqësisë” së tij, dikush duhet t’i ketë qarë hallin: “Çka
dinte i shkreti Nam për vëllezërit e
tij, sidomos për atë që gdhinte natën mbi disa letra të shpërndara në dhomëzën
e tij të vogël?” Por më i arsyeshëm ishte mendimi i Motit, të cilit “i
dukej se pas fytyrës së Namit fshehkej Ai, Njeriu i Letrave”. Nami, hija
dhe pamja e përditshme “çdo herë i vetëm në rrugë. Me të njëjtin ritëm të
ecjes, me shikimin pa përshtypje të gjërave” pasqyron njeriun e
ilegalitetit që personifikohet me kohën, ngjarjet, rreziqet, intrigat,
thashethemet e të tjerëve, që s’bashku krijojnë dyshimin, se vërtetë, cili
ishte Nami, ai i urti, i panjohuri me situatat, apo vet personazhi i të gjitha
këtyre njohurive, që defilonte në çdo uvertyrë të kohës?. Në vazhdimësi Moti do
të përcillte veprimet e tij, meqë “hetoi se në thellësi të ndërdymjes së
Namit mëtohej të ruhej pastërtia dhe pacënueshmëria e dinjitetit” (po aty,
fq. 64). Këto elemente biografike dhe historike të kohës mund t’i gjasojnë
çdonjërit dhe askujt, ashtu si edhe tërësia romanore “Kallinjtë e çatisë”, që përkon me
mburojën e kohës dhe njerëzit e akcilës periudhë, duke mbruajtur në brendi
veprimet dhe veprat e tërësisë narrative. Turbulluesit e situatave të pushtetit
do të ndiqen në çdo hap për t’u sjellur në Zyrat e Shtrëngatës, prej nga do
t’iu “caktohet të luanin role tragjike në Teatrin e Zi” për t’i
tjetërsuar nga veprimet e tyre, me qëllimin që t’i kthejnë në veprime të
kundërta me bashkëmendimtarët. Mbi këto tortura shkojnë deri në masën e
kërcënimeve: “Ose do ta bëni “faktin” që të preket, ose do ta pillni!”
për të përdorur në vazhdimësi forma e metoda nga më të tmerrshmet, duke i
kërcënuar se do t’iu hapin “xhepa lëkure në kofshë, që kur t’iu mërdhijnë
duart le t’i fusin në xhepat e tyre të nxehtë” (“Përdëllimtari”, fq. 69).
“-Shumë bukur! – Çfarë ideje humanitare, Shef!”- do të shpreheshin për një veprim të
këtillë, të thirrur në “humanitetin” ogurzi, me arsyetimin “që të shpëtonte
populli nga helmimi!” Këto ishin veprimet e bastardëve të pushtetit ndaj
një populli liridashës. Në kontest të këtyre represaljeve kujtesa kthehet në
periudhën e para dyzet vitesh, kur kishte pasuar kërcënimi se “Duhet ta
djegim vendin ku ke ndejë e ku ke shkelur ti!”, për ta kundruar me
rrezikueshmërinë e ndërsjellë:
“-Gjysh, si më ngjanë kjo, të kesh
qenë virus më i rrezikshëm se “Covid-19”…
-Ha, ha, ha, ha – e shkundi e qeshura në korin e gjatë prej tetë mijë
kilometrash…
-Mirëpo, unë isha virus i dukshëm dhe i kapshëm Valor djali…” ( “Nëmët”, fq. 86).
Ky citim shpërfaq
mundësinë e pasojave në kontinuitet, po të identifikohej ndonjë “virus” që do
ta ketë infektuar popullin me agjitacion politik, duke u ndjekur edhe përtej
oqeanit. Virusët e përhershëm, ata të
jashtëzakonshmit, të padukurit, do ta kenë bërë punën e vet, për t’ia kthyer
kujtesën njerëzimit për pasojat dhe pasigurinë e përhershme. “Ja si rrjedhka
jetesa e “lirisë” mes mynxyrash të jesh i mbyllur dhe i heshtur derisa të
kalërojë paria e virusit Korona!” Këto ballafaqime që ndodhin në kohëra,
sado të largëta, shprehin ngjashmërinë e rrezikut, me dallimin e vetëm të
mjeteve të veprimit.
Sa larg do të kenë
shkuar masat “ndëshkuese” ndaj kundërshtarëve të pushtetit, flet edhe veprimi i
“përsosur” ku e detyrojnë të flet edhe gomari. Në pamundësinë e veprimeve
kundër argumentit të tyre, Hila detyrohet të pranoj “fajin” e bërë.
“-Masi gomarin tim Besnikun e paskni shti me fol e me kallxu kshtu, s’kam
çka baj: e pranoj!
Zyrtari me një buzëqeshje të çastit i ofroi shkresën:
- Nënshkruani këtu!
Për Hilën niste nata e gjatë, më e gjata jashtë kasolles tij…
Hila iu kthye vetvetes dhe Besnikut sikurse ta kishte aty:
- Ah Besnik, Besnik gërdalla jem i dashtun!...
-Ma mirë t’ish kanë kjo natë nata e vorrit tem!” (“Dëshmia e gomarit”, fq. 112).
Këto dhe shumë
veprime tjera dëshmojnë qartë se cili ishte synimi i pushtuesit, derisa rinia
dhe bota intelektuale përfundimisht do ta zgjedhin rrugën e ardhmërisë,
pavarësisht mënxyrave që do të kalojnë.
3. Majbora.
- Me fuqinë politike dhe mashtruese, si dy armë të sotisfikuara të kohës, pothuajse
në gjithë Gadishullin Ballkanik po veprohej me të njëjtin model të sundimit dhe
okupimit bizar ndaj popujve autokton. Me parollat më të padenja dhe aspak të
vërteta kishin ndërtuar sisteme udhëheqjeje, që në këto vende merreshin si
forma të reja të ndërtimit të ardhmërisë së popujve që kishin vuajtur nga
sundues të mëparshëm. Kundruall këtyre veprim-mashtrimeve, Mehmetali Rexhepi do
ta thjeshtësoi kuptimin e kësaj politike okupuese, meqë: “Të gjithë
diktatorët e botës mbi argumente të sforcuara skajshëm e ngritën sundimin e
tyre, duke shkelur mbi njerëz sikurse mbi gurët e rrugicave të vjetra” (“Në
vorbullën e pikëllimit”, fq. 119), për të shpalosur ngjarje tjera të shumta, ku
secila në veçanti paraqet një karakteristikë të sistemit, me të gjitha veprimet
e tij të sundimit shfarosës dhe dëbues, në masën e pakufizuar të veprimeve
okupuese të trojeve tona. Në këto relacione veprimi ndonjëri edhe mund të
ngritej në çdo aspekt, si në atë material, ashtu edhe në aspektin politik, por
mosbindja ndaj këtij realiteti Motin do ta kishte hedhur në anën tjetër të
“lojës”, ku në asnjë mënyrë nuk do të ketë mundësi të ndërtoj as shtëpi as lumturi, “duke iu
shmangur kalkeve me ndershmëri të vet”, ndonëse dikush “Krenarinë e
ngriti mbi varfëri, derisa shumë kush i shiti goglat për rrush dhe u vesh me
gëzofin vezullues të hajnisë së modifikuar” (po aty, fq. 121).
“Ngjyra e
mallëngjimit” si një parafytyrim i ngjarjeve tjera, poaq të vlerësuara të
njerëzve në mërgim shpeshherë del paksa më e sforcuar, duke sjellur emra e
personalitete të padenjë që merren me kauzën; insistojnë që kushtimisht të
ngrisin zërin mes turmës mallëngjyese për gjendjen e atdheut, për të shfryrë
urrejtjen ndaj okupuesit nga një largësi disa qindra kilometërshe. Të tilla
brohoritje, ndonjëherë gjasojnë në parulla ditore kundërthënëse, herë të
ngrisin flokët nga fuqia e tyre improvizuese, si: “- Autoritete të këtij
shteti! Deri ku do të shkoj verbëria juaj pushtuese?!”; “Si mund t’u
vihet dryni tempujve të dijes së autoktonëve, në kapërcyell të shekullit njëzet
e në nismën e njëzet e njëshit?!”; “- I dashuri popull! Gjiri juaj ka
energji të pashterrshme dhe, pikërisht në gjirin tuaj të ngrohtë do të hapen
tempujt e dritës së diturisë!”, që kishin për qëllim sensibilizimin e
njerëzve, por edhe “shfajësimin” e ndonjërit që hiqej si prijatar i kauzës,
duke mos pasur mundësitë, e ndonjëherë edhe vullnetin e plotë të sprovohen në
vendin e ngjarjes. Këto artikulime zërash nga larg kanë dhënë rezultatet e veta
në shumë mënyra.
Edhe më tutje vazhdon
të mbetet në skenë motivi i mërgimit. Tashmë takojmë edhe aktivitete e
krijimtari nga bota e kulturës në mërgatë, ku “Loja e Kaonit e ndezi
ftohtësinë e qetësisë”, derisa këtë personalitet, arkitektja elegante, Ana
do ta përshkruan: “-Kaoni është si një yll i zbritur nga qielli?...”
duke reflektuar prirjen e saj tutje: “-Kaoni ka një ndërtim unikët!” Qëndrimi larg vendlindjes ka shumë peripeti
jete, që reflektojnë te çdonjëri, veçmas. Moti, me gjithë qëndrimet e tij në
mesin e bashkëvendësve, detyrohet ta “ndërronte gëzofin sipas motit”.
Kur po mbaronte “misionin” e tij dhe po kthehej me shumë kujtime, mbresa e
shqetësime. “E shtuna e fluturimit të Motit i jepte në duar dy trasta t’i
merrte me vete: gazmoren dhe pikëllimin e Kaonit” (“Tregimi për Kaonin”,
fq. 142).
Ngjarjet e
ndryshme të dhunës, do ta kenë përcjellur në vazhdimësi vendin, duke u
përballur me tmerre të ndryshme. Zhvendosjet dhe dëbimet masive të popullit
ndodhin në periudha të ndryshme duke ia ndryshuar gjeografinë atdheut. Barbaria
okupuese nuk mund të anashkalohet pa u kujtuar, qoftë edhe me pak fjalë nga
krijues të zhanreve të ndryshme letrare, historianë, kronikanë e studiues të
shumtë. Kjo, padyshim është njëra nga plagët e thella që kohërat do ta kenë
krijuar në këto treva të banuara që nga lashtësia. Gustoja e gllabëruesve
shtohet në çdo periudhë kohore, e dyndjet e pupujve pësojnë në të gjitha
aspektet. Rrëfimet e personazheve me gjuhën e kohës nganjëherë mund të kuptohen
si “përralla” të së kaluarës, por këtu “Kronika nuk i bie ndesh
përrallës…Ajo shqipton zhvendosjen masive të autoktonëve prej barbarëve me
simbole drapërinjsh e sëpatash”. Padyshim se këto ngjarje i përshkon
pasqyrimi i vuajtjeve, torturave, vrasjeve e dëbimeve sepse “Të pandërprera
ishin luftërat këndej…luftëra të pabarabarta, tej logjikës njerëzore!... Me
bajoneta e bekimin e popëve të kishave, nënave u kishin nxjerr foshnjat prej
barkut!...”. Një tmerr i tillë do të ndodh në vitet e tetëdhjetë të
shekullit XIX, prej nga janë dëbuar e shkatërruar shumë vendbanime, për të
humbur gjurmët e ekzistencës së këtij populli. Toplica, Çamëria, Karadaku,
Malësia, etj. janë viset që pësuan nga këto tmerre në shekuj, për t’iu
shkëputur territore të shumta nga “fqinjët” grabitçarë. Kundruall këtyre
ndodhive që kishin qëllime të caktuara, njerëz të çarqeve politike, kulturore
dhe fetare të kohës, parreshtur u drejtohen fuqive të mëdha dhe shteteve me
ndikim në politikën vendimmarrëse ndërkombëtare, me prova e dëshmi të shumta
për zgjidhjen e drejtë të kauzës sonë. Shpresat që e mbajnë gjallë këtë popull
ishin pikërisht këto personalitete, që nuk pushonin së vepruari, me kontributin
të vazhdueshëm. I tillë vjen edhe “Imzot Pjetër Bogdani në perin e një drite
të zbehtë kandili lidhte miliona shkronja e kuptime, mirëpo, në ato shenja
zhdavariste sfondin e zi me bardhësinë e të ndjellave të veta…”
(“Kallëzimtarja”, fq. 148).
Shpërnguljet e
“muhaxhirëve” vazhdojnë të trajtohen edhe më tutje, duke pikasur ngjarje e
vendbanime të krijuara nga këto dëbime. Këto familje tashmë duhet të kenë
krijuar vendqëndimet e tyre të përhershme. Ato kishin krijuar fqinjësi e miqësi
të reja, por plagët nuk do t’u shërohen kurrë, sa malli do të shuhet ndonjëherë
për trojet e tyre. Madje këtyre plagëve do t’u shtohen edhe vuajtje e plagë të
reja, qoftë nga varfëria, nga fatkeqësitë natyrore, etj. Ndonëse “Rrënjët u
ishin shkulur prej barbarëve të stepave, të cilët e shtrinin acarin e zhbërjes
së etnisë nga Nisi e këtej deri te Manastiri”, ata kishin rinisur jetën në
vendbanime të reja, me dhimbje e probleme të vjetra. Kujtesa u sillej vërdallë
për trojet e tyre, deri te Molla e Kuqe, që “pigmentin e kuq e kishte
thithur prej lëngut të gjakut të dardanëve…”. Këtu, përmes çdo ngjarjeje
kuptojmë se “Barbaria i bie ndesh qytetërimit”, por qëndresa heroike, si
kundërveprim i kësaj barbarie e mposhtë çdo veprim të tyre, duke vënë
shembullin se ata janë dhe mbeten kryezotët e trojeve të veta. Edhe pas shumë
vitesh, këto familje do ta përjetojnë rëndë dhunën, përkundër përpjekjeve që të
ndërtojnë jetën e re. Varfëria, arsimimi, dhe në përgjithësi dalja nga kthetrat
e prapambetjes së tyre po ndryshonin me vështirësi. Në mungesë të këtyre
emancipimeve, ende vazhdon të preket paaftësia e kuptimit të jetës në masën e
dëshirueshme, meqë prej kohësh përcilleshin “virtytet” e njerëzve që “Kishin
lëshuar rrënjë të thella në koka me shtresime të cekëta mendjesh.”
Kryesisht dëgjohej fjala e predikuesëve fetar, që ishin të mangët në shkollim;
pastaj bestytnitë e ndryshme e deri te frika e përballjes me realitetet dhe
ngjarjet që ndodhin në familje, duke ia lënë në dorë të vendosin këto shtresa
gjysmëanalfabete. Në rastin e fatkeqësisë natyrore, ku pas rrebeshe të mëdha
shiu e bubullimash, do të goditet nga rrufeja Shendera, me shpejtësi vendoset
për varrimin e saj. Këtë ngjarje do ta pasojnë peripeti të shumta, derisa “Më
në fund të gjithë u bindën se Shenderën e kishin varrosur të gjallë?!”
(“Shendera”, fq. 167). Krahas torturave të ushtruara në vazhdimësi nga pushteti
okupues, edhe fatkeqësitë natyrore, mungesa e arsimimit të mjaftueshëm,
ndikimet e dyanëshme të klerikëve fetar dhe përdorimi i bestytnive të
përcjellura në breza, që mund të jenë shfrytëzuar për qëllime ngushëllimi, më
shumë se për efektet shëruese, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të dhunës
së pashkëputur ndaj njeriut tonë.
4. Vera e
makutëve. – Në plotninë e ngjarjeve me esetë e mëparme do të bashkudhëtoj
edhe ky i fundit, i cili prek periudhën kohore mes dy dekadash të këtij
shekulli, që pashkëputshëm përbëjnë hallkën e temave të një periudhe kohore që
vulosi pavarësinë. Edhe kjo kohë do të përshkohet me veprimtari të shumta
politike, pastaj me rënje-ngritje të personaliteteve, me keqinterpretues të
vlerave shoqërore, e deri te rrahagjoks e përfitues shpirtkazmë, që nuk
rreshtën së gllabëruari edhe kokrra dheu ndër këmbët e njeriut të vuajtur.
Erozioni i kohës nuk do ta ketë kursyer pothuajse asnjë veprimtari; qoftë ato
vetanake, apo të njerëzve të sprovuar në shtigje të ndryshme të jetës, duke
bërë që pasiguria ta mund arsyen e veprimeve qëllimmira, deri në përmasa
zhgënjimi. Në pak fjalë, do të veçoj disa prej këtyre ngjarjeve e
personaliteteve që mund të kenë reflektuar në zhvillimin dhe transformimin e
vendit. Por, nuk mungojnë edhe të atillët që me përplasjet e tyre, me ngulm
pretendojnë të jenë pjesë e ndërtimit të shoqërisë, pa mos i menduar pasojat që
do t’i shkaktojnë kësaj periudhe tranzicioni, në vazhdimësi.
Kështu, pas shumë
mëdyshjeve për gjëra të ndryshme, gjatë shkëmbimit të bisedave dy miqtë, që
herë pajtohen me koncepte të përbashkëta, e herë janë kontravers në mendimet e
tyre, do të futen në temën kryesore që pason me një dialog të gjatë:
“-Gjetë vëllai, më në fund bëmë një shtet të brishtë…
- Pse çfarë kujton se asht Shqipnia, byrazer”…
- Edhe ma e brishtë se Republika juej…
- E tillë nuk duhej të ishte Shqipëria Perëndimore, burrë i nderuar!
- Nuk duhet të jetë, po asht, kjo si asht, si e shëkon” (“Burri vritet”, fq. 181). Ky
hamendësim rreth të njëjtit qëllim, bënë të kuptohet se ende vazhdon lufta e
paqartësive qenësore të njeriut të këtyre trevave. Kjo çasje ndryshe ndaj
problemeve, veseve dhe intrigave të kohës,
do të reflektoj gjatë këtyre dekadave, që si pasojë kanë rirrjeshtimet në
forcën e inercionit politik, duke krijuar boshllëqe idesh e mendimesh,
pothuajse diametralisht të kundërta, anipse të gjithë rrëfehen për të njëjtën
pikëpjekje në qëllimet parësore, për të cilat janë rrjeshtuar.
E dhimbshme
rezulton edhe biseda tjetër, që shpërfaq reflektimin kanunor, jo për faktin e
zbatimit të tij, po për rrahagjokse mburravecësh mbi kurrizin e tij, për të
mbjellur frikë e pasiguri. Kërcënimet e kësaj natyre shpërfaqin fytyrën e
njeriut të lig që asnjëherë nuk kursen forma dhe mjete për të arritur qëllimet
e tij.
“Burri vritet!”
Sa lehtë ia kishte thënë Gjeta mikut, si të ishte vrasja një gjë send
krejtësisht e rëndomtë, e për çdoditshme dhe pa konsideratë për shuarje jete!”
Kjo do ta zmbraps Motin nga biseda dhe menjëherë “iu kishte kthyer vetës së
tij të dytë. Nuk e zbërthente dot gjenin që i përkiste dhe ai…Çfarë defektesh
gjenetike mbeten të pariparueshme për këtë etni të lashtë?!”, duke
përmbyllur mendimin e tij definitivisht: “Çfarë plagësh shpirtërore që nuk i
shëruan shekujt?!” (po aty, fq. 185).
Po cili është ai
që do ta sugjeronte plakun: “- Eja plakush i pasqyrës të mos ftohet kafeja!”
(“Vera e plakut”, fq. 191), derisa ai tërë kohën po kërkonte identitetin e tij
në relacionet pasqyrë – kohë? Kjo do të kuptohet brenda ndërlidhjeve piramidale
të ndërtimit të romanit.
“Republikës së
gjakut e pengjeve i duhen shumë dryna dhe po aq çelësa. Një brez i tërë
prijësish të tjetërsuar, që idealet e dikurshme i shndërruan në ideale xhepash!”,
duke i identifikuar si “Klasë ushejzash të gjakut të popullit…”por, jo
vetëm këto vese, meqë në këtë periudhë ndryshimesh takojmë edhe “Trajtat e
pashëruara të hajnisë dhe joshjen rrënqethëse të rinisë pas miellit të bardhë…”,
(“Si erdhi rrëfimi”, fq. 201), që shpërfaqet sheshit ditën për diell një degjenerim
i shoqërisë deri në përbuzje. “Përmes derës së hapur futet çdokush”, do ta
shpjegonte këtë veprim urtaku ynë popullor. Pasojat janë evidente, poaq sa edhe
dyshimet për rrjeshtime njerëzish, që orvaten parreshtur të jenë pjesë e këtyre
lojërave të ndyra të përfitimeve, që pastaj të krijojnë bazamentin e fuqisë
ndikuese në bashkëpjesëmarrje të qeverisjes. Këto devijime, që tashmë bëhen
përditshmëri e veprimeve venerohen edhe nga njeriu i rëndomtë.
Materializmi, ky
ves i keq i shoqërisë sa vjen e merr përmasa të paimangjinueshme. Citimi i
tekstit këtu nuk duron komentim shtesë, meqë qëllimi është mbase i kuptueshëm,
përderisa vetë dialogu zbulon evoluimin e kësaj të keqeje që po përsëritej
vazhdimisht.
“Krismë celulari:
- Shumë i nderuari mik!
- E duam votën tuaj si kurdoherë!
- Eja në hotel të pijmë kafen e kësaj mesdite të bukur!” Kjo, tashmë kuptohet, meqë “U
dogjën tezat…Ato të gjakut për shtet-bërje forcuan profile demagogësh për
premtim-bërje e shtet-zhvatje, për qafë-trashje, bark-fryrje, vithe-dala,
figura dy-gjinish, fryrje xhepash, klimë për kërpudha vilash nën mbrojtjen e
kufijve Arb-Dhetarë…” (“Makutët”, fq. 208).
Koprracia, si
fenomen i njohur që nga antika, do të funksionoi me metodat e sotisfikuara edhe
në kohën tonë, duke i sjellur shoqërisë probleme të shumta. “Kishte grabitur
shpesh gjahun e të tjerëve, si një tiran që i bënte dhe zbatonte vetëm ligjet e
veta”. Ky përfitues i pangopur me
ndjenjën e “fitimtarit mbi viktimat”, duke besuar në aktin e mësyerjes,
si një mekanizëm për mposhtjen e tjetrit dhe triumfimin e përhershëm, për një
çast do ta kuptoj se “Mësymja e përhershme pas Njëshit do të gllabërojë
breza të tërë. Meqë Njëshi është vetëm Një. Të tjerat pas Tij janë mallkime,
anatema qiellore, tokësore dhe zero të pambarimta” (“Njëshi”, fq.215). I
bindur plotësisht në veprimet e tij, që tashmë kishin filluar t’i lëkunden nga
çasti në çast, ai ishte i mendimit se “Për të ndërtuar vetën, ashtu si
donte, duhej t’ia irritonte shijen lakmisë së fortë, e cila e ndiqte nga ora në
orë, nga çasti në çast” (“Shtrëngatat”, fq. 218).
Këto dhe shumë
veprime tjera të mëparshme, të lidhura me spangon kohore, si një ngrehinë e
përbashkët sjellin të plotësuar “Kallinjtë e çatisë”, në një rrugëtim të
mundimshëm e plot sprova.
Personazhet dekorative
Emërtimi Personazhe
dekorative, si përcaktor krijon mundësinë e konkretizimit të një galerie emrash
që defilojnë në roman, që më shumë kujtohen për protagonistë figurant, se sa
aktorë aktiv në ngjarjet që trajtohen aty, por me një kundrim të vëmendshëm,
mësojmë se ata janë emra të skalitur në përputhshmëri me kohën në të cilën
veprojnë. Kemi parasysh që romani është ndërtuar jashtë modelit klasik
fabulativ, prozë e llojit modern, ku emra të përveçëm, krejtësisht në veprime
vetanake parakalojnë përballë pasqyrës tabloide të veçuar nga njëri-tjetri, pa
ndonjë lidhshmëri tematike. Prandaj, të gjithë këta personazhe që përfaqësohen
këtu, qoftë veç në një rast, apo edhe ata që mund të shfaqen më shumë se një
herë, duhet trajtuar në plotni me aktivitetin që përfaqësojnë.
Çfarë rëndësie ka
kundrimi i personazheve në këtë mënyrë?
Pikërisht këtu
qëndron gjithë qështja, meqë autorin e gjejmë në të shumtën si narrator, herë
si protagonist i një ngjarje, e ndonjëherë prezenca e tij kuptohet nga
nënteksti. Personazhet këtu defilojnë gati pahetueshëm, duke lënë ndonjë gjurmë
të shkurtër në ngjarjen që trajtohet, por në përmbyllje të shtjellimit tematik
e kanë rëndësinë e vet, qoftë edhe si gjurmë. Kështu, edhe atëherë kur
personazhet, si Moti, Shikimi, Bamja, Flokëverdhi, Valori, Vijimi, Vrulli, etj.
veprojnë në bashkëshoqërim me autorin; ndonjëherë shquhen më dendur me lëvizjet
e tyre të shpeshta, si ndërlidhje e vazhdueshme ngjarjesh; edhe atëherë kur Nami
do të shfaqet i tërhequr në personin e tij, emigmatik deri në pasiguri te
njerëzit e lagjes, ku dyshimet shkojnë përtej besimit se ai mund të jetë
kryesori në sjelljen e materialeve propaganduese kundër regjimit, meqë “nuk
dihej se kah dhe kush i solli shqiponjat e zeza në bezen e kuqe, të valonin
aty”. Edhe të tjerët, si: Synimi, Afrimi, Gjethori, Lumorja, do të kalojnë
pa u kuptuar nga lexuesi, se cili mund të jetë roli i saktë i tyre që ua krijon
atë pak hapësirë në rrëfimet e kësaj proze poetike, ku vlerësohet lartë për notat pozitive të
modernitetit, si rrallë ndonjë tjetër. Të shumtë janë emrat e protagonistëve në
katër eset, që nuk shpalosen si karaktere të identifikuara, përveç si subjekte
që prezantojnë nëpër ngjarje, në hapësirë dhe kohë të ndryshme. Hilë Ahishta,
Dranja, Mici, Kaltrina, Ngazëllimi, Kaoni, Filipi, pastaj Arkitektja elegante,
Ana, Gjyshja H, Zuka, Kumtari, Hoxhë Tabuja, etj. kryejnë “misionet” e tyre
prej protagonistësh edhe atëherë kur masat “ndëshkuese” ndaj kundërshtarëve të
pushtetit ashpërsohen deri në shtyrjen e “përsosur” ku e detyrohet të flet edhe
gomari, apo në veprimet tjera ku shtjellohen tema nga mërgimi, shpërnguljet nga
Toplica, e shumë ngjarje të tilla.
Kjo galeri
personazhesh shpërfaqen gjithkund dhe askund në asnjëjësinë fabulative. Ata
dalin herë në formë dialogimi; njëherë tjetër mbyllem në padukshmërin e tyre,
që as hije janë, as mund të identifikohen si subjekte që evoluojnë me temat,
prej nga prezenca e tyre krijon situata të lëkundura, të pasqyruara në tabllo
jete të frikshme, ku gjithçka merr pamje e misione të veçanta, varësisht
ngjarjeve të shtjelluara.
Kështu, nga kjo që
u theksua këtu, e ndryshon mendimin se kemi të bëjmë me personazhe dekori,
derisa janë të pranishëm pothuajse në tërësinë narrative të romanit, me role e
veprime të hetuara në forma e pamje të ndryshme. Ata janë veprimi i përhershëm
i ndërtimit të kësaj proze romanore, ndikimi i të cilëve hetohet edhe përtej
hijes.
Vizioni tekstual në roman
“Kritika kërkon shumë më tepër kulturë sesa
krijimtaria” - do ta shpreh mendimin e tij,
Oskar Uajld. Kur takon një prozë të llojit të veçantë si “Kallinjtë e
çatisë”, ky mendim vjen si paralajmërues për përkushtim të shtuar, gjatë
leximit me laps në dorë, duke prekur me kujdes çdo fjalë, mendim a finesë që
krijimi letrar të kuptohet në esencë. Pikërisht, mbi bazën e këtij mendimi, mund të konkludohet
se romani i Mehmetali Rexhepit është përpjekje e krijimit të origjinalitetit
letraro-estetik, me shmangje të tërësishme skemave klasike të narracionit. Ky
tip proze na sjellë para një ndërtimi krejtësisht personal, që bënë të besojmë
se autoi i është qasur ndërtimit të një proze moderne, realizimin e të cilës
rrallëherë mund ta takojmë në prodhimtarinë romanore tek ne. Kjo lindje origjinale e narrativës poetike,
krejtësisht personale dëshmon unin e tij krijues që sjell perspektivë në
lërimin e kësaj gjinie letrare.
Romani “Kallinjtë
e çatisë” nuk përkon me modelin e prozës klasike tradicionale, ku një
personazh bëhet strumbullari i lëndës, përreth të cilit zhvillohet e tërë
fabula, e përshkuar me ngjarje tjera episodike, pavarësisht se sa personazhe do
të veprojnë brenda zhvillimit të ngjarjeve aty, me funksione pothuajse të
rëndësisë së përafërt në ndërlidhje kompozicionale, por që veprojnë në akte të
ndërsjellta. Në këtë prozë romanore ka shtrirje të gjërë veprimesh që krijojnë
një pasqyrë, para së cilës defilojnë ngjarje të shumëfishuara, por gjithnjë
brenda pavarësisë së vet personazhit. Një vartësi tematike e gjejmë veç atëherë
kur tërësia e ngjarjeve ndërtojnë lëndën historike, e përshkuar me elemente
letrare - filozofike që e bëjnë më të dëshiruar për lexuesin.
Qasja e vëmendshme
ndërtimit prozaik dhe zbërthimit të diskursit socio-psikologjik
të ngjarjeve bënë të kuptojmë se proza romanore “Kallinjtë e çatisë”
për më shumë se një prodhim letraro-estetik, është një prozë me formë dhe
ndërtim modern, si trase e një shtegu të ri të çasjes kësaj gjinie prozaike.
Origjinaliteti i kësaj proze elitare dokumentohet në çdo rast. Ajo vjen e
çiltër, meditative, e paisur me leksikun gjuhësor, me metafora të shumëta, me
trope e figuracion të pasur stilistik, që bashkëveprojnë në ndërtimin
letraro-estetik të romanit. Universi krijues shumë shtresor, ku frekuenton bota
e askujt dhe e gjithkujtë në kontekstin e shtjellimit të ngjarjeve, në kuptimin
kreativ të leximit, e bën të veçantë dhe pothuajse ndër të rrallët, në opusin
krijues të prozës këtu te ne dhe më gjërë.
Në vend të përkufizimit
Në mbyllje të
këtyre pak fjalëve për një vepër të tillë letrare që shtrinë horizontet e
veprimit në shumë rrafshe shtjellimi, duke sjellur pasqyrimin real të një
periudhe kohore të njohur, nga e cila rezulton edhe një veçanti tjetër poaq e
rëndësishme, e frutshme dhe e pavdekshme për një vend të okupuar me shekuj, do
të ftoj në ndihmë për një përkufizim përmbajtësor, shhkrimtarin
amerikan Saul Bellow, i cili shquhet për analizat e tij mbi rolin e artit në
shoqëri dhe kuptimin e letërsisë. Ai, në
fjalimin e tij gjatë dhënjes së Çmimit Nobel më 1976 flet edhe për
romanin, ku ndër të tjera thotë: “Një roman lëviz para dhe pas mes botës së
objekteve dhe veprimeve, të asaj që duket dhe botës tjetër nga të cilat këto
“përshtypje të vërteta” vijnë dhe që na shtyn ne të besojmë se e mira te e cila
ne mbështetemi kaq fort – përballë të keqes kaq kokëfortë – nuk është iluzion”.
Mehmetali Rexhepi do ta ketë kuptuar me kohë këtë fenomen që ndodh në letërsi,
veçantë në ndërtimin e romanit, ku lidhshmëria e personazheve sipas karaktereve
krijojnë realitetet tematike, që dalin përtej imagjinatës dhe iluzioneve
fiktive. Ndërlikueshmëria tematike e çdo ngjarje të trajtuar në veçantinë e
saj, pavarësisht dallimeve në dukje të parë, shpërfaqin një lidhshmëri
tematiko-kohore, që në përmbajtësorin tematik qendror përbëjnë pemën e madhe me
degëzimet e saja nga të gjitha anët e horizontit, për të krijuar një mburojë
kohore, simbolikë e një përfaqësimi të qëndrueshëm dhe të realizuar në roman.
Këto dhe ngjarje
tjera të pa zbërthyera në këtë vështrim, e pasqyrojnë rrjedhën kronologjike të
zhvillimeve të panumërta gjatë historisë, që të bashkuara si një veprim
krijojnë pasqyrën e vërtetë për njeriun e vuajtur e të okupuar. Kjo tërësi
ngjarjesh konfiguron kupolën e Çatisë së nisur në shekuj për ta arritur
mburojën e plotë si një fitore, që Kallinjtë e saj do të vazhdojnë ta begatojnë
vlerën e saj.
Tashmë, shihen “Kallinjtë
e çatisë” duke u rritur. Ata duhet të vijnë edhe më të begatë, me frute të
reja e mburojë të çelniktë, si një rrezatim i pashuar mbi atdheun dhe vlerat e
tij.