Kulturë » Ypi
Edison Ypi: E dashur Bishnicë
E hene, 26.07.2021, 08:29 PM
E dashur Bishnicë
Nga
Edison Ypi
Më
raftë pika që s'të kam njohur më parë.
Në
fakt, këtë herë, nuk u nisa për te Ty. U nisa për të dalë nga Mokra në Gramsh
duke kaluar në Kukur. Ishin kallauzët që më ndihmuan rrugës ata që më thanë se
për të arritur në Kukur duhej të kaloja nëpër Bishnicë. Ç'ësht' e vërteta,
kallauzët s'lanë fjalë të mirë pa thënë për Ty. Në Qiell të ngritën. Aq sa ma
ndërruan mendjen. Harrova Kukurin dhe Gramshin. U nisa drejt Teje, drejt
Bishnicës.
Zoti
nuk flet kurrë drejtpërdrejt. Zoti flet vetëm me nënkuptime.
Nga
Kakaveci në Velçan, pra nga ku nis kjo aventurë deri pranë Teje, Zoti më derdhi
në tru tre Kumte nga ata që duhet tua zbërthesh vetë kuptimin.
Kumti
i parë:
Zonjë
mokrare te të 50-at me shkarpa në duar dhe kalin që e tërheq për kapistalli.
Zonja
tha:
-Si
e ke hallin o njeri ? Dëshiron të më nxjerrësh në fotografi, që pastaj
fotografinë time ta hedhësh në rrjetat sociale, në Fejsbuk dhe në Instagram ?
Nxirrmë. S'më bëhet vonë. Kam tre djem në Gjermani, dy çupa në Greqi.
Ngriva.
Ç'ne
kjo Zonjë në majë të Mokrës më flet për rrjeta sociale, Fejsbuk, Instagram,
Gjermani ?
Pasi
e mora pak veten, nisa ta analizoj domethënien e Kumtit: Zonja është vetë
Mokra. Gjermania, Fejsbuku, Instagrami, janë gjëra të cilave Mokra s'u jep
asnjë rëndësi, madje për Mokrën ato as që ekzistojnë. Ndërsa kali është revani
i Mokrës drejt së ardhmes, dhe shkarpat janë një zjarr që do ndizet pas pak,
kapistalli është vetkontrolli drejt progresit. Pra, Fejsbuku dhe soji i tij,
për Mokrën dhe për Tiranën janë gjëra krejt të ndryshme. Si rrjedhim, diçka e
jashtëzakonëshme më pret pas pak këtu rrotull.
Kumti
i dytë:
Mokrar
me kosore në sup.
-A
je i lumtur o mokrar ?
-Të
lutem mos e vër në dyshim se më vete ters. Sigurisht i lumtur jam. Kam tokë,
kam dhi', kam baxhë ku bëj djathë e gjalpë, kam fëmijët në kurbet, kam
gjithçka.
Pra,
për mokrarin optimist me kosore, rrjedhimisht edhe për mua, në Mokër mund të
gjesh gjithçka. Edhe Parajsën. Edhe çudinë e tetë të botës.
Kumti
i tretë:
Motër
nja 8 vjeç dhe vëlla nja 20 vjeç mbi kalë.
Thotë
djali:
-Jam
mokrar. Jam student në Tiranë për inxhinieri kompjuterike. Vij në Mokër
behareve për pushime.
Pra
Doruntinë, Konstandin, kalë, pesë male kaptuar. Vetëm nata dhe balta e varrit
mungon. Gjithçka është e qartë. Më tutje diçka dramatike do ndodhi.
Kumtet
e Zotit i mora. Këshillat e kallauzëve i zbatova. Megjithatë jam në merak.
Çfarë s'ndodh mes bukurive të Mokrës. A sa i bukur ky pyll, o sa i këndshëm ky
fllad, u sa e mrekullueshme kjo korie, dhe gjen belanë, humb rrugën, përfundon
në Stravanj, te Guri Kamjes, në Valamarë, a kushedi ku tjetër ku të çan ujku
ose të përqafon ariu. Po i ngacmove, natyrisht.
Ka
ca bythpambukër ku rafsha mos u vrafsha që para se të nisen diku, pyesin së
pari për restorant, mish, fish, asfalt. Ky nuk është rasti.
Nëse
gjatë kësaj aventure nëpër Mokrën e Epërme, dikush pret restoranta, korana,
asfalta, bye bye, e lus ta braktisi këtë lexim. Të iki ta zhysi kokën brenda
ndonjë pilafi të hajë sa të pëlcasi.
Velçan
e lart, nuk bëhet shaka. Këtu nuk jemi te kodrat e Saukut. Këtu jemi te Mesi i
Kurrkundit. Ku ka ujqër, arinj, dhelpra, ketra, pyje, pisha, liqene, shkëmbinj.
I
armatosur me infot e kallauzëve dhe kumtet, bëj tutje.
Pak
kilometra pas Velçanit nëpër një dushknajë shekspiriane ku nga çasti në çast
mund të dalin magjistrica, Bishnica nuk duket, nuk çfaqet, nuk shpaloset -
Bishnica fanepset.
Kot
u lodhën kallauzët me ma ngrit Bishnicën në qiell. Bishnica në qiell është.
Ta
shohësh Bishnicën nga lart, të bëhet ta përqafosh e ta shtrëngosh, ta
përkëdhelësh e ta puthësh si Femër. Aq e bukur është Bishnica.
Bishnica
është një luginë magjepsëse.
Bishnica
është një mahnitje që ta pushton imagjinatën si arenë e zhvillimeve të ndonjë
kryvepre letrare, por me Bishnicën para syve s'të kujtohet as titulli as
autori.
Bishnica
është si film tmerrësisht i bukur që e ke parë para shumë kohësh, por meqënse
edhe për filmin edhe për Bishnicën truri është i vogël, regjizori dhe aktorët
kanë mbetur nëpër mjegullat e kohës, vendin e tyre e ka zënë magjepsja.
Bishnica
është një përfytyrim bredharak i pakushtëzuar në kohë dhe hapësirë.
Bishnica
është një mirazh nga ata që shihen me sy mbyllur kur po dëgjon një muzikë që të
shkakton lot.
Bishnica
duket si fragment nga një ëndërr ?
Bishnica
është një det me gjelbërim, rrethuar nga një oqean me klorofilë.
Bishnica
është një bukuroshe e mënjanuar, një perri' e përgjumur, një kryevepër e
strukur, një mjegull e arratisur.
Rrethuar
nga pyje të dendur, përrenj mozartianë, fllad që të shkakton mornica, ujvara si
flokë femrash, pëshpërima gjethesh, aroma marramendëse, Bishnica është një
Parajsë mbi tokë, që po e pe një herë, harron gjithçka, mbetesh përgjithmonë
aty.
-Pse
rri mënjanë Bishnicë ? Pse s'del, pse s'shpërthen, pse s'buçet. ?
Përgjigjet
Bishnica:
-Fshihem
sepse më vjen turp nga selfiet dhe çveshjet. Është njësoj sikur të presësh
pyjet dhe të shterrësh burimet e mia.
Mënjanohem
sepse më vjen keq për djemtë në kurbet.
Strukem
se tmerrohem nga nënat e vetmuara.
Për
këto dhe të tjera dal natën. Ngjitem te liqenet e Lukovës, i mbush me lotët e
mia.
-Mos
qaj Bishnicë. I Ndreq unë këto padrejtësira. Do hy shkes. Ta kam gjet një
djalë. E quajnë Roskovec. Kafet do ti pimë në Myzeqe te Kisha e Kurjanit.
Ceremoninë e martesës do ta bëjmë në Mokër te Manastiri i Shën Marenës. Ti
Bishnicë do çosh në Roskovec flladin, freskinë, ujrat. Roskoveci i fuqishëm do
sjelli në Mokër iniciativën, përvojën, energjinë. Ti Bishnicë do kesh një
krushkë madhështore, Myzeqenë, dhe një vjehrrë fantastike, Majlindën. Roskoveci
do ketë një vjehërr jo më pak madhështor, Prefektin e Qarkut. Pasi të bashkoheni ju të dy, djem e
vajza nga Mokra e Roskoveci do kthehen urgjent nga kurbeti. Nënave dhe
baballarëve të vetmuar do u arratiset dëshpërimi.
Ti
dhe Roskoveci do bëni një zabel me fëmijë.
Ju
të dy do keni një pyll me nipa e mbesa.
Do
rroni e trashëgoni:
Derisa
bota të bëhet hi'.
Dhe
hiri Bishnicë e Roskovec përsëri.