Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Majlinda Bufi
E diele, 04.07.2021, 04:45 PM
Majlinda Bufi
Nga
Edison Ypi
Majlinda
Bufin, Kryetaren e Roskovecit, zor se e ka bërë mami dhe babi. Për ta ngjizur
Majlinda Bufin kanë bashkëpunuar qielli, dielli, toka, uji, zjarri, shenjtëria
e Tomorrit serioziteti i Shpiragut,
vërshimi i Semanit, magjia e fushës, flladi i kodrave, kripa e detit, pjelloria
e tokës, dehja e vreshtave, gjaku i qershive, paqja e ullinjve.
Në
Roskovec, ku toka është aq pjellore, fusha është aq drithëruese, Kishat janë aq
magjepsëse, konstatimi i mësipërm, sado i çuditshëm, është më se i vërtetë.
Me
gjithë respektin për të mbjellat, të korrat, frutat, zarzavatet, specat,
karrotat, bostanat, bulmetrat, bujqit e nderuar dhe ekspertat respektivë që i
kultivojnë dhe prodhojnë këto të mira, Majlinda Bufi është prova dhe dëshmia se
Myzeqeja dhe myzeqarët janë shumë më tepër se specat dhe karrotat që
kultivojnë, bulmetrat që përgatisin nëpër baxhat.
Majlinda
Bufin nuk e rrokin dot cilësimet banale, "e aftë", "e
përgatitur" etj.
Majlinda
Bufi është fenomen natyror.
Majlinda
Bufi është si stinët, si malet, detet, si Myzeqeja, si Mallakastra.
Majlinda
Bufi për Roskovecin është më e rëndësishme, më e dashur dhe më e dhimsur, se
Margaret Thatcher për Anglinë, Zhana D'Arc për Francën, Maria Kyri për
shkencën.
Majlinda
Bufi i pastë me Ymër dhe i rrofshin sa malet kalamajtë dhe burri. Ama Majlinda
Bufi është e dashuruar me Roskovecin.
E
begatë, e lakmuar, e nxehtë, misterioze, Myzeqeja është një Afrikë europiane.
Mëhalla
më mahnitëse e afrikës europiane, është Roskoveci.
Majlinda
Bufi dhe Roskoveci janë qënie simbiotike. Japin e marrin. Hyjnë e dalin. Nuk
mund të ekzistojnë pa njëritjetrin.
Me
kalimin e kohës, Majlinda Bufi e bën Roskovecin të përsosur si vetja, Roskoveci
e bën Majlinda Bufin të magjishme si Myzeqeja.
Me
pasion, vendosmëri, kreativitet, Majlinda Bufi, për gjithçka kujdeset vet, çdo
përgjegjësi e merr vet.
Për
qetësinë dhe paqen e komunitetit.
Përmirësimet
dhe ndërtimet infrastrukturore.
Mbarvajtjen
e punëve.
Shkurtimin
dhe thjeshtimin e procedurave burokratike.
Organizimin
e eventeve të shumllojshme, prodhuese, tregëtare, religjioze, shoqërore,
artistike me pjesëmarrjen e artistëve vendas dhe të huaj, deri edhe "Jazz
në Roskovec".
O
Zot ç'nuk i pjell mendja shenjtores Majlinda Bufi.
Ja
një ndër shembujt e panumurt që mjafton dhe tepron për ta shpallur Majlinda
Bufin "Kryebashkiakja e Botës":
Pas
përmirësimit rrënjësor të infrastrukturës, disiplinimit të shërbimeve, jo pas
kaq e aq viteve, por pas shekujsh, në lokalet dhe sheshet e Roskovecit ka Femra
që kryejnë punët e veta, frekuentojnë lokalet, shetisin të qeta. Më përpara
rrinin mbyllur në shtëpi nga frika. Tani në Roskovec Femrat dalin pa teklif.
Ku
Majlinda Bufi është e këtyre përmasave, Roskoveci nuk mund të jetë më pak.
Kur
hyn në Roskovec nga lindja, të mahnit një monument, "Tregëtari i
Roskovecit".
Nuk
të bëhet tu besosh syve.
Shtatorja
"Tregëtari i Roskovecit", hiç më pak se "Tregëtari i
Venedikut", pavdekëson një "Shajlok" myzeqar mbi kandar, aq të
vëmendshëm e të kujdesshëm, sa duket sikur nuk po peshon fiq, domate, speca,
por uranium.
Kur
në Roskovec hyn nga perëndimi, të përshëndet një tjetër monument.
"Bukuroshja myzeqare" plot hire, perria "Porcia" që princat
më të shquar vijnë nga fundi i dheut dhe përulen para Saj për ti kërkuar dorën.
Mund
të jeshë edhe mbret, por përbrenda je plot hezitime, plot difekte - ky është
Shekspiri.
Qindra,
ndoshta mijëra, vilat dhe ndërtimet e tjera në Roskovec, janë madhështore.
Është krejt e natyrshme, s'përbën asnjë problem, ato vila e ato ndërtime të
jenë me halle brenda. Kështu është Jeta. E tillë është ekzistenca. Kështu
funksionon Natyra, - këtë ka përcjellë Majlinda Bufi duke e rrethuar Roskovecin
me dy Monumente shekspiriane.
Me
"Shajlok" në hyrje dhe "Porcia" në dalje, pra rrethuar me
Shekspir, ndryrë në dramaticitet, Roskoveci ka qënë gjithmonë, Majlinda Bufi,
Roskovecin shekspirian veçse e shpalli, veçse e bëri të njohur.
Përmeti
është naimian.
Pogradeci
është lasgushian.
Shkodra
është danteske.
Lezha
është fishtiane.
Korça
është balzakiane.
Kolonja
është Noliane.
Gjirokastra
është kadareane.
Roskoveci
është shekspirian.
Majlinda
Bufi, Roskovecin nuk e bëri shekspirian me gjumë pasditeje, naze snobiste,
dëngla autoreferenciale, ankesa fantazmagorike.
Majlinda
Bufi, Roskovecin e bëri madhështor me 48 orë punë në 24 orë.
Majlinda
Bufi e ka bërë Roskovecin si Meka dhe Jerusalemi. Vend të shenjtë. Vend
pelegrinazhi. Ku shqiptarët të venë të falen për mëkatet që kanë bërë, dhe të
mësojnë: si bëhen punët, si respektohet Shteti, si ruhet qetësia, si garantohet
serioziteti, si troket lavdia, dhe të tjera.
Asnjë
cilësim, asnjë kompliment, asnjë lavd, nuk është i tepërt për Majlinda Bufin.
Roskoveci
sot, nuk është, dhe nuk dëshiron të jetë, si Milano, Londra, Parisi.
Roskoveci
sot është një qytezë e ndrequr, e qetë, e qytetëruar, më funksionuese, më
dinamike se qytezat e përgjumura europiane, falë Majlinda Bufit.