E premte, 29.03.2024, 09:48 AM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Budallai

E diele, 20.06.2021, 03:50 PM


Budallai

Nga Edison Ypi

Budallain që ishte aq budalla sa për asgjë nuk mendonte dhe asgjë nuk dinte të bënte, e kërkonin me qiri në cilin katund rënkonte, në cilin pyll kulloste, me cilën dhi bënte qef, e quanin njeri me mendje të kthjellët, me shpirt të pastër, me ndërgjegje të pandotur, bolshevik të lindur, proletar të paepur. E lanin, e shplanin, i hiqnin morrat, e krihnin, e vishnin, e mbathnin. E çonin të kryente një shkollë të kollajtë që quhej Shkolla e Partisë e shpallur ekuivalente me një shkollë të lartë ngritur enkas për budallenj të përsosur. Pastaj e bënin sekretar partie, komisar, drejtor, ose e nisnin diplomat në ndonjë ambasadë ku të bënte çmos për të përçarë, mundësisht vrarë, shqiptarët e botës. Kur budallai ishte i papërmbajtur për të llapur ose zhgarravitur, pasi e vinin të villte nga goja dhe pena këllira propagandistike që ja mbanin për kryevepra, e shpallnin shkrimtar i madh, poet i shquar, artist i merituar. Ka ende budallenj të këtij kallëpi që vazhdojnë të rrojnë e mbretërojnë në politikë, pushtet, Art, kulturë. Sidomos në krye të Shoqërisë Civile. Ku shpërdorojnë fonde, vjedhin pare, ndërtojnë vila, blejnë makina, marrin në punë bijtë, nipat, gratë e njëritjetrit. Kur budallenjtë të e këtij kallëpi, përveçse të paaftë për ndonjë punë, e kishin turirin si të miut, dhëmbët si të çakallit, ballin si të majmunit, të folurën si të skuthit, dhe spikatnin për futje hundësh në çdo hale, i bënin spiunë. Ndonjëherë i hidhnin jashtë. Për shembull te Zëri i Amerikës ku janë sot e kësaj dite.

Të ishe budalla i përsosur ishe budalla me fat. Gëzoje privilegje. Gjeje grua budallaqe. Të jepnin punë të rehatëshme. Ta rrisnin rrogën. Të hapnin dyert e karrierës.

Bashkësia e budallenjve që nuk dinin të bënin asgjë ishte një mizëri e frikëshme si në filmat e horrorit plot me zhaba, kukuvajka, korba, lakuriqë nate, merimanga nëpër mure dhe tavane, dyer të rënda, lloze të ndryshkur, shkallë kërrcitëse, kthesa befasuese, xhama të thyer, ballkone të rrënuar, llagëme sekrete, terraca betoni me pallgje uji të ndënjur. Të mahnitur nga pamja e kësaj karrakatine, gjindja habitej, njerzit i pëshpërisnin njëritjetrit; Edhe në epokën e gurit zgjidhej në krye më i afti, për shembull ai që tendoste sa më fort harkun dhe hidhte sa më larg heshtën, apo ai që pas gjahut sillte sa më tepër ushqim në shpellë, ndërsa ne kemi mbi krye më budallenjtë e budallenjve.

Një budalla goxha i famshëm ishte budallai i punës së tepërt. Ky, për shkak të edukatës familjare dhe interesimeve të zgjeruara kulturore, qytetare, profesionale, kuturiste të punonte mirë, pa hile, me cilësi, me rendiment. Si i tillë, nëse ishte me fat, e quanin budalla dhe nuk e zgjasnin, e linin me aq. Ama nëse e tepronte duke punuar, i bënin vërejtje. Po të mos zinte ment as nga vërejtja, i dërgonin një spiun që e "këshillonte shoqnisht" të mos rrëmbehej nga puna, se puna duhej, por me karar, më e rëndësishme se puna ishte vigjilenca ndaj armikut që mezi ç'priste tua shkonte ujët nën rrogoz njerëzve të pavëmendshëm, të cilët, me naivitetin e tyre të pafalshëm, duke e pasur mendjen vetëm te puna, harrojnë kryesoren, vigjilencën. Nëse puntori i lindur pa asnjë lidhje me budallallëkun e lindur, edhe pas vërejtjes me ujë, rrogoz, armik, vigjilencë, nuk hiqte dorë së punuari mirë, ja kqyrnin me lupë biografinë për të gjetur shkaqet e thella pse punonte. Lupa e biografisë trëmbte miqtë. Miqtë i thoshin stoikut të punës; O budalla, eja në vete, mos puno. Po të mos e mblidhte mendjen dhe të mos e zbatonte këshillën e miqve, e ardhmja e adhuruesit të punës bëhej menjëherë e zymtë. E pakta që mund të ndodhte e shihnin me dyshim gjithë jetën. E shumta, hapsana e priste.

Tjetër budalla i famshëm që e shihnin me dyshim dhe e kishte pas qafe, ishte budallai që lexonte.

Një budalla të cilin një hap e ndante nga burgu, ishte budallai që mbante Ramazan, ose Pashkë.

Një tjetër budalla i lezeçëm ishte budallai që luante rolin e budallait. Luajta e rolit të budallait të mbante jashtë rrezikut për aq kohë sa nuk e kishin nuhatur. Nëse me këtë rol e teproje, ofendoje syçelësinë e Sigurimit, bëje një budallallëk që shënonte fillimin e një kalvari vuajtjesh që ta bënin jetën ferr. Me ta nuhatur që budalla nuk ishe por si budalla bëje, fillonin me kritika, autokritika, këshillime, kërcënime, mbledhje kolektivi me temë "Kush jam unë, kush je ti, kush është kolektivi" dhe s'dihej ku mbaronin.

Budallai fliste nëpër mbledhje, merrte iniciativa, shpallte aksione, zbulonte armiq.

Budallai më budalla se të gjithë budallenjtë ishte, dhe është, ai që e dehte aroma e blirit, e turbullonte agu, e dëshpëronte muzgu, dinte poezi pëmendësh, u bënte komplimenta femrave.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora