Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Vegime
E shtune, 08.05.2021, 03:59 PM
Vegime
Nga
Edison Ypi
Me
sy mbyllur lexova një libër të mirë. Me sy hapur pashë në një vitrinë librin e
palexueshëm të një spiuni të ndyrë.
Me
sy mbyllur pashë një djalë që i bëri një vajze një kompliment të bukur. Me sy
hapur pashë një djalë që i tha një vajze "qeke derr femre".
Me
sy mbyllur pashë një pllajë mahnitëse në Përmet me ujvara që rridhnin në Vjosë.
Me sy hapur pashë një kazan plehrash brenda të cilit një rreckaman në
bashkëpunim me disa mace kërkonin diçka inekzistente.
Me
sy mbyllur pashë si u ngjita më këmbë në majën e një mali. Me sy hapur pashë në
rrugë 3 obezë duke kullufitur 10 hamburgera.
Me
sy mbyllur hëngra groshë, piva dhallë në një katund, dhe j'a futa një sy gjumë
në një livadh. Me sy hapur pashë në një restorant në Bllok ca karaputana OJQ-sh
nga ato që në '91-in ishin të reja dhe fukaresha, ndërsa tani janë plaka me
zinxhira floriri dhe rruaza nëpër qafa
duke ngrënë e duke pirë me paret e taksapaguesve.
Me
sy mbyllur pashë Voskopojën magjike plot me kisha dhe monastere. Me sy hapur
pashë lumin e Ishmit plot me minj të mëdhenj si gica.
Me
sy mbyllur pashë një prift të urtë duke mbajtur meshë para besimtarëve kokulur. Me sy hapur pashë në
Youtube një imam Kosove duke predikuar hajvanllëqe me ulurima si i xhindosur.
Me
sy mbyllur mu bë sikur diktatura kishte hedhur nëpër burgje vetëm Poetë. Me sy
hapur pashë se diktatura, bashkë me poetët, nëpër burgje dhe internime, kishe
mbyllur edhe plot pisa që mbahen për poetë dhe mutër që hiqen si mendimtarë.
Me
sy mbyllur mu faneps sikur dosjet u hapën, u hodha përpjetë nga lumturia, dhe
bërtita; Shpëtuam nga mutërit që mbahen të pastër. Me sy hapur kuptova se
dosjet janë rrena të stisura nga Sigurimi.
Me
sy mbyllur pashë Djallin duke bindur Zotin të heqi dorë nga urtësitë dhe të
fillojë të zbatojë strategjira perverse por kurative për shpëtimin e
shqiptarëve. Me sy hapur pashë Zotin duke u thënë shqiptarëve të mos kenë frikë
nga asgjë sa kohë është e vërtetë thënia e Shekspirit; "Ferri është bosh,
të gjithë djajtë i keni midis jush".
Me
sy mbyllur mu duk se Shqipëria hyri më së fundi atje ku është, në Europë. Me sy
hapur pashë ca halabakë që Europën e quajnë "kurvë".