E marte, 23.04.2024, 09:47 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Shitem

E enjte, 06.05.2021, 08:40 PM


Shitem

Nga Edison Ypi

Po të më blejë e djathta, në emër të konservatorizmit, seriozitetit, vlerave, me britma patetike si ekstremist majtist dhe revolucionar i paepur, do tund dheun, do ja shkul së majtës dhëmbë e dhëmballë. Si fanatik i pamposhtur, si militant i zjarrtë konservativ, do ti xhvas Shqipërisë ç'të mundem. Do ngre lart një flamur me shkabë që nxjerr zjarr nga goja. Do uluras "o sa mir me ken shqiptar, o sa keq me ken amerikan". Do shkruaj në rrjetet sociale statuse mallëngjyese mbi padrejtësitë historike që i janë bërë Shqipërisë në shekuj duke e katandisur sa një kokërr kumbull. Europën do ta quaj si e ka quajtur Fishta "kurva plakë". Amerikën të degjeneruar. Perëndimin të korruptuar. Ambasadorët e tyre do ti shaj shtatë breza me libër shtëpie. Do ngre në qiell, lindjen, Turqinë, Arabinë, mullirin e kafes, shilten, haremin, lëngun e shegës. Do t'i bëj të ditur Amerikës se do flas mirë për të vetëm po na bëri shtetin e 51. Pasi të futemi në gjirin e saj të ngrohtë, pa llogaritur Zërin e Amerikës që e kemi bërë vatër të Sigurimit qyshkur, s'do lemë gur pa lëvizur pa ja shqiptarizuar Amerikës Hollivudin, Internetin, CIA-n, FBI-në. Nëse nuk na bën shtetin e 51, në djall Amerika me gjithë Uillsonin, Harry T. Fultz-in, ambasadorët e saj, diversantat, bombardimin e Serbisë, pavarësinë e Kosovës. Përmes ca lëtyrave letrare që do i zhgarravis enkas, do hiqem edhe si shkrimtar dhe poet. Në bashkëpunim me ca çapaçulë, këllirat do ti paraqes si kryevepra përmes falenderimeve dhe komplimentave reciproke në formën e një katarakti qurresh më të madh se uji që bje nga diga e hidrocentralit të Moglicës. Nuk do tu dal kurrë në krah të djathtëve. Dy duar për një kokë. Le të mbrohen vetë ata. Në emër të demek Etikës së sjelljes, por në fakt nga frika se ata dreqër janë të gojës dhe të marrin erzin, me të majtët nuk do merrem. Luani pra vendit ju ish deputetët dhe ish ministrat e së djathtës që keni vjedhur si në harradoz. Mos bëni si naivë. Mos u hiqni si shenjtorë. Më blini sa më parë.

Po më bleu e majta, të majtëve do tu premtoj se nga njëra anë do vjedh me të gjitha mënyrat, nga ana tjetër me lot krokodili në sy dhe rënkime mallëngjyese prej hoxhe ose prifti do hiqem si mbrojtës i fukarenjve, të cilët në fakt i urrej, por më duhen për propagandë, për hedhje hi syve. Në të gjitha gazetat, sidomos ato të Sigurimit ku mund të shkruash edhe me pseudonim, do ta paraqes sikur në Shqipëri nuk ka pasur kurrë burgje dhe internime. Vetëm nomenklaturistë shkërdhata që kanë rivalizuar me njëritjetrin përmes historive rozë deri në inceste të paimagjinueshme. Krerët e së majtës nuk do ti mbroj drejtpërdrejt, por tërthorazi, duke sulmuar pa mëshirë krerët e së djathtës. Do ta zmadhoj sa më tepër hambarin e së majtës që është budallallëku i të djathtës. Do ngre në qiell fanatizmin e tyre, egoizmin, perceptimin bukolik të jetës dhe botës, që bashkë me hajvanllëqet në arenën ndërkombëtare, do jenë kuajt e luftës time për tkurrjen e pandalshme numerike elektorale të së djathtës. Jo aq sa e majta ti marri të gjitha votat duke e lënë të djathtën me biberon në gojë, më pak.

Po s'më bleu as e majta zevzeje as e djathta e mykur, shitem te mesi i artë.

Po s'më bleu as mesi i florinjtë, do shitem te mafia e hekurt, ku un' me kontribute të shquara, ata me pare të vjedhura, duke korrur fitore të njëpasnjëshme, do ndërrojmë qaverinë sa herë na do bytha.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora