| E diele, 20.06.2021, 04:50 PM |
Budallai
Nga
Edison Ypi
Budallain
që ishte aq budalla sa për asgjë nuk mendonte dhe asgjë nuk dinte të bënte, e
kërkonin me qiri në cilin katund rënkonte, në cilin pyll kulloste, me cilën dhi
bënte qef, e quanin njeri me mendje të kthjellët, me shpirt të pastër, me
ndërgjegje të pandotur, bolshevik të lindur, proletar të paepur. E lanin, e
shplanin, i hiqnin morrat, e krihnin, e vishnin, e mbathnin. E çonin të kryente
një shkollë të kollajtë që quhej Shkolla e Partisë e shpallur ekuivalente me
një shkollë të lartë ngritur enkas për budallenj të përsosur. Pastaj e bënin
sekretar partie, komisar, drejtor, ose e nisnin diplomat në ndonjë ambasadë ku
të bënte çmos për të përçarë, mundësisht vrarë, shqiptarët e botës. Kur
budallai ishte i papërmbajtur për të llapur ose zhgarravitur, pasi e vinin të
villte nga goja dhe pena këllira propagandistike që ja mbanin për kryevepra, e
shpallnin shkrimtar i madh, poet i shquar, artist i merituar. Ka ende budallenj
të këtij kallëpi që vazhdojnë të rrojnë e mbretërojnë në politikë, pushtet,
Art, kulturë. Sidomos në krye të Shoqërisë Civile. Ku shpërdorojnë fonde,
vjedhin pare, ndërtojnë vila, blejnë makina, marrin në punë bijtë, nipat, gratë
e njëritjetrit. Kur budallenjtë të e këtij kallëpi, përveçse të paaftë për
ndonjë punë, e kishin turirin si të miut, dhëmbët si të çakallit, ballin si të
majmunit, të folurën si të skuthit, dhe spikatnin për futje hundësh në çdo
hale, i bënin spiunë. Ndonjëherë i hidhnin jashtë. Për shembull te Zëri i
Amerikës ku janë sot e kësaj dite.
Të
ishe budalla i përsosur ishe budalla me fat. Gëzoje privilegje. Gjeje grua
budallaqe. Të jepnin punë të rehatëshme. Ta rrisnin rrogën. Të hapnin dyert e
karrierës.
Bashkësia
e budallenjve që nuk dinin të bënin asgjë ishte një mizëri e frikëshme si në
filmat e horrorit plot me zhaba, kukuvajka, korba, lakuriqë nate, merimanga
nëpër mure dhe tavane, dyer të rënda, lloze të ndryshkur, shkallë kërrcitëse,
kthesa befasuese, xhama të thyer, ballkone të rrënuar, llagëme sekrete, terraca
betoni me pallgje uji të ndënjur. Të mahnitur nga pamja e kësaj karrakatine,
gjindja habitej, njerzit i pëshpërisnin njëritjetrit; Edhe në epokën e gurit
zgjidhej në krye më i afti, për shembull ai që tendoste sa më fort harkun dhe
hidhte sa më larg heshtën, apo ai që pas gjahut sillte sa më tepër ushqim në
shpellë, ndërsa ne kemi mbi krye më budallenjtë e budallenjve.
Një
budalla goxha i famshëm ishte budallai i punës së tepërt. Ky, për shkak të
edukatës familjare dhe interesimeve të zgjeruara kulturore, qytetare,
profesionale, kuturiste të punonte mirë, pa hile, me cilësi, me rendiment. Si i
tillë, nëse ishte me fat, e quanin budalla dhe nuk e zgjasnin, e linin me aq.
Ama nëse e tepronte duke punuar, i bënin vërejtje. Po të mos zinte ment as nga
vërejtja, i dërgonin një spiun që e "këshillonte shoqnisht" të mos
rrëmbehej nga puna, se puna duhej, por me karar, më e rëndësishme se puna ishte
vigjilenca ndaj armikut që mezi ç'priste tua shkonte ujët nën rrogoz njerëzve
të pavëmendshëm, të cilët, me naivitetin e tyre të pafalshëm, duke e pasur
mendjen vetëm te puna, harrojnë kryesoren, vigjilencën. Nëse puntori i lindur
pa asnjë lidhje me budallallëkun e lindur, edhe pas vërejtjes me ujë, rrogoz,
armik, vigjilencë, nuk hiqte dorë së punuari mirë, ja kqyrnin me lupë
biografinë për të gjetur shkaqet e thella pse punonte. Lupa e biografisë
trëmbte miqtë. Miqtë i thoshin stoikut të punës; O budalla, eja në vete, mos
puno. Po të mos e mblidhte mendjen dhe të mos e zbatonte këshillën e miqve, e
ardhmja e adhuruesit të punës bëhej menjëherë e zymtë. E pakta që mund të ndodhte
e shihnin me dyshim gjithë jetën. E shumta, hapsana e priste.
Tjetër
budalla i famshëm që e shihnin me dyshim dhe e kishte pas qafe, ishte budallai
që lexonte.
Një
budalla të cilin një hap e ndante nga burgu, ishte budallai që mbante Ramazan,
ose Pashkë.
Një
tjetër budalla i lezeçëm ishte budallai që luante rolin e budallait. Luajta e
rolit të budallait të mbante jashtë rrezikut për aq kohë sa nuk e kishin
nuhatur. Nëse me këtë rol e teproje, ofendoje syçelësinë e Sigurimit, bëje një
budallallëk që shënonte fillimin e një kalvari vuajtjesh që ta bënin jetën
ferr. Me ta nuhatur që budalla nuk ishe por si budalla bëje, fillonin me
kritika, autokritika, këshillime, kërcënime, mbledhje kolektivi me temë
"Kush jam unë, kush je ti, kush është kolektivi" dhe s'dihej ku
mbaronin.
Budallai
fliste nëpër mbledhje, merrte iniciativa, shpallte aksione, zbulonte armiq.
Budallai
më budalla se të gjithë budallenjtë ishte, dhe është, ai që e dehte aroma e
blirit, e turbullonte agu, e dëshpëronte muzgu, dinte poezi pëmendësh, u bënte
komplimenta femrave.