Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Çuni oficerit
E marte, 20.07.2021, 07:57 PM
Çuni oficerit
Nga
Edison Ypi
Çuni
oficerit nuk ishte i keq, i flliqt, i pabesë, llapaqen, intrigant. Çuni
oficerit ishte të gjitha këto bashkë.
Sekretari
i partisë duhej rrahur. Drejtori i ndërmarrjes duhej shkelmuar. Spiuni i lagjes
duhej pjekur në hell. Çuni oficerit duhej pështyrë.
Dyzet
Djaj mbledhur kok' më kok' për dyzet dit' e dyzet net' nuk do ngjiznin dot një
monstër si çuni oficerit.
Vetë
oficeri, një derdimen turivarur i heshtur, i ngrysur, i vrërët, nuk qe më i keq
se pjella e vet, çuni oficerit.
Oficeri
nuk pretendonte të ishte më i zi se çuni. Partia, prandaj kishte ideuar çunin,
për ta bërë më të gërrditshëm se oficeri.
Mami
i çunit të oficerit, gjithashtu, s'qe më e zezë sa çuni oficerit. E vetmja punë
që mami i çunit të oficerit dinte të bënte, ishte pritja e përcjellja e
dashnorëve kur oficeri ishte me shërbim.
Mami
qeflie, kënaqte fantazitë erotike të dashnorëve të panumurt. Këtë e dinin të
gjithë. Me përjashtim të oficerit.
Çupa
e oficerit, edhe ajo, nuk ngjallte urrejtje.
Në
familjen e oficerit që gdhihej e ngrysej duke ngrënë slogane e duke përtypur
fjalime, ai që me fëlliqësinë e tij të kallte datën, ishte çuni oficerit.
Tabelat
e emulacionit socialist, fjalimet për të vjellë, rrenat katastrofike,
iniciativat burracake, zotimet e bujshme, që të bënin të shkulje leshrat nga
tmerri, s'ishin kurgjë para çunit të oficerit.
Çuni
i oficerit ishte zeniti i ligësisë, neverisë, rrezikut, frikës.
Çuni
i oficerit ishte i vetmi që me dërdëllitjet e tij prishte heshtjen e vorrezës.
Kongreset,
plenumet, mbledhjet, librat, filmat, të gjitha kishin një qëllim: Të
evidentonin sa më tepër kreaturën më bastarde, më të ndyrë dhe më të
neveritshme që ka parë bota, çunin e oficerit.
Çuni
i oficerit ishte një zezonë që kapërxente çdo përfytyrim.
I
skëterrshmi çuni oficerit të shurdhonte me qelbësirllëqe verbale: Për librat e
Diktatorit, për rrethimin imperialisto-revizionist, botën e tretë, revizionizmin,
revolucionin, Mao Ce Dunin, Kinën, paaftësinë organizative, ngathtësinë e
liderëve komunistë botërorë për vënien në rrjesht të proletariatit në vendet e
tyre.
Një
çun oficeri, një ditë tha: Pika që s'i bie atij Berlinguerit. Çfarë pret ai me
gjithatë proletariat që ka ? Pse nuk bërtet ? Pse nuk buçet ? Pse nuk merr
shembull nga shoku kurvi ? Ta kishte shoku kurvi proletariatin e tij,
revolucioni botëror do kishte triumfuar me kohë nga poli i veriut në polin e
jugut, dhe më gjërë.
Çuni
oficerit, jo rrallë, nuk ishte çuni oficerit, por produkt i qejfeve të mamit të
çunit të oficerit me dashnorët që hynin e dilnin nga mundnin: Nga ballkoni,
avllia, dritarja. Madje dhe nga oxhaku. Sterrë nga bloza me sytë që u ndritnin
nga qefi që i priste me mamin e çunit të oficerit.
Në
këto raste, siç është e kuptueshme, babi i çunit të oficerit, nuk ishte
oficeri, por dikush pa lidhje me oficerllëkun, një qefli i përndjekur, një i
shpronësuar, ose dikush që kishte marrë disa orë leje nga internimi. E bukura
në këto raste qe', se, kopili i sapolindur, me kalimin e kohës, bëhej më çun
oficeri se çuni oficerit.
Ndikimi
i jetës dogmatike të familjes së oficerit, më tepër se mbi pjellën e vet, mbi
pjellën që e kujtonte të vetën, por në fakt ishte e dikujt tjetër, mbeti një
dukuri e errët pa një spjegim shterrues.
Çuni
i vëllait ose çuni i motrës së oficerit që nuk e kishin as babin oficer as
mamin kurvë, ndoshta për shkak të zilepjes ndaj oficerllëkut të tjetrit, ishin
edhe ata çuna oficerash, edhe më të tmerrshëm dhe më të përbindshëm se çuni
oficerit.
Pse
nga pridhi i kurvës dilnin vetëm çuna oficeri njëri më i zi se tjetri, kjo
mbeti përgjithmonë enigmë.
Jo
rrallë ndodhte që dy a më tepër miq pa lidhje me botën e oficerllëkut bënin qef
me të njëjtën mami të të njëjtit çun oficeri.
Kur
ndodhte që ky kombinim merrej vesh, mes kazanovëve të mamit të çunit të
oficerit plaste sherri: I kujt është çuni oficerit që do dali nga kalërimet
tona mbi mamin e çunit të oficerit ? Shkenca ç'thotë ? Laboratorët ç'bëjnë ?
Biologjia a na ndihmon ta gjejmë ? Cilat janë shenjat se çuni oficerit që pas
pak do shohi dritën e Diellit, do jetë i imi apo i yti, i këtij apo atij, i
këtyre apo atyre në rast orgjie ?
Çuni
oficerit sot ka rrëmbyer flamurin e të qënit ultramodernist. Frekuenton lokale
ku mblidhen të ngjajshmit e vet, çunat e oficeravet.
Çuni
oficerit nuk është i pa kënaqur me zhvillimet. Përhap ide politike fashiste nga
babi oficer, komuniste nga mami lavire.
Çuni
oficerit, spiun i atëhershëm, hajduti i tanishëm, që dallohet nga barku i fryrë
dhe surrati prej miu, po bën kërrdinë. Ka përmbytur OJQ-të. Ka ndikim në
politikë dhe pushtet. Bën biznes. Fiton me buldozer. Vjedh me eskavator. Ka
disa vila dhe disa makina. Tymos hashash. Bën pushime nëpër ishuj.
Veç
një problem s'po e zgjidh dot çuni oficerit: Shpenzimet e shumta nëpër
farmacira.