Kulturë
Promovimi i librit: Mëhallët dhe toponimet e vendbanimeve të komunës së Preshevës
E diele, 25.07.2021, 11:46 AM
NË SALLËN TË KUVENDIT KOMUNAL TË PRESHEVËS , PËRPLOTË ME DASHAMIRË TË LIBRIT U PËRURUA LIBRI:”MËHALLËT DHE TOPONIMET E VENDBANIMEVE TË KOMUNËS SË PRESHEVËS”
Të shtunën më 12
qershor 2021, në sallën e Kuvendit komunal të Preshevës u përuruar libri i
autorit Xhemaledin Salihut: “ Mëhallët dhe toponimet e vendbanimeve të komunës
së Preshevës”
Salla e Kuvendit
ishte mbushur përplotë me dashamirë të librit. Përurimin e librit e kryesoi:
Prof. Dr.Drita Halimi-Statovci, Dr.sc. Veton Zejnullahi, recensent i librit,
Jonuz Fetahaj, redaktor dhe Xhemaledin Salihu, autor, ndërsa e moderoi Nexhati
Shabani.
Manifestimi
kulturor, përurimi i librit filloi me ekzekutimin e “Bareshës” nga Gentian dhe
Shkodran Aliu, të cilët performuan shumë mirë dhe publiku me duartrokitje i
shpërbleu.
Në fillim, në
hapje të përurimit, moderatori Nexhati Shabani i përshëndeti të pranishmitë dhe
mysafirët e nderuar.
Pastaj fjalën ia
dha Jonuz Fetahut, redaktorit të librit, i cili lexoi Mendimin e tij , të dhënë
mbi librin: “Një tekst që i ka munguar onomastikës dhe toponomastikës në
Preshevë me rrethinë”
Më pastaj fjala iu
dha Dr.sc. Veton Zejnullahit, i cili foli mbi recensionin e librit në fjalë:”…
Edhe ky libër sikur edhe librat e tjerë të z.Salihu është shkruar në lëvizje e
sipër, sepse është vërtetë e vështirë të mblidhen të gjitha ato të dhëna dhe të
radhiten në një libër të këtij formati duke qëndruar në zyrë, për çka unë e
përgëzoj dhe inkurajoj që të vazhdojë më këtë ritëm në zbardhjen e çdo gjurme
iliro-dardane në këtë pjesë të trungut shqiptar, dhe njëkohësisht i bëj thirrje
pushtetit lokal në Preshevë e Bujanoc si dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar që,
edhe përkundër vështirësive të gjejnë forma dhe të përkrahin projekte që i
shërbejnë shumë brezave që vijnë.”
FJALË RASTI MBI
LIBRIN PATI EDHE PROF.DR. DRITA HALIMI-STATOVCI:” PËRSHËNDETJE NË PROMOVIMIN E
LIBRIT XH. SALIHU, MËHALLËT DHE
TOPONIMET E VENDBANIMEVE TË KOMUNËS SË PRESHEVËS, PRESHEVË 12.06.2021
Këtë përshëndetje
dëshiroj ta filloj me fjalët e filozofit dhe gjuhetarit tonë Sami Frashërit, që
thotë se:“gjysma e punës është e mbaruar kur ajo fillon me dëshirë”, dhe
unë po e përforcoj: edhe me dashuri! Ndërsa, në vazhdim po shtoj edhe
fjalët e filozofit botëror Friedrich Schiler, që thotë se “mendimet e thella
jetojnë në zakonet e lashta dhe se këto duhet nderuar”, për të konstatuar se
këto dy mendime të dy emrave të mëdhenj, janë inkorporuar dhe fare mirë
reflektojnë edhe në librin e aurorit z. Xhemaledin Salihu, madje jo vetëm në
këtë botim që e promovojmë sot!
Libri me titull: Mëhallët
dhe topomimet e Vendbanimeve të Komunës së Preshevës, na flet para së
gjithash për lashtësi, pastaj për mendimet e thella popullore, të cilat janë
hulumtuar e grumbulluar me dashuri e durim të madh, dhe neve na servohen
sot në një libër me tekste me fotografi
e me skica. Ky është rezultat për ta vlerësuar. Në të - gjejmë emërtime që i ka
krijuar jetesa e njeriut në një kohë e në një hapësirë të caktuar, gjejmë
organizim hapësionor e shoqëror të një areali të caktuar gjeografik në lagje
apo mëhalla të veçanta, gjejmë filozofi popullore në sajimin domethënës të
vendbanimeve, të toponimeve, e të emërtimeve të tjera. Të gjitha këto janë
trashëgimi kulturore - të ciles duhet t’i gëzohemi që shohin dritë dhe
përjetësohen në një botim të veçantë, ashtu sikur që sot trashëgimia
vlerësohet, promovohet e mbështetet në
të gjithë Europën e më gjerë. Z. Xhemaledin Salihu punoi me shumë
entuziazëm si individ, pastaj si anëtar dhe si Kryetar i Shoqatës për
Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Luginës së Preshevës, por mbi të gjitha,
punoi dhe vazhdon të punojë pa pushim si dashamirë i pandalur i trashëgimisë
kulturore shqiptare. Puna e tij fillestare, ndoshta e vogël, por me vullnet,
dashuri e seriozitet tregoi rezultate të mira në fusha të ndryshme
trashëgimore, si në kulturën materiale, atë shoqërore ose shpirtërore - mjaft
disperzive, të vëllimshme dhe shume të rëndësishme.
Të qenit bashkë,
sikur që jemi sot në këtë takim promovues, sajon disi, një atmosferë festive të
hareshme. Uroj autorin z. Xhemaledin Salihu, uroj Shoqatën për këtë botim,
ndërsa të gjithë neve këtu i dëshiroj momente të këndshme në shijimin e
rezultateve shkencore e profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore.”
Urime!
Autori i librit
Xhemaledin Salihu i përshëndeti të pranishmitë dhe me këtë rast i
faleminderoi:familjen e tij për durimin në shkrimin e librit në fjalë,
redaktorin Jonuz Fetahaj, recensentët: Dr.sc. Veton Zejnullahi e Sami N.
Agushi, profesor i gjeografisë, Prof.Dr. Drita Halimi-Statovcin, Dr.sc. Shefki
Selamin me familje, delegacionin nga Prishtina, në krye me Banush Ymerin,
profesor pedagogjie, delegacionin nga Gjilani, në krye me Prof.Dr. Bahtijar
Kryeziun, delegacionin nga Bujanoci, drejtorin e Bibliotekës së Bujanocit,
kryetarin e Shoqatës “Feniks”, Bilall Maliqin, të gjithë autorët dhe
informatorët që dhanë kontribut në pasurimin e librit, moderatorin dhe
prezencën e TV Presheva dhe Preshevapress.
Në fund lexoi disa
fjali nga parathënie e tij në libër:” Jam i vetëdijshëm se ideja e realizuar
është fillestare, të shkruhet për mëhallët dhe toponimet, por i mbetet
gjeneratave të ardhme dhe studiuesve të rinj të hulumtojnë edhe më tepër në
këtë lëmi dhe ta lëvrojnë në mënyrë studiuese, shkencore çdo aspekt lëminë e
përmendur, faktikisht më thellësisht ta spjegojnë gjenealogjinë e familjeve,
mëhallëve dhe toponimeve të vendbanimeve të komunës së Preshevës.
Në fund
falënderoj autorët e punimeve në libër,
informatorët, Akademik Rexhep Ismajlin, redaktorin Jonuz Fetahaj, recensentët
Dr. sc. Veton Zejnullahun, Sami N. Agushin, profesor i gjeografisë dhe të
gjithë kontribuesit e cekur dhe të pa cekur që dhanë mund në botimin e librit:
”Mëhallët dhe toponimet e vendbanimeve të komunës së Preshevës.”