Kulturë
Emin Azemi: Shkrimtari Nasi Lera nderohet me çmimin ''Beqir Musliu''
E enjte, 22.07.2021, 06:00 PM
SHKRIMTARI NASI LERA NDEROHET ME ÇMIMIN LETRAR “BEQIR MUSLIU”
për vitin 2021
Nga
Emin Azemi
Juria në përbëre Ibrahim Kadriu (kryetar), Sadete Tërnava dhe Emin Azemi
(anëtarë), nga një listë me tetë emra të mundshëm, zgjodhën sivjet për
çmimin “Beqir Musliu”, shkrimtarin e njohur nga Shqipëria, Nasi Lerën, duke u
mbështetur në një varg veprash të tij të botuara, me të cilat e pasuroi dhe
vazhdon ta pasurojë letërsinë tonë.
“Nasi Lera është ndër shkrimtarët tanë të rrallë që di pse shkruan dhe di
çka shkruan; vepra e tij, është e lidhur me botën tonë; e shpreh këtë botë dhe
i kthehet po kësaj bote nëpërmjet artit dhe të komunikimit artistik që nxit
teksti poetik”, vlerëson shkrimtari dhe studiuesi, Anton Nikë Berisha
Më datën 24,
Gjilani pati festë letrare. Si çdo vit, edhe sivjet ky qytet juglindor i
Kosovës, nderon shkrimtarët për të arriturat e tyre me çmimin të shquar
letrar “Beqir Musliu’. Ars klubi me të njëjtin emër, i udhëhequr nga shkrimtari
Sabit Rrustemi, po përkujdeset rreth ndjekjes së veprimtarisë letrare të
krijuesve, duke identifikuar tek ata vlerat më të spikatura, që do të hyjnë
pastaj në një përzgjedhje më të ngushtë për t’u vlerësuar me Çmimin e njohur
letrar ‘Beqir Musliu’.
Sivjet ky nder i
takoi shkrimtarit dhe përkthyesit nga Tirana, Nasi Lera. Për ndarjen e këtij
çmimi vendosi juria profesionale e përbërë nga Ibrahim Kadriu (kryetar), Emin
Azemi dhe Sadete Tërnava (anëtarë).
Ceremonia e
ndarjes së këtij çmimi u bë në Bibliotekën e qyteti të Gjilanit ‘Fan Noli’. Të
pranishëm ishin edhe familjarët e shkrimtarit Beqir Musliu.
Për të nderur
laureatin e sivjetmë, kishte ardhur edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, i
cili në një ceremoni të veçantë, i dorëzoi shkrimtarit nga Shqipëria, Nasi
Lera, çmimin letrar “Beqir Musliu”, i cili jepet për arritje të larta letrare.
Duke e uruar
fituesin e sivjetmë, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se ky çmim bashkon
sot dy cepa të tokave tona, ku kufiri akoma i ndan shqiptarët mes vete, por
duke ecur përpara drejt një bashkimi. Zaten, theksoi ai, Sabit Rrustemi, tash e
tridhjetë vjet, Gjilanit i ka dhëne epitetin një qendre kulturore dhe emrat
sikur i juaji kanë bërë që ne, përmes shkrimeve shqip dhe në rasti tuaj, edhe
përmes përkthimit të autorëve të mëdhenj, ta kuptojmë më mirë veten tonë, gjë
që dëshmon se libri dhe dija mbeten gjithmonë kërkesë e jetës.
Duke e falënderuar
poetin për gjithë kontributin dhe krijimtarinë e tij letrare, Haziri tha se në
murin e çmimit të madh letrar ‘Beqir Musliu’, një çmim ky unik në Gjilan dhe
Kosovë, tash e tutje do të jetë i vendosur edhe emri Nasi Lera.
Haziri nënvizoi se
çmimi letrar ‘Beqir Musliu’ ngërthen në vete jo vetëm një gjini letrare, sepse
ne kemi themeluar qendrën kulturore evropiane e cila në vete do të ketë
bibliotekën, muzeun e qytetit, galerinë dhe institucionet e tjera kulturore, që
do të ndërlidhen me emrin e Beqir Musliut, i cili Gjilanin e ka bërë krenar
kudo ku flitet dhe shkruhet shqip.
Kryetari i Ars
Klubit “Beqir Musliu”, shkrimtari Sabit Rrustemi, duke u ndërlidhur me
vlerësimet që u dhanë, në një prononcim për mediat tha se laureati i sivjetmë,
shkrimtari dhe përkthyesi, Nasi Lera, paraqet një nder për qytetin tonë
Gjilanin dhe një mirënjohje të madhe për letërsinë, e cila po njihet edhe më
mire përmes vlerësimeve dhe kontakteve të drejtpërdrejta, siç po ndodh sivjet
edhe me shkrimtarin Nasi Lera.
Shkrimtari Sabit
Rrustemi evokoi kujtimet e viteve të hershme të rinisë prej kur ishte njohur me
krijimtarinë letrare të Nasi Lerës në periodikun letrar të Kosovës, duke u
shprehur i kënaqur që pikërisht klubi letrar që ai drejton sivjet po e
vlerëson një prej prozatorëve më të veçantë të letërsisë shqipe.
_________
Nasi Lera
KUR HYRA NË GJILAN PATA NDJESINË SE PO HYJA NË KORÇËN
TIME
“Kur më lajmëruan
se isha vlerësuar me çmimin “Beqir Musliu” përjetova një emocion të veçantë,
emocion që e kisha përjetuar shumë vite më parë, kur u botua, në Prishtinë,
romani im “Të jetosh kohën” dhe vëllimi me tregime “Dita e tretë”.
“I nderuari z.
kryetar i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, të nderuar anëtarë të jurisë së
shpërblimit “Beqir Musliu” z. Ibrahim Kadriu, zonja Sadete Tërnava dhe z. Emin
Azemi, të dashur djem të shkrimtarit të nderuar Beqir Musliu, më lejoni qe ta
ndiej veten anëtar të familjes suaj. E ndiej veten shumë të nderuar dhe do ta
ndiej veten edhe më të nderuar kur ju të vini në shtëpinë time ashtu si do vij
dhe unë në shtëpinë tuaj, jo vetëm me libra por shpirtërisht… Kur hyra në
Gjilan pata ndjesinë se po hyja në qytetin tim.
Këtë nuk e them
për t’u dukur se ja tani duhet thënë një fjalë e mirë, sepse të kanë vlerësuar,
jo; këtë e them sepse me të vërtetë e ndjeva sikur hyra në qytetin tim të
lindjes, në Korçë, pasi kam lindur në Korçë. M’u duk e njëjta atmosferë, e
njëjta ngrohtësi, dhe aq më shumë kjo atmosferë dhe kjo ngrohtësi m’u forcua
edhe më shumë kur u takova me njerëzit që po më prisnin në hyrje të
bibliotekës, kur u takova me kryetarin, nënkryetarin e komunës, kur u takova me
drejtorin e bibliotekës etj.
Gjithmonë kam
dashur të komunikoj me njerëzit, gjithmonë kam dashur të vij e të vizitoj
Kosovën. Sidomos kur m’u botua romani dhe vëllimi me tregime. Doja që patjetër
të vija në Kosovë, por ishte e pamundur; dëshira ime nuk varej nga unë; dëshira
ime që të sendërtohej varej nga dikush tjetër mbasi të tilla ishin, si të
thuash, ligjet që… i tillë ishte kufiri shtetëror që na ndante ne në Shqipëri
dhe ju në Kosovë. Pavarësisht se ky kufi shtetëror nuk ndante kurrë dhe nuk ka
për të ndarë ndonjëherë komunikimin e madh e të sinqertë shpirtëror që kishim
me njëri-tjetrin, kështu që letërsia që zhvillohej këtu në Kosovë vinte në
Shqipëri, po edhe letërsia që zhvillohej në Shqipëri vinte në Kosovë.
Shpeshherë kam
diskutuar dhe kam kërkuar edhe kur kam punuar në Lidhjen e Shkrimtarëve të
Shqipërisë që asnjëherë të mos ndahej letërsia që zhvillohej në Kosovë nga
letërsia që zhvillohej në Shqipëri, që asnjëherë të mos bëheshin krahasime kush
është më e goditur: letërsia që zhvillohet në Kosovë apo letërsia që zhvillohet
në Shqipëri. Të dyja letërsitë ishin një letërsi e vetme, ishin letërsi shqipe,
ishin letërsi shqiptare dhe secila jepte kontributin e vet simbas tematikave
dhe shqetësimeve krijuese që kishin vetë krijuesit me temën që ndesheshin në jetën
e tyre të përditshme.
Më kujtohet që në
Shqipëri kishte një mendim shumë të mirë për poezinë e poetëve që jetonin në
Kosovë. Kështu mund të them se poezia e Ali Podrimjes, poezia e Azem Shkrelit,
e Beqir Musliut, Agim Gjakovës (megjithëse Agim Gjakovën e kishim një kohë të
gjatë në Shqipëri), Eqrem Bashës, Ramadan Musliut, Ymer Shkrelit, Ibrahim
Kadriut, Sabit Rrustemit, Teki Dërvishit ishte një poezi e tillë që e ngriti
edhe më lartë gjithë poezinë shqipe, që hyri dhe që zuri vendin që meriton në
gjithë historinë e letërsisë dhe të poezisë shqipe.
Po kështu, krahas
poetëve, një brez i fuqishëm prozatorësh i dhanë prozës shqipe peshën e rëndë
të artilerisë letrare. Emri i Anton Pashkut, Nazmi Rrahmanit, Mehmet Krajës
është i dashur për lexuesit shqiptar.
Kritika letrare
është ndër zhanret më serioze dhe më të mprehta në mendimin shqiptar. Emri i
Rexhep Qosjes, Sabri Hamitit, Mensur Arifit, Ali Aliut, Prend Buzhalës apo edhe
e mikut tim Anton Nikë Berishës janë emra të cilët lexuesi u beson për
thellësinë e mendimit dhe paanshmërinë e tyre.
Në letërsi nuk
hyhet me dhunë, në letërsi hyhet me mjeshtëri, talent, përkushtim, kulturë,
mundim dhe nderim për të gjithë ata që kanë dhënë ndihmesën e tyre në
lartësimin e emrit të letërsisë shqipe. Vetëm duke e nderuar njëri-tjetrin mund
të nderosh emrin tënd. Vetëm duke u ndodhur pranë njëri-tjetrit mund të çash në
shtigje të reja. Shtigjet e letërsisë janë të pafundme; është i lumtur ai
krijues që zgjedh për të çarë shtegun më të vështirë, shtegun që ecën paralel me
shtigjet e ndritur që kanë çelur të tjerët.
Ju faleminderit!”
________
ANTON NIKË BERISHA
NJË VEPËR E PASUR LETRARE QË PËRLIGJ NJË JETË NJERIU
“Shkrimtari Nasi
Lera është njëri nga prozatorët tanë bashkëkohorë më të shquar. Me një varg
përmbledhjesh me tregime dhe romane të botuara, ai e ngriti dhe e pasuroi
prozën tonë nga rrafshe dhe aspekte të ndryshme.
Kur i qasësh dhe
vendos ta vlerësosh veprën letrare të Nasi Lerës, atëherë mendimi i parë që të
lindë doemos është se ajo është fryt i një pune dhe zotimi të vijueshëm për
rreth 60 vjet; një krijimtari që në qenësinë e vet bën jetën e vetë autorit.
Kjo krijimtari ka shkuar duke u pasuruar e duke u ngritur pikërisht në rrafshin
e artit e të komunikimit që ka nxitur (shkaktuar) dhe nxit në vazhdimësi me
marrësin.
Nasi Lera është
ndër shkrimtarët tanë të rrallë që di pse shkruan dhe di çka shkruan; vepra e
tij, është e lidhur me botën tonë; e shpreh këtë botë dhe i kthehet po kësaj
bote nëpërmjet artit dhe të komunikimit artistik që nxit teksti poetik.
Kumtesën timen për
veprën letrare të Nasi Lerës, i cili sot me meritë po e merr shpërblimin
letrar “Beqir Musliu”, e lidh, jo rastësisht me dy mendime të Ernest Hemiguejt.
I pari lidhet me
botën që e përfton Nasi Lera përmes strukturës gjuhësore shprehëse, përmes
gjuhës poetike. Bota e veprave të tij përafrohet me njëmendësinë (realitetin)
ku jeton dhe vepron krijuesi, po përmes artit të mëvetësishëm ajo bëhet më e
pasur dhe më e veçantë dhe me një mundësi ndikimi estetik të dukshëm.
Shkrimtari i shquar, shkruante: “Në të gjitha tregimet e mia unë përpiqem të
jap ndjesinë e jetës së vërtetë, jo thjeshtë ta përshkruaj jetën ose ta
kritikoj, por faktikisht ta bëj atë të gjallë. Kështu që ti, kur të lexosh
diçka timen, ta përjetosh me të vërtetë atë që lexon”.
Kjo është një
cilësi që i përshkon të thuash të gjitha veprat letrare të Nasi Lerës. Pra, ato
nuk janë imitim i asaj që ndodh ose në jetën konkrete, po krijesa të
mëvetësishme që ngrihen përmes shtjellimit të menduar dhe përmes gjuhës së
zgjedhur, përmes një teksti të përpunuar, nga i cili dalin kuptime të shumta.
Teksti i tij nuk
synon informacionin e rëndomtë, të thjeshtë, po shumësinë e mesazheve që nxitin
përsiatje të ndryshme. Vepra e tij ngrihet mbi parimin e poetikës së
Aristotelit: vepra letrare shqipton të mundshmen dhe të vërtetën artistike, që
nuk është cilësi vetëm e veprave letrare.
Ndodh kështu për
arsye se e mundshmja dhe e vërteta artistike ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme
për të dëshmuar imagjinatën krijuese dhe për të krijuar një botë sa të
mëvetësishme, po aq dhe të vlefshme e të rëndësishme për pasurimin shpirtëror
të marrësit.
Mendimi i dytë i
shkrimtarit të madh, Heminguejt, ndërlidhet po ashtu me veprën që e ka krijuar
dhe po e krijon ende Nasi Lera: “Kur të shkruarit bëhet vesi kryesor dhe kënaqësia
më e madhe, vetëm vdekja mund t’i japë fund.”
Natyrisht se kjo u
ndodh krijuesve të mëdhenj, atyre që janë të lidhur ngushtë me krijimin e
veprave të artit të fjalës, të nevojës që të komunikohet përmes artit me
dukuritë e botës e të veprimit të njeriut dhe e pasurojnë atë nga brenda.
Veçantitë që i
përmenda më lartë përligjen në mënyra të ndryshme qoftë në tregimet, qoftë në
romanet e Nasi Lerës. Në të dy llojet letrare ai dëshmoi krijuesin që di si i
qaset një objekti poetik, di si ta shtjellojë atë në mënyrën poetike, sidomos
të dëshmojë kujdesin e madh që i kushton të shprehurit, përkatësisht
gjuhës poetike, e cila kushtëzon në mënyrë të pandërmjetme komunikimin dhe
ndikimin estetik.
Në qenësinë e vet
proza e Nasi Lerës është një gjurmim i vijueshëm i dukurive të botës konkrete
dhe i dukurive të botës së brendshme të personazheve, që dëshmohen në rrjedha
të ndryshme të veprimit jetësor. Veçmas i shpreh shqetësimet, dramat dhe
tragjiken që i cilësojnë dhe i përcjellin personazhet.
Këtë botë sa të
veçantë e të ndërliqshme Nasi Lera e pasuron me romanet, ku bota e njeriut tonë
shqiptohet në aspekte e në rrjedha të ndryshme dramatike, po njëherit përftohet
një botë përmes tekstit, një botë poetike, e cila është më komplekse dhe më e
qenësishme sesa nga ajo konkrete. Kjo botë e krijuar përmes artit të fjalës, ka
atë cilësi dhe atë vlerë që ndikon fuqishëm estetikisht në marrësin dhe në
përtëritjen e shpirtit të tij.
Nasi Lera e
shqipton sidomos realitetin që ndërlidhet me botën e brendshme, ku fshihen
dukuri nga më të veçantat dhe më misterioze. Këtë botë autori e vështron
poetikisht në lidhje të ngushtë me rrethanat dhe kushtet jetësore. Pra, dramat
që ngërthejnë personazhet në veprimin e përditshëm, janë shkaktari kryesor i
dramave, i tragjikes dhe i pësimeve të brendshme.
Duhet thënë se
këto dy bot njësohen mjeshtërisht në tekstin poetik, duke u shndërrohet në një
botë të mëvetësishme. Në thelbin e tyre, këto dy botë përafrohen dhe
bashkekzistojnë edhe atëherë kur i ndan koha, vendi, hapësira, edhe kur janë në
pajtim ose në kundërshtim midis tyre.
Kjo strategji e
rrëfimit poetik dëshmohet, fjala vjen,në romanin “Orët e qytetit të
vogël”, “Nata e premierës”, “Të gjithë premtojnë Parisin” e të tjerë, ku
shpaloset drama dhe tmerri i realitetit konkret të njeriut tonë, shpesh dhe
vetëdija e tij e fjetur.
Një veprimtarinë e
Nasi Lera, një vend me rëndësi zënë edhe përkthimet e shumë veprave të
letërsisë botërore, përkatësisht përkthimet e shkrimtarëve nobelistë, si
E. Heminguej, A. Kamy, J. Saramago, G. G. Marquez, A. Zhid, Le Clezio, M. V.
Llosa, J. Kavabata, Kenzaburo si dhe të autorëve të mëdhenj si M.
Kundërsa, M. Duras. M. Turnie, Akutagava, S. De Bavuar, M. Gallo, D.
Merezhkovski etj.
Këto përkthime
kanë vlerë të madhe jo vetëm për faktin se ato lidhen me disa nga veprat më të
rëndësishme që u krijuan në fushën e artit të fjalës, letërsisë, po para së
gjithash për përkthimin cilësor, për gjuhën e pasur poetike dhe të mënyrës së
të shprehurit shqip”, tha Anton Nikë Berisha, në fjalën e tij mbi krijimtarinë
e shkrimtarit Nasi Lera.