Kulturë
Liri Pone Bele: Vitet e moshës
E merkure, 21.07.2021, 07:35 PM
VITET E MOSHËS
Tregim nga Liri
Pone Bele
Thanasi,
një burrë rreth të 65-ve, gëzonte respektin e gjithë banorëve të qytetit
në profilin e arsimtarit si mësues matematike në disa shkolla 7-vjeçare e të
mesme, deri në moshën e daljes në pension. Punën nuk e ndali, natyrisht jo me
ritmin e mëparshëm, duke organizuar kurse tri herë në javë me nxënës të klasave
të ndryshme, pavarësisht ambientit tejet të kufizuar, në katin e sipërm të
njërës prej godinave trekatëshe ndërtuar viteve të para të socializmit. Kishte
përshtatur tavolinë, disa karrige të vogla në të vetmen hapësirë të gjerë,
ballkonin me pamje nga plantacioni i frutores së qytetit. Ruante
marrëdhënie miqësore me ish-kolegët dhe takohej me ta sipas mundësive të
krijuara. Disa ishin larguar me familjet në kryeqytet, kishte dhe të tjerë
larguar jashtë vendit, siç ishte dhe Isufi më i afërti mik i tij. Kur ai
kthehej përkohësisht në verë, krijonin mundësi të qëndronin së bashku, siç
kishin bërë gjatë gjithë kohës, në shoqërinë e tyre shumëvjeçare.
Një
pasdite të vonë fundgushti, i vetmuar, Thanasi qëndronte pranë tavolinës në
njërën nga baret në qendër të qytetit. Filxhanin me kafe, të porositur orë më
parë, as e kishte prekur. Së largu, dukej qartazi i kredhur në mendime, hidhte
shikime të pikëlluara, të ngulura përtej rrugës. Askush nuk i tërhiqte
vëmendje, pothuajse nuk ia kthente përshëndetjen as ndonjë personi të njohur që
kalonte atypari apo të ngrinte dorën të shoqëruar me përkuljen e lehtë të kokës
drejt një kalimtari që rastësisht kalonte në trotuarin përkundrejt që e njihte
Thanasin dhe e përshëndeste duke shprehur respekt për të.
U
dëgjua zëri i njohur i Isufit, pedagog në lëndën e psikologjisë. Prej vitesh
nuk kishin pasur mundësi takimi, sepse ai jetonte familjarisht në Australi.
Afërsia e fytyrës shoqërohej me aromën e mirënjohur të një duhanpirësi të
pakorrigjueshëm. Gjithë përpjekjet në vite të familjes dhe të shokëve për
lënien e duhanit nuk e bindën Isufin. Ai i hodhi krahët në shpatullat e
Thanasit, shoqëruar me një përqafim të zgjatur, të përmalluar e miqësor,
qartazi i munguar, aq sa vetëm pas disa çastesh mundi të shqiptonte fjalët e
para…
-
Mirëdita, i dashur koleg! Kam më tepër se dy orë që po të kërkoj gjithandej.
Doja të të takoja sa më parë dhe, kur nuk të gjeta në shtëpi, u mërzita. Tepër
e shqetësuar, gruaja jote më tregoi se nuk kishe shkuar as për drake. Për më
tepër, e shqetësonte gjendja jote e trishtuar ditëve të fundit. Kishe tejkaluar
çdo kufi dje, kur, i përqendruar, diçka po lexoje. Gjatë natës, përsa tregoi
ajo, nuk të zuri gjumi pothuajse asnjë orë, sot gjithë ditën gjendesh larg
shtëpisë… Ajo nuk po mundej të shpjegonte asgjë… Tani, fatmirësisht jam pranë
teje dhe dua të bisedojmë si përherë…
Isufi
afroi karrigen në më të afërtin pozicion, me duart e veta mbante shtrënguar të
dy duart e shokut, në të njëjtën kohë nuk po mund të shkëpusnin nga
njëri-tjetri shikimet e vërteta miqësore të munguara gjatë. Disi më vonë
filluan dhe fjalët e ngrohta...
-
Të jem i sinqertë me ty e me veten time, ndihem fajtor që nuk munda të siguroja
vazhdimësinë e lidhjes sonë këtyre viteve dhe u gëzova kur mësova se ndiheshe
mirë duke u shoqëruar me të tjerë bashkëmoshatarë, përshtypje pozitive të
prezantuara qartë nga vetë ju katër pensionistët. Banorë autoktonë të qytetit
tonë ju njohin mirë dhe gjithë energjitë tuaja, djersën e ballit, vitet e punës
së ndërgjegjshme ju dhuruan respektin e tyre plotësisht të merituar, prandaj
mënyra e organizimit të kohës suaj të përditshme shihet me admirim…
Thanasi
nuk po përgjigjej. Ndiente njëfarë pengese, si ta kishin shtrënguar në
fyt. Frymëmarrja iu vështirësua dhe në ballin e rrudhur u dukën dy-tri pika
djerse. Pas një heshtjeje të zgjatur, me një zë të ulët, iu drejtua shokut
tejet të pikëlluar:
-
Po, në të vërtetë u prezantuam në qytet për disa vite si “Grupi miqësor i
moshës së tretë”. Do të doja të tregoja ty rreth jetës së tyre, rastësia që
ndihmoi marrëdhëniet tona mirëkuptuese, ndonëse jo përherë… Sotiri ishte më i
madhi në moshë midis nesh, me konstrukt të gjatë e të fuqishëm, sa pamja e tij
e jashtme e tregonte shumë vite më të ri se mosha e vërtetë, ish-inxhinier
nafte me përgatitje profesionale të vërtetuar edhe me punime shkencore;
fizikisht i mbajtur mirë deri dy vjet më parë, kur u diagnostikua me një
sëmundje të rrallë, për të cilën detyrohej të merte mjekime të kushtueshme,
kryesisht të financuara nga i biri emigrant në Greqi. Jonuzi, farmacist, kishte
probleme me artikulacionet e gjunjëve. Qysh nga fëmijëria e largët vuante nga
reumatizma, gjë që e favorizoi qëndrimi i tejzgjatur në pozicion vertical, si
edhe hapësira e kufizuar në vendin e punës përgjatë paradites e mbasdites.
Pasojat drejtpërsëdrejti në kufizimin e lëvizjeve i shtoheshin dita-ditës.
Shpesh mbetej mbrapa nesh, sa ndonjëherë na duhej të ndalonim duke e pritur.
Mbështetja në bastun e lehtësoi paksa, por dukej në prononcimet e tij se nuk
ishte arritur zgjidhja e duhur funksionale. I treti shok, Vangjeli, nuk kishte
njohur ditë pushimi as të dielave përgjatë dekadave, duke punuar me
korrektësi e cilësi si murator, elektricist, hidraulik e zanate të tjera,
aq sa jo rrallë dikush e merrte për ta pasur si Usta për një proces pune
delikat brenda banesës personale, apo thjesht kërkonte mendim, këshillë
profesionisti. E veçanta për të ishte dëshira për të lexuar libra të autorëve
tanë dhe kryevepra të letërsisë botërore. Pothuajse ndiqte me vëmendje botimet
e fundit, gjë që e mësuam saktë mbas njohjes sonë. Në raftet e dërrasave të
përpunuara me duart e veta, numri i librave e kishte kaluar me disa qindra
mijëshen. Sikurse na pohonte, të lexuarit e librave i lehtësonte disi
mbilodhjen fizike të përditshme. Sigurisht përparësia i takonte kënaqësisë
shpirtërore, duke u shprehur çiltërsisht se koha e lirë e kufizuar meritonte të
harxhohej në një tjetër mënyrë. Aktiviteti fizik i përditshëm mundësonte të
prezantohej i shëndetshëm dhe nuk e dinim se Vangjeli kishte një sëmundje
serioze të zemrës, për të cilën ai nuk shprehte ankesa dhe nuk i shmangej as
punës, kur kishin nevojë për ndihmën e tij. Fatkeqësisht, u njoha me të
vërtetën e zymtë tepër vonë. Zgjuarsia e veçantë e Vangjelit shoqërohej me
karakter të fortë. Ai ishte natyrë e mbyllur në vetvete dhe shqetësimet e veta
nuk dëshironte t’ua transmetonte miqve, pasi nuk donte që dhe ata të vuanin.
Jeta ishte treguar e ashpër me të. Prindërit e tij shpejt u ndanë nga jeta dhe
të katër fëmijët u rritën jetimë. Ai, si më i madhi prej tyre, ishte i
detyruar të mbetej i fundit në plotësimin e kërkesave të jetës së përditshme.
Bashkëshortja mbartte në vetvete njërën nga format e mungesës së gjakut, anemi
të lindur, për të cilën u njohën vonë, por të dy tregonin kujdes. Në njërën nga
situatat kritike të humbjes së gjakut, gatishmëria e Vangjelit për të dhuruar
sasinë e nevojshme të gjakut, iu refuzua në momentin e kontrollit paraprak të
tij. Mjekët e njohën dhe e informuan për një sëmundje zemre të paditur më parë,
e cila e kishte të domosdoshme ndjekjen mjekësore protokollare, por ai e
anashkalonte. Nuk patën fatin e lumtur të mbanin në krahët e tyre fëmijë,
ngrohtësia e të cilëve do të mund t’ua pakësonte sadopak egërsinë e jetës së
përditshme. Lina punonte me ndërgjegje dhe përkushtim si edukatore në një
kopsht fëmijësh dhe ngushëllohej me vogëlushët, ndërsa Vangjeli duhej të
shtrëngonte mes duarve vetëm kaçavidën, çekiçin e të tjera mjete pune që
i mbante në një çantë me peshë të rëndë. Më kujtohet mirë, pesë vjet më parë,
disa muaj mbas vdekjes së Linës, i katërti shok pensionist iu bashkua treshes
sonë dhe shpejt shoqëria u konsolidua në një miqësi të vërtetë. Pavarësisht
moshës, ajo fuqizohej çdo ditë e më tepër. Mungesat brenda grupit tonë
shoqëror, thënë ndryshe, largimet disajavëshe të Jonuzit verën e vitit të
kaluar dhe Vangjelit këtë vit, që fatkeqësisht u pasuan në mënyrë fatale me
mbylljen e jetës së tyre, janë zanafilla e tjetërsimit të gjendjes sime
shpirtërore. Jonuzi ishte njeri me një zëmërbutësi të skajshme dhe kishte
prirje në fushën e pikturës. Ato pak krijime të ruajtura janë të vlerësuara nga
profesionistët. Mendoj se piktura ishte një nga arsyet që e bënte të vuante së
tepërmi në vete, edhe pse përpiqej të mos e prezantonte paraqitjen e vet jo të
këndshme. Thjesht ecte me ndihmën e bastunit, shoqëruar me diferencën e disa
metrave në rrugë kur shkonim së bashku, aq sa e kam të vështirë të përcakoj
nëse e shqetësonte më tepër dhembja e gjunjëve, apo ecja çalë e
tij. Jonuzi mundi të siguronte me vështirësi vizën e udhëtimit për në
Angli, ku jetonte prej vitesh i biri emigrant me gruan dhe dy fëmijët e tij. Në
muaj qëndroi atje dhe u kthye i lumturuar saje vendosjes së protezave metalike
në të dy gjunjët. Na habiti pa masë mënyra e re e ecjes, pothuajse djaloshare,
por piku i çudisë arriti kur mësuam shumën e paguar për këtë ndërhyrje, jo e
zakonshme në radhët e moshatarëve tanë. Pagesa i tejkalonte mundësitë ekonomike
të djalit, i cili, punonte gjatë paradites, disa orë mbasdite, dhe si truprojë
në një diskotekë, deri mbas mesnate. Natyrisht, pasi hezitoi një copë here, na
tregoi se pagesa kapte shifrën 11. 000 paund. Në këtë çast ishte radha jonë të
heshtnim të turbulluar. Besoj se e vetmja pyetje në mendjen e secilit prej nesh
ishte:
“Si
mundi të zgjidhte Jonuzi në pozicionin e një prindi normal, midis flakjes tej
të bastunit, mjetit ndihmës e të zakonshëm për moshën drejt të 70-ve,
kundrejt një vlere monetare të pakapshme, e gjykuar thjesht në përputhje me
realitetin?”.
Kishte
siguruar nëpërmjet vendosjes së protezave një ecje të shpejtuar dhe tani i
paraprinte grupit tonë të pensionistëve duke qenë i pari në vendin e takimit të
paracaktuar, si një nga treguesit e jetës moderne. Ama, vitet e moshës mbetën
po ato. Asnjëri nuk u kthye pas. Isuf, puna jonë mësimdhënëse përgjatë dekadave
na mundësoi njohjen e natyrës së një nxënësi, larminë e karakterit midis tyre,
natyrisht duke qenë në hapat e parë të jetës. Se sa e mundimshme është të
njohësh karakterin e një personi drejt të 70-ve, nuk mund të përshkruhet me
fjalë, është tejet e vështirë ta përcaktosh plotësisht. Secila ditë e jetës nuk
është përsëritje e të mëparshmes, pjesa e rrugës të cilën çdokush
detyrimisht përshkon, nuk është e shtruar, për më tepër mosnjohja e kthesave të
papritura, të thella, nganjëherë të rrezikshme, nuk mund të imagjinohen a
të parandalohen, por ato pranohen si ligje të jetës…
Në
njërën ditë të acartë në muajin janar të këtij viti, Jonuzi doli nga shtëpia
herët në mëngjes. Rrugica pranë portës ishte e pa asfaltuar, tejet e dëmtuar,
çka në kohë shiu formonte një pellg të vogël me ujë. Në kohë ngrice ajo kthehej
në një sipërfaqe të akullt, të ngrirë, me trashësi disa centimetra, gjë e
përsëritur gjatë dimrit. Jonuzi e shmangte ecjen në sipëfaqen e akullt
(“Është mjeshtëri e skiatorëve”, - shprehej). Na mungonte në takimet e
përbashkëta, apo vonohej në pritje të shfaqjes së rrezeve të diellit që do të
shkrinin akullin. Pas vendosjes së protezave, me naivitet, Jonuzi nisi ta
vlerësonte veten më të ri. Mendësia fëmijërore po i udhëhiqte logjikën, që
realisht duhej të ishte në përputhje me vitet e moshës. E shihte veten të aftë
të kapërcente çdo vështirësi para tij, të meritonte gjithçka të munguar deri
atëherë, sikurse lëvizja në një sipërfaqe të akullt, duke e nënvlerësuar me
kokëfortësi rrezikun e mundshëm. Faktin e zëvendësimit të artikulacioneve
të gjunjëve po e gjykonte si një dhuratë çudibërëse.
Filloi
të ecte me hapa të shpejtuar sapo doli nga porta e oborrit, në njërën nga ditët
më të ftohta, kur ngrica mbretëronte kudo. Papritur pësoi humbje të ekuilibrit
brenda sekondës dhe pësoi një rrëshqitje të paevitueshme disa pëllëmbë më
tej. Natyrisht gjunjët e rinovuar nuk mund të garantonin në tërësi
ripërtëritjen e sistemit kockor dhe muskular të gjithë organizmit, ta
përballonin momentin e beftë të përplasjes së fuqishme në murin e trashë me
bllok. Për pasojë, goditja e fortë në kokë pas dy ditësh përfundoi në mënyrë
fatale. I biri u kthye nga Anglia sa më shpejt iu krijua mundësia. Nuk mundem
të harroj fjalët prekëse, ravijëzimet e lotëve drejt mjekrës, teksa po e
përqafonim, për më tepër ne ishim në dijeni të qëndrimit ndaj të atit dhe e
respektonim:
-
Të vetmen kërkesë që shprehu kur u takuam, ishte ta ndihmoja për vendosjen e
protezave metalike të gjunjëve, gjë që unë ia plotësova. U lumturua në momentin
kur bastuni nuk ishte i dobishëm gjatë ecjes. Tani ndihem i lehtësuar për
dhuratën time, që ai e meritonte plotësisht, po çfarë rezultati solli kjo?
Sinqerisht u ndodha në pozicion të vështirë atyre ditëve dhe me ndërgjegje të
plotë përzgjodha plotësimin e dëshirës së babait, ndonëse vlera e zëvendësimit
të artikulacioneve të gjunjëve të tij i kapërcente mundësitë e mia ekonomike,
gjithë kursimet në vite.
Biseduam
gjatë me djalin e Jonuzit. Na tërhoqi vëmendje fakti se vitet e shumta të
jetesës së tij në Londër e kishin ndihmuar të prezantonte një sjellje të
kulturuar, të admirueshme. Djali nuk e përmendi faktin që, shpejt mbas
mbërritjes, Jonuzi, në mënyrë këmbëngulëse, kalonte nga e para vizitë mjekësore
në tjetrën, i përqendruar në takime me specialistë kirurgë të artikulacioneve.
Mori vendim personal të realizonte sa më parë ndërhyrjen, kostoja e së cilës
ishte e tejkaluar në kushtet aktuale. E njihnim këtë detaj, por djali iu
shmang bisedës rreth atij problemi
. Pikërisht qëndrimi i tij dinjitoz e rriti respektin tone si miq te
babait tij ,për të.
Të
tre shokët ndiheshim të pikëlluar mbas vdekjes së Jonuzit. Bënim përpjekje t’ia
lehtësonim trishtimin njëri-tjetrit, gjë që zgjati vetëm disa muaj, sepse, në
fillim të marsit, Sotiri vendosi të kalonte disa ditë në Athinë. Ndihej i
lumturuar. Fati u dhuroi të parin nip. Pas shumë vjetësh, i biri krijoi familjen
e vet dhe lindja e vogëlushit ishte një ngjarje e shënuar për të gjithë.
Këtë
vit e njohëm problemin serioz lidhur me shëndetin e tij. Nuk i shprehte
ankesat, nuk tregonte hollësira. Ishte i diagnostikuar me një sëmundje të
rrallë, për mjekimin e së cilës, medikamentet e kushtueshme, të përmuajshme e
të pazëvendësueshme ia siguronte i biri. Mundësitë ekonomike të një pensionisti
në situata të ngjashme, nuk kanë nevojë për koment.
Isuf,
çuditërisht si të kishim një pakt midis shokësh, asnjëherë i përmendur me
fjalë, dukej sikur kishim bërë një pakt të heshtur për të mos shprehur vend e
pa vend shqetësimet personale dhe ankesat e ndryshme të moshës. Ato secili i
mbante brenda vetes, për të mos e rënduar psikologjikisht shokun pranë. Ishte
kjo gjë një nga bazat mbështetëse për vazhdimësi dhe funksionim normal të
miqësisë, për mirëkuptim brenda një grupi me persona të moshuar. Qëllimi ynë i
përbashkët ishte t’i dhuronim njëri-tjetrit momente zbavitjeje, qetësie apo
thjesht një buzëqeshje të lehtë, natyrisht si përfaqësuese të natyrës njërzore.
Ndonjëherë hedh vështrimin rrotull vetes dhe seç kam një përshtypje, mbase të
gabuar, se në ditët tona kjo natyrë njerëzore fatkeqësisht po zbehet…
Mungesa
dyjavore e Sotirit sinqerisht na u duk disamujore. Mbas kthimit, më tërhiqte
vëmendjen gjendja e tij shëndetësore disi e ndryshme nga e mëparshmja. Për më
tepër, Sotiri nuk u përgjigjej pyetjeve tona, sado dashamirëse të ishin ato.
Pse vallë të mos ndihej mirë kur ne e dinim se arsyeja e udhëtimit e kishte
lumturuar? Eh, si qenka jeta! Vjen një moshë, pensioni, dhe njihesh me njerëz
që s’i ke parë e takuar apo i ke njohur fare pak në vite të mëparshme.
Fillimisht, thjesht një përshëndetje e zakonshme midis bashkëqytetarëve
të njohur së largu. Pastaj, kohëzgjatja e qëndrimit dhe takimet e
përsëritura mundësuan një farë afërsie, e cila shpejt u pasua nga një
miqësi e vërtetë. Fatkeqësisht, tani mbetën vetëm gjurmët e tyre në kujtesën
time…
I
trishtuar, Thanasi ndali një copë here dhe pastaj vazhdoi sërish:
-
Saktësisht në orën 8. 00 të çdo mëngjesi, bashkoheshim në vendin e
takimit të paracaktuar, nisnim ecjen njëri pas tjetrit e ngandonjëherë
krahë për krahë, por kësaj radhe të kushtëzuar nga ngadalësimi i detyruar i
hapave të të ndjerit Jonuz. Pra, në respektim të shokut, bënim më të
ngadalshmen mënyrë ecjeje, gjë që, kur dikush na shihte, mund ta rriste sadopak
respektin…
Në
një lokal të përzgjedhur pinim kafenë e mëngjesit. Ajo bëhej edhe më e shijshme,
se shoqërohej përditë me buzëqeshjen dashamire të djaloshit kamerier,
kujdesin e tij ndaj nesh, kryesisht kur zgjaste krahun të ndihmonte, pothuajse
e ngrinte peshë në ngjitjen e tri shkallëve para portës hyrëse, të ndjerin
Jonuz.
Më
pas, te kioska pranë blinim gazetën e preferuar dhe Vangjeli shkonte të pyeste
edhe për librat e botuar së fundmi. Kohën e kalonim në mënyrë të këndshme
dhe pa e ndier, sepse loja shahut, domino dhe më rrallë loja me letra e
paracaktonin atë… Përsëri mbasdite vonë, takimi ishte i programuar deri në
detaje. Kështu, dita përfundonte e gëzueshme për secilin, në pritje të së
nesërmes.
Për
mendimin tim, koncepti i fjalëve “shoqëri” dhe “miqësi”, në përmbajtjen e
tyre nuk lidhen me vitet e moshës. Nëse njerëzit mund të krijojnë miqësi
midis tyre, atëherë sinqeriteti, respektimi i ndërsjelltë, jetëgjatësia dhe
forca e saj mbeten të njëjta, pavarësisht se në çfarë periudhe të jetës u është
krijuar mundësia e realizimit të saj.
Përgjatë
këtyre viteve, rastisi të qëndroja pa u shkëputur asnjë ditë nga Vangjeli.
Asnjëri prej nesh nuk u largua nga qyteti dhe ndiheshim të dy shpirtërisht më
afër. Por edhe dy të tjerët që u larguan jashtë vendit përkohësisht, mbetën
pjesëtarë në grupin e “katër pensionistëve të pandashëm”, - siç e quanim
veten shpesh…
Të
më falësh, Isuf, për këto hollësi! E pranoj në mënyrë të sinqertë para teje dhe
vetes sime se realisht midis nesh nuk mungonin debatet për ndonjë problem të
veçantë, nuk ishin të pakta mospërputhjet në gjykimet dhe këndvështrimet tona,
qëndrime individuale të egra, përherë në respektim të etikës, pa kaluar cakun e
sjelljes korrekte. Për më tepër, kohëzgjatja e tyre i përkiste asaj nate; të
nesërmen gjithçka vazhdonte në të njëjtën linjë. Ah! Kjo pjesë e jetës
sonë është e papërsëritshme përgjatë viteve të moshës së tretë. Koha mbase do
të na japë mundësi të takohemi sërish të katërt, por duke e kërkuar me ngulm
njëri-tjetrin në botën tjetër, atë të përjetshmen…
Ishte
një moment tejet i vështirë për të dy. Thanasi fliste me një zë pothuajse të
padëgjueshëm, ku dallohej një pikëllimi i thellë dhe i pashpjegueshëm, gjë që e
turbulloi Isufin dhe pyetje të shumta nisën ta shqetësojnë, por,
duke e respektuar shokun, bëri vetëm një:
-
Nuk po e kuptoj, pse gjendja shëndetësore e Sotirit u rëndua brënda një kohe të
shkurtër ? Nëse mundesh…
-
Po. Së bashku me Vangjelin, iu gëzuam pa masë ardhjes së tij mbas mungesës
dyjavore. Çuditërisht, shpejt na ra në sy se paraqitja disi më ndryshe, ishte
një fakt i pakundërshtueshëm dhe çdo ditë e më tepër ajo theksohej. Na lindi
dyshimi, na shqetësonte shkaktari i vërtetë i përkeqësimit të shëndetit.
Pyetjeve tona të kujdesshme, ai u largohej. Pse?
Konstrukti
Sotirit nuk përputhej me moshën. Ishte më i madhi midis nesh, por asnjëherë nuk
kishte treguar shenja lodhjeje, edhe nëse e kishim kaluar kufirin e aktivitetit
të përditshëm të grupit përgjatë gjithë kohës, para se të shkonte të takohej me
të birin. Çfarë e detyronte të ndiente vështirësi në frymëmarrje, të ecte shumë
më ngadalë se më parë, të fliste vetëm kur e pyetnim?
Natyrisht
shpejt iu përshtatëm situatës, e vlerësuam atë duke pakësuar kohën e
qëndrimit së bashku, tregonim kujdes në temat e bisedës, vend takimi ynë tashmë
bëhej fare pranë banesës së tij. Gjendja shëndetsore po rëndohej. E gjykuam të
arsyeshme t’i shkonim me Vangjelin përditë në shtëpi. Qëndronim aq kohë sa
ishte e dobishme për të prania jonë , në më të shumtën e rasteve biseda bëhej e
shkurtër dhe më shumë mbizotëronin çastet e heshtjes.
Rreth
tre muaj zgjati kjo gjendje shpirtërore tejet e rënduar për të gjithë ne,
sepse, pavarësisht situatës shëndetësore të cilën ne e vlerësonim, në momentin
e largimit ai na drejtonte pa shprehur asnjë fjalë kërkesën dhe dëshirën për
t’u ritakuar të nesërmen me një gjest nënkuptues: ngrinte parakrahun e djathtë,
shoqëruar në moment me lëvizjen e lehtë të gishtave, përkulte kokën dhe
buzëqeshte në më të sinqertën mënyrë miqësore. Natyrisht, aprovimi ynë jepej në
çast.
Një
mbasdite hyri me vrull djali tij, natyrisht i informuar dhe tejet i tronditur.
Iu afrua shtratit, e përqafoi fort, sikundër ndodh vetëm në raportin babë-bir,
aq i përmalluar. Qartazi shihej njohja e saktë e përparimit të sëmundjes.
Ngashërimi nuk e lejonte të shqiptonte asnjë fjalë. Në çastin kur po e mblidhte
veten, nisi të fliste ngadalë. Ne e dëgjonim, por pa mundur të kuptojmë asgjë.
Të prekur shpirtërisht, po shihnim sa nga njëri tek tjetri. Gjendja e rënduar
i vështirësonte Sotirit komunikimin me të birin. U ngrit gjysmë ndenjur.
Frymëmarrja iu vështirësua, kolla pengonte të shprehej dhe vetëm lëvizte paksa
kokën, në shenjë pohimi apo mohimi. Me një stërmundim shqiptoi:
-
Nuk jam i penduar! Veprova me ndërgjegje dhe tani… po largohem pa keqardhje. E
gjykova të drejtë veprimin tim…
-
Baba! Si munde kësaj here të mos mendosh as për vete, as…? Së pari dëmtove
shëndetin tend… Po ç’të mirë u dhurove njerëzve të shtrenjtë, kur ti me
ndërgjegje shpejtove vdekjen tënde?! Përse të mos bisedonim së bashku për të
zgjedhur më të mirën tonë? Nuk më lehtësove mua, por më dhe më të rëndën
goditje… Dihet se e vërteta del një ditë në shesh, por atëherë eshtë e pavlerë…
Kësaj radhe ndërgjegjja jote, ndershmëria e tejskajshme ka një kosto të
pamatshme për gjithë familjen, njëherazi për shokët pranë teje…
Nuk
mund të largoheshim asaj nate. Ishte një situatë e elektrizuar, shihnim
marrëdhënien e natyrshme në një familje… Të më besosh, Isuf,
dëgjoja, shihja rrotull, por absolutisht nuk po orientohesha për se bëhej
fjalë. Ishte e pa arsyeshme të ndërhyja dhe, në se jam ndier në më të vështirën
pozitë përgjatë jetës sime, ishin pikërisht ato çaste prekëse. Të njëjtën
situatë emocionale prezantonte Vangjeli, ulur pranë meje.
Iliri,
me sytë të mbushur me lot që rrëshqinin drejt mjekrës, në heshtje vazhdonte të
mbante të atin në kraharorin e vet. Duart shtënguar rreth qafës, me fytyrën
përkulur në pjesën e sipërme e kokës me flokë të rralluar, herë pas here
e puthte me dhembshuri. Dukej që djali po përjetonte emocione të fuqishme,
ndërsa Sotiri në ato momente aprovonte me një shikim të ngrohtë prindëror, por
edhe përvuajtshëm veprimet e të birit dhe hidhte ndonjë shikim mbushur me
ngazëllim drejt nesh... Heshtja zgjati disa çaste. Befas u dëgjua përsëri zëri
i Ilirit:
-
Baba! Të vërtetën ma tregoi nëna... Fatkeqësisht, tepër vonë…
Në
momentin pasues, pa e ndryshuar pozicionin e vet gjysmë ndenjur, me Sotirin të
mbështetur në kraharor, Iliri, me një shikim të pikëlluar dhe tonin mbresëlënës
në zërin e tij, na u drejtua:
-
Kur im atë, njëkohësisht miku juaj, vendosi të më takonte në Greqi, e kishte
për të parën herë, nga ana tjetër mundësitë ekonomike nuk e favorizonin ardhjen
time të përkohshme në familje. Pra, mbas mbërritjes së autobusit të linjës,
njëri nga shokët e mi e priti në staconin përkatës, e shoqëroi deri te banesa
ime, se atë ditë e kisha të pamundur të largohesha. Jam i punësuar në fabrikën
e çimentos me orar të zgjatur, deri në orën 18. 00. Babai po më priste në
shtëpi. Malli i zjarrtë për t’u takuar, më nxiti të shpejtoja pas pune, aq sa
nuk kalova nga dhoma e pastrimit. Nuk u thellova në vlerësimin e sjelljes. Pa
treguar as më të paktin kujdes për pamjen time mes pluhurit nga koka deri te
këmbët, trokita në derën e shtëpisë. Në moment e hapën. Sigurisht ishte babai,
që, në pritje për të më takuar, pothuajse llogariste kohën si të numëronte
sekondat...
Çast
i papërshkrueshëm kur Sotiri gjeti forcë të qëndronte gjysmë ndenjur, iu largua
krahëve të Ilirit dhe filloi të tregonte:
-
Sapo të hodha një vështrim nga koka te këmbët, u ndjeva shumë keq në ato çaste,
sepse isha i sigurt se ndodhesha brenda shtëpisë sate. Kisha përqafuar
vogëlushin, rreth një orë e mbajta në krahët e mi, ndërsa nusja jote, si
përherë tregoi ndaj meje, respekt, mikpritje të natyrshme. Po të prisja me
padurim, por, kur hapa derën, para meje qëndronte një qenie e çuditshme që, e
mbuluar me pluhurin e çimentos, i shëmbëllente një maske mjeshtërore, të
paimagjinueshme, absolutisht e pakrahasueshme me tim bir. Pamja e beftë dhe e
panjohur më turbulloi… Para kësaj të papriture, u ndjeva i goditur në shpirt,
mendimet u ndalën, nuk mund të dija nëse zemra ime do të më mbante ende të
gjallë mbas asaj breshërie goditjesh të çrregullta. E vetmja gjë reale që
vërtetonte praninë e tim biri ishin sytë, por ngjyra e tyre e natyrshme
bojëqielli e kthjellët sepse po përhapte nuanca xixëlluese, të errëta, të egra,
të huaja për mua… Sigurisht, qerpikët e rënduar nga pluhuri i çimentos pengonin
reflektimin e qartë e të këndshëm, për më tepër, hapësira e hapjes ishte e
kufizuar. Ndofta, pesha e pluhurit, i tejkalonte mundësitë? Humba nocionin e
kohës dhe të vendit ku ndodhesha, po përjetoja njërin nga çastet më të vështirë
të jetës, nuk po dija si të veproja. Sapo u kthjellova, pothuajse me
shpejtësinë e një shkarkese elektrike, më lindi një ide si të shkrepëtinte
rrufeja në qiell të pastër dhe mendova…
Iliri
përsëri e rrethoi mes krahëve të vet. E mbante mbështetur në kraharor, i lutej
me përgjërim të mos fliste më gjatë. Qartazi Sotiri po jetonte orët e fundit të
jetës. Çdo fjalë e ndante nga tjetra, vështirësia në frymëmarrje po theksohej
nga çasti në çast, duke u shoqëruar me një gulçim të fortë, teksa përhapej
matanë dhomës në korridor, sytë e lagur gjysmë të mbyllur…
-
Baba, të lutem, më lejo të vazhdoj unë, - Iliri po na shihte me trishtim. -
Asaj dite, tepër i gëzuar që do të takohesha me të, m’u krijua përshtypja se
orët nuk e ndiqnin njëra-tjetrën. Koha po zgjatej mbi të zakonshmen, mbase edhe
cilësia e punës së kryer prej meje linte për të dëshiruar… Shpejtova të ngjisja
shkallët. Trokita fort. Para meje po shihja i emocionuar dhe i lumturuar tim
atë, por mbeta i habitur sepse në ato momente nuk po ndodhte e natyrshmja, e
përsëritshmja: hedhja në krahët e njëri-tjetrit, një instikt në bazën e
të cilit qëndron lidhja direkte, gjenetike prind-fëmijë. Në mënyrë të
pashpjegueshme dhe të paimagjinueshme, të dy shtangëm përballë njëri-tjetrit,
si të ngujoheshim përmes derës së hapur. Shiheshim ngultas, pa mundur të
shqiptonim asnjë rrokje të vetme. Në moment hamendësova mendimet , jo plotësisht
të qarta:
“Mos
vallë babai përpiqej të eleminonte një pengesë imagjinare që pamja ime e
tjetërsuar impononte?”.
Po
prisja të më shtrëngonte në gjoksin e tij, të përqafonim njëri-tjetrin, të
shkriheshim në një trup të vetëm… veprime të panumërta qëkurse njoha veten
time…
E
kam të pamundur t'i përshkruaj çastet e mëvonëshme. Afroi buzët mbi ballin tim
të djersitur. Kur u largua paksa, unë dallova qartësisht skicimin e tyre të
ravijëzuar nga një shtresë e hollë pluhuri çimentoje, sigurisht e transferuar
nga balli im në momentin e puthjes. Pastaj më preku vetëm qerpallat, se
qerpikët e rënduar nga pesha e çimentos u përpëlitën në vetëmbrojtjen
instiktive. Në vijim, përshkoi disa herë me të dyja duart flokët e mi, ku sasia
e pluhurit të çimentos ishte gërshetuar me kaçurrelat e dendura. Po i ndiqja
lëvizjet e lehta të gishtërinjve të duarve për të pastruar pluhurin e mbetur në
to. Njëkohësisht tundi kokën, shoqëruar me rrotullime të pakta disa çaste, si
të donte të faktonte mendimet turbulluese:
-Ilir!
E dija se punoje shumë, i gëzohesha përkushtimit tënd, por kurrë nuk mund ta
imagjinoja se një ditë pluhuri i çimentos do të më pengonte të njihja djalin
tim... Nuk na ke treguar… - Më vjen keq,
baba! Është gabimi im që vrapova të takoheshim dhe nuk plotësova procesin e
fundit të mbarimit të turnit. E kemi të caktuar brenda programit ditor të bëjmë
menjëherë pastrimin e trupit në dushet përkatëse para largimit, për më tepër
sot, kur një mosfunksionim në repartin e… (në moment sajova diçka të pavërtetë,
e domosdoshme për të dy, sepse do të ndihmonte të zgjidhej situata e
vështirë). Të lutem, më fal! Baba, na edukove ta duam punën, ta fillojmë
e mbarojmë me cilësi, me ndërgjegje, pavarësisht vendit dhe specifikës së
saj. Si mund të harroj se ti asnjëherë nuk shprehe më të
voglën ankesë kur ktheheshe në shtëpi mbas një pune të stërlodhshme
mendore, ndonjëherë edhe fizike, kur ju punonit për hapjen e puseve të reja të naftës….
Çuditërisht,
sapo i përmenda fjalën "puse nafte", shikimi i tij u zbut dhe u
ëmbëlsua në mënyrë të magjishme... Nuk mund ta përcaktoj sa gjatë qëndruam
përqafuar. E pamatshme koha. Ai nuk e hiqte krahun nga shpatullat e mia. Të
parat fjalë pasuese të përshëndetjes (sepse po dyshoja që ishte duke bërë
njëfarë përpjekje për t'u treguar i natyrshëm), ishin:
-
Se mos harroj të të them, Ilir. Fillova punë në një pikë karburanti. Atje më
paguajnë…
-
Oh, baba! Tani po më gëzon se e di mirë si ndihesh ti duke punuar… Nga ana
tjetër, lehtësohem dhe unë. Medikamentet e tua këtej e tutje do të mundesh t’i
sigurosh me të ardhurat që do të kesh...
Besoj
se më kuptoni, flas sinqerisht me ju miqtë e tij, sepse po
i qëndroni pranë duke i dhuruar afërsi njerzore në çastet më të vështira
të jetës, kur e ka të pamundur të dalë nga shtëpia dhe pikërisht ju e
respektoni, e ndihmoni realisht.
Për
ta qartësuar këtë situatë serioze e të pakorrigjueshme, rrjedhojë e
një punësimi irreal, im atë mendoi një formë të përshtatshme ndihme për
mua në momentin kritik kur vetëm pjësërisht njohu kushtet në të cilat
punoja përditë. Sapo u kthye, ai bisedoi me nënën dhe u mirëkuptuan të
mbetej një sekret midis tyre duke e gjykuar së bashku se do të ishte mirë të më
kursenin shpenzimet ekonomike në kushtet e krijuara mbas lindjes së djalit. Por
çfarë përfitimi na solli? Tani po përjetojmë më të hidhurin…
Disa
orë më vonë, Sotiri, në grahmat e fundit të jetës, ndodhej në krahët e të
birit. Dukej se mbështetja në kraharorin e Ilirit e lehtësonte. Me sytë të
mbyllur, kokën të anuar lehtësisht majtas, po e dëgjonte të birin, por e
kishte të pamundur të përgjigjej...
-
Baba, të lutem, më lejo të vazhdoj. Nuk mundesha ta shpjegoja përkeqësimin e
shëndetit, mbasi ne u takuam së bashku. Pyeta nënën, por ajo, e ndodhur në një
pozitë të vështirë midis djalit dhe të shoqit, zgjodhi t’i përmbahej së
vërtetës…Ku jemi tani ?
E
nesërmja ishte dita e fundit e jetës së Sotirit. Nuk mundem ta përshkruaj,
por ai mbeti në zemrën time ende i gjallë si i veçantë, i sinqertë, një
përfaqësues sublim i sakrificës njerëzore.
Thanasi
nuk po mundej të vazhdonte bisedën. Shihte drejt Isufit, i lënduar, si të
kërkonte në heshtje ndihmë, aprovim me fjalë nëse ai po i qëndronte
shpirtërisht pranë mikut të vjetër, njëra nga gjërat më të çmuara gjatë jetës
së njeriut, pavarësisht moshës.
- E
kuptoj që u zgjata, por dua të të shpreh një gjykimin tim, - vijoi Thanasi. -
Sjellja e djalit të Jonuzit, shëmbëllimin e së cilës e gjetëm tek i biri i
Sotirit, gjë që e njohim mirë te djemtë tanë, faktojnë në mënyrë të
pakundërshtueshme ndershmërinë, dinjitetin dhe zemërmadhësinë e brezit të
sotëm. Po shprehem lirshëm, Isuf, por me keqardhje më duhet të pranoj qëndrimin
ekstremisht të kundërt të njërit prind krahasuar me tjetrin. Pra, brezi ynë…
-
Po, jam dakord. Problematike është mosha jonë, - pohoi Isufi. - Së largu
kisha dijeni për miqësinë tuaj të admirueshme që ka krijuar respekt nga të
njohurit tanë të përbashkët dhe ky fakt më ka sjellë kënaqësi. Ajo çka nuk
mundem të kuptoj, është vetmia jote e kohëve të fundit, gjendjen
shpirtërore të veçantë që asnjëherë përgjatë viteve të shumta të mëparshëm së
bashku, nuk e ke prezantuar. Mos po gaboj, po e teproj? Të kërkoj
ndjesë! Megjithatë, çfarë të ka ndodhur ty, Vangjelit më pas? Po më
dukesh i zhytur në hidhërim dhe të njëjtin shqetësim për ty më shprehu dhe
gruaja jote… Nëse e sheh të arsyeshme të më tregosh shkakun e kësaj
situate, do të ishte mirë për ne, sepse erdha të takoheshim së bashku. E
kam ndier mungesën e takimeve tona, më kishte marrë malli shumë për ty. Po,
kuptoj qartë, e ndiej se kam detyrë të të ndihmoj si një mik të vjetër. Tani le
të flasim hapur… Po të pres.
Pas
disa çastesh, Thanasi u shpreh:
-
Isuf, takimi ynë i sotëm është një ndihmë e paçmueshme për mua. Ai përkon me
situatën më të veçantë të përjetuar prej meje, një dramë shpirtërore e
shumëfishtë. Tri ditë më parë u nda nga jeta Vangjeli… Pra, brenda gjashtë
muajve të fundit… Asnjëri prej ne të katërve nuk e pranonte se, pasi
janë kapërcyer të 65-at, koha rrit shpejtësinë e ecjes së saj
Thanasi,
me një shikim pothuajse të përhumbur shihte drejt Isufit dhe priste fjalën e
tij.
-
Oh! Po ndiej keqardhje për shokët e tu, ndonëse s’i kam njohur së afërmi, - tha
Isufi. - Thjesht një përshëndetje kur punoja në qytetin tonë, por,
kur mësova për marrëdhëniet midis jush, organizimin perfekt të kalimit
kohës, u gëzova. Ndiej një detyrim shpirtëror të shprehem për ta. U prehshin në
paqe! I paharruar qoftë kujtimi i tyre! Sinqerisht të jam pranë shpirtërisht.
Nuk e kam ditur më parë, pa do të kisha ardhur pa vonesë.
Thanasi
qëndronte mendueshëm, pa folur, si të hezitonte të shprehte diçka të
papërmendur në bisedën e deri atëhershme dhe çuditërisht, në mënyrë të
papritur, shikimi drejt Isufit në të njëjtin çast po prezantonte hidhërim edhe
një ndjenjë faji. Natyrshëm, në pritje të lutjes për ta falur… Çfarë mund të
kishte ndodhur? Momente të paqarta, ndërsa heshtjen e thyeu Isufi, duke e
theksuar tonin miqësor:
-
Mendoj se ty të shton dhimbjen e humbjes së tre shokëve edhe diçka tjetër.
Është mirë ta shtjellojmë së bashku.
Një
ravijëzim u vu re në fytyrën e Thanasit, pothuajse një buzëqeshje e brendshme,
nënkuptuese, si një ndjesi falënderuese:
-
Ti e ke njohur psikologjinë jo vetëm në pozicionin e mësuesit, Isuf. Natyra të
ka falur talentin e rrallë, pothuajse një magji reale, mundësinë të
depërtosh në thellësi të botës shpirtërore të shokut përballë, vlerën e së
cilës e përcakton vetë personi i ndihmuar prej teje. Konkretisht, në këto çaste
është radha ime të të falënderoj që po më nxit të shpalos brengën time. Besoj
sinqerisht se më pas do ndihem tepër i lehtësuar, falë ndihmës sate.
Ja
:- Dhimbja e thellë për largimin e Jonuzit, Sotiri u rëndua tri
ditë më parë se Vangjeli të bënte një vdekje të papritur në orët e paradites.
Aq e papritur… Ai nuk mundi të merrte më të shpejtën ndihmë nga ekipi
mjekësor. Ata e transportuan në repartin e urgjencës dhe bënë të pamundurën për
ta shpëtuar. Ekspertiza mjeko-ligjore vërtetoi shkakun e vdekjes së tij, një shkallë
e avancuar e dëmtimit të aortës. Kur mësuam për problemin tepër serioz
vdekjeprurës, m’u kujtuan episode të kaluara. Ai e anashkalonte apo ndërronte
temën e bisedës kur ne shokët e tij e pyesnim për gjendjen shëndetësore, aq sa
ndonjëherë më krijohej njëfarë dyshimi se Vangjeli ruante një farë fshehtësie
për gjendjen e vet shëndetësore. Nuk shprehte ankesa në momentet e lodhjes
fizike, ndonëse diçka e pazakontë prezantohej në pamjen e tij.
Çfarë e rëndonte?
-
Se si e përjetova humbjen e shokut të tretë, tani e kam të vështirë të
shprehem. Të nesërmen, teksa ndodhesha i vetëm në shtëpi, iu afrova
bibliotekës për të marrë ndonjë libër. Thjesht po kërkoja ndonjë mënyrë si të
kaloja orët e mbasdites të cilat më dukeshin të zgjatura. As dëshiroja të
ndërroja ambient, ndonëse gruaja më lutej të dilnim së bashku, duke dashur që
të shkëputesha nga mbyllja në vetveten time, sepse e shihte dhe e përjetonte
gjendjen time të pikëlluar që po thellohej më tej. E refuzoja prerazi, nuk
ndihesha mirë pa miqtë e mi, tashmë të larguar përgjithmon.
Dje
papritmas m’u kujtua një bllok shënimi që Vangjeli më pati dhënë kohë më parë.
Ka të ngjarë që linja e mendimeve të mija atyre çasteve të shkonte paralel me
kujtimet për të. E gjeta të vendosur në një cep të tavolinës sime. Doja të
mësoja sa më shpejt se çfarë shkruhej brenda atyre fletëve, një veprim të cilin
duhej ta kisha bërë pa vonesë, pasi koha e lirë nuk më kishte munguar…
“Janë
pjesëza të jetës sime, do të doja t’i njihje, Thanas, se të vlerësoj si
njeri të veçantë prandaj kam besim të
plotë tek mendja dhe zemra jote", - më pati thënë.
Fillova
të lexoj faqet e para. I përqendruar brenda tyre, nuk e ktheva kokën në çastin
e hapjes së derës. Gruaja u ndje e lehtësuar kur më pa se isha duke lexuar dhe,
si përherë, pa treguar kuriozitet, pa më ndërprerë - mirëkuptimi ynë i
përhershëm. Më pas ajo u shqetësua se i tërhoqi vëmendje heshtja ime e zgjatur.
Për më tepër, nuk shkova as të haja darkë me të, siç bëja zakonisht.
Mbasi
e përfundova leximin e atyre shënimeve, tronditja ime mori përmasa të mëdha dhe
m’u shumëfishua hidhërimi në shpirt. Më duhet ta pranoj ndershmërisht se mbaj
përgjegjësi për sa mësova prej tyre, përballë indiferencës sime të pafalshme…
Kujtoj
njërën nga mbasditet ulur pranë njëri-tjetrit.
Po përmendnim pjesëza të jetës së kaluar së bashku ne, të katër shokët. Në
çastet kur shihnim karriget e tyre mbetur shkretë, situata u bë më e
trishtuar, e panjohur deri atëherë dhe fjalët u pakësuan. Mos vallë një
urdhëresë e lindur mbas vdekjes së Jonuzit, Sotirit, miqve tanë të shtrenjtë na
i kufizonte bisedat? Por, jo, koha e qëndrimit së bashku, ndonjëherë ishte më e
zgjatur deri sa, një mbasdite arriti kulmin kur nuk shkëmbyem asnjë fjalë
dhe në momentin e ndarjes, para përshëndetjes së zakonshme, Vangjeli m’u
duk se donte të më bënte një pyetje (një çast u tërhoq; mbase për shënimet në
një bllok rreth tre vjet më parë?). Shikimin drejt meje nuk po mundesha ta
qartësoja, si të nënkuptonte diçka...
Thanasi,
me shikim pothuajse të përhumbur, shihte para vetes dhe psherëtinte.
-
Kam bërë gabimin më të madh të jetës, Isuf. Nuk kam ndihmuar shokun tim, që
kishte nevojë më tepër se kush tjetër t’i qëndroja pranë shpirtërisht. Ndihma
nuk është përherë ulëritëse; një shikim i drejtëpërdrejtë mund të jetë kërkesa
reale për të, pritja për një përgjigje… Pikërisht më vret ndërgjegjja se
para syve të mi pata mijëra të tillë. I neglizhova… Po tani ç’vlerë ka indiferenca
ime? Kujt do t’i kërkoj falje? Vangjeli u bashkua me Jonuzin, me Sotirin dhe
unë jetoj me ndërgjegje të vrarë.
*
* *
Kam mbajtur prej shumë vitesh në një ditar ngjarje të shënuara të
jetës sime. E përse më duheshin ato kur gjithçka është e ruajtur brenda meje?
Mendova të përmbledh në një faqe të vetme gjithë jetën time. Dëshiroj t’ia
tregoj Thanasit, tek i cili besoj se do të më japë ndihmën e munguar që të
vazhdoj jetën si gjithë të tjerët, sepse kam njohur disa anë të dhimbshme të
saj.
Rrethanat më detyruan të merrja drejtimin e familjes kur ende isha
në moshë të njomë. Të dy prindërit ndërruan jetë para kohe. Nuk munda ta
mësoja shkaktarin e kësaj tragjedie dhe e kam një peng në veten time.
Mendoj se është pothuajse e paimagjinueshme dhe e pabesueshme që një adoleshent
14-vjeçar të kujdesej për motrën, dy vëllezërit, edhe pse ndihma e të afërmve
dhe komshinjve i kapërcente kufijtë e mundshëm. Fatmirësisht, motra shpejt ia
mori dorën punëve brenda shtëpisë, por… çfarë ndodhte jashtë saj?
Përgjatë viteve të shkollës 7-vjeçare arrita nivelin e nxënësit
mesatar, falë përqendrimit gjatë orëve të mësimit. Sa për detyrat, kur
mundesha, i plotësoja brenda oborrit të shkollës…
Shërbimi ushtarak më ndihmoi të njihja disiplinën, jetën
shoqërore, disa procese pune në repartin e prapavijës, të cilat, mbas
mbarimit të kursit të arsimit profesional mundësuan
profesionalizmin, punën e lodhshme në repartin e mirëmbajtes me çantën e
rëndë mbushur me vegla pune hedhur mbi supe; në një të vogël bukën e drekës me
një fetë djathi, pa harruar shishen e ujit.
Njohja
dhe martesa me Linën, dashuria midis nesh, më lumturonte vitet e para, por
mungesa e fëmijëve, fakti që më diagnostikuan me fazën e përparuar të
ngushtimit të kllapave të aortës (rastësisht, në çastin kur Lina pati një
gjakderdhje të papritur, urgjentisht duhej të dhuronim gjak për të
kompensuar sasinë e humbur - isha njëri prej tyre), u befasova kur mjekët pas
vizitës mjekësore protokollare nuk më lejuan se diagnostikuan një dëmtim të
avancuar të kllapave të aortës. Realisht ndodhesha në prag të ndërhyrjes
kirurgjikale, gjë që nuk e kisha ditur më parë.
Ishte një informacion tepër tronditës, shumëfishuar mbas vdekjes Linës.
Përpjekjet e shumta nuk arritën të zgjatnin jetën e saj. I helmuar pranova
realitetin. Për më tepër, diagnoza më detyronte të pakësoja aktivitetin fizik
(u binda se dhimbjet e gjoksit, të përsëritura viteve të fundit, padrejtësisht
i kisha vlerësuar si treguese të mbilodhjes së përditshme).
Mbeta në vetmi të thellë. Para meje, rruga kryesore ishte mbyllja në
vetvete. Motra dhe vëllezërit jetonin larg me familjet e tyre; nuk merrja guxim
të bisedoja as me miqtë apo shokët e punës. Me siguri nuk do besonin që
në organizmin tim ekzistonte një sëmundje serioze e zbuluar rastësisht, kur
asnjë çast gjatë gjithë ditës së punës nuk rastisi të mbetesha pas tyre.
Një gabim i pafalshëm: mjekët më këshilluan të isha nën kontroll të
rregullt mjekësor, gjë që nuk e kreva, plotësisht i ndërgjegjshëm. Njoha punën
dhe e doja atë pa asnjë mëdyshje. U vura me shpatulla mbas murit në çastet kur
tre vjet mbas vdekjes së Linës mendova të bashkëjetoja me një grua të
njohur dhe respektuar prej meje, me të cilën na favorizuan rrethanat të
afrohemi. Solla në mendje kontrollin mjekësor të tri viteve më parë dhe e gjykova
të arsyeshme të konsultohesha me specialistin kardiolog. Nuk i harroja
rekomandimet e tyre që të isha i kujdesshëm në gjendjet emocionale, t’i
kufizoja sa më tepër të ishte e mundur. Pas ekzaminimit, mjeku më pyeti nëse
kisha ndonjë shqetësim, duke pritur në heshtje përgjigjen time. Papritmas u
ndjeva në pozitë të vështirë për të treguar shkakun e
konsultës mjekësore. Pasi e përsëriti pyetjen, pohova se ndihesha mire
dhe e vetmja arsye për të cilën shkova… Por nuk mund të vazhdoja të
flisja më tej. Në moment ktheva kokën drejt Rinës, e cila po më shoqëronte në
pritje të aprovimit për martesën tone. Larg e larg i kisha treguar arsyen e
hezitimit. Thjesht tregova se kisha menduar për martesë me… (ngrita lehtësisht
kokën drejt Rinës; gruaja ime tre vjet më parë kishte ndërruar jetë).
Mjeku po më shihte me vëmendje, i përqendruar, ngultas. As tani nuk e
kuptoj përse m’u krijua njëfarë dyshimi se mos ndoshta mjeku po bluante në
mendjen e vet për moshën time. Në moment, unë, i paduruar, pa u thelluar, si
kurrë më parë, kapërceva kufijtë e etiketës njerëzore. Thënë ndryshe,
pozicionin e vërtetë të pacientit e zëvendësova me atë të ekspertit
mjekësor.
- Jam i sigurt se “Viagrina” do të më ndihmojë! Kam dëgjuar për efektet
pozitive të saj.
Reagimi i shpejtë i tij më dha përgjigjen e merituar, me vlerë
të dyfishtë. Ishte një nënqeshje ironike, shoqëruar me fjalët sqaruese se
medikamenti njihet me emrin “Viagra”; së dyti, me një ton të rreptë sqaroi
prerë:
- Kur pacienti kërkon një konsultë mjekësore, detyrimisht duhet të jetë
në pritje të përgjigjes përkatëse. Asnjë pacient nuk ka të drejtë t’i sugjerojë
mjekut përdorimin e një medikamenti, emrin e të cilit nuk e di me saktësi dhe
as rrethanat specifike të përdorimit. Konkretisht, ty Vangjel nuk të lejohet
ta përdorësh, për shkak të fazës së përparuar të sëmundjes së zemrëse dhe të
moshës… je mbi 60 vjeç.
Në moment ula kokën si një fëmijë i zënë në faj. Nuk gjeta forcë as
ta shihja në sy, as ta përshëndesja e ta falënderoja dhe, krahë për krahë me Rinën,
iu drejtova derës. Fjalët ishin të padobishme… E pranova, më mirë të them iu
nënshtrova goditjes shpirtërore të radhës. Kuptova se ajo, e bashkuar me
të mëparshmet, u kthyen në një front lufte ndaj meje. I mbetur fillikat në
mes të sheshit të betejës, jeta ime ishte transformuar në njërën nga
llojet e luftës, vetëm se pa armë…
Vetmia mori përmasa të frikshme. Lexoja libra njëri mbas tjetrit, disa i
rilexoja, por asnjëri nga shkrimtarët apo personat e përshkruar me karakterin e
vërtetë njerëzor nuk më përshëndeti, qoftë me më të thjeshtën përshëndetje…
Shpirti po kullonte gjak dhe po shteronte nga dita në ditë...
Rastësisht shkreptiu një shkëndije shprese. U njoha dhe u afrova me tre
moshatarë pensionistë, midis të cilëve veçoja Thanasin, për karakterin e tij të
sinqertë dhe zgjuarsinë e skajshme. Ishte përherë i natyrshëm, i ndjeshëm,
prezantonte vetveten. Përgjatë kohës së qëndrimit bashkë, orët i kalonim në
mënyrë të këndshme. Pastaj përshëndeteshim: “Natën e mirë!” (ku do ta gjeja unë
mirësinë? Ajo më kishte braktisur përfundimisht)… Të tre shokët kishin familjet
e tyre normale. I admiroja. Faktikisht, asnjëherë nuk shprehja brengat e mia,
paraqitesha i qetë, pothuajse gjithçka të mbyllur brenda meje. Shpresoja vetëm
se një ditë Thanasi do t’u afrohej burrërisht dhe njerëzisht, portave të
shpirtit tim. Ato do të hapeshin në moment dhe ai do të kishte mundësi të
shihte, të njihte, të vlerësonte, dhe të ushtronte forcën e duhur për ta
penguar lëngatën time. Mbase gjaku që kullonte çurkë prej shpirtit tim të
pikëlluar deri atëherë, do të humbiste pika-pika.
E njihja forcën shtrënguese të kaçavidës, përdorur mijëra herë në duart
e mia si hidraulik dhe e prisja një efekt të tillë që do ta siguronte jo një
mjet i hekurt, por afërsia e veçantë njerëzore e mikut tim… Fatkeqësisht mbeta
vetëm në fazën e pritjes… Përgjatë 24 orëshit, më takonte që 2/3 e kohës të
mbetesha i izoluar nga jeta, nga bota. Prita me ditë, me javë dhe muaj të
kuptoja që Thanasi i ishte afruar shpirtit tim, zemrës sime të përlyer me gjak,
kur unë vetë ia ofroja nëpërmjet njohjes me këto shkrime… Asnjë shenjë nuk u
duk… Asgjë, asgjë. Sikur një thërrime shprese të shquaja së largu, do të
ishte gjë e madhe për mua. Fati im paska qenë i shkruar, nuk kam asnjë mjet, as
forcë ta kundërshtoj, jam i detyruar ta jetoj këtë jetë që padrejtësisht më
filloi, vazhdoi dhe po përfundon mes vuajtjesh rrethuar…